Biblioteka
Mësimi i Studimit në Shtëpi: Veprat e Apostujve 1–5 (Njësia 17)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Veprat e Apostujve 1–5 (Njësia 17)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja e mëposhtme e ngjarjeve, doktrinave dhe parimeve që studentët tuaj i mësuan ndërsa studionin Veprat e Apostujve 1–5 (njësia 17), nuk ka për qëllim të jepet si pjesë e orës suaj mësimore. Mësimi që jepni, përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë, teksa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (Veprat e Apostujve 1:1–8)

Studentët e filluan studimin e tyre të librit të Veprave të Apostujve duke mësuar që Jezu Krishti e drejton Kishën e Tij duke ua zbuluar vullnetin e Tij Apostujve të Tij nëpërmjet Frymës së Shenjtë dhe që Apostujt janë dëshmitarë të Jezu Krishtit dhe dëshmojnë për Të anembanë tokës. Studentët më pas mësuan se nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, edhe ne mund të bëhemi dëshmitarë të Jezu Krishtit. Materiali në këtë mësim gjithashtu iu dha studentëve një vështrim të përgjithshëm të pjesës së dytë të Dhiatës së Re.

Dita 2 (Veprat e Apostujve 1:9–26)

Teksa studentët studionin rrëfimin për Ngritjen e Jezu Krishtit në Qiell, ata mësuan se në Ardhjen e Tij të Dytë, Shpëtimtari do të zbresë nga qielli me lavdi. Ndërsa lexonin rreth mënyrës se si Apostujt e zgjodhën zëvendësuesin e Judës, studentët mësuan se Apostujt e Jezu Krishtit thirren nga Perëndia nëpërmjet zbulesës.

Dita 3 (Veprat e Apostujve 2)

Ndërsa studentët studionin ngjarjet e ditës së Rrëshajëve, ata zbuluan të vërtetat vijuese: Ndërsa mbushemi me Frymën e Shenjtë, Ai do të na ndihmojë t’u japim mësim dhe t’u dëshmojmë të tjerëve. Kur e pranojmë fjalën e Perëndisë nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, zemrat tona do të ndryshojnë dhe ne do të kthehemi në besimin te Jezu Krishti. Kur kemi besim te Jezu Krishti, pendohemi dhe pagëzohemi, ne përgatitemi që të marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë.

Dita 4 (Veprat e Apostujve 3–5)

Kur Pjetri dhe Gjoni shëruan një burrë të çalë në tempull, studentët mësuan se Ati Qiellor mund të mos u përgjigjet lutjeve tona në mënyrat që ne dëshirojmë ose që presim prej Tij, por përgjigjet e Tij janë gjithmonë për të mirën tonë më të madhe. Parime të tjera që i mësojmë nga ky mësim, përfshijnë sa vijojnë: Shërbëtorët e Jezu Krishtit mund të kryejnë mrekulli nëpërmjet besimit në emrin e Tij. Profetët në të gjitha kohët e kanë paratreguar Rivendosjen e ungjillit në ditët e mëvonshme. Nëse i gënjejmë shërbëtorët e Perëndisë, është njësoj sikur të gënjejmë Atë.

Hyrje

Ky mësim mund t’i ndihmojë studentët të kuptojnë se si mund të përgjigjen me guxim kur kanë mundësi për ta ndarë ose mbrojtur ungjillin.

Sugjerime për Mësimdhënien

Veprat e Apostujve 4:1–31

Anëtarët e sinedrit i urdhërojnë Pjetrin dhe Gjonin që ta ndalojnë mësimdhënien në emër të Jezusit

Kërkojuni studentëve të përsiatin se çfarë do të bënin në situatat vijuese (merrni parasysh t’i shkruani këta skenarë në tabelë përpara orës mësimore):

  1. Një shok ose shoqe vendos diçka jo të vërtetë rreth Kishës në mediat shoqërore.

  2. Një trajner organizon një turne sportiv i cili kërkon që skuadra juaj të luajë të dielën.

  3. Shokët ose shoqet tuaja kërkojnë mendimin tuaj rreth një çështjeje shoqërore e cila është e njohur dhe e përkrahur përgjithësisht, por që është në kundërshtim me mësimet e Kishës.

Pasi t’u jepni studentëve kohë të mjaftueshme për të përsiatur, pyetini:

  • Cilat janë disa rrethana të tjera në të cilat mund të na nevojitet ta tregojmë ose mbrojmë besimin tonë?

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Veprat e Apostujve 4–5, të kërkojnë të vërteta të cilat mund t’i udhëzojnë në këto lloj situatash.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë kontekstin e Veprave të Apostujve 4, ftojini ata të përmbledhin atë që ju kujtohet rreth ngjarjeve dhe mësimeve te Veprat e Apostujve 3. (Në tempull Pjetri dhe Gjoni shëruan një burrë që ishte i çalë që nga lindja dhe dhanë mësim rreth Jezusit.)

Përmblidhni Veprat e Apostujve 4:1–6 duke shpjeguar se Pjetri dhe Gjoni u arrestuan për këto vepra dhe u çuan para sinedrit, që ishte këshilli qeverisës i judenjve. Kujtojuni studentëve se shumë anëtarë të sinedrit ishin përfshirë më përpara në shkaktimin e arrestimit dhe të Kryqëzimit të Shpëtimtarit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 4:7. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar pyetjen që udhëheqësit judeas i bënë Pjetrit dhe Gjonit.

  • Çfarë i pyetën Pjetrin dhe Gjonin udhëheqësit judeas?

  • Çfarë do t’u ndodhte Pjetrit dhe Gjonit nëse tregonin që ishin pasues të Jezu Krishtit?

Kërkojuni studentëve të marrin parasysh se si mund të ishin ndier po të kishin qenë në gjendjen e Pjetrit dhe të Gjonit dhe çfarë do t’i kishin thënë këshillit.

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Veprat e Apostujve 4:8–21. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që Pjetri i shpalli këshillit.

Në vend që t’i bëni studentët të lexojnë Veprat e Apostujve 4:8–21, merrni parasysh të shfaqni materialin filmik “Peter and John Are Judged” [“Pjetri dhe Gjoni Gjykohen”] (02:51) nga The Life of Jesus Christ Bible Videos [Materiale Filmike nga Bibla për Jetën e Jezu Krishtit]. Ky material filmik portretizon ngjarje nga Veprat e Apostujve 4:8–21. Ai është në dispozicion te LDS.org.

Ftojini studentët të shqyrtojnë në heshtje Veprat e Apostujve 4:8, duke kërkuar atë që ndikoi te Pjetri dhe e ndihmoi atë t’i fliste me guxim këshillit.

  • Si mendoni ju, në çfarë mënyre të qenit të mbushur me Frymën e Shenjtë ndikoi tek aftësia e Pjetrit për ta dhënë mësim ungjillin me guxim?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga shembulli i Pjetrit siç shënohet te vargjet 8 dhe 13? (Studentët mund të përdorin vetë fjalët e tyre, por sigurohuni që të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Ndërsa mbushemi me Frymën e Shenjtë, ne mund ta ndajmë ungjillin me guxim. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

  • Sipas Veprave të Apostujve 4:18, çfarë urdhri u dha këshilli Pjetrit dhe Gjonit?

  • Sipas vargjeve 19–20, si iu përgjigjën Pjetri dhe Gjoni urdhrit të këshillit?

Përmblidhni Veprat e Apostujve 4:23–30 duke shpjeguar se pasi Pjetri dhe Gjoni u liruan, ata u mblodhën me besimtarët e tjerë dhe u lutën me ta.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 4:31. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë ndodhi pas lutjes së tyre.

  • Çfarë ndodhi pasi njerëzit u lutën?

  • Nga ajo që mësojmë në këtë varg, çfarë mund të bëjmë për ta ftuar Frymën e Shenjtë që të na ndihmojë t’i shprehim fjalët e Perëndisë me guxim?

Drejtojuni disa prej situatave të përmendura në fillim të këtij mësimi.

  • Në çfarë mënyrash mund të jemi të guximshëm në ndarjen e ungjillit në situata si këto, ndërkohë që ende tregojmë respekt dhe qytetari? (Shih Alma 38:12; ju mund të doni të shpjegoni se që të jemi të guximshëm në ndarjen e ungjillit, do të thotë që ne ta ndajmë me vetëbesim atë që e dimë të jetë e vërtetë, por ne e bëjmë atë me përulësi dhe respekt për të tjerët, të cilët mund të mendojnë ose ndihen ndryshe.)

  • Kur ju ka ndihmuar Fryma e Shenjtë ta flisni fjalën e Perëndisë me guxim?

  • Si e dalluat që Fryma e Shenjtë ju kishte ndihmuar?

Veprat e Apostujve 5:12–42

Apostujt futen në burg ngaqë shëronin në emrin e Jezu Krishtit

Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë sikur po jetojnë në kohën e Pjetrit dhe të Gjonit dhe janë gazetarë për gazetën Jerusalem Times [Koha e Jerusalemit]. Shpjegoni se ata do të ftohen të studiojnë pjesë të Veprave të Apostujve 5:12–32 dhe më pas të shkruajnë një titull gazete që përmbledh atë që ndodhi. (Për të siguruar kontekst për këto fragmente, kujtojuni studentëve që sinedri i kishte urdhëruar Pjetrin dhe Gjonin që të mos flisnin më në emrin e Jezu Krishtit.) Ndiqni udhëzimet e dhëna me secilin grup vargjesh.

  1. Veprat e Apostujve 5:12–16 (Lexojeni këtë fragment si klasë dhe shkruani një titull artikulli së bashku.)

  2. Veprat e Apostujve 5:17–23 (Kërkojuni studentëve ta lexojnë këtë fragment me një partner dhe të shkruajnë një titull artikulli. Ftojini disa dyshe t’ua tregojnë titujt e tyre klasës.)

  3. Veprat e Apostujve 5:24–32 (Kërkojuni studentëve të lexojnë në mënyrë individuale dhe të shkruajnë një titull artikulli. Ftojini disa studentë t’ua tregojnë titujt e tyre klasës.)

Pasi studentët t’i thonë titujt e tyre, pyetini:

  • Sipas Veprave të Apostujve 5:29, përse Pjetri dhe Apostujt e tjerë thanë që ata kishin vazhduar të predikonin në emrin e Jezusit pavarësisht nga urdhri i dhënë prej këshillit?

Shkruajeni thënien e paplotë vijuese në tabelë: Nëse zgjedhim që t’i bindemi Perëndisë në vend të njerëzve, atëherë …

  • Nga ajo që keni lexuar te Veprat e Apostujve 4–5, cilat janë disa mënyra se si mund ta plotësojmë këtë thënie? (Pasi studentët të jenë përgjigjur, plotësoni thënien në tabelë si vijon: Nëse zgjedhim që t’i bindemi Perëndisë në vend të njerëzve, atëherë Ai do të jetë me ne.)

  • Në çfarë mënyrash ishte Perëndia me Pjetrin dhe Apostujt e tjerë kur ata iu bindën Atij, në vend që t’i bindeshin këshillit? (Perëndia i mbushi me Frymën e Shenjtë [shih Veprat e Apostujve 4:8, 31], i bëri të aftë të kryenin mrekulli [shih Veprat e Apostujve 5:12–16] dhe dërgoi engjëllin e Tij për t’i çliruar nga burgu [shih Veprat e Apostujve 5:17–20].)

  • Kur keni zgjedhur ju apo dikush që e njihni t’i bindeni Perëndisë, në vend që t’u bindeni njerëzve? Si e tregoi Perëndia që Ai ishte me ju ose me këtë njeri?

Kërkojuni disa studentëve të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Veprat e Apostujve 5:33–42. Ftojeni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar shembuj shtesë të mënyrës se si Zoti ishte me Pjetrin dhe Apostujt e tjerë.

Në vend që t’i bëni studentët të lexojnë Veprat e Apostujve 5:33–42, ju mund të rishikoni dhe përmblidhni përmbajtjen e Veprave të Apostujve 5:12–42 duke shfaqur materialin filmik “Peter and John Continue Preaching the Gospel” [“Pjetri dhe Gjoni Vazhdojnë ta Predikojnë Ungjillin”] (05:38). Ky material filmik është në dispozicion te LDS.org.

Vini në dukje se ne lexojmë te Veprat e Apostujve 5:33 që këshilli kërkoi t’i vriste Pjetrin dhe Gjonin.

  • Sipas vargjeve 41–42, si mbetën Apostujt besnikë ndaj Zotit përballë këtij kërcënimi? Si ishte Zoti me ta në këtë rast?

  • Si mund të na ndihmojnë të vërtetat që i kemi përcaktuar në këtë mësim, ndërkohë që përpiqemi ta jetojmë ungjillin dhe ta ndajmë atë me njerëzit që janë përreth nesh?

Jepni dëshminë tuaj për të vërtetat e dhëna mësim sot dhe ftojini studentët t’i zbatojnë këto të vërteta në jetën e tyre.

Njësia Tjetër (Veprat e Apostujve 6–12)

Pyeteni klasën se për sa njerëz mund të mendojnë ata, të cilët kanë vdekur si dëshmorë për hir të ungjillit. Shpjegoni se teksa studiojnë Veprat e Apostujve 6–12 gjatë javës së ardhshme, ata do të mësojnë rreth dy dëshmorëve trima për Jezu Krishtin: njëri ishte një I Shtatëdhjetë dhe tjetri ishte një Apostull. Kërkojuni studentëve të marrin parasysh pyetjet vijuese: Përse është vegimi i Pjetrit lidhur me Kornelin kaq i rëndësishëm për Kishën? Çfarë i ndodhi Saulit (gjithashtu i njohur si Pali) që e ndryshoi jetën e tij? Si u verbua ai dhe cilin udhëzoi Zoti për ta rikthyer shikimin e tij?