Biblioteka
Mësimi i Studimit në Shtëpi: Veprat e Apostujve 13–19 (Njësia 19)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Veprat e Apostujve 13–19 (Njësia 19)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja vijuese e ngjarjeve, doktrinave dhe parimeve për të cilat studentët mësuan ndërsa studionin Veprat e Apostujve 13–19 (njësia 19), nuk ka për qëllim të jepet si pjesë e mësimit tuaj. Mësimi që jepni, përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë, teksa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (Veprat e Apostujve 13–14)

Teksa studentët studiuan rreth ndërveprimit të Palit dhe Barnabës me një magjistar, ata mësuan se fuqia e Perëndisë është shumë më e madhe se fuqia e djallit. Teksa Pali dha mësim rreth Shpëtimtarit dhe rreth pikëllimit, studentët përcaktuan parimet vijuese: Ne mund të falemi për mëkatet tona dhe të shfajësohemi nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Nëse kalojmë përmes pikëllimeve me besnikëri, ne do të përgatitemi që të hyjmë në mbretërinë çelestiale.

Dita 2 (Veprat e Apostujve 15)

Teksa studentët studiuan mënyrën se si udhëheqësit e Kishës morën vendime së bashku, ata mësuan se ne mund ta dimë vullnetin e Zotit nëpërmjet profetëve dhe Apostujve të Tij të gjallë, nëpërmjet studimit të shkrimeve të shenjta dhe nëpërmjet frymëzimit nga Fryma e Shenjtë. Ata gjithashtu mësuan se duke u këshilluar së bashku dhe duke kërkuar zbulesë nga Perëndia, udhëheqësit e Kishës marrin frymëzim rreth problemeve të vështira.

Dita 3 (Veprat e Apostujve 16–17)

Nga tregimi i misionit të Palit dhe Silës, studentët mësuan të vërtetat vijuese: Kur ndjekim zbulesën e dhënë nga Perëndia, ne mund të udhërrëfehemi drejt atyre që janë të gatshëm për ta pranuar ungjillin. Shpëtimi kërkon besim në Jezu Krishtin dhe ne e shfaqim besimin tonë tek Ai duke u pagëzuar. Nëse i pranojmë fjalët e shërbëtorëve të Perëndisë me gjithë gatishmërinë e mendjes dhe i hetojmë shkrimet e shenjta çdo ditë, atëherë do të forcohet besimi ynë në fjalët e tyre.

Dita 4 (Veprat e Apostujve 18–19)

Nëpërmjet sigurimeve të Zotit të dhëna Palit kur ai u ndie i irrituar me njerëzit në Korint, studentët mësuan se nëse jetojmë me denjësi, Zoti do të jetë me ne ndërkohë që bëjmë punën e Tij. Teksa studiuan rreth mësimdhënies dhe shërimit të Palit në Efes, studentët mësuan sa vijon: Për të qenë i vlefshëm, pagëzimi duhet të kryhet nga një shërbëtor i autorizuar i Perëndisë. Me qëllim që pagëzimi të jetë i plotë, ai duhet të shoqërohet nga marrja e Frymës së Shenjtë. Një mënyrë se si Perëndia e shfaq fuqinë e Tij është nëpërmjet shërbëtorëve të Tij të autorizuar. Duke i rrëfyer dhe braktisur praktikat e liga, ne shfaqim besimin tonë në Jezu Krishtin.

Hyrje

Në Areopag [Kodrën e Marsit] në Athinë, Pali u dha mësim njerëzve rreth natyrës së Perëndisë. Ky mësim mund t’i ndihmojë studentët të kuptojnë disa nga karakteristikat e Atit Qiellor dhe marrëdhënien e tyre me Të.

Sugjerime për Mësimdhënien

Veprat e Apostujve 17:16–34

Pali predikon në Areopag

Ftojini studentët të gjejnë Fotografitë e Biblës, nr. 29, “Athina”, në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta. Vini në dukje që kjo fotografi tregon njërin prej disa tempujve në Athinë që përdoreshin për adhurimin e perëndive të rreme. Brenda tempujve gjendeshin statuja të bëra nga njerëzit për këto perëndi. Jashtë ishin altarët mbi të cilët ofroheshin flijime për këto perëndi të rreme.

Shpjegoni se për ta mbrojtur Palin nga një grup armiqësor i judenjve në Thesaloniki, anëtarët e Kishës e dërguan atë në Athinë (shih Veprat e Apostujve 17:13–15). Te Veprat e Apostujve 17:16–21 ne lexojmë se Pali shqetësohej thellësisht rreth idhujtarisë në Athinë dhe ai dha mësim në sinagogë dhe në sheshin e tregut atje. Atëherë filozofët e ftuan Palin t’ia shpjegonte “doktrinë[n e tij të] re” (Veprat e Apostujve 17:19) këshillit gjykues që mblidhej në Areopag.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 17:22–23. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali vuri re mbi njërin prej altarëve të athinasve.

  • Çfarë pa Pali mbi njërin prej altarëve të athinasve?

Shpjegoni se Veprat e Apostujve 17:22 shënon që Pali i përgëzoi athinasit duke thënë se ata ishin “shumë fetarë”, duke nënkuptuar që ishin “shumë besimtarë” ose “të kujdesshëm në gjëra hyjnore” (Veprat e Apostujve 17:22, shënimi a në fund të faqes). Altari drejtuar “Perëndisë së panjohur” (Veprat e Apostujve 17:23) ishte përpjekja e athinasve për të kënaqur një perëndi të panjohur ose ndonjë perëndi që nuk njihej me emër. Në mënyrë të dukshme ata nuk donin të fyenin ose linin pas dore asnjë perëndi.

Vini në dukje fjalinë e fundit të Veprave të Apostujve 17:23 dhe më pas pyetini:

  • Përse Pali iu drejtua këtij altari si “perëndi [e] panjohur”? (Ai e përdori atë që të paraqiste idenë e Perëndisë së vërtetë, Atit Qiellor, Perëndisë që ata nuk e njihnin.)

Ndajeni klasën në dyshe ose në grupe të vogla. Ftojeni secilin grup të shqyrtojë Veprat e Apostujve 17:24–31 për sa shumë të vërteta që mund t’i gjejnë rreth Perëndisë, që ishte i panjohur për njerëzit e Athinës. Ndërkohë që studiojnë, renditni në tabelë secilin numër të vargut (24–31).

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të vijnë te tabela për të shkruar një të vërtetë që gjetën pranë numrit të vargut në të cilin e gjetën. (Për t’i ndihmuar studentët që të përcaktojnë një të vërtetë te Veprat e Apostujve 17:27, mund t’ju nevojitet t’i drejtoni ata te Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it] në Biblën në anglisht te Veprat e Apostujve 17:27, shënimi b në fund të faqes.)

Ju gjithashtu mund të sugjeroni që studentët ta shenjojnë secilën prej të vërtetave në shkrimet e tyre të shenjta. Disa të vërteta që renditin në tabelë, mund të përfshijnë sa vijon:

  • Vargu 24: Perëndia e krijoi botën.

  • Vargu 25: Perëndia u jep jetë të gjitha gjërave.

  • Vargu 26: Perëndia e kontrollon gjithë jetën.

  • Vargu 27: Nëse jemi të gatshëm ta kërkojmë Perëndinë, ne do të zbulojmë se Ai nuk është larg nesh.

  • Vargu 28: Ne jemi pasardhës të Perëndisë.

  • Vargu 29: Ne u krijuam sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë.

  • Vargu 30: Perëndia e urdhëron çdo njeri të pendohet.

  • Vargu 31: Perëndia do të na gjykojë; Perëndia do t’i ngrejë të gjithë njerëzit së vdekuri.

Ftojini studentët të zgjedhin një të vërtetë në tabelë që është domethënëse për ta. Kërkojuni disa prej tyre të tregojnë se cilën të vërtetë zgjodhën dhe përse është ajo domethënëse për ta.

Tregoni drejt së vërtetës te Veprat e Apostujve 17:28, “Ne jemi pasardhës të Perëndisë”.

  • Çfarë do të thotë të jesh “pasardhës” i Perëndisë? (Ne jemi fëmijët shpirtërorë të Atit Qiellor.)

  • Përse është kaq e rëndësishme që ta kuptojmë këtë doktrinë? (Ajo mund të na ndihmojë të dallojmë vlerën tonë të pafundme për Atin Qiellor dhe potencialin tonë që të bëhemi si Ai.)

  • Çfarë problemesh ose pështjellimi mund të ngrihej nga të moskuptuarit e kësaj doktrine?

Nëse është e mundur, jepuni studentëve një kopje të thënies vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë. Kërkojini klasës të dëgjojë ose të kërkojë arsyen përse duhet të mbajmë mend që ta shohim veten tonë para së gjithash si fëmijë të Perëndisë.

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Jini të kujdesshëm se si ta karakterizoni veten tuaj. Mos e karakterizoni ose përcaktoni veten tuaj nëpërmjet ndonjë cilësie tokësore. Cilësia e vetme që duhet të na karakterizojë është se ne jemi një bir ose një bijë e Perëndisë. Ai fakt i tejkalon të gjitha karakteristikat e tjera, përfshirë racën, punësimin, karakteristikat fizike, nderimet apo madje përkatësitë fetare” (“How to Define Yourself”, New Era, qershor 2013, f. 48).

  • Përse është e rëndësishme të mbajmë mend që ne jemi para së gjithash fëmijë të Perëndisë?

Referojuni të vërtetës te Veprat e Apostujve 17:27, “Nëse jemi të gatshëm ta kërkojmë Perëndinë, ne do të zbulojmë se Ai nuk është larg nesh”.

  • Në çfarë mënyrash mund të kërkojmë ta njohim Perëndinë dhe të vijmë më pranë Tij?

  • Si mund të ndikojë kuptueshmëria e marrëdhënies sonë me Perëndinë në dëshirën tonë për ta kërkuar Atë?

  • Kur e keni ndier Atin Qiellor pranë jush?

Përmblidhni Veprat e Apostujve 17:32–34 duke shpjeguar se athinasit kishin pasur reagime të ndryshme ndaj përmendjes së Palit për “ringjalljen e të vdekurve” (Veprat e Apostujve 17:32). Disa prej tyre e përqeshën Palin, të tjerë donin të dëgjonin më shumë dhe disa njerëz besuan.

Ju mund të doni të dëshmoni që studentët mund të arrijnë ta njohin dhe ta kuptojnë Perëndinë, edhe pse Ai është i panjohur për shumë njerëz. Ftojini studentët të shkruajnë Perëndia së Njohur në një fletë letre ose në një fletushkë dhe të renditin mënyra sipas të cilave ata do të kërkojnë e zhvillojnë një marrëdhënie me Perëndinë. Nxitini ta vendosin këtë fletë atje ku do t’i kujtojë ata për synimet e tyre.

Njësia Tjetër (Veprat e Apostujve 20Romakëve 7)

Shpjegojuni studentëve se në njësinë e ardhshme ata do të gjejnë përgjigje ndaj pyetjeve “Cilin ngriti Pali së vdekuri?” dhe “Cilat ishin rrethanat që pasuan vdekjen e këtij njeriu?” Ftojini ata të përfytyrojnë sikur u arrestuan padrejtësisht, iu mbyt anija në një ishull dhe më pas u pickuan nga një gjarpër. Pyetini që çfarë mendojnë se mund të mësojnë nga sprova të tilla. Vërini studentët të shohin për një mbret i cili i tha Palit gjatë një gjyqi: “Për pak dhe po ma mbush mendjen të bëhem i krishterë” (Veprat e Apostujve 26:28). Nxitini ata që teksa studiojnë pjesën e mbetur të librit të Veprave të Apostujve, të shohin për mënyrën se si sfidat mund të na ndihmojnë që të vijmë më pranë Shpëtimtarit. U thoni se ata gjithashtu do të lexojnë pjesë të një letre që Apostulli Pal ua shkroi anëtarëve të Kishës në Romë.