Biblioteka
Mësimi 54: Lluka 16


Mësimi 54

Lluka 16

Hyrje

Jezusi dha mësim shëmbëlltyrën e administratorit të pabesë. Farisenjtë i dëgjuan mësimet e Jezusit dhe e përqeshën Atë. Më pas Jezusi i qortoi farisenjtë dhe u mësoi atyre shëmbëlltyrën e pasanikut dhe të Llazarit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Lluka 16:1–12

Jezusi jep mësim shëmbëlltyrën e administratorit të pabesë

Merrni parasysh të sillni në klasë sende që mund të përfaqësojnë pasuri dhe fuqi tokësore, të tilla si para, një pajisje elektronike, një diplomë, një makinë lodër ose një pikturë të një shtëpie.

Fillojeni orën mësimore duke bërë pyetjen:

  • Cilat janë disa gjëra mbi të cilat njerëzit shpesh e vënë zemrën e tyre dhe përpiqen t’i marrin ato? (Nëse sollët në klasë sende që lidhen me orën mësimore, paraqitni ato ndërkohë që studentët i përmendin ato. Përndryshe, kërkojini një studenti t’i renditë përgjigjet e studentëve në tabelë.)

  • Cilat janë disa nga pasuritë që Ati Qiellor dëshiron që ne të kërkojmë? (Ftojeni një student të renditë në tabelë përgjigjet e anëtarëve të klasës, të cilat mund të përfshijnë fjalë si familje të përjetshme, paqe, gëzim dhe lavdi çelestiale. Udhëzojeni një student të shkruajë titullin Pasuri të Përjetshme në krye të listës.)

Vini në dukje se ne mund t’i gëzojmë disa nga këto pasuri të përjetshme në këtë jetë. Kërkojuni studentëve të përsiatin se cilat pasuri të përjetshme janë veçanërisht të rëndësishme për ta. Ftojini ata që ndërsa studiojnë Llukën 16, të kërkojnë të vërteta që mund t’i ndihmojnë të marrin pasuri të përjetshme.

Shpjegoni se pasi dha mësim shëmbëlltyrën e deles së humbur, të dhrahmisë së humbur dhe të djalit plangprishës, Shpëtimtari dha mësim shëmbëlltyrën e administratorit të pabesë. Ju mund të doni të shpjegoni se një administrator është dikush që merret me çështjet tregtare, paratë ose pronat e një personi tjetër.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 16:1–2. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që njeriu i pasur në shëmbëlltyrë mësoi për administratorin e tij.

  • Çfarë kishte bërë administratori me të mirat e njeriut të pasur?

  • Cila ishte pasoja e shkapërderdhjes së administratorit? (Ai do ta humbiste punën e tij.)

Përmblidheni Llukën 16:3–7, duke shpjeguar se administratori u shqetësua për atë që do të bënte kur ta humbiste punën e tij, sepse ai mendonte se nuk mund të bënte punë fizike dhe i vinte shumë turp të lypte. Ai hartoi një plan, i cili, mendonte ai, mund të çonte në mundësi punësimi në familje të tjera. Ai vizitoi dy nga borxhlinjtë e njeriut të pasur dhe u bëri zbritje në mënyrë domethënëse borxheve të tyre, gjë e cila, shpresonte ai, do të fitonte pëlqimin e tyre.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 16:8. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si reagoi pasaniku në shëmbëlltyrë kur mësoi për veprimet e administratorit të tij. Shpjegoni se “bijtë e kësaj bote” janë njerëz me mendje si të botës dhe “bijtë e dritës” janë ndjekës të Perëndisë, ose njerëz me mendje shpirtërore.

  • Si reagoi njeriu i pasur kur mësoi për veprimet e administratorit të tij? Çfarë përgëzoi njeriu i pasur? (Njeriu i pasur përgëzoi zgjuarsinë e administratorit për të fituar pëlqimin e borxhlinjve të njeriut të pasur. Ai nuk po përgëzonte pandershmërinë e administratorit.)

Jepuni studentëve një kopje të thënies vijuese nga Plaku Xhejms E. Talmixh, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ftojeni një student ta lexojë thënien me zë të lartë. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari po jepte mësim nëpërmjet shëmbëlltyrës së administratorit të pabesë.

Pamja
Plaku Xhejms E. Talmixh

“Synimi i Zotit tonë ishte që të tregonte dallimin midis kujdesit, vëmendjes dhe përkushtimit të njerëzve që përfshihen në çështje fitimprurëse në tokë, dhe të mënyrave me gjysmë zemre të shumë njerëzve që gjoja luftojnë për pasuri shpirtërore …

… Merrni mësim madje edhe prej të pandershmit dhe të ligut; nëse ata janë aq të kujdesshëm sa të sigurojnë për të vetmen të ardhme që mendojnë, sa më shumë duhet ju, që besoni në një të ardhme të përjetshme, të siguroni për të! … Imitojeni administratorin e pabesë dhe ata që e duan mamonin, jo për pandershmërinë, pangopësinë [zilinë egoiste] dhe grumbullimin lakmitar të pasurisë deri në grykë, veçse kalimtare [e të përkohshme], por për zellin, largpamësinë dhe përgatitjen e tyre për të ardhmen” (Jesus the Christ, bot. 3-të [1916], f. 463, 464).

  • Çfarë donte Shpëtimtari që dishepujt të mësonin nga njerëzit me mendje tokësore, ashtu sikurse qe administratori i pabesë?

Shkruajeni thënien e paplotë vijuese në tabelë: Nëse përgatitemi me mençuri për të ardhmen tonë të përjetshme …

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 16:10–12. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që tha Shpëtimtari se ne duhet të bëjmë për t’u bekuar me pasuri të përjetshme. Shpjegoni se mamoni i referohet pasurive tokësore, duke përfshirë paratë, zotërimet dhe shoqërimet.

  • Çfarë mendoni se do të thotë të jesh “besnik në të vogla” (vargu 10)? (Pasi studentët të përgjigjen, shtojani sa vijon frazës në tabelë: dhe i përdorim me drejtësi pasuritë tokësore …)

Drejtojeni vëmendjen e studentëve te lista e pasurive të përjetshme në tabelë.

  • Çfarë i bën këto “pasuri [të] vërteta” (vargu 11)?

Kërkojuni studentëve të plotësojnë thënien në tabelë në mënyrë që ajo të krijojë një parim rreth mënyrës se si mund të marrim pasuri të përjetshme. (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse përgatitemi me mençuri për të ardhmen tonë të përjetshme dhe i përdorim me drejtësi pasuritë tokësore, ne mund të bekohemi me pasuri të përjetshme.)

  • Përse ndonjëherë është e vështirë që të përgatitemi me mençuri dhe me zell për të ardhmen tonë të përjetshme?

  • Si mund t’i përdorim me drejtësi pasuritë tokësore?

  • Në ç’mënyrë përdorimi nga ana jonë me drejtësi i pasurive tokësore, reflekton denjësinë tonë për t’u besuar me pasuri të përjetshme?

Lluka 16:13–31

Jezusi i qorton farisenjtë dhe jep mësim shëmbëlltyrën e pasanikut dhe të Llazarit

Drejtojeni vëmendjen e studentëve te lista në tabelë (ose, nëse i sollët ato, tek objektet që përfaqësojnë pasuritë tokësore), dhe u kërkoni atyre që të përsiatin se si lakmia për pasuri tokësore mund të na pengojë nga marrja e pasurive të përjetshme. Ftojini studentët të kërkojnë një përgjigje për këtë pyetje ndërsa studiojnë Llukën 16:13–26.

Përmblidheni Llukën 16:13–14, duke shpjeguar që Shpëtimtari dha mësim se ne “nuk mund t’i shërbe[jmë] [si] Perëndisë dhe mamonit” (vargu 13). Farisenjtë i dëgjuan mësimet e Jezusit dhe e “tall[ën]” (vargu 14), ose e përqeshën Atë. Vërini studentët të kërkojnë te Lluka 16:14 atë fjalë që i përshkruan farisenjtë dhe jep një shpjegim të arsyes përse ata e përqeshën Shpëtimtarin për mësimet e Tij.

  • Nga ajo që keni mësuar rreth farisenjve, çfarë lakmonin ata? (Pasurinë dhe pushtetin tokësor [shih Mateu 23:2–6, 14].)

  • Si mendoni ju, përse lakmia e farisenjve i bëri ata që ta përqeshnin Shpëtimtarin?

Shpjegoni se Përkthimi prej Joseph Smithi‑it i Llukës 16:16–23 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta) jep një këndvështrim tjetër në fjalëkëmbimin midis farisenjve dhe Shpëtimtarit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë përmbledhjen vijuese të këtij përkthimi:

Farisenjtë pretendonin se ligji i Moisiut dhe shkrime të tjera profetike (Dhiata e Vjetër) shërbenin si ligji i tyre, dhe prandaj ata nuk e pranuan Jezusin si gjykatësin e tyre. Jezusi shpjegoi se ligji i Moisiut dhe profetët kishin dëshmuar për Të. Ai i pyeti farisenjtë përse e mohonin atë që ishte shkruar dhe i qortoi ata që po e “shtrembëroni[n] udhën e drejtë” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Lluka 16:21). Për t’i ndihmuar farisenjtë, zemra e të cilëve qe vënë mbi pasuritë dhe pushtetin tokësor, të kuptonin sjelljen e tyre dhe pasojat e saj, Shpëtimtari i krahasoi ata me pasanikun në shëmbëlltyrën e shënuar te Lluka 16:19–31.

Kërkojuni tre vullnetarëve që të marrin pjesë në një teatër lexuesish. Caktojini një vullnetari që të lexojë fjalët e Shpëtimtarit (Lluka 16:19–23), vullnetarit të dytë të lexojë fjalët e pasanikut (Lluka 16:24, 27, 28, 30) dhe vullnetarit të tretë të lexojë fjalët e Abrahamit (Lluka 16:25, 26, 29, 31). Udhëzojini këta studentë që të lexojnë me zë të lartë pjesët e tyre te Lluka 16:19–26. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që përjetuan një burrë i varfër i quajtur Llazar dhe një pasanik.

  • Si ndryshonte jeta e vdekshme e pasanikut nga ajo e Llazarit?

  • Si ndryshoi jeta e tyre pas vdekjes? (Juve mund t’ju nevojitet të shpjegoni se “gji[ri i] Abrahamit” [vargu 22] përfaqëson parajsën në botën e shpirtrave dhe se “ferr[i]” [vargu 23] i referohet burgut të shpirtrave [shih Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Abraham’s Bosom” [“Gjiri i Abrahamit”], “Hell” [“Ferri”]].)

  • Në ç’mënyrë dështoi pasaniku që t’i përdorte me drejtësi pasuritë e tij tokësore?

Kujtojuni studentëve se pasaniku në këtë shëmbëlltyrë përfaqëson farisenjtë lakmitarë.

  • Çfarë mund të mësojmë nga kjo shëmbëlltyrë rreth asaj që do të ndodhë nëse jemi lakmitarë dhe nuk i përdorim me drejtësi pasuritë tona tokësore? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani parimin vijues në tabelë: Nëse jemi lakmitarë dhe nuk i përdorim me drejtësi pasuritë tona tokësore, ne përfundimisht do të përjetojmë vuajtje dhe keqardhje [shih edhe DeB 104:18].)

Për t’i përgatitur studentët të përcaktojnë një të vërtetë tjetër nga kjo shëmbëlltyrë, ftojini ata të mendojnë për dikë të cilin e kanë për zemër, që po zgjedh të jetojë në mosbindje ndaj mësimeve të Shpëtimtarit.

  • Si mendoni ju, çfarë mund ta bindë atë person të pendohet dhe ta ndryshojë mënyrën e tij ose të saj të jetesës?

Ftojini studentët e caktuar të lexojnë me zë të lartë pjesët e tyre te Lluka 16:27–31. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke parë për kërkesën e pasanikut.

  • Çfarë donte pasaniku që të bëhej për pesë vëllezërit e tij? Përse?

  • Çfarë besonte pasaniku se do të ndodhte nëse Llazari do t’u shfaqej vëllezërve të pasanikut?

Shpjegoni që pasaniku besonte se nëse Llazari u shfaqej atyre, vëllezërit e tij do të pendoheshin dhe do të ktheheshin në besim tek e vërteta. Kthimi në besim është “ndryshim[i] nga dikush i besimeve, zemrës dhe jetës së tij për të pranuar dhe për të bërë vullnetin e Perëndisë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Kthimi, Kthyer (I)”, scriptures.lds.org).

  • Sipas shëmbëlltyrës, përse Abrahami nuk e dërgoi Llazarin te vëllezërit e pasanikut?

Vini në dukje se duke përmendur “Moisiun dhe profetët” (Lluka 16:29, 31), Shpëtimtari iu referua sërish shkrimeve të shenjta që farisenjtë pretendonin se i besonin dhe jetonin sipas tyre, por në të vërtetë i hidhnin poshtë. Shpjegoni që një njeri i vërtetë i quajtur Llazar më vonë u bë “dikush [që u] ringjall prej të vdekurish” (vargu 31), kur Shpëtimtari e solli sërish në jetë (shih Gjoni 11). Më vonë, Jezusi u bë Ai që u ngrit nga të vdekurit kur Ai u ringjall. Megjithatë, në të dyja rastet, farisenjtë dhe të tjerët e hodhën poshtë provën e hyjnisë së Shpëtimtarit dhe nuk iu mbush mendja të pendoheshin.

  • Çfarë të vërtete rreth kthimit në besim mund të mësojmë nga ajo që Abrahami i mësoi pasanikut në këtë shëmbëlltyrë? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi të vërtetash, por sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Kthimi në besim vjen nga të besuarit dhe vënia vesh ndaj fjalëve të profetëve, jo nga të dëshmuarit e mrekullive apo nga të parit e engjëjve.)

  • Si mendoni ju, përse kthimi në besim vjen nga të besuarit dhe vënia vesh ndaj fjalëve të profetëve, në vend që të vijë nëpërmjet të dëshmuarit të mrekullive apo nga të parit e engjëjve?

  • Si mund t’i ndihmojmë njerëzit të besojnë dhe t’ua vënë veshin fjalëve të profetëve?

  • Cilat mësime të veçanta nga profetët kanë ndikuar në kthimin tuaj në besim?

Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta mënyrat me anë të të cilave ata mund t’i besojnë apo t’i vënë veshin më shumë atyre mësimeve ose këshillave të veçanta nga profetët, duke e forcuar në këtë mënyrë kthimin e tyre në besim. Nxitini studentët që të zbatojnë atë që shkruan.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Lluka 16:9. “Bëjini miqtë me pasuri të padrejta”

Bërja e “miq[ve] me pasuri të padrejta” i referohet përdorimit të parasë, zotërimeve, ndikimit dhe shoqërimeve tokësore për të arritur qëllime të drejta. Shpëtimtari u dha këtë këshillë si dishepujve të Tij gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, edhe shenjtorëve të ditëve të mëvonshme (shih DeB 82:22). Presidenti Jozef Filding Smith përshkroi mënyrën se si shenjtorët e ditëve të mëvonshme mund ta zbatojnë këtë këshillë:

“Qëllimi nuk është që në bërjen miq me ‘pasuri të padrejta’ vëllezërit duhej të merrnin pjesë me ta në mëkatet e tyre; t’i pranonin ata në zemrat e tyre, të lidheshin në martesë me ta dhe si rrjedhojë të binin në nivelin e tyre. Ata duhej të jetonin në mënyrë të tillë që paqja me armiqtë e tyre të mund të sigurohej. Ata duhej t’i trajtonin me mirësi, të ishin dashamirës me ta për aq sa do ta lejonin parimet e duhura dhe të virtytshme, por kurrë të mos përdornin fjalë të pahijshme me ta apo të pinin dhe të deheshin me ta. Nëse mund ta zbusnin paragjykimin dhe të tregonin gatishmëri për ta zëvendësuar me një shpirt mirëdashës dhe për ta treguar atë shpirt, kjo mund të ndihmonte për t’i larguar ata prej hidhësisë së tyre. Gjykimi duhej t’i lihej Zotit” (Church History and Modern Revelation, 2 vëll. [1953], 1:323).

Si dishepuj të Jezu Krishtit, ne duhet të jemi të respektueshëm dhe miqësorë me të tjerët. Duke e bërë këtë, ne mund ta zgjerojmë rrethin tonë të njohjeve dhe të mësojmë prej të tjerëve. Nëpërmjet ndërveprimeve të sinqerta, ata me të cilët ne shoqërohemi mund të arrijnë të formojnë opinione të favorshme ndaj nesh dhe Kishës së Zotit. Ata madje mund të arrijnë të dalin në mbrojtjen tonë apo të Kishës nëse do të jetë e nevojshme.

Lluka 16:1–12. Të mësuarit nga shëmbëlltyra e administratorit të pabesë

Për mësime të tjera që ne mund të mësojmë nga shëmbëlltyra e administratorit të pabesë, shihni [bisedën] nga Vëllai Tsung–Ting Jang, ish I Shtatëdhjetë Zonal, “Parables of Jesus: The Unjust Steward”, Ensign, korrik 2003, f. 28–31.

Lluka 16:19–26. Pasojat e shpërfilljes së nevojave të të tjerëve

Pasaniku jetonte në luks ndërkohë që Llazari vuante në varfëri. Edhe pse nuk përmendet asnjë mëkat i veçantë i pasanikut në këtë shëmbëlltyrë, përshkrimi i Llazarit, përfshirë faktin “që rrinte para derës së [pasanikut]” (Lluka 16:20), tregon se pasaniku nuk begeniste t’i përgjigjej lutjes së Llazarit për ndihmë. Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na kujtoi se ne të gjithë jemi lypsa për mëshirën e Perëndisë dhe na mësoi rreth përgjegjësisë sonë për t’i ndihmuar të tjerët që kanë nevoja të përkohshme. Ai bëri premtimin vijues lidhur me atë se si ne mund ta dimë mënyrën e drejtë për ta dhënë këtë ndihmë:

“[Perëndia] do t’ju ndihmojë dhe udhëheqë në veprime dhembshurie të të qenit dishepull, në qoftë se dëshironi e luteni në mënyrë të ndërgjegjshme dhe kërkoni mënyra për të zbatuar një urdhërim që Ai na e ka dhënë në mënyrë të përsëritur” (“A Nuk Jemi të Gjithë Lypsa?” Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 41).

Lluka 16:19–31. Ndreqja e pabarazive të jetës së vdekshme

Në shëmbëlltyrën e pasanikut dhe të Llazarit, pasanikut iu tha: “Ti i ke marrë të mirat e tua gjatë jetës sate, kurse Llazari të këqijat; tashti, përkundrazi, ai po përdëllehet dhe ti vuan” (Lluka 16:25). Përvojat e ndryshme të pasanikut dhe të Llazarit në vdekshmëri dhe në botën e shpirtrave ilustrojnë fuqinë e Shlyerjes për të përmbysur ose ndrequr pabarazinë dhe padrejtësinë e përjetuar në këtë jetë. Për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, drejtësia punon në favor dhe është mik me të drejtin.

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi:

“Shpëtimtari i rregullon të gjitha gjërat. Asnjë padrejtësi në vdekshmëri nuk është e përhershme, madje as vdekja, sepse Ai e rikthen jetën sërish. Asnjë dëmtim, paaftësi, tradhti apo shpërdorim nuk kalon pa u dëmshpërblyer në fund për shkak të drejtësisë dhe mëshirës së Tij përfundimtare” (“Ringjallja e Jezu Krishtit”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 112).

Lluka 16:19–31. Bota e shpirtrave në shëmbëlltyrën e pasanikut dhe të Llazarit

“Shëmbëlltyra e pasanikut dhe Llazarit i referohet dy gjendjeve të ndryshme në botën e shpirtrave pas vdekjes: ‘Gji[rit] të Abrahamit’ dhe ‘ferr[it]’ (shih Lluka 16:22–23). I pari është përshkruar si një vend rehatie në shoqërinë e besnikëve (të mishëruar nga ati Abraham), i fundit si një vend mundimi. … Midis kësaj banese të besnikëve dhe ‘ferr[it]’ kishte një ‘humnerë [të] madhe’ (Lluka 16:26) që e pengonte shkëmbimin midis të dyve. …

… Përpara vdekjes së Krishtit, shpirtrat nga parajsa nuk mund t’i vizitonin ata që ishin në burgun e shpirtrave. Shërbesa e Tij në botën e shpirtrave lidhi humnerën midis parajsës dhe burgut të shpirtrave, duke bërë të mundur që shpirtrat në burg ta merrnin mesazhin e ungjillit nga shërbestarët e autorizuar të dërguar nga parajsa (shih DeB 138:18–37; Gjoni 5:25–29; 1 Pjetër 3:18–21; 4:6)” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 173). Për një përfaqësim pamor të humnerës midis këtyre dy gjendjeve që lidhi Krishti, shihni komentin për Llukën 16:19–31Manualin e Studentit për Dhiatën e Re.

Përkthimi i Joseph Smith-it, Lluka 16:16–23 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta). Ligësia e farisenjve

Siç shënohet te Përkthimi prej Joseph Smith-it, Lluka 16:16–23, Jezusi i qortoi farisenjtë se po e “shtrembëroni[n] udhën e drejtë” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Lluka 16:21 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]). Një mënyrë se si farisenjtë e kishin bërë këtë, ishte duke pretenduar se i ndiqnin ligjin e Moisiut dhe shkrimet e tjera të shenjta, ndërkohë që në të vërtetë po i përdornin ato për synime të liga. Jezusi iu referua këtij shembulli kur ai i quajti farisenjtë kurorëshkelës, së cilës ata iu përgjigjën me zemërim duke e përqeshur Atë sërish. Më pas Jezusi përshkroi miratimin e padrejtë të divorcit nga ana e farisenjve, për arsye të tjera përveç tradhtisë bashkëshortore, të cilën ata u përpoqën ta justifikonin duke shtrembëruar një ligj që u dha nga Moisiu (shih edhe Mateu 19:3–9). Shpëtimtari gjithashtu shpalli se në zemrën e tyre, këta burra nuk besonin me të vërtetë te Perëndia.

Gjatë gjithë shërbesës së Tij, Jezusi vuri në dukje abuzimin dhe interpretimet e shtrembëruara të ligjit të Moisiut dhe të mësimeve të tjera të profetëve të lashtë nga ana e farisenjve. Ai u bë një kërcënim për pushtetin shoqëror dhe politik që farisenjtë e kishin marrë nëpërmjet ligësisë së tyre. Për shkak të kësaj, shumë farisenj kërkuan që ta vrisnin Jezusin.