Biblioteka
Mësimi 125: Filipianëve 4


Mësimi 125

Filipianëve 4

Hyrje

Pali i udhëzoi shenjtorët në Filipi që të ishin plot lutje dhe të kërkonin çfarëdo gjëje që është e drejtë. Ai shpalli edhe besimin e tij në forcën mundësuese të Jezu Krishtit. Pali e mbylli letrën e tij me një mënyrë tjetër falënderimi për shenjtorët filipianë, për mbështetjen që i dhanë atij në kohët që ai kishte nevojë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Filipianëve 4:1–14

Pali i udhëzon shenjtorët në Filipi që të jenë plot lutje dhe të kërkojnë çfarëdo gjëje që është e drejtë

Përpara orës mësimore, shkruajeni secilën nga thëniet vijuese në fletë të veçanta letrash dhe jepuani secilën letër studentëve të ndryshëm:

“Jam i/e shqetësuar nëse do të kaloj në provimin e radhës”.

“Jam i/e shqetësuar për një pjesëtar të familjes, i/e cili/a është sëmurë”.

“Jam i/e shqetësuar se si të qëndroj i/e fortë për bindjet e mia”.

“Jam i/e shqetësuar nëse do të jem një misionar/e i/e suksesshëm/me”.

Fillojeni mësimin duke shkruar në tabelë fjalën shqetësohem. Vini në pah se gjatë gjithë jetës sonë, ne do të përjetojmë sfida ose rrethana që mund të na bëjnë të shqetësohemi. Ftojini studentët që kanë letrat të ngrihen në këmbë dhe t’i lexojnë thëniet e tyre me radhë. Kërkojini klasës të mendojë për raste kur kanë pasur shqetësime të ngjashme.

  • Çfarë shqetësimesh të tjera mund të përjetojmë ne si rrjedhojë e sfidave ose rrethanave të vështira?

Kërkojuni studentëve të shkruajnë në fletoren e klasës ose ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta rreth një sfide, për të cilën ata ose dikush që njohin shqetësohen. Ftojini studentët të kërkojnë një të vërtetë ndërsa studiojnë Filipianëve 4, që mund t’i ndihmojë ata kur shqetësohen.

Kujtojuni studentëve se në letrën e Palit drejtuar anëtarëve të Kishës në Filipi, ai e përgëzoi besnikërinë e anëtarëve të Kishës (shih Filipianëve 2:12) dhe u mësoi atyre për shpërblimet e përjetshme që janë në dispozicion për ata që sakrifikojnë për Jezu Krishtin dhe janë besnikë ndaj Tij. Përmblidheni Filipianëve 4:1–5 duke shpjeguar se Pali i këshilloi shenjtorët të qëndronin të patundur me besnikëri ndaj Zotit, të gëzoheshin në Zotin dhe të lejonin që zemërbutësia e tyre (shih vargun 5, poshtëshënimi a, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]), të ishte e dukshme tek të tjerët.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë frazën e parë të Filipianëve 4:6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar këshillat e Palit për shenjtorët. Drejtojini studentët te vargu 6, poshtëshënimi a [në variantin SHDM të Biblës në anglisht], për t’i ndihmuar ata të kuptojnë se fraza “mos u shqetësoni për asgjë” do të thotë të mos merakosesh së tepërmi për asgjë.

Shkruajeni frazën vijuese në tabelë: Si pasues besnikë të Jezu Krishtit, nëse …

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë pjesën tjetër të Filipianëve 4:6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali i këshilloi shenjtorët të bënin në vend që të shqetësoheshin. Ju mund të shpjegoni se përgjërimi është një kërkesë e përulur, e sinqertë.

  • Si do t’i përmblidhnit udhëzimet e Palit në vargun 6? (Shkruajini përgjigjet e studentëve në tabelë si një thënie e llojit “nëse”, të ngjashme me sa vijon: Si pasues besnikë të Jezu Krishtit, nëse lutemi me përgjërim dhe falënderim, …)

Shtojani fjalën atëherë thënies në tabelë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Filipianëve 4:7. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke kërkuar bekimin që premtoi Pali se [vjen] për shkak të lutjes me përgjërim dhe falënderim. Shpjegoni se fjala ruajë në këtë varg do të thotë të mbrosh (shih vargun 7, poshtëshënimi c, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]).

  • Si do ta përmblidhnit bekimin që premtoi Pali? (Shkruajini përgjigjet e studentëve në tabelë pas [pjesëzës] atëherë. (Studentët duhet të kenë përcaktuar një parim të ngjashëm me sa vijon: Si pasues besnikë të Jezu Krishtit, nëse lutemi me përgjërim dhe falënderim, atëherë Perëndia do të na bekojë me paqen e Tij.)

  • Kur shqetësohemi, si mund të na ndihmojë për të sjellë paqe shprehja e mirënjohjes në lutjet tona?

  • Nga se na i ruan paqja e Perëndisë zemrën dhe mendjen tonë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës që të mbajë vesh për mënyrat shtesë se si mund të na ndihmojë paqja e Perëndisë:

Pamja
Plaku Riçard G. Skot

“Ngaqë e respekton lirinë tuaj të zgjedhjes, Ati në Qiell nuk do t’ju detyrojë kurrë që t’i luteni Atij. Por teksa e ushtroni atë liri të zgjedhjes dhe e përfshini Atë në çdo fushë të jetës suaj të përditshme, zemra juaj do të fillojë të mbushet me paqe, paqe të gjallëruar. Ajo paqe do të përqendrojë një dritë të përjetshme mbi vështirësitë tuaja. Do t’ju ndihmojë t’i mbikqyrni ato sfida nga një këndvështrim i përjetshëm” (“Bëjeni Ushtrimin e Besimit Përparësinë Tuaj Parësore”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 93).

  • Sipas Plakut Skot, në ç’mënyrë paqja e Perëndisë mund të na ndihmojë me sfidat që përjetojmë?

  • Kur jeni lutur me përgjërim dhe falënderim në një rast shqetësimi dhe jeni bekuar me paqen e Perëndisë?

Kërkojuni studentëve t’i referohen shqetësimit që shkruan më parë në mësim. Nxitini ata të luten me përgjërim dhe falënderim në vend që të shqetësohen. Nëse studentët shkruan për shqetësimin e dikujt tjetër, nxitini ata t’ia tregojnë këtë parim atij personi.

Për t’i përgatitur studentët të përcaktojnë një parim shtesë që Pali ua mësoi shenjtorëve filipianë, ndajeni klasën në tresh. Caktojini njërës treshe të klasës të mendojë për një artikull të parapëlqyer ushqimor, treshja tjetër e klasës të mendojë për një figurë ose histori gazmore dhe treshja e mbetur të mendojë për një figurë ose përvojë në tempull. Ftojini studentët të përqendrohen te ky mendim për 30 sekonda.

  • Çfarë ndikimi pati tek ju përqendrimi te ky mendim, nëse patët ndonjë?

Vini në pah se ajo gjë për të cilën mendojmë, mund të ndikojë në dëshirat dhe sjelljet tona. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Filipianëve 4:8–9. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë i këshilloi Pali shenjtorët filipianë që të mendonin dhe të bënin. Ju mund të shpjegoni se “mendoni” do të thotë t’i kushtosh vëmendje të kujdesshme e të vazhdueshme.

Ftojini studentët të marrin parasysh shenjimin e çdo gjëje, tek të cilat Pali i udhëzoi shenjtorët që t’i përqendronin mendimet e tyre.

  • Përveç të menduarit për këto gjëra, çfarë u këshilloi Pali anëtarëve të Kishës që të bënin?

  • Çfarë bekimi u premtoi Pali shenjtorëve nëse ata do t’i ndiqnin mësimet dhe shembullin e tij?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga ajo që u mësoi Pali shenjtorëve besnikë te Filipianëve 4:8–9? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse shenjtorët besnikë i përqendrojnë mendimet e tyre në çfarëdo gjëje që është e drejtë dhe nëse i ndjekin apostujt e profetët, atëherë Perëndia i paqes do të jetë me ta.)

  • Në ç’mënyrë përqendrimi i mendimeve tona në çfarëdo gjëje që është e drejtë ndikon në dëshirat dhe sjelljet tona?

Kërkojini klasës të shkojë te Nenet e Besimit te Perla me Vlerë të Madhe. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë nenin e trembëdhjetë të besimit. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar ngjashmëritë me Filipianëve 4:8.

  • Çfarë ngjashmërish vini re ndërmjet këtyre dy vargjeve?

Vini në pah se kur Profeti Jozef Smith e citoi këtë “këshillë [të] Palit” nga Filipanëve 4:8, në nenin e trembëdhjetë të besimit, ai e ndryshoi [frazën] “këto mendoni” në formë më veprore “ne i kërkojmë këto gjëra”.

  • Si mendoni ju, përse është e rëndësishme për ne që t’i kërkojmë gjërat që janë të ndershme, të vërteta, të dëlira (ose të pastra), të virtytshme, të dashura dhe të denja për t’u lavdëruar?

  • Në ç’mënyrë kërkimi i këtyre gjërave na ndihmon t’i përqendrojmë mendimet tona në gjëra të tilla?

Ndajini studentët në grupe me nga tre ose katër veta. Jepini secilit grup një kopje të Për Forcën e Rinisë (broshurë, 2011) dhe fletushkën vijuese. Caktojini secilit grup dy nga temat vijuese nga [broshura] Për Forcën e Rinisë: “Takimet”, “Veshja dhe Pamja e Jashtme”, “Arsimi”, “Argëtimi dhe Media”, “Miqtë”, “Fjalori” ose “Muzika dhe Vallëzimi”. (Përshtateni madhësinë e grupeve dhe numrin e temave në varësi të madhësisë së klasës.) Mësojuni studentëve t’i ndjekin udhëzimet në fletushkë.

Pamja
fletushkë

Filipianëve 4:8–9

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 125

Shkruajini temat që ju janë caktuar këtu:

Për secilën nga këto tema, diskutoni për pyetjet vijuese:

  • Në ç’mënyrë mund t’i përdorim ne udhëzimet e Palit te Filipianëve 4:8–9 për të na udhëhequr në zgjedhjet tona lidhur me këtë temë?

  • Ndërsa përpiqemi të ndjekim udhëzimet e Palit, çfarë sfidash mund të hasim ne lidhur me këtë temë?

Më pas, diskutoni për pyetjen vijuese:

  • Përse kur kemi Perëndinë e paqes me ne ia vlen përpjekja që të kërkojmë gjërat e drejta dhe t’i ndjekim apostujt e profetët?

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojeni një student nga secili grup t’i raportojë klasës se çfarë diskutoi grupi i tij apo i saj për secilën pyetje.

  • Kur i keni përqendruar mendimet tuaja në gjërat e drejta, si jua ka treguar Perëndia i paqes se Ai ishte me ju?

Nxitini studentët të shkruajnë në ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta apo në fletoren e klasës, një mënyrë se si mund t’i përmirësojnë përpjekjet e tyre për t’i përqendruar mendimet e veta në gjërat e drejta dhe si mund t’i ndjekin apostujt dhe profetët e Perëndisë.

Përmblidheni Filipianëve 4:10, duke shpjeguar se Pali i falënderoi shenjtorët filipianë për mbështetjen dhe kujdesin që i kishin dhënë atij gjatë sprovave të veta.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Filipianëve 4:11–12. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali u tha shenjtorëve se kishte mësuar.

  • Çfarë kishte mësuar Pali të bënte në të gjitha rrethanat?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Filipianëve 4:13–14. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se cili ishte burimi i forcës së Palit.

  • Cili tha Pali se ishte burimi i forcës së tij?

Shpjegoni se thënia e Palit te vargu 13 i përket aftësisë së tij, te forca që iu dha nga Jezu Krishti për të bërë të gjitha gjërat që ishin të kënaqshme për Perëndinë ose që Ai i kërkonte, përfshirë të qenët i gëzuar në çfarëdo rrethane.

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga vargu 13? (Duke përdorur vetë fjalët e tyre, studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Ne mund t’i bëjmë të gjitha gjërat nëpërmjet Jezu Krishtit, i cili na forcon [shih edhe Alma 26:12].)

  • Çfarë mund të bëjmë për t’iu qasur forcës që na jep Jezu Krishti?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë. Vëreni klasën të dëgjojë atë që kjo forcë na mundëson të bëjmë:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Perëndia derdh bekimet e fuqisë dhe të forcës, duke na mundësuar të arrijmë gjëra që përndryshe do të ishin shumë përtej arritjes sonë. Është nëpërmjet hirit të mahnitshëm të Perëndisë që fëmijët e Tij mund t’i kapërcejnë rrymat nënujore dhe rërat thithëse të mashtruesit, mund të ngrihen mbi mëkatin dhe të ‘bë[hen] të përsosur në Krisht[in]’ [Moroni 10:32]” (“Dhurata e Hirit”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 108).

  • Në çfarë mënyrash mund ta përjetojmë ne këtë forcë ose hir? (Përgjigjet e mundshme përfshijnë aftësi të madhe ripërtëritëse; zgjidhje; kurajë; durim; këmbëngulje; dhe qëndresë e fuqi fizike, mendore, shpirtërore.)

  • Kur ju ka dhënë forcë Jezu Krishti për të bërë diçka të mirë? (Merrni parasysh të tregoni edhe një përvojë vetjake.)

Filipianëve 4:15–23

Pali e mbyll letrën e tij drejtuar filipianëve me një shprehje falënderimi

Përmblidheni Filipianëve 4:15–23 duke shpjeguar se Pali i falënderoi sërish shenjtorët filipianë që e mbështetën atë në kohët kur ai kishte nevojë. Dhuratat e shenjtorëve ishin një ofertë e këndshme për Perëndinë, dhe Pali i premtoi se edhe Perëndia do t’ua plotësonte nevojat.

Mbylleni duke ndarë dëshminë tuaj për të vërtetat e diskutuara në këtë mësim.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërim i Shkrimit të Shenjtë – Filipianëve 4:13

Ndihmojini studentët të mësojnë përmendsh Filipianëve 4:13 duke e shkruar vargun në tabelë dhe duke e thënë atë së bashku me zë të lartë. Fshijeni një fjalë dhe thuajeni sërish vargun me zë të lartë. Përsëriteni këtë derisa të jenë fshirë të gjitha fjalët.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Filipianëve 4:6. Shprehja e falënderimeve në mes të sfidave

Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, dha mësim se si pasja e një qëndrimi mirënjohjeje, mund të na bekojë në çfarëdo rrethane sfiduese me të cilën mund të ndeshemi, çka përfshin ato që mund të na shkaktojnë shqetësim:

“Shumica e referencave nga shkrimet e shenjta nuk flasin për mirënjohje për gjëra, por përkundrazi sugjerojnë një shpirt ose një sjellje të përgjithshme të mirënjohjes. …

Ne mund të zgjedhim që të jemi mirënjohës, pavarësisht nga gjithçka.

Kjo lloj mirënjohjeje e lë pas gjithçka që po ndodh përreth nesh. E kapërcen çdo zhgënjim, shkurajim dhe dëshpërim. …

Kur i jemi mirënjohës Perëndisë rrethanat tona, ne mund të përjetojmë paqe të ëmbël në mes të mundimit. Në pikëllim, ne ende mund t’i lartësojmë zemrat tona në lavdërim. Në dhembje, ne mund të ngazëllehemi me Shlyerjen e Krishtit. Në të ftohtin e trishtimit të hidhur, ne mund të përjetojmë afërsinë dhe ngrohtësinë e përqafimit të qiellit. …

Mirënjohja ndaj Atit tonë në Qiell e zgjeron këndvështrimin tonë dhe e qartëson të kuptuarin tonë” (“Mirënjohës në të Gjitha Rrethanat”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 75, 76, 77).

Filipianëve 4:6–7. Paqja e Perëndisë

Presidenti Tomas S. Monson na mësoi rreth paqes që mund të vijë nëse lutemi:

“Do të ketë raste kur ju do të ecni nëpër një shteg të mbushur me gjemba dhe të shënuar nga vështirësia. Mund të ketë raste kur ju ndiheni të shkëputur – madje të veçuar – nga Dhënësi i çdo dhurate të mirë. Shqetësoheni se ecni vetëm. Frika e zëvendëson besimin.

Kur e gjeni veten në rrethana të tilla, ju lutem që të kujtoni lutjen. Më pëlqejnë fjalët e Presidentit Ezra Taft Benson lidhur me lutjen. Ai tha:

‘Gjatë gjithë jetës sime, këshilla për t’u mbështetur te lutja është çmuar pothuajse mbi çdo këshillë tjetër që kam … marrë. Ajo është bërë pjesë thelbësore e vetes sime – një spirancë, një burim i vazhdueshëm force dhe baza e njohurisë sime për gjëra hyjnore. …

… Edhe pse ndodhin dështime, tek lutja ne mund të gjejmë përsëri siguri, sepse Perëndia do t’i flasë paqe shpirtit. Ajo paqe, ai shpirt qetësie, është bekimi më i madh i jetës’ [Ezra Taft Benson, ‘Pray Always’, Ensign, shkurt 1990, f. 4–5].

Apostulli Pal këshilloi:

‘Ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë.

Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus’ [Filipianëve 4:6–7].

Ç’premtim i lavdishëm! Paqja është ajo që kërkojmë, për të cilën ne kemi shumë dëshirë.

Ne nuk u vendosëm në këtë tokë për të ecur vetëm. Ç’burim i mahnitshëm fuqie, force dhe ngushëllimi është i gjindshëm për secilin prej nesh” (“Nuk Ecim Kurrë Vetëm”, Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 121).

Filipianëve 4:8. Këshilla e Palit

“Pali i këshilloi shenjtorët të ‘mendoni[n]’ (t’i kushtonin vëmendje të kujdesshme e të vazhdueshme) gjërave që janë të vërteta, të drejta, të dëlira, të dashura dhe me famë te mirë (Filipianëve 4:8). Kur Profeti Jozef Smith … e citoi këtë ‘këshillë [të] Palit’ në nenin e trembëdhjetë të besimit, ai e ndryshoi [frazën] ‘këto mendoni’ në formë më veprore ‘kërkojmë këto gjëra’ (Nenet e Besimit 1:13; kursivet shtuar). Plaku Jozef B. Uirthlin (1917–2008), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, diskutoi për këshillën të ‘kërkojmë këto gjëra’:

‘Fjala kërkojmë do të thotë t’i jepesh pas kërkimit, të përpiqesh të zbulosh, të përpiqesh të marrësh. Ajo kërkon një qasje vepruese, të sigurt ndaj jetës. … Është e anasjella e pritjes në mënyrë pasive për diçka të mirë që të na vijë, pa asnjë përpjekje nga ana jonë.

Ne mund ta mbushim me mirësi jetën tonë, duke mos lënë vend për asgjë tjetër. Kemi kaq mirësi nga e cila të zgjedhim aq sa nuk kemi kurrë nevojë të marrim nga e liga. …

Nëse i kërkojmë gjërat që janë të virtytshme dhe të dashura, ne me siguri do t’i gjejmë ato. Sidoqoftë, nëse kërkojmë të ligën, edhe atë do ta gjejmë’ (“Seeking the Good”, Ensign, maj 1992, f. 86)” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 437–438).

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, në mënyrë të ngjashme i këshilloi anëtarët e Kishës “të kërkojmë për atë që është e mirë dhe lartësuese në të gjitha gjërat. …

Duke e parë nga këndvështrimi që mbizotëron në botë, mund të jetë e lehtë ta përqendrojmë vëmendjen tonë në gjërat negative ose të liga, apo t’i harxhojmë energjitë tona për kauza dhe nisma që janë të kota dhe që nuk sjellin kurrfarë dobie. …

Unë mendoj se shenjtorët e ditëve të mëvonshme kanë një detyrim të madh që qëndron mbi ta për t’u gëzuar në Zotin, për ta përlëvduar atë për mirësinë dhe hirin e tij, për të përsiatur në zemrën e tyre për të vërtetat e përjetshme dhe për ta vendosur zemrën e tyre në drejtësi. …

Ka një ligj të përjetshëm të shuguruar nga vetë Perëndia përpara krijimit të botës, që çdo njeri do të korrë atë që mbjell. Nëse mendojmë gjëra të liga, gjuha jonë do të shqiptojë thënie të papastra. Nëse flasim fjalë të liga, ne do të përfundojmë duke kryer punë të liga. Nëse mendja jonë përqendrohet tek epshndjellja dhe ligësia e botës, atëherë të qenët si bota dhe padrejtësia do të na duken se janë mënyra normale jetese. Nëse meditojmë gjëra që lidhen me imoralitetin seksual në mendjen tonë, ne shpejt do të mendojmë se çdo njeri është imoral e i papastër dhe kjo do ta prishë barrierën midis nesh dhe botës. …

Nga ana tjetër, nëse po i meditojmë në zemrën tonë gjërat e drejtësisë, ne do të bëhemi të drejtë” (“Think on These Things”, Ensign, janar 1974, f. 46–48).

Filipianëve 4:13. Jezu Krishti na jep forcë që t’i bëjmë të gjitha gjërat e mira

Forcës që na jep Jezu Krishti për t’i bërë të gjitha gjërat e mira, i referohet si hiri (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Hir”, f. 64–65). Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, dha mësim sa vijon për këtë forcë që Jezu Krishti na jep për t’i bërë të gjitha gjërat e mira:

“Një shprehje e fuqishme e asaj dashurie [të Krishtit] është ajo që shkrimet e shenjta e quajnë shpesh hiri i Perëndisë – ndihma hyjnore dhe dhurimi i forcës, me anë të të cilave ne rritemi nga qeniet me të meta dhe kufizime që jemi tani, në qenie të ekzaltuara të ‘së vërtetë[s] e dritë[s], derisa të përlëvdo[hemi] në të vërtetë dhe [t’i] di[më] të gjitha gjërat’ [Doktrina e Besëlidhje 93:28]. …

… Perëndia derdh bekimet e fuqisë dhe të forcës, duke na mundësuar të arrijmë gjëra që përndryshe do të ishin shumë përtej arritjes sonë. Është nëpërmjet hirit të mahnitshëm të Perëndisë që fëmijët e Tij mund t’i kapërcejnë rrymat nënujore dhe rërat thithëse të mashtruesit, mund të ngrihen mbi mëkatin dhe të ‘bë[hen] të përsosur në Krisht[in]’ [Moroni 10:32].

Edhe pse të gjithë kemi dobësi, ne mund t’i kapërcejmë ato. Në të vërtetë, është nëpërmjet hirit të Perëndisë që, nëse e përulim veten tonë dhe kemi besim, gjërat e dobëta mund të bëhen të forta [shih Ethëri 12:27].

Gjatë gjithë jetës sonë, hiri i Perëndisë dhuron bekime materiale dhe dhurata shpirtërore që i lartësojnë aftësitë tona dhe e pasurojnë jetën tonë. Hiri i Tij na pastron. Hiri i Tij na ndihmon të bëhemi më të mirët që mundemi. …

A e kuptojmë se i kemi borxh Atit Qiellor dhe a përgjërohemi me gjithë shpirtrat tanë për hirin e Perëndisë?” (“Dhurata e Hirit”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 107–109).

Plaku Xhon H. Groberg, i Të Shtatëdhjetëve, tregoi një shembull se si Perëndia i dha forcë një burri besnik, të cilit i mundësoi të përmbushte një detyrë të drejtë (shih “The Lord’s Wind”, Ensign, nëntor 1993, f. 26–28).