Biblioteka
Hyrje në Ungjillin Sipas Gjonit


Hyrje në Ungjillin Sipas Gjonit

Përse studiohet ky libër?

Gjatë një kohe të përndjekjes në rritje kundër të krishterëve, braktisjes në rritje dhe grindjeve rreth natyrës së Jezu Krishtit, Apostulli Gjon shënoi dëshminë e tij për Shpëtimtarin. Studimi i Ungjillit sipas Gjonit mund t’i ndihmojë studentët që të arrijnë ta njohin Atin Qiellor nëpërmjet shërbesës së Birit të Tij, Jezu Krishtit. Rrëfimi i Gjonit na mëson se ata që jetojnë sipas mësimeve të Jezu Krishtit, mund të marrin bekime të mëdha, përfshirë jetën e përjetshme.

Kush e shkroi këtë libër?

Apostulli Gjon e shkroi këtë libër. Gjatë gjithë librit ai iu drejtua vetes së tij si “dishepulli, të cilin Jezusi e donte” (shih Gjoni 13:23; 19:26; 20:2; 21:7, 20).

Gjoni dhe vëllai i tij, Jakobi, ishin peshkatarë (shih Mateu 4:21). Përpara se të bëhej një dishepull dhe Apostull i Jezu Krishtit, Gjoni ishte mesa duket një pasues i Gjon Pagëzorit (shih Gjoni 1:35–40; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Gjon, Bir i Zebedeut”, scriptures.lds.org).

Kur dhe ku u shkrua ai?

Ne nuk e dimë me saktësi kur Gjoni e shkroi këtë libër. Datat e propozuara për shkrimin e tij shtrihen nga 60 Ps.K. deri në 100 Ps.K. si periudhë kohore. Shkrimtarët e krishterë të hershëm, të shekullit të dytë Ps.K. sugjeruan që Gjoni e shkroi këtë libër në Efes në Azinë e Vogël (në Turqinë bashkëkohore).

Për cilët u shkrua dhe përse?

Edhe pse shkrimet e Gjonit u shkruan për çdo njeri, mesazhi i tij gjithashtu ka një publik më të veçantë. Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shkroi: “Ungjilli i Gjonit është rrëfimi për shenjtorët; është në mënyrë përparësore ungjilli për Kishën” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:65). Gjoni tha se qëllimi i tij për shkrimin e këtij libri ishte që t’i bindte të tjerët që të “beson[jnë] se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, ta ken[ë] jetën në emër të tij” (Gjoni 20:31). “Skenat nga jeta e Jezusit që [Gjoni] i përshkruan, janë zgjedhur me kujdes dhe janë përshtatur me këtë synim në mendje” (Bible Dictionary, “John, Gospel of”).

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

Rreth 92 përqind e materialit në Ungjillin sipas Gjonit nuk gjendet në analet e tjera të Ungjijve. Kjo ka të ngjarë që është ngaqë publiku që ka për qëllim Gjoni – anëtarët e Kishës, të cilët tashmë e kishin një kuptueshmëri për Jezu Krishtin – ishte tërësisht i ndryshëm nga publiku që kishin për qëllim Mateu, Marku dhe Lluka. Pesë prej shtatë mrekullive të rrëfyera nga Gjoni, nuk shënohen në ndonjë Ungjill tjetër. Ndërkohë që Mateu, Marku dhe Lluka paraqitën informacion të konsiderueshëm rreth shërbesës së Jezusit në Galile, Gjoni shënoi ngjarje të shumta që ndodhën në Jude. Ungjilli i Gjonit është i pasur nga ana doktrinore, me disa prej temave të tij kryesore që janë hyjnishmëria e Jezusit si Biri i Perëndisë, Shlyerja e Krishtit, jeta e përjetshme, Fryma e Shenjtë, nevoja për të qenë të rilindur, rëndësia e dashurisë për të tjerët dhe rëndësia e të besuarit në Shpëtimtarin.

Gjoni theksoi hyjnishmërinë e Jezusit si Biri i Perëndisë. Gjoni shënoi mbi 100 referenca të Jezusit drejtuar Atit të Tij, me mbi 20 referenca vetëm te Gjoni 14. Një prej ndihmesave madhështore të Gjonit është përfshirja nga ana e tij e mësimeve të Shpëtimtarit dhënë dishepujve të Tij në orët përpara arrestimit të Tij, duke përfshirë Lutjen e madhe Ndërmjetësuese, të dhënë natën që Ai vuajti në Gjetseman. Kjo pjesë e analit të Gjonit (Gjoni 13–17) përfaqëson mbi 18 përqind të faqeve të Gjonit, duke na siguruar një kuptueshmëri më të madhe të doktrinës së Shpëtimtarit dhe të asaj që Ai pret prej dishepujve të Tij.

Përmbledhje

Gjoni 1 Gjoni dëshmon për hyjnishmërinë e Jezu Krishtit para lindjes dhe misionin e Tij për t’u ofruar shpëtim të gjithë njerëzve. Gjoni shënon pagëzimin e Jezusit dhe thirrjen e disa prej dishepujve të Tij.

Gjoni 2–4 Jezu Krishti shndërron ujin në verë. Ai i jep mësim Nikodemit rreth rilindjes shpirtërore dhe i dëshmon gruas te pusi se Ai është Krishti. Ai shëron birin e një nëpunësi mbretëror.

Gjoni 5–7 Shpëtimtari shëron një burrë të paralizuar në pellgun e Betesdës dhe shpall fuqinë dhe autoritetin e Tij hyjnor. Ai ushqen pesë mijë veta në përgatitje për predikimin e tij të Bukës së Jetës, shpall se Ai është Mesia dhe deklaron në Festën e Tabernakujve se vetëm ata që e pranojnë Atë, mund të marrin jetë të përjetshme.

Gjoni 8–10 Nëpërmjet përvojës së gruas që kishte shkelur kurorën, Jezusi dha mësim rreth dhembshurisë dhe pendimit. Ai shpalli për veten e Tij se ishte Jehova, i madhi Unë Jam. Ai shëron një burrë që ishte lindur i verbër dhe e përshkruan veten e Tij si Bariu i Mirë, që i do delet e Tij dhe që e jep jetën e Tij për to.

Gjoni 11–13 Jezu Krishti ngre Llazarin së vdekuri, duke treguar fuqinë e Tij mbi vdekjen. Ai hyn në Jerusalem në mënyrë ngadhënjimtare. Gjatë Darkës së Fundit, Jezusi lan këmbët e dishepujve të Tij dhe u mëson atyre ta duan njëri-tjetrin.

Gjoni 14–16 Jezusi i udhëzon dishepujt e Tij mbi marrëdhënien midis dashurisë dhe bindjes. Ai premton të dërgojë Ngushëlluesin (Frymën e Shenjtë) dhe t’u shërbejë personalisht dishepujve të Tij. Ai shpall se është Hardhia e Vërtetë dhe se Ai e ka mposhtur botën.

Gjoni 17–19 Jezusi ofron Lutjen Ndërmjetësuese në emër të dishepujve të Tij dhe të atyre që do të besojnë në predikimin e tyre. Ai tradhtohet, arrestohet, nxirret në gjyq dhe dënohet. Pas vuajtjes në kryq, Ai vdes dhe varroset.

Gjoni 20–21 Jezu Krishti i ringjallur i shfaqet Maria Magdalenës në Varrin e Kopshtit dhe më pas disa prej dishepujve të Tij në Jerusalem. Ai u shfaqet shtatë prej dishepujve në detin e Galilesë dhe autorizon Pjetrin që t’i udhëheqë dishepujt në shërbesën ndaj njerëzve të tjerë.