Biblioteka
Mësimi 145: 1 Pjetër 3–5


Mësimi 145

1 Pjetër 3–5

Hyrje

Pjetri i nxiti shenjtorët që të ishin gjithnjë gati për të dëshmuar për Jezu Krishtin dhe të jetonin me drejtësi, në mënyrë që të davaritnin akuzat e rreme të bëra kundër tyre. Ai dha mësim se Jezu Krishti e predikoi ungjillin në botën e shpirtrave pas vdekjes së Tij. Pjetri i këshilloi gjithashtu pleqtë e Kishës që ta ruanin tufën e Perëndisë me të njëjtin kujdes sikurse bëri Jezu Krishti, Kryebariu.

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Pjetër 3:1–17

Pjetri i këshillon shenjtorët që të jenë të bashkuar në drejtësi dhe të jenë gjithnjë gati për të dëshmuar për Krishtin

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson:

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

“Ne do të kemi mundësi përgjatë jetës sonë për të treguar ato çka besojmë, megjithëse ne nuk e dimë gjithnjë se kur do të thirremi për ta bërë këtë. Një mundësi e tillë, më erdhi në vitin 1957 kur punoja në një shtëpi botuese dhe m’u kërkua të shkoja në Dallas të Teksasit [SHBA], të quajtur ndonjëherë ‘qyteti i kishave’ për të folur në një konferencë biznesi. Pas përfundimit të konferencës, unë mora një autobus turistik për të bërë një shëtitje përmes rrethinave të qytetit. Ndërsa kalonim pranë kishave të ndryshme, shoferi ynë do të komentonte: ‘Në të majtë po shihni Kishën Metodiste’, ose, ‘Atje në të djathtë është Katedralja Katolike’.

Ndërsa kaluam pranë një ndërtese të bukur me tulla të kuqe të vendosur mbi një kodër, shoferi thirri: ‘Ajo ndërtesë është vendi ku mblidhen mormonët’. Zëri i një zonje nga fundi i autobusit pyeti: ‘Shofer, a mund të na thoni diçka më shumë mbi mormonët?’

Shoferi e ndaloi autobusin në anë të rrugës, u rrotullua në karrigen e tij dhe u përgjigj: ‘Zonjë, gjithçka që di unë për mormonët është se ata mblidhen në atë ndërtesë me tulla të kuqe. A ka ndonjë njeri në këtë autobus që di diçka më shumë për mormonët?’” (“Kini Guxim të Qëndroni Vetëm”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 67).

  • Nëse ju do të kishit qenë në atë autobus, çfarë do të kishit bërë?

  • Përse nganjëherë mund të jetë sfiduese për t’u treguar njerëzve të tjerë rreth bindjeve tona?

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë 1 Pjetrin 3:1–17, të kërkojnë një parim që do të ndihmojë për t’i udhëhequr ata kur u paraqiten mundësi për ta ndarë ungjillin me të tjerë.

Përmblidheni 1 Pjetrin 3:1–11, duke shpjeguar se Pjetri i këshilloi bashkëshortet që të ndihmonin për t’i sjellë bashkëshortët jobesimtarë te Krishti nëpërmes sjelljes së tyre të drejtë. Ai i këshilloi bashkëshortët që t’i nderonin bashkëshortet e tyre. Ai i këshilloi gjithashtu anëtarët që të jetonin sipas standardeve të ungjillit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Pjetrin 3:14–16. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pjetri i këshilloi shenjtorët të bënin kur të vuanin përndjekje ngaqë po jetonin me drejtësi.

  • Çfarë i këshilloi Pjetri shenjtorët të bënin kur të vuanin përndjekje ngaqë po jetonin me drejtësi?

  • Sipas vargut 15, çfarë tha Pjetri se pasuesit e Jezu Krishtit duhet të jenë gjithnjë gati të bëjnë?

  • Si mendoni ju, cilat aspekte të ungjillit u japin njerëzve shpresë?

Shpjegoni se fjala përgjigj[e]vargun 15 mund të përkthehet edhe si “mbrojtje” (shih vargun 15, poshtëshënimin b [në variantin shdm të Biblës në anglisht]). Pjetri i këshilloi shenjtorët që t’i tregonin dhe mbronin bindjet e tyre fetare.

  • Cilat fjalë në vargun 15 përshkruajnë mënyrën se si ne duhet ta shpërndajmë dhe mbrojmë ungjillin e Jezu Krishtit? (Ju mund të doni të shpjegoni se fjala druajtje në këtë kontekst do të thotë nderim ose frikë.)

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga 1 Pjetri 3:15, për atë që ne si pasues të Jezu Krishtit duhet të përpiqemi që të jemi gjithnjë gati të bëjmë? (Studentët duhet të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Si pasues të Jezu Krishtit, ne duhet të përpiqemi që të jemi gjithnjë gati për t’i treguar dhe për t’i mbrojtur bindjet tona me butësi e nderim. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

  • Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që t’i tregojmë bindjet tona me butësi e nderim?

Për ta ilustruar të vërtetën në tabelë, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë pjesën e mbetur të rrëfimit të Presidentit Monson për përvojën e tij në autobus:

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

“Unë prita që dikush të përgjigjej. Unë ia ngula sytë shprehjes në fytyrën e secilit person duke kërkuar ndonjë shenjë miratimi, pak dëshirë për të komentuar. Asgjë. Unë e kuptova se ishte radha ime për të bërë siç këshilloi Apostulli Pjetër që të ‘jeni gjithnjë gati për t’u përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju’. Unë kuptova gjithashtu vërtetësinë e fjalës së urtë: ‘Kur vjen koha për të marrë vendime, ka ikur koha për përgatitje’.

Për pothuajse 15 minutat vijuese, unë pata privilegjin që t’u tregoja atyre që ishin në autobus dëshminë time lidhur me Kishën dhe ato çka ne besojmë. Unë isha mirënjohës për dëshminë time dhe mirënjohës që isha i përgatitur ta ndaja atë” (“Kini Guxim të Qëndroni Vetëm”, f. 67).

  • Cilat janë disa nga gjërat që mund të bëjmë, që të jemi gjithnjë gati për t’i treguar bindjet tona?

Ftojini studentët të mendojnë për një rast kur ata qenë mirënjohës që ishin të përgatitur për t’i treguar bindjet apo dëshmitë e tyre. Kërkojuni disa studentëve që t’ia tregojnë klasës përvojat e tyre.

Ftojini studentët të përsiatin se çfarë do të bëjnë që të përgatiten për të qenë gjithnjë gati që t’i tregojnë dhe mbrojnë bindjet e tyre. Nxitini ata të veprojnë sipas çdo mbrese që mund të marrin.

1 Pjetër 3:18–4:19

Jezu Krishti e predikoi ungjillin në botën e shpirtrave pas vdekjes së Tij

Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur janë misionarë të cilët po i japin mësim një personi që thotë sa vijon:

“Unë besoj se ajo që po më mësoni është e vërtetë, por pyes veten për njerëzit që vdesin pa e patur mundësinë që ta dëgjojnë të vërtetën. Nuk duket e drejtë nga ana e Perëndisë që t’i ndëshkojë ose pengojë ata që të jetojnë përsëri me Të, nëse ata kurrë nuk e patën mundësinë për të mësuar rreth planit të Tij të shpëtimit”.

Kërkojuni studentëve të përsiatin mbi mënyrën se si do të përgjigjeshin.

Ftojeni gjysmën e klasës të lexojë në heshtje 1 Pjetrin 3:18–20, duke përfshirë Përkthimin prej Joseph Smith-it të vargut 20 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]. Kërkojini gjysmës tjetër të lexojë në heshtje 1 Pjetrin 4:5–6, duke përfshirë Përkthimin prej Joseph Smith-it të vargut 6 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]. Vërini studentët të kërkojnë të vërtetat që dha mësim Pjetri, të cilat ata mund t’i ndajnë me personin në skenar. Shpjegoni se fraza “frymërave që ishin në burg” te 1 Pjetri 3:19, u referohet atyre shpirtrave në botën e shpirtrave që nuk e pranuan ungjillin apo nuk patën mundësinë që ta dëgjonin atë ndërkohë që ishin në vdekshmëri.

Pas një kohe të mjaftueshme, pyetni:

  • Çfarë mësojmë nga këto vargje rreth atyre shpirtrave në botën e shpirtrave që nuk e pranuan ungjillin, apo nuk e patën mundësinë që ta merrnin atë në këtë jetë?

Pamja
Presidenti Jozef F. Smith

Paraqitni një fotografi të Presidentit Jozef F. Smith (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 127; shih edhe LDS.org). Shpjegoni se Presidenti Jozef F. Smith po përsiaste mbi domethënien e 1 Pjetrit 3:18–20 dhe 1 Pjetrit 4:6, kur ai mori një zbulesë dhe vegim të vizitës së Shpëtimtarit në botën e shpirtrave. Ai pa që Jezu Krishti, midis kohës së vdekjes dhe Ringjalljes së Tij, ua predikoi ungjillin dhe u shërbeu personalisht shpirtrave të drejtë. Jezu Krishti më pas i organizoi dhe i autorizoi shërbëtorët e drejtë që t’ua mësonin ungjillin shpirtrave që ishin në burgun e shpirtrave (shih DeB 138:1–11, 29–30).

  • Sipas 1 Pjetrit 4:6, përse u predikohet ungjilli atyre që kanë vdekur? (Për të dhënë një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, duke u dhënë të gjithë fëmijëve të Atit Qiellor një mundësi për t’i dëgjuar ligjet e Perëndisë dhe për të jetuar sipas tyre.)

  • Çfarë të vërtete mund të përcaktojmë nga mësimet e Pjetrit rreth faktit që ungjilli u predikohet të vdekurve? (Studentët mund të përdorin vetë fjalët e tyre, por sigurohuni që ata të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Ungjilli u predikohet atyre që kanë vdekur, që ata të mund të kenë të njëjtat mundësi si ata që e dëgjojnë ungjillin në vdekshmëri.)

Rishikojeni shkurtimisht skenarin e paraqitur në fillim të këtij blloku të shkrimit të shenjtë dhe pyesni:

  • Në ç’mënyrë është doktrina e shpëtimit për të vdekurit, provë e mëshirës dhe e dhembshurisë së Perëndisë për fëmijët e Tij?

Përmblidheni 1 Pjetrin 4:7–19, duke shpjeguar se Pjetri i këshilloi shenjtorët që të kishin dashuri hyjnore të përzemërt sepse dashuria hyjnore mbulon, ose parandalon, një shumicë mëkatesh (shih Përkthimi prej Joseph Smith-it, 1 Pjetër 4:8 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]). Pjetri u mësoi gjithashtu shenjtorëve të gëzohen kur vuajnë prova dhe qortime për shkak të besimit të tyre në Jezu Krisht.

1 Pjetër 5

Pjetri i këshilloi pleqtë që ta ruanin tufën e Perëndisë dhe i nxiti shenjtorët që të qëndronin të patundur në besim

Shpjegoni se që të ndihmonte për t’i përgatitur shenjtorët për provat që do të përjetonin, Pjetri u mësoi pleqve të Kishës rreth përgjegjësive të tyre si udhëheqës të Kishës. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Pjetrin 5:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar këshillat e Pjetrit për pleqtë e Kishës.

  • Çfarë këshillash u dha Pjetri pleqve të Kishës?

Shpjegoni se të “rua[sh] tufën e Perëndisë” (vargu 2) do të thotë të kujdesesh për anëtarët e Kishës dhe t’i mbrosh ata. Udhëheqësit e Kishës duhej të shërbenin me dëshirë dhe dashuri në vend që të shërbenin me zor ose nga dëshira për shpërblim. Ata duhej të ishin shembuj për anëtarët në vend që të ishin “zotëronjës” (vargu 3) mbi ta.

  • Nga këshilla e Pjetrit për pleqtë e Kishës, çfarë të vërtete mund të mësojmë rreth përgjegjësisë së udhëheqësve të Kishës? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Udhëheqësit e Kishës kanë përgjegjësinë që të kujdesen dhe ta ruajnë tufën e Perëndisë me dashuri dhe me anë të shembullit. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 1 Pjetrin 5:4, duke kërkuar mënyrën se si e quajti Pjetri Shpëtimtarin. Kërkojuni studentëve të raportojnë për atë që gjejnë.

Pamja
Jezusi Mban një Dele të Humbur

Paraqitni figurën Jezusi Mban një Dele të Humbur (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 64; shih edhe LDS.org), dhe pyetni:

  • Si mendoni ju, përse Shpëtimtari shpesh përshkruhet si një bari?

  • Cilat vlera dhe cilësi si të Krishtit mund t’i ndihmojnë udhëheqësit e Kishës që t’i ruajnë anëtarët e Kishës dhe të kujdesen për ta?

  • Si jeni bekuar nga dashuria si e Krishtit të një udhëheqësi të Kishës apo nga shembulli i tij?

Përmblidheni 1 Pjetrin 5:7–14, duke shpjeguar se Pjetri u mësoi shenjtorëve ta hidhnin merakun e tyre (që nënkupton ankthin) mbi Shpëtimtarin Jezu Krisht dhe të qëndronin të patundur në besimin e tyre, pavarësisht nga vuajtjet. Pjetri i siguroi ata që nëse do ta bënin këtë, Perëndia do t’i përsoste dhe do t’i forconte ata.

Përfundoni duke i nxitur studentët që t’i mirëbesojnë dhe ndjekin ata të cilët Zoti i ka thirrur për të ndihmuar në kullotjen dhe përkujdesjen për ta nga ana shpirtërore.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – 1 Pjetër 4:6

Për t’i nxitur studentët që të marrin pjesë në punën e shpëtimit për paraardhësit e tyre, përsëriteni me ta 1 Pjetrin 4:6 dhe pastaj pyetni:

  • Çfarë mund të bëjmë ne për t’i ndihmuar paraardhësit tanë që e kanë pranuar ungjillin në botën e shpirtrave dhe janë në pritje për t’u liruar nga burgu shpirtëror?

  • Si mendoni se jeni bekuar nga bërja e punës së historisë familjare dhe punës në tempull për paraardhësit tuaj?

Ftojini studentët të kërkojnë mundësi për të bërë kërkime për historinë familjare rreth paraardhësve të tyre dhe për të marrë pjesë në ordinancat e tempullit në emër të atyre paraardhësve.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

1 Pjetër 4:6. “Për këtë në fakt, ungjilli u është predikuar edhe të vdekurve”

Presidenti Jozef Filding Smith dha mësim sa vijon lidhur me punën e shpëtimit për të vdekurit:

“Të gjithë ata që nuk patën mundësi për ta pranuar atë këtu [në vdekshmëri], që atje [në botën e shpirtrave] pendohen dhe e pranojnë ungjillin, do të jenë trashëgimtarë të mbretërisë çelestiale të Perëndisë. Shpëtimtari e filloi këtë punë të madhe kur ai shkoi dhe u predikoi shpirtrave që mbaheshin në burg, që ata të mund të gjykohen sipas njerëzve në mish (ose, me fjalë të tjera, sipas parimeve të ungjillit) dhe më pas të jetojnë sipas Perëndisë në shpirt, nëpërmjet pendimit të tyre dhe pranimit të misionit të Jezu Krishtit, i cili vdiq për ta” (Doctrines of Salvation, përm. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 2:132–133).

Lidhur me predikimin e ungjillit në botën e shpirtrave, Presidenti Lorenzo Snou dha mësim:

“Kur Ungjilli u predikohet shpirtrave në burg, suksesi që rrjedh nga ai predikim do të jetë shumë herë më i madh se suksesi që rrjedh nga predikimi i Pleqve tanë në këtë jetë. Besoj se do të ketë me të vërtetë shumë pak nga ata shpirtra që nuk do ta pranojnë me gëzim Ungjillin kur t’iu çohet atyre. Rrethanat atje do të jenë mijëra herë më të favorshme” (“Discourse by President Lorenzo Snow”, Millennial Star, 22 janar 1894, f. 50).