Biblioteka
Mësimi i Studimit në Shtëpi: Lluka 18–Gjoni 1 (Njësia 12)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Lluka 18Gjoni 1 (Njësia 12)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhja e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja vijuese e ngjarjeve, doktrinave dhe parimeve për të cilat studentët mësuan ndërsa studionin Llukën 18Gjonin 1 (njësia 12), nuk ka për qëllim të jepet si pjesë e mësimit tuaj. Mësimi që jepni, përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë, teksa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (Lluka 18–21)

Në këtë mësim studentët studiuan shëmbëlltyrat e gjykatësit të padrejtë dhe të fariseut e të tagrambledhësit. Ata gjithashtu lexuan rreth një të verbri i cili kërkoi ndihmën e Zotit dhe rreth Zakeut. Nga këto rrëfime studentët mësuan se, nëse jemi të sinqertë dhe këmbëngulës teksa ushtrojmë besim në Zotin, ne mund ta fitojmë mëshirën e Tij.

Dita 2 (Lluka 22)

Teksa studentët lexuan rreth këshillës së Zotit dhënë Pjetrit, ata mësuan se kur kthehemi në besim tek ungjilli i Jezu Krishtit, ne mund t’i forcojmë të tjerët. Studentët gjithashtu mësuan të vërtetat vijuese teksa lexuan rreth vuajtjes së Shpëtimtarit në Gjetseman: Nëse jemi të gatshëm t’i bindemi Atit Qiellor, Ai do të na japë forcën për të bërë vullnetin e Tij. Jezu Krishtit i dolën pika të mëdha gjaku nga çdo por, ndërkohë që Ai vuante në Kopshtin e Gjetsemanit.

Dita 3 (Lluka 23–24)

Në këtë mësim studentët lexuan rreth Kryqëzimit, varrimit dhe Ringjalljes së Jezu Krishtit. Ata gjithashtu mësuan të vërtetat vijuese: Ne mund ta ndjekim shembullin e Jezu Krishtit duke zgjedhur t’i falim ata që na keqtrajtojnë. Shpirtrat e gjithë njerëzve hyjnë në botën e shpirtrave në kohën e vdekjes së tyre. Jezu Krishti ka një trup të ringjallur prej mishi e kockash.

Dita 4 (Gjoni 1)

Teksa studentët i studiuan fjalët e Gjon të Dashurit dhe Gjon Pagëzorit, ata mësuan se Jezu Krishti ishte me Perëndinë në fillim, që të gjitha gjërat u bënë prej Tij dhe që Ai është Drita e Botës. Teksa studentët lexuan rreth mënyrës se si disa dishepuj arritën ta njihnin Jezu Krishtin, ata mësuan se kur e pranojmë ftesën për të mësuar për Jezu Krishtin dhe për ta ndjekur Atë, ne do të marrim vetë dëshminë tonë për Të.

Hyrje

Ky mësim mund t’i ndihmojë studentët të kuptojnë se si ta ftojnë Frymën e Shenjtë për t’u mësuar atyre për Jezu Krishtin. Përveç kësaj, ata do të mësojnë se Jezu Krishti është një qenie e ringjallur me mish e kocka.

Sugjerime për Mësimdhënien

Lluka 24:13–32

Zoti i ringjallur u flet dy dishepujve në rrugën për në Emaus

Kërkojuni studentëve të përsiatin nëse ata e kanë pasur të vështirë ndonjëherë të dinë nëse një koncept i ungjillit është i vërtetë.

Shpjegoni se te Lluka 24:13 ne mësojmë se dy dishepuj u larguan nga Jerusalemi në të njëjtën ditë që një grup i grave shkuan te varri i zbrazët i Jezusit. Ata udhëtuan rreth 10–12 kilometra “drejt një fshati, me emër Emaus”. Studimi i përvojës së tyre në rrugën për në Emaus mund të na ndihmojë të dimë se si t’i forcojmë dëshmitë tona për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 24:14–17. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar se kush u bashkua me dy dishepujt teksa ecnin.

  • Kush u bashkua me dishepujt teksa udhëtonin për në Emaus?

  • Përse dishepujt nuk e njohën Jezusin? (Shpjegoni se fjala penguar te Lluka 24:16 do të thotë shtrënguar ose mbuluar.)

Ftojini studentët të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Lluka 24:17–33. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që dishepujt mësuan nga Jezusi teksa ecnin me Të pa e njohur se kush ishte Ai.

Nëse është në dispozicion në gjuhën tuaj, në vend të leximit të Llukës 24:17–33, ju mund të doni të shfaqni videon “Christ Appears on the Road to Emmaus” [“Krishti Shfaqet në Rrugën për në Emaus”] (3:32) nga The Life of Jesus Christ Bible Videos [Videot nga Bibla për Jetën e Jezu Krishtit], e cila mund të gjendet te LDS.org. Kërkojuni studentëve të shohin për atë që dishepujt mësuan nga Jezusi teksa ecnin me Të pa e njohur se kush ishte Ai. Përpara shfaqjes së videos, shpjegoni se dialogu në video është nga Lluka 24:17–33, me qëllim që studentët të mund ta ndjekin përgjatë shkrimeve të tyre të shenjta, në qoftë se duan ta bëjnë atë.

Vini në dukje se në këtë video, ne nuk e dëgjojmë atë që u mësoi Jezusi dishepujve teksa ecnin. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Llukën 24:27. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Jezusi u mësoi dishepujve.

  • Çfarë u mësoi Jezusi dishepujve?

  • Çfarë mjeti përdori Ai që të jepte mësim rreth vetes së Tij? (Shkrimet e shenjta.)

  • vargun 32, çfarë do të thotë që zemrat e dishepujve digjeshin përbrenda? (Fryma e Shenjtë dëshmoi se mësimet në shkrimet e shenjta rreth Jezusit ishin të vërteta.)

Ftojini studentët të përsiatin atë që dishepujt mund të kenë mësuar prej përdorimit të shkrimeve të shenjta nga ana e Jezusit për t’u dhënë atyre mësim, në vend që thjesht t’u zbulonte se kush ishte Ai. Ju mund t’u kërkoni disa studentëve të japin mendimet e tyre.

  • Çfarë parimi japin mësim këto vargje rreth ndikimeve të vetë studimit tonë të shkrimeve të shenjta? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni parimin vijues në tabelë: Kur i studiojmë shkrimet e shenjta, ne e ftojmë Frymën e Shenjtë që të na mësojë për Jezu Krishtin.)

  • Përveç një djegie në zemrat tona, si do ta përshkruanit ndryshe atë që mund të përjetojmë kur Fryma e Shenjtë dëshmon për Jezu Krishtin?

Kërkojuni studentëve të gjejnë një shkrim të shenjtë që i ka ndihmuar të ndiejnë se Fryma e Shenjtë po u mësonte atyre rreth Jezu Krishtit. Ftojini t’i thonë shkrimet e tyre të shenjta dhe të tregojnë për ndikimet e asaj që kanë ndier. Ju mund të doni gjithashtu të jepni një shkrim të shenjtë që ju ka ndihmuar juve vetë.

Kujtojini studentët se edhe pse është e rëndësishme ta lexojmë Dhiatën e Re për kredite të seminarit, është edhe më e rëndësishme që t’i studiojmë shkrimet e shenjta në një mënyrë që e fton Frymën e Shenjtë për t’i forcuar dëshmitë e tyre për Shpëtimtarin.

Nëse është e mundur, jepuni studentëve kopje të një libërshenjuesi me thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ose ftojini studentët ta shkruajnë thënien në një fletë letre bosh apo në një grup kartash që mund të përdoren si libërshenjues. (Një fletë PDF e printueshme me shumë libërshenjuesa është në dispozicion në variantin në internet të këtij mësimi.)

Pamja
fletushkë, shkrimet e shenjta

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi i Studimit në Shtëpi (Njësia 12)

Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson

“Qëllimi kryesor i gjithë shkrimit të shenjtë është që të mbushë shpirtin tonë me besim te Perëndia Atë dhe te Biri i Tij, Jezu Krishti. …

… Besimi vjen nga dëshmia e Shpirtit të Shenjtë te shpirti ynë, Shpirti ndaj shpirtit, ndërsa dëgjojmë ose lexojmë fjalën e Perëndisë. Dhe besimi piqet ndërsa ne vazhdojmë të ushqehemi me bollëk me fjalën. …

… Studiojini shkrimet e shenjta me kujdes, me dëshirë. Përsiatini dhe lutuni për to. Shkrimet e shenjta janë zbulesë dhe do të sjellin zbulesë të shtuar” (D. Tod Kristoferson, “Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 34–35).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien nga Plaku Kristoferson. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyra sipas të cilave ata mund ta përmirësojnë studimin e tyre vetjak të shkrimeve të shenjta.

Ftojini studentët të caktojnë një synim për të studiuar shkrimet e tyre të shenjta në mënyra që e ftojnë Frymën e Shenjtë për ta rritur besimin e tyre në Jezu Krishtin dhe njohurinë e tyre për Të. Ju mund të sugjeroni që ata ta shkruajnë këtë synim prapa libërshenjuesit, që të mund ta përdorin atë si një kujtues gjatë studimit të tyre të shkrimeve të shenjta.

Lluka 24:36–39

Jezusi u shfaqet dishepujve të Tij dhe u tregon atyre trupin e Tij të ringjallur

Shpjegoni se dishepujt që ishin me Jezusin në rrugën për në Emaus, menjëherë u kthyen në Jerusalem dhe ua treguan përvojën e tyre Apostujve dhe dishepujve të tjerë (shih Lluka 24:33–35).

Ftojeni klasën të lexojë njëzëri me zë të lartë fragmentin e zotërimit të shkrimit të shenjtë te Lluka 24:36–39, duke kërkuar atë që ndodhi teksa këta dishepuj ua raportuan përvojën e tyre dishepujve.

  • Çfarë ndodhi teksa dishepujt e raportuan përvojën e tyre?

Paraqitni figurën Jezusi Tregon Plagët e Tij (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 60; shih edhe LDS.org).

  • Çfarë i ftoi Jezusi dishepujt e Tij të bënin për t’i ndihmuar ata që të kuptonin se Ai nuk ishte thjesht një shpirt, por se kishte një trup fizik?

  • Çfarë doktrine mund të mësojmë nga këto vargje? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi doktrinash, por sigurohuni që të theksoni se Jezu Krishti është një qenie e ringjallur me një trup prej mishi e kockash. Shkruajeni këtë doktrinë në tabelë; shih edhe DeB 130:22.)

Ftojini disa studentë të japin dëshmitë e tyre për Ringjalljen e Shpëtimtarit dhe të shpjegojnë përse kjo doktrinë është e rëndësishme për ta, ose ftojini të tregojnë atë që shkruan në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta për detyrën 3 nga Njësia 12: Mësimi i ditës 3. Mbylleni duke dëshmuar për realitetin e Ringjalljes së Jezu Krishtit.

Njësia Tjetër (Gjoni 2–6)

Shpjegojuni studentëve se teksa studiojnë Gjonin 2–6, ata do të mësojnë përgjigjet për pyetjet vijuese: Cila ishte mrekullia e parë publike e Jezusit? Si e ndihmoi ajo mrekulli nënën e Tij? Përse e pastroi Ai tempullin? Kujt ia shpalli fillimisht Jezusi se Ai është Mesia? Çfarë i zbuloi Ai kësaj gruaje rreth jetës së saj që vetëm Ai mund ta dinte? Përse Shpëtimtari iu drejtua vetes së Tij si uji i gjallë dhe Buka e Jetës? Studentët gjithashtu do të lexojnë rreth Jezu Krishtit duke shërbyer me madhështi dhe fuqi.