Biblioteka
Sugjerime për Ditët e Ndryshueshme


Sugjerime për Ditët e Ndryshueshme

Udhëzuesi i ritmit për mësuesit që japin mësim përditë, është bazuar mbi një vit shkollor me 36 javë ose 180 ditë. Ky manual përfshin 160 mësime të përditshme, duke lënë 20 ditë për të cilat nuk është përfshirë asnjë material mësimdhënieje. Këto 20 “ditë të ndryshueshme” duhet të përdoren me mençuri për synime dhe veprimtari me vlerë, duke përfshirë sa vijon:

  1. Vlerësimet. Synimi i Seminareve dhe Instituteve të Fesë është që të “ndihmojmë rininë dhe të rinjtë në moshë madhore që t’i kuptojnë dhe të mbështeten te mësimet dhe Shlyerja e Jezu Krishtit, të kualifikohen për bekimet e tempullit, si dhe të përgatiten vetë, të përgatitin familjet e tyre dhe të tjerët për jetën e përjetshme me Atin e tyre në Qiell”. Me këtë qëllim në mendje, SeI-ja ka përgatitur vlerësimet e të mësuarit. Këto vlerësime kanë për qëllim t’i ndihmojnë studentët të kuptojnë, shpjegojnë, besojnë e jetojnë atë që po e mësojnë në klasë.

    Në vitin 2014, kërkesat për diplomimin nga seminari u përshtatën, kështu që studentët duhet të kalojnë vlerësimet e të mësuarit për secilin kurs të studimit me qëllim që të diplomohen. Ju duhet t’i administroni vlerësimet e të mësuarit një herë gjatë secilës gjysmë të vitit shkollor. Çdo vlerësim ka dy pjesë: 1) administrimin e vlerësimit, që do të kërkojë përafërsisht 40 minuta, ose një periudhë ditore të orës mësimore, dhe 2) korrigjimin dhe diskutimin e vlerësimit me studentët në periudhën e orës mësimore pasuese. Ky rishikim është një pjesë thelbësore për t’i ndihmuar studentët të mësojnë nga përvoja. Nëse klasa juaj mblidhet për më shumë se 60 minuta, ju duhet të harxhoni vetëm një periudhë të orës mësimore për ta administruar e rishikuar vlerësimin.

    Vlerësimet duhet të përdoren për t’i ndihmuar studentët. Ndërkohë që njoftohej shtimi i vlerësimeve të të mësuarit në kërkesat e diplomimit nga seminari, Plaku Pol V. Xhonson, i Të Shtatëdhjetëve, tha: “Qëndrimi i një mësuesi do të sjellë një ndryshim të madh. Nëse mësuesit mund ta shohin se si kjo ua bekon jetën studentëve, ata do t’i shikojnë vlerësimet si një mënyrë për t’i ndihmuar studentët e tyre. … Mendoj se, po të kishte një porosi, ajo do të ishte që ne nuk dëshirojmë që mësuesit ta shikojnë këtë si një lloj mekanizmi për manipulim ose si një grusht – ndoshta një grusht me dy kuptime të fjalës – si një mjet jo të mprehtë për të goditur dikë, ose një grup elitar vetëm për studentë të caktuar. Ne dëshirojmë që ata ta shikojnë këtë si diçka që do t’ua bekojë vërtet jetën” (“Elevate Learning Announcement” [Seminaries and Institutes of Religion global faculty meeting, 20 qershor 2014], si.lds.org).

    Shënim: Vlerësime të tjera jo të detyrueshme mund të gjenden duke kërkuar te faqja në internet e SeI-së (si.lds.org) duke përdorur fjalën kyçe assessment [vlerësim].

  2. Përshtatja e mësimeve të përditshme. Ju mund të doni të shpenzoni kohë shtesë për një mësim i cili kërkon më shumë kohë për t’u dhënë mësim me efektshmëri. Gjithashtu, ju mund të doni të përdorni idetë shtesë për mësimdhënien, të cilat shfaqen në fund të disa mësimeve, ose të gjeni kohë për t’iu përgjigjur pyetjeve të studentëve rreth një fragmenti të veçantë të shkrimit të shenjtë ose një teme të veçantë për ungjillin. Ditët e ndryshueshme ju lejojnë të përfitoni nga këto mundësi ndërsa ruani ritmin e planit tuaj mësimor dhe përmbushni detyrën tuaj për t’i dhënë mësim shkrimet e shenjta në mënyrë të njëpasnjëshme.

  3. Zotërimi i fragmenteve kyçe të shkrimit të shenjtë dhe Doktrinave Bazë. Ju mund të doni të përdorni veprimtaritë e përsëritjes për fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë, të cilat gjenden përgjatë manualit dhe te shtojca. Ju mund të krijoni veprimtari shtesë përsëritjeje të zotërimit të shkrimit të shenjtë, të cilat përmbushin nevojat dhe interesat e veçanta të studentëve në klasën tuaj. Ju gjithashtu mund të përdorni pjesë të një dite të ndryshueshme për veprimtaritë që i ndihmojnë studentët ta rishikojnë dhe thellojnë kuptimin e tyre për Doktrinat Bazë.

  4. Rishikimi i materialit të mëparshëm. Është e dobishme për studentët që herë pas here t’i kthehen asaj që kanë mësuar në mësimet e kaluara ose nga një libër i veçantë i shkrimit të shenjtë. Ju mund t’iu jepni studentëve një mundësi për të shpjeguar një të vërtetë nga një mësim i mëparshëm dhe të tregojnë se si ajo e vërtetë ka ndikuar në jetën e tyre. Ju gjithashtu mund të krijoni e drejtoni një test me alternativa ose veprimtari mësimore që e rishikojnë materialin e mëparshëm.

  5. Lejimi për ndërprerje të planit mësimor. Veprimtaritë ose mbledhjet shkollore, ngjarjet në komunitet, moti dhe ndërprerje të tjera mund të kërkojnë prej jush pezullimin ose shkurtimin herë pas here të orës mësimore. Ditët e ndryshueshme mund të përdoren që t’i lejojnë ndërprerje të tilla.