Biblioteka
Mësimi 79: Gjoni 20


Mësimi 79

Gjoni 20

Hyrje

Të dielën pas Kryqëzimit, Maria Magdalena zbuloi varrin e zbrazët dhe njoftoi Gjonin e Pjetrin, të cilët më pas vrapuan drejt varrit të zbrazët. Krishti i ringjallur iu shfaq Maria Magdalenës dhe më vonë dishepujve të Tij.

Sugjerime për Mësimdhënien

Gjoni 20:1–10

Maria Magdalena zbulon varrin e zbrazët dhe i tregon Gjonit e Pjetrit, të cilët më pas vrapuan drejt varrit

Që t’i përgatitni studentët për të studiuar Gjonin 20, ftojini ata të mendojnë rreth një kohe kur ndërroi jetë një njeri i dashur ose njeriu i dashur i dikujt tjetër që e njohin.

  • Çfarë ndjenjash mund të përjetojmë kur një njeri i dashur ndërron jetë?

Për t’i ndihmuar studentët që të kuptojnë kontekstin e Gjonit 20, kujtojini ata se pasi Jezusi vdiq rreth orës 3:00 pasdite të premten, trupi i Tij u vendos në një varr më vonë atë pasdite dhe një gur i madh u vendos për ta vulosur hyrjen e varrit. Më pas Shabati filloi në perëndimin e diellit. (Ju mund të doni të shpjegoni se përpara Ringjalljes së Jezu Krishtit, populli i besëlidhjes së Zotit e mbante Shabatin nga perëndimi i diellit në të premten deri në perëndimin e diellit në të shtunën.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Jozef B. Uirthlin, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të përfytyrojë se si dishepujt e Jezusit u ndien atë të premte tragjike.

Pamja
Plaku Jozef B. Uirthlin

“Mendoj se sa e errët ishte ajo e premte kur Krishti u ngrit në kryq.

Në atë të premte të tmerrshme toka u drodh dhe u errësua. Stuhi të frikshme e goditën tokën.

Ata njerëz të ligj, të cilët e kërkuan jetën e Tij, u ngazëllyen. Tani që Jezusi nuk ishte më, sigurisht ata që e pasuan Atë do të zhdukeshin. Në atë ditë ata qëndruan ngadhënjyes.

Atë ditë perdja e tempullit u nda në mes.

Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jezusit, që të dyja u mbushën me hidhërim e dëshpërim. Burri i mrekullueshëm që e kishin dashur e nderuar, qëndronte i varur pa jetë në kryq.

Në atë të premte Apostujt u shkretuan. Jezusi, Shpëtimtari i tyre – burri që kishte ecur mbi ujë dhe ishte ngritur së vdekuri – ishte Vetë në mëshirën e njerëzve të ligj. Ata panë pa shpresë se si Ai u mposht nga armiqtë e Tij.

Në atë të premte Shpëtimtari i njerëzimit u poshtërua dhe u lëndua, u keqtrajtua dhe u tall.

Ishte një e premte e mbushur me hidhërimin dërrmues, shkatërrues, që i breu shpirtrat e atyre që e deshën dhe e nderuan Birin e Perëndisë.

Unë mendoj se nga të gjitha ditët që nga fillimi i historisë së kësaj bote, ajo e premte ishte më e errëta” (“Sunday Will Come”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 29–30).

  • Nëse do të kishit qenë një prej dishepujve që ishin atje atë të premte, çfarë mendimesh ose ndjenjash mund të kishit pasur?

Pasi studentët përgjigjen, lexoni me zë të lartë thënien shtesë që vijon nga Plaku Uirthlin:

“Por zymtësia e asaj dite nuk zgjati” (“Sunday Will Come”, f. 30).

Ftojini studentët të kërkojnë se si “zymtësia e asaj dite nuk zgjati”, teksa studiojnë Gjonin 20.

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Gjonin 20:1–2. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që zbuloi Maria Magdalena kur mbërriti te varri i Jezusit herët në mëngjes në ditën e parë të javës, ose të dielën.

  • Çfarë zbuloi Maria?

  • Çfarë bëri Maria kur zbuloi se guri ishte lëvizur nga hyrja e varrit? Çfarë hamendësoi ajo?

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Gjoni 20:3–10. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që Pjetri dhe Gjoni, të cilit iu drejtua si ai “dishepulli tjetër” (vargu 3), bënë pasi e dëgjuan lajmin e Marisë.

  • Çfarë bënë Pjetri e Gjoni pasi e dëgjuan lajmin e Marisë?

  • Sipas vargut 8, si u përgjigj Gjoni kur pa varrin e zbrazët? Çfarë besoi ai?

Ju mund të doni të shpjegoni se derisa Gjoni vështroi brenda në varrin e zbrazët, ai nuk i kishte kuptuar tërësisht shpalljet e Shpëtimtarit se Ai do të ringjallej prej së vdekuri në ditën e tretë. Teksa Gjoni e pa varrin të zbrazët, ai kujtoi dhe besoi (shih Gjoni 20:8–9).

Gjoni 20:11–31

Krishti i ringjallur i shfaqet Maria Magdalenës dhe më vonë dishepujve të Tij

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 20:11–15. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se kush i foli Marisë pasi Pjetri dhe Gjoni u larguan nga varri.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 20:16–18. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Jezusi e udhëzoi të bënte Marinë pasi ajo e njohu Atë.

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë domethënien e frazës “mos më prek” (vargu 17), ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Brus R. Mek-Konki

“Varianti i Mbretit Xhejms e citoi Jezusin të thoshte: ‘Mos më prek’. Përkthimi prej Joseph Smith-it lexon: ‘Mos më mbaj’. Përkthime të ndryshme nga greqishtja e japin fragmentin si: ‘Mos u kap pas meje’ ose ‘Mos më mbaj mua’. Disa e japin kuptimin si: ‘Mos u kap më pas meje’ ose ‘Mos më mbaj mua më gjatë’. Disa flasin për të mos e mbajtur më atë ose për të mos u kapur pas tij, duke lënë të kuptohet se Maria ishte tashmë duke e mbajtur atë. Ka arsye të vlefshme për të hamendësuar se mendimi i përçuar Marisë nga Zoti i Ringjallur pati këtë ndikim: ‘Ti nuk mund të më mbash këtu, sepse do të shkoj të ngjitem tek Ati im’” (The Mortal Messiah, 4 vëll. [1979–1981], 4:264).

  • Sipas vargut 17, çfarë e udhëzoi Jezusi të bënte Marinë?

Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur të kishin qenë një prej dishepujve që e dëgjuan dëshminë e Marisë. Kërkojuni studentëve t’u përgjigjen pyetjeve vijuese në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta:

  • Si mendoni, çfarë do të kishit ndier ndërkohë që e dëgjonit Marinë?

  • A do ta kishit besuar atë? Përse po ose përse jo?

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të tregojnë atë që shkruan. Kujtojini ata që disa dishepuj patën vështirësi ta besonin dëshminë e Marisë (shih Marku 16:11).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 20:19–20 dhe vëreni klasën të kërkojë çfarë ndodhi atë mbrëmje.

  • Çfarë ndodhi atë mbrëmje kur dishepujt u mblodhën së bashku?

  • Çfarë doktrine të rëndësishme mësuan Maria dhe dishepujt? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Jezu Krishti e mundi vdekjen nëpërmjet Ringjalljes së Tij.)

  • Sipas vargut 20, si u ndien dishepujt kur e panë Zotin e ringjallur?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Jozef B. Uirthlin:

Pamja
Plaku Jozef B. Uirthlin

“Brenda një çasti sytë që ishin të mbushur me lot të përhershëm, u thanë. Buzët që kishin pëshpëritur lutje shqetësimi dhe hidhërimi, tani e mbushën ajrin me lavdërim të mrekullueshëm, sepse Jezusi, Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë, qëndroi përpara tyre si fryti i parë i Ringjalljes, prova që vdekja është thjesht fillimi i një përvoje të re dhe të mrekullueshme” (“Sunday Will Come”, f. 30).

  • Si na ndihmon dijenia që Jezu Krishti është ringjallur teksa hidhërohemi kur dikush që e duam ndërron jetë? (Ngaqë Jezu Krishti u ringjall, çdo njeri që ka jetuar në këtë tokë do të ringjallet gjithashtu [shih 1 Korintasve 15:20–22].)

Përmblidheni Gjonin 20:21–23 duke shpjeguar se pasi Jezusi u tregoi dishepujve të Tij plagët në duart dhe ijën e Tij, Ai u dha atyre autoritetin të bënin punën e Tij dhe u tha: “Merrni Frymën e Shenjtë” (vargu 22).

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Gjonin 20:24–25. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar Apostullin që nuk ishte i pranishëm për atë rast të shenjtë.

  • Cili Apostull nuk ishte i pranishëm kur dishepujt e tjerë e panë Zotin e ringjallur?

  • Sipas vargut 25, çfarë tha Thomai se i nevojitej me qëllim që të besonte?

  • Si ndryshoi përgjigjja e Thomait, e shënuar në këtë varg, nga përgjigjja e Gjonit kur Gjoni pa varrin e zbrazët, siç shënohet te Gjoni 20:8?

  • Si mendoni, përse ishte e vështirë për Thomain që të besonte?

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Gjoni 20:26–29. Vëreni klasën të kërkojë për atë që përjetoi Thomai tetë ditë pasi tha se ai nuk e besonte që Jezusi ishte ringjallur.

Në vend që t’i bëni studentët të lexojnë, ju mund të shfaqni videon “Blessed Are They That Have Not Seen, and Yet Have Believed” [“Lum Ata që Nuk Kanë Parë dhe Kanë Besuar”] (2:29) nga The Life of Jesus Christ Bible Videos [Videot nga Bibla për Jetën e Jezu Krishtit] për t’i ndihmuar studentët të përfytyrojnë përvojën e Thomait sikurse shënohet në këto vargje. Kjo video është në dispozicion te LDS.org.

  • Pasi Jezusi e lejoi Thomain t’ia prekte duart dhe ijën e Tij, çfarë zgjedhjeje e ftoi ai Thomain të bënte? (Ji besues.)

  • Sipas vargut 29, çfarë donte Jezusi që Thomai të kuptonte?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga mësimdhënia e Shpëtimtarit? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni parimin vijues në tabelë: Ne do të bekohemi nëse zgjedhim të besojmë në Jezu Krishtin edhe kur nuk mund ta shohim Atë.)

Ndajini studentët në grupe me dy ose tre studentë dhe jepini secilit grup një fletushkë që përmban pyetjet vijuese.

Pamja
fletushkë, Zgjidhni të Besoni

Ne do të Bekohemi Nëse Zgjedhim të Besojmë në Jezu Krishtin Edhe Kur Nuk Mund ta Shohim Atë

Manual i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 79

  1. Përse zgjidhni të besoni në Jezu Krishtin edhe nëse nuk e keni parë Atë me sytë tuaj të vdekshëm?

  2. Çfarë mund të bëjmë për të treguar se kemi zgjedhur të besojmë në Jezu Krishtin?

  3. Si jeni bekuar ju nga zgjedhja për të besuar në Jezu Krishtin?

Ftojeni secilin grup t’i diskutojë këto pyetje së bashku dhe t’i shkruajnë përgjigjet e tyre në fletushkë ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës.

Shpjegoni që megjithëse Jezusi na mësoi që ne do të bekohemi nëse zgjedhim të besojmë në Të, edhe pse nuk mund ta shohim Atë, Ai na siguron dëshmitarë si një bazë për besimin tonë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 20:30–31. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar përse Gjoni i shënoi këto ngjarje.

  • Përse i shënoi Gjoni këto ngjarje? (Ju mund të doni të shpjegoni se fjala jetë [vargu 31] i drejtohet jetës së përjetshme.)

  • Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga vargu 31 rreth dëshmive të apostujve dhe profetëve? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por duhet të përcaktojnë të vërteta të ngjashme me sa vijojnë: Apostujt dhe profetët dëshmojnë për Jezu Krishtin që ne të mund të besojmë se Ai është Biri i Perëndisë. Nëpërmjet zgjedhjes që të besojmë në dëshminë për Jezu Krishtin, të dhënë nga apostujt dhe profetët, ne mund të marrim jetë të përjetshme. Ky besim nënkupton që një njeri do të përpiqet t’i zbatojë urdhërimet e Tij dhe të jetojë me vërtetësi sipas asaj dëshmie.)

  • Si e kanë forcuar dëshmitë e apostujve dhe profetëve besimin tuaj në Jezu Krishtin?

Mbylleni duke dhënë dëshminë tuaj për Jezu Krishtin. Nxitini studentët të vënë në jetë të vërtetat që i kanë përcaktuar te Gjoni 20, duke përcaktuar se si ata do ta tregojnë besimin e tyre në Jezu Krishtin.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Gjoni 20:11–18. Dëshmitari i parë i Krishtit të ringjallur

Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë, shpjegoi se personi i parë të cilit Jezusi iu shfaq si një qeni e ringjallur, ka një domethënie tepër të madhe:

“Asnjë grua nuk duhet ta vërë në dyshim se si Shpëtimtari e vlerëson të qenit grua. Maria Magdalena e brengosur ishte e para që e vizitoi varrin pas Kryqëzimit dhe kur pa që guri ishte rrokullisur tej dhe që varri ishte i zbrazët, ajo shkroi me vrap për t’i treguar Pjetrit dhe Gjonit. Dy Apostujt erdhën për të parë dhe më pas u larguan të hidhëruar. Por Maria qëndroi. Ajo kishte qëndruar pranë kryqit [shih Mateu 27:56; Marku 15:40; Gjoni 19:25]. Ajo kishte qenë në varrim [shih Mateu 27:61; Marku 15:47]. Dhe tani ajo qëndroi duke vajtuar pranë varrit të zbrazët [shih Gjoni 20:11]. Atje ajo u nderua të ishte njeriu i parë, i vdekshëm, që e pa Zotin e ringjallur” (“Woman, Why Weepest Thou?” Ensign, nëntor 1996, f. 54).

Gjoni 20:16–20. “Dishepujt pra, kur e panë Zotin, u gëzuan”

Plaku Jozef B. Uirthlin, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përshkroi dëshpërimin e dishepujve të Jezu Krishtit të premten që Ai u kryqëzua. Më pas ai shtoi:

“Dëshpërimi nuk qëndroi gjatë pasi të dielën Zoti i ringjallur i shpërtheu prangat e vdekjes. Ai u ngrit nga varri dhe u shfaq ngadhënjyeshëm plot lavdi si Shpëtimtari i gjithë njerëzimit. …

Ne të gjithë do t’i kemi vetë të premtet tona – ato ditë kur gjithësia vetë duket e thërrmuar dhe copëzat e botës sonë shtrihen të shpërndara përreth nesh pjesë-pjesë. Ne të gjithë do t’i përjetojmë ato kohë të copëtuara kur duket sikur ne kurrë nuk mund të mblidhemi së bashku sërish. Ne të gjithë do t’i kemi të premtet tona.

Por ju dëshmoj në emrin e Atij që e mundi vdekjen – e diela do të vijë. Në zymtinë e hidhërimit tonë, e diela do të vijë.

Pavarësisht nga dëshpërimi ynë, pavarësisht nga brengosja jonë, e diela do të vijë. Në këtë jetë apo në jetën pas kësaj, e diela do të vijë.

Unë ju dëshmoj se Ringjallja nuk është një përrallë. Ne kemi dëshmitë vetjake të atyre që e panë Atë. Mijëra në Botën e Vjetër dhe të Re dëshmuan për Shpëtimtarin e ringjallur. Ata i ndien plagët në duart, këmbët dhe ijën e Tij. Ata derdhën lotët e gëzimit të pakufishëm kur e përqafuan Atë” (“Sunday Will Come”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 30).

Gjoni 20:22. “Hukati mbi ta”

Presidenti Harold B. Li tha sa vijon rreth kësaj thënieje:

“Ai ‘hukati mbi ta dhe [u] tha: “Merrni Frymën e Shenjtë”’ (Gjoni 20:22), që ka shumë të ngjarë të ishte konfirmimi dhe autorizimi për të marrë Frymën e Shenjtë, ose pagëzimin e Shpirtit, me anë të vënies së duarve, sepse kjo ishte procedura e ndjekur që nga ai rast e tutje nga dishepujt e Tij” (në Conference Report, prill 1955, f. 18).

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, në mënyrë të ngjashme sugjeroi që fraza “Jezusi ‘hukati mbi ta’, … ndoshta do të thotë që ai i vuri duart mbi ta ndërkohë që shqiptoi urdhrin: ‘Merrni Frymën e Shenjtë’.” Plaku Mek-Konki vazhdon të na mësojë se kjo ngjarje ilustron ndryshimin midis dhënies së dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe të gëzuarit me të vërtetë të asaj dhurate: “Kështu ata e morën, por në atë çast nuk e gëzuan me të vërtetë, dhuratën e Frymës së Shenjtë. … Dhurata e Frymës së Shenjtë është e drejta, bazuar mbi besnikërinë, për të marrë shoqërimin e vazhdueshëm të këtij anëtari të Kreut-Perëndi; dhe kjo dhuratë jepet me anë në vendosjes së duarve pas pagëzimit. Kjo dhuratë ofron bekime të caktuara me kushtin që ka një përputhje të plotë me ligjin e përfshirë; kushdo mbi të cilin jepet dhurata, në fakt nuk e gëzon apo zotëron dhuratën e ofruar. Në rastin e apostujve gëzimi i vërtetë i dhuratës u vonua deri në ditën e Rrëshajave. (Veprat e Apostujve 2.)” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:857).