Biblioteka
Mësimi 157: Zbulesa 14–16


Mësimi 157

Zbulesa 14–16

Hyrje

Në një vegim, Apostulli Gjon pa një engjëll që rivendosi ungjillin e Jezu Krishtit në ditët e mëvonshme. Ai gjithashtu dëgjoi një zë nga qielli duke përshkruar bekimet që u vijnë atyre, të cilët vdesin duke qenë besnikë ndaj Zotit. Gjoni pa mbledhjen e të drejtëve dhe mbledhjen e të ligjve në ditët e mëvonshme dhe gjykimet e Perëndisë që derdhen mbi të ligjtë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Zbulesa 14

Gjoni sheh Rivendosjen e ungjillit dhe mbledhjen e të drejtëve dhe të të ligjve

Shkruajeni në tabelë pyetjen vijuese: A është e mundur të gëzosh paqen edhe kur bota është e mbushur me ligësi, fatkeqësi dhe dhunë?

Ftojini disa studentë t’i përgjigjen kësaj pyetjeje dhe të shpjegojnë përgjigjet e tyre.

Ftojini studentët të kërkojnë të vërteta teksa studiojnë Zbulesën 14–16 që mund t’u sjellin atyre paqe ndërkohë që jetojnë në një botë të ligë dhe të trazuar përpara Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit.

Shpjegoni se siç shënohet te Zbulesa 14:1–13, Apostulli Gjon pa një vegim të ditëve të mëvonshme. Në vegimin e tij ai pa fatkeqësitë që do të vinin mbi të ligjtë. Ai pa gjithashtu se çfarë do t’u sillte paqe të drejtëve.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 14:1–5. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që pa Gjoni se do të ndodhte në ditët e mëvonshme.

  • Çfarë pa Gjoni se do të ndodhte në ditët e mëvonshme?

Kujtojuni studentëve se 144.000 njerëz janë priftërinj të lartë nga dymbëdhjetë fiset e Izraelit, të cilët do të shugurohen nga çdo komb për të administruar ungjillin dhe për të sjellë njerëz në Kishë (shih Zbulesa 7:4–8; DeB 77:11).

  • Sipas vargjeve 4–5, si i përshkroi Gjoni 144.000 priftërinjtë e lartë që do ta administronin ungjillin në të gjithë tokën? (Shpjegoni se fraza “nuk janë ndotur me femra” [vargu 4] do të thotë që ishin të dëlirë, fraza “në gojë të tyre nuk u gjet gënjeshtër” [vargu 5] do të thotë se ishin të ndershëm dhe të sinqertë dhe fraza “të paqortueshëm” [vargu 5] do të thotë që ishin të pastër nga mëkati.)

  • Si mendoni ju, përse të qenët të dëlirë, të ndershëm dhe të pastër nga mëkati do t’i ndihmonte 144.000 priftërinjtë e lartë t’ua çonin ungjillin të tjerëve?

Shpjegoni se gjatë vegimit të Gjonit për ditët e mëvonshme ai pa tre engjëj. Ftojini tre studentë që të përfaqësojnë tre engjëjt (këta studentë mund të qëndrojnë të ulur në karriget e tyre). Ftojeni studentin që përfaqëson engjëllin e parë të lexojë me zë të lartë Zbulesën 14:6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që kishte engjëlli.

  • Çfarë kishte engjëlli?

Ftojeni studentin që përfaqëson engjëllin e parë të lexojë me zë të lartë Doktrina e Besëlidhjet 133:36–37. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që bëri engjëlli me ungjillin e përjetshëm.

  • Çfarë bëri engjëlli me ungjillin e përjetshëm?

Pamja
Moroni i Shfaqet Jozef Smithit në Dhomën e Tij

Paraqiteni figurën Moroni i Shfaqet Jozef Smithit në Dhomën e Tij (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 91; shih edhe LDS.org). Kërkojini një studenti që të sjellë përsëri ndërmend se çfarë ndodhi gjatë vizitës së parë të Moronit me Jozef Smithin. (Në qoftë se studentëve u duhet një rikujtim i këtyre ngjarjeve, ju mund ta ftoni një student të lexojë me zë të lartë Joseph Smith – Historia 1:29–35.)

  • Nën drejtimin e Perëndisë, çfarë i dha Moroni Jozef Smithit që e ndihmoi ta rivendoste ungjillin në tokë? (Analin që përmbante Librin e Mormonit.)

Pamja
Tempulli i Solt-Lejkut

Paraqitni një figurë të një tempulli që ka një statujë të engjëllit Moroni në majë, e tillë si figura e Tempullit të Solt-Lejkut që gjendet te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit (nr. 119; shih edhe LDS.org).

  • Si mendoni ju, përse një statujë e engjëllit Moroni është e vendosur në majë të shumë prej tempujve tanë?

Shpjegoni se në një fjalim në konferencë, Presidenti Gordon B. Hinkli citoi Zbulesën 14:6 dhe më pas shpalli: “Ai engjëll ka ardhur. Emri i tij është Moroni” (“Stay the Course—Keep the Faith”, Ensign, nëntor 1995, f. 70). Engjëlli mund të përfaqësojë edhe një bashkim të shumë lajmëtarëve qiellorë, përfshirë Moronin, i cili ndihmoi në Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit në ditët e mëvonshme (shih Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 3:529–531; shih edhe DeB 13; 110:11–16; 128:20–21).

Ftojeni studentin që përfaqëson engjëllin e parë të lexojë me zë të lartë Zbulesën 14:7. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që tha engjëlli.

  • Çfarë tha engjëlli?

  • Cili është kuptimi i frazës “ora e gjyqit të tij erdhi”? (Koha do të vijë kur Jezu Krishti do të gjykojë të gjithë njerëzit e tokës. Gjykimet e Tij do të ndodhin si në Ardhjen e Dytë [shih Malakia 3:1–5] edhe në Gjyqin Përfundimtar [shih 2 Nefi 9:15].)

  • Bazuar tek ajo që kemi mësuar, cila është njëra arsye përse Perëndia e rivendosi ungjillin e Jezu Krishtit? (Studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Perëndia e rivendosi ungjillin e Jezu Krishtit për t’i përgatitur banorët e tokës për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.)

  • Në ç’mënyra ungjilli i Jezu Krishtit i përgatit njerëzit për Ardhjen e Tij të Dytë?

Ftojini studentët të përsiatin mënyrën se si ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit ka ndihmuar t’u sjellë atyre paqe, ndërkohë që jetonin në një botë të ligë dhe të trazuar. Kërkojuni disa studentëve që t’ia tregojnë mendimet e tyre klasës.

Ftojeni studentin që përfaqëson engjëllin e dytë të lexojë me zë të lartë Zbulesën 14:8 dhe studentin që përfaqëson engjëllin e tretë të lexojë me zë të lartë Zbulesën 14:9–11. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që thanë engjëjt.

  • Sipas vargut 8, çfarë tha engjëlli i dytë? (Shpjegoni se një kuptim i frazës “ra Babilon[i]a” është se do të vijë dita kur ligësia e botës do të marrë fund.)

  • Si mund të na sjellë ne paqe dijenia se ligësia e botës do të marrë fund?

  • Sipas vargjeve 9–11, çfarë tha engjëlli i tretë se do t’u ndodhë atyre që zgjedhin të ndjekin “bishën” (vargu 9) ose Satanin?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thëniet vijuese nga Profeti Jozef Smith. Kërkojini klasës të dëgjojë se si Profeti shpjegoi mundimin që do të përjetojnë të ligjtë pasi të vdesin.

Pamja
Profeti Jozef Smith

“Mjerimi i madh i shpirtrave të kaluar në botën e shpirtrave, ku ata shkojnë pas vdekjes, është të dinë se ata nuk e kanë arritur lavdinë që të tjerë gëzojnë dhe që ata vetë do të mund ta kishin gëzuar dhe ata janë akuzuesit e vetvetes” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 235).

“Njeriu është munduesi i vetvetes dhe ndëshkuesi i vetvetes. Prej këndej vjen thënia se ata do të shkojnë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur [shih Zbulesa 21:8]. Mundimi i zhgënjimit në mendjen e njeriut është po aq therës sa një liqen që digjet me zjarr dhe squfur” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith, f. 236).

  • Sipas Profetit Jozef Smith, çfarë do të jetë pjesë e mundimit që do të përjetojnë të ligjtë pasi të vdesin?

Nxirrni në pah se pasi mësoi se çfarë do të përjetojnë të ligjtë pasi të vdesin, Gjoni dëgjoi një zë nga qielli që përshkruante se çfarë do të përjetojnë të drejtët pasi të vdesin.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 14:12–13. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë do të përjetojnë të drejtët pasi të vdesin.

  • Çfarë do të përjetojnë të drejtët pasi të vdesin?

  • Çfarë mendoni se do të thotë që ata do të “prehen nga mundimet e tyre”? (vargu 13.)

  • Si do t’i përmblidhnit mësimet e Gjonit te vargjet 12–13 si një parim? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse jetojmë drejtësisht, atëherë ne do të bekohemi për veprat tona dhe do të prehemi nga mundimet tona pasi të vdesim.)

  • Si mund të na sjellë paqe ky parim edhe kur jemi të rrethuar nga ligësia?

Merrni parasysh të ndani dëshminë tuaj për rëndësinë e të zgjedhurit të të jetuarit drejtësisht në një botë të ligë. Ftojini studentët të përsiatin se çfarë mund të bëjnë në jetën e tyre për t’u siguruar se nuk do të vuajnë mundimet e të ligjve, por përkundrazi, të gëzojnë paqen e të drejtëve. Ftojini ata të veprojnë ndaj çdo nxitjeje që marrin.

Përmblidheni Zbulesën 14:14–20 duke shpjeguar se Gjoni përshkroi dy të korra. Në vegimin e tij, Gjoni pa se gjatë të korrurit të parë të drejtët do të mblidheshin nga të ligjtë (shih vargjet 14–16) dhe se gjatë të korrurit të dytë të ligjtë do të mblidheshin dhe do të shkatërroheshin përfundimisht (shih vargjet 17–20).

Zbulesa 15–16

Gjoni i sheh të drejtët në mbretërinë çelestiale dhe shtatë plagë në ditët e mëvonshme

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 15:1. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë tjetër pa Gjoni se do të ndodhte në ditët e fundit. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.

Shpjegoni se siç shënohet te Zbulesa 15–16, Gjoni përshkroi shtatë plagët që do t’i mundonin të ligjtë në ditët e fundit. Sidoqoftë, përpara se t’i përshkruante këto plagë, Gjoni u ndal për të përmendur sërish bekimet që do të merrnin të drejtët. Përmblidheni Zbulesën 15:2–4 duke shpjeguar se Gjoni pa një vegim të atyre që do ta mposhtnin Satanin dhe do të përlëvdonin Perëndinë në mbretërinë çelestiale.

Vizatoni shtatë kupa ose tasa në tabelë dhe vëruni numra atyre nga 1 deri në 7 (ose thjesht shkruajini numrat në tabelë). Shpjegoni se në vegimin e tij Gjoni pa shtatë kupa ose tasa që mbanin shtatë plagët.

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Zbulesa 16:2–4, 8–12, 16–21. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si i përshkroi Gjoni shtatë plagët. Ndalni pas përshkrimit të çdo plage dhe ftojeni një student të shkruajë plagën në tabelë poshtë kupës (ose numrin) përkatës te tabela.

Pasi një student të lexojë përshkrimin e Gjonit për plagën e tretë, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 16:6. Vëreni klasën të kërkojë arsyen përse njerëzit do të vuajnë nga kjo plagë në ditët e fundit.

  • Cila është një arsye përse njerëzit do të vuajnë nga kjo plagë?

Pasi një student të lexojë përshkrimin e plagës së gjashtë, shpjegoni se gjatë kësaj plage lumi Eufrat do të thahet për të bërë gati mbledhjen e mbretërve të botës për betejën në Armagedon (shih Zbulesa 16:12–16; shih edhe Zakaria 12:11). Në fund të kësaj beteje, Shpëtimtari do t’u shfaqet njerëzve në Jerusalem (shih DeB 45:47–53) dhe të gjithë njerëzve të tokës (shih Mateu 24:30; DeB 101:23).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 16:15 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që mund të bëjmë për të qenë të përgatitur për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Shpjegoni se fraza “ruan rrobat e veta që të mos ecë i zhveshur” i referohet të qenit gati nga ana shpirtërore.

  • Sipas vargut 15, çfarë mund të bëjmë për të qenë të përgatitur për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse rrimë zgjuar dhe jemi gati nga ana shpirtërore, atëherë ne do të jemi të përgatitur për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.)

  • Cilat janë disa mënyra se si mund të bëhemi gati nga ana shpirtërore?

Dëshmoni se Zoti i do njerëzit e Tij dhe dëshiron që ne të përgatitemi për Ardhjen e Tij të Dytë. Nxitini studentët të rrinë zgjuar dhe të jenë gati nga ana shpirtërore në mënyrë që të marrin bekimet e Zotit.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Zbulesa 14:8. “Babilon[i]a, qyteti i madh”

“Babeli u themelua nga Nimrodi dhe ishte një nga qytetet më të vjetra në tokën e Mesopotamisë ose Shinarit (Zanafilla 10:8–10). Zoti i ngatërroi gjuhët në kohën që njerëzit po ndërtonin Kullën e Babelit (Zanafilla 11:1–9; Ethëri 1:3–5, 33–35). Babilonia më vonë u bë kryeqyteti i Nebukadnetsarit. Ai ndërtoi një qytet shumë të madh, rrënojat e të cilit kanë mbetur ende. Babilonia u bë një qytet shumë i lig dhe që atëherë ka simbolizuar ligësinë e botës” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Babel, Babiloni”, f. 12, scriptures.lds.org).

Zbulesa 16:15. “Lum ai që rri zgjuar dhe ruan rrobat e veta”

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e zbatoi frazën “ruan rrobat e veta” (Zbulesa 16:15) për “veshjet e brendshme të tempullit, veshjet e brendshme të priftërisë së shenjtë, simbol i rrobave të drejtësisë, me të cilat shenjtorët duhet ta veshin veten nëse duan të marrin jetën e përjetshme”. Ai më pas dha mësim sa vijon për sa i përket kësaj fraze:

“Si në mënyrë të drejtpërdrejtë ashtu edhe nga ana figurative, ndotja e veshjeve të brendshme nga individi, do të thotë të mos i bindesh ligjit të Zotit dhe, veshja e veshjeve të brendshme nga individi (Zbulesa 16:15), do të thotë të zbatosh urdhërimet dhe të kualifikohesh për rrobat e drejtësisë me të cilat vishen qeniet çelestiale” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 3:454–455; shih edhe Zbulesa 3:3–5).

Zbulesa 16:16. Mbledhja në Armagedon

“Emri Armagedon rrjedh nga hebraishtja Har Megidon, që do të thotë ‘mali i Megidos’. Lugina e Megidos ndodhet në pjesën perëndimore të ultësirës së Esdraelonit, 80 kilometra në veri të Jeruzalemit dhe është vendi i disa betejave vendimtare të zhvilluara në kohët e Dhiatës së Vjetër. Një konflikt i madh dhe përfundimtar që do të ndodhë fare pranë kohës së Ardhjes së Dytë të Zotit quhet beteja e Armagedonit, sepse do të fillojë në të njëjtin vend. (Shih Ezekiel 39:11; Zakaria 12–14, veçanërisht 12:11; Zbulesa 16:14–21.)” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Armagedon”, f. 9, scriptures.lds.org). Beteja që do të fillojë në Har Megidon, do të përhapet në Jerusalem.