Biblioteka
Mësimi 33: Mateu 27:51–28:20


Mësimi 33

Mateu 27:51–28:20

Hyrje

Në vdekjen e Jezu Krishtit, veli i tempullit u nda në dysh. Udhëheqësit judeas i bënë kërkesë Pilatit që ta ruante me roje varrin ku u vu trupi i Jezusit. Jezu Krishti u ringjall dhe iu shfaq shumë individëve, përfshirë Apostujve të Tij. Ai i urdhëroi Apostujt e Tij që t’ia çonin ungjillin mbarë tokës.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mateu 27:51–56

Pas vdekjes së Jezu Krishtit, veli i tempullit shqyhet dhe toka lëkundet

Kërkojuni studentëve të mendojnë nëse ata ose dikush që ata njohin ka humbur një njeri të afërt për ta. Më pas, pyeteni klasën:

  • Përse mund të jetë e vështirë humbja e një njeriu të dashur?

Vërini studentët që teksa e studiojnë Mateun 27:51–28:20 të kërkojnë të vërteta që do t’i ndihmojnë ata të gjejnë ngushëllim kur një njeri i dashur ndërron jetë. Për të siguruar kontekst për mësimin e sotëm, ju mund t’u kërkoni studentëve ta përmbledhin shkurtimisht atë që Jezu Krishti përjetoi në periudhën ndërmjet kohës kur u arrestua dhe kohës kur u kryqëzua.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 27:51. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që ndodhi në tempull kur Jezusi vdiq.

  • Çfarë ndodhi kur Jezusi vdiq? ]

Pamja
diagram i velit të tempullit

Merrni parasysh ta kopjoni në tabelë diagramin shoqërues të pjesës së brendshme të tempullit.

Shpjegoni se gjatë kohës së Jezusit, tempulli kishte dy dhoma: Vendin e Shenjtë dhe Shenjtëroren e Shenjtëroreve. Shenjtërorja e Shenjtëroreve përfaqësonte praninë e Perëndisë. Këto dy dhoma ndaheshin nga një vel ose perde. Një herë në vit, Ditën e Shlyerjes, kryeprifti kalonte nga Vendi i Shenjtë përtej velit të tempullit dhe hynte te Shenjtërorja e Shenjtëroreve, ku ai spërkaste gjakun nga një flijim për mëkatin për të shlyer për mëkatet e të gjithë asamblesë së Izraelit (shih Levitiku 16). Kur veli i tempullit u nda në dysh me vdekjen e Jezu Krishtit, ajo qe një simbol dramatik se Jezu Krishti, Prifti i Lartë i Madh, kishte kaluar përmes velit të vdekjes dhe pas pak do të hynte në praninë e Perëndisë.

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më mirë domethënien e ndarjes së velit, ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Brus R. Mek–Konki

“Shenjtërorja e Shenjtëroreve është tashmë e hapur për të gjithë, dhe të gjithë, nëpërmjet gjakut shlyes të Qengjit, mund të hyjnë tanimë në më të lartin dhe më të shenjtin e të gjitha vendeve, atë mbretëri ku gjendet jeta e përjetshme. … Ordinancat e kryera përtej velit të tempullit të lashtë ishin në ngjashmëri me atë që do të bënte Krishti, të cilën tanimë që Ai e ka bërë atë, të gjithë njerëzit bëhen të përshtatshëm për të kaluar përtej velit në prani të Zotit për të trashëguar ekzaltimin e plotë” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:830).

  • Çfarë të vërtete të rëndësishme mund të mësojmë për Shlyerjen e Jezu Krishtit nga ndarja e velit? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne të gjithë mund të hyjmë në prani të Perëndisë nëse pendohemi dhe i mbajmë besëlidhjet tona.)

  • Si e bën të mundur për ne Shlyerja e Jezu Krishtit që të kthehemi në prani të Perëndisë?

Vini në dukje se ndonëse Shlyerja e Jezu Krishtit bën të mundur për ne që të kthehemi në praninë e Perëndisë, ne duhet të bëjmë pjesën tonë për të qenë të denjë për të jetuar me Atin tonë Qiellor përjetësisht.

  • Çfarë duhet të bëjmë ne që të jemi të denjë për të jetuar me Atin Qiellor përjetësisht?

Përmblidheni Mateun 27:52–56 duke shpjeguar se pas Ringjalljes së Jezu Krishtit, shumë njerëz të drejtë që kishin vdekur u ringjallën gjithashtu dhe iu shfaqën shumë njerëzve në Jerusalem. Këto vargje gjithashtu rrëfejnë se mes atyre që dëshmuan vdekjen e Jezusit ishin një centurion romak dhe shumë gra.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 27:54. Vëreni klasën të kërkojë mënyrën se si centurioni romak dhe ata që ishin me të u përgjigjën kur dëshmuan ngjarjet në vijim të kryqëzimit të Shpëtimtarit.

  • Cila ishte përgjigjja e centurionit dhe e atyre që ishin me të?

  • Çfarë panë ata që mund t’i ketë bërë ata të shpallnin se “me të vërtetë [Jezusi] ishte Biri i Perëndisë”?

Mateu 27:57–66

Udhëheqësit judeas komplotojnë me Pilatin për ta ruajtur me roje varrin e Jezusit

Përmblidheni Mateun 27:57–61 duke shpjeguar se pas vdekjes së Jezusit, një dishepull i pasur i quajtur Jozefi nga Arimatea “kërkoi [/bëri kërkesë për] trupin e Jezusit” (vargu 58). Ai e mbështolli trupin e Jezusit me një pëlhurë të pastër, e vendosi në një varr (ose vendvarrim) që e kishte pronë dhe pastaj e mbuloi hyrjen e varrit me një gur të madh.

Ftojini disa studentë që me radhë të lexojnë me zë të lartë nga Mateu 27:62–66. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që krerët e priftërinjve dhe farisenjtë i kërkuan Pilatit.

  • Çfarë i kërkuan krerët e priftërinjve dhe farisenjtë Pilatit?

  • Përse e kërkuan këtë gjë?

Mateu 28:1–20

Jezu Krishti ringjallet dhe u shfaqet shumë vetëve

Shpjegoni se herët në ditën e parë të javës, apo të dielën, Maria Magdalena dhe një grua tjetër e quajtur Maria shkuan te varri për ta vajosur trupin e Jezusit si shprehje e dashurisë dhe adhurimit të tyre. Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Mateu 28:1–6.

  • Çfarë zbuluan gratë kur iu qasën vendvarrimit? (Shpjegoni që Përkthimi prej Joseph Smith-it sqaron se gratë panë dy engjëj, jo një.)

  • Si do të kishit reaguar po të kishit parë dy engjëj? Si reaguan rojet?

  • Sipas vargjeve 5–6, çfarë u thanë engjëjt grave?

  • Çfarë të vërtete mësojmë nga këto fjalë? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Jezu Krishti u ringjall nga vdekja.)

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë doktrinën e Ringjalljes, ndajini ata në grupe prej dy ose tri vetash dhe ftojini të plotësojnë fletushkën vijuese në grupet e tyre:

Pamja
fletushkë, Ai … u ringjall

“Ai … u ringjall” (Mateu 28:6)

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 33

Studiojeni pjesën e titulluar “Ringjallje” te Bible Dictionary (Fjalori Biblik te botimi SHDM në anglisht i Biblës) [ose tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, f. 161]. Pastaj diskutoni për pyetjet më poshtë dhe shënojini përgjigjet tuaja në hapësirat e dhëna.

Cili është ndryshimi midis të qenit i kthyer nga të vdekurit dhe të qenit i ringjallur?

Çfarë do t’i ndodhë të gjithë njerëzimit si pasojë e Ringjalljes së Jezu Krishtit?

Si mund të sigurojë ngushëllim të kuptuarit e doktrinës së Ringjalljes për ata që i kanë humbur njerëzit e tyre të dashur?

Kërkojuni disa studentëve t’i tregojnë klasës atë që mësuan nga plotësimi i fletushkës.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli:

Pamja
Presidenti Gordon B. Hinkli

“Mrekullia e atij mëngjesi të ringjalljes, atë të diel të parë Pashke, është një mrekulli për të gjithë njerëzimin. Është mrekullia e fuqisë së Perëndisë, Biri i Dashur i të cilit dha jetën e Tij për të shlyer për mëkatet e të gjithëve, një sakrificë dashurie për çdo bir e bijë të Perëndisë. Duke e bërë atë Ai theu vulat e vdekjes. …

Dhe pikërisht ashtu si Ai e mori trupin e Tij dhe doli nga varri, po ashtu të gjithë ne do të gëzojmë një ribashkim të trupit dhe shpirtit për t’u bërë shpirtra të gjallë në ditën e vetë ringjalljes sonë.

Prandaj, ne gëzohemi ashtu si shumë njerëz dhe ashtu siç duhet të gëzojë i gjithë njerëzimi, kur ne kujtojmë më të lavdishmen, më ngushëlluesen, më siguruesen e të gjitha ngjarjeve të historisë njerëzore – fitoren mbi vdekjen” (“The Victory over Death”, Ensign, prill 1997, f. 4).

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 28:7–10.

  • Sipas vargut 7, çfarë i urdhëruan engjëjt gratë që të bënin?

  • Si mendoni, përse gratë u larguan me “frikë dhe me gëzim të madh”?

  • Çfarë u ndodhi grave kur ato shkuan që t’u tregonin dishepujve rreth përvojës së tyre?

Përmblidheni Mateun 28:11–15 duke shpjeguar se ndërsa gratë po nxitonin për t’u sjellë dishepujve lajmet e Ringjalljes së Jezusit, krerët e priftërinjve e morën vesh atë që kishte ndodhur nga ushtarët që ruanin varrin. Udhëheqësit judeas kishin frikë se njerëzit mund të mësonin të vërtetën, kështu që ata i paguan rojet të përhapnin gënjeshtra sikur dishepujt e Shpëtimtarit e kishin marrë trupin e Tij nga varri ndërsa rojet flinin.

Kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë Mateun 28:16–18. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar bekimin që u erdhi njëmbëdhjetë Apostujve kur iu bindën fjalëve të grave për të shkuar në Galile.

  • Çfarë bekimi u erdhi njëmbëdhjetë dishepujve për shkak se iu bindën fjalëve të grave?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 28:19–20. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari i urdhëroi Apostujt e Tij të bënin pasi e panë Atë.

  • Çfarë u urdhëruan Apostujt të bënin pasi kishin parë Shpëtimtarin?

  • Çfarë mund të mësojmë nga përvoja e tyre për përgjegjësinë që kemi ne kur fitojmë një dëshmi për Jezu Krishtin? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni parimin vijues në tabelë: Kur fitojmë një dëshmi për Jezu Krishtin, ne kemi përgjegjësi që t’u dëshmojmë të tjerëve për Të.)

Ftojini studentët të vijnë në tabelë dhe të renditin mënyra se si ata mund t’u dëshmojnë të tjerëve për Jezu Krishtin. Ju mund të doni t’i ftoni studentët të shpjegojnë ose të japin shembuj të ideve që shkruajnë. Pastaj bëni pyetjet vijuese:

  • Sipas vargut 20, çfarë premtimi u dha Shpëtimtari Apostujve të Tij?

  • Në ç’mënyra ka qenë Zoti “me ju” ose ju ka ndihmuar në përpjekjet tuaja për të shpërndarë ungjillin?

Nxitini studentët t’i ndajnë dëshmitë e tyre për Jezu Krishtin me të tjerët. Për t’i ndihmuar ata që ta bëjnë atë, kërkojuni studentëve të përdorin një prej ideve të renditura në tabelë për të krijuar një qëllim personal për t’u dëshmuar për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij pjesëtarëve të familjes, miqve dhe të tjerëve. Ftojini studentët ta shkruajnë qëllimin e tyre në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Mateu 28:19–20

Për t’i ndihmuar studentët ta mësojnë përmendsh këtë fragment për zotërimin e shkrimit të shenjtë, ndajini studentët dyshe-dyshe dhe ftojeni një anëtar të secilës dyshe ta shkruajë fragmentin në një fletë letër. Kërkojuni studentëve ta presin letrën në shirita duke i lënë të paprekura frazat nga fragmenti i shkrimit të shenjtë. Kërkojuni studentëve që t’i përziejnë shiritat e letrës dhe pastaj t’i rirregullojnë ata në renditjen e duhur (duke iu drejtuar shkrimeve të tyre të shenjta sipas nevojës). Sfidojini studentët që të vazhdojnë të ushtrohen derisa të mos u duhet më të përdorin shkrimet e tyre të shenjta. Nxitini studentët që të heqin një shirit dhe ta thonë frazën që mungon përmendsh. Pasi studentët ta kenë mësuar përmendsh një frazë, nxitini ata që të heqin një frazë tjetër dhe t’i përsëritin të dyja frazat përmendsh. Lejojini ata ta vazhdojnë këtë proces derisa të mund ta thonë të tërë fragmentin përmendsh.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mateu 28:6. “U ringjall”

Presidenti Ezra Taft Benson shpalli se asnjë ngjarje nuk është më e rëndësishme sesa Ringjallja e Jezu Krishtit.

“Ngjarjet më të mëdha të historisë janë ato që ndikojnë në numrin më të madh të njerëzve për periudhat më të gjata kohore. Nga ky standard, asnjë ngjarje nuk mund të ishte më e rëndësishme për individët ose kombet, sesa Ringjallja e Mjeshtrit. Ringjallja përfundimtare e çdo shpirti që ka jetuar dhe vdekur në tokë është gjë e sigurt e shkrimit të shenjtë dhe sigurisht nuk ka asnjë ngjarje për të cilën një person duhet të bëjë përgatitje më të kujdesshme. Asgjë nuk është absolutisht më e gjithanshme, se ringjallja. Çdo qenie e gjallë do të ringjallet” (“The Greatest Event in History”, New Era, prill 2004, f. 45).

Mateu 28:19. “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt”

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se anëtarët e Kishës mund të përdorin mediat shoqërore për ta shpërndarë ungjillin:

“Zoti po e përshpejton punën e Tij dhe nuk është rastësi që këto risi dhe shpikje të fuqishme komunikimi po ndodhin në periudhën ungjillore të plotësisë së kohëve. Kanalet e mediave shoqërore janë mjete botërore që mund të ndikojnë personalisht dhe pozitivisht në një mori të madhe individësh e familjesh. Dhe unë besoj se ka ardhur koha për ne si dishepuj të Krishtit që t’i përdorim këto mjete të frymëzuara si duhet dhe më me efektshmëri për të dëshmuar për Perëndinë, Atin e Amshuar, planin e Tij të lumturisë për fëmijët e Tij dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, si Shpëtimtarin e botës; për të shpallur realitetin e Rivendosjes së ungjillit në ditët e mëvonshme; dhe për të përmbushur punën e Zotit” (“To Sweep the Earth as with a Flood” [takim shpirtëror në Javën Arsimore në Kompleksin e Universitetit “Brigam Jang”, 19 gusht 2014], LDS.org).