Biblioteka
Mësimi i Studimit në Shtëpi: Zbulesa 12–22 (Njësia 32)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Zbulesa 12–22 (Njësia 32)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhja e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja e mëposhtme e ngjarjeve, doktrinave dhe e parimeve që studentët mësuan kur studiuan Zbulesën 12–22 (njësia 32), nuk ka për synim të jepet si pjesë e mësimit tuaj. Mësimi që jepni, përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë, teksa i merrni parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (Zbulesa 12–13)

Kur studentët studiuan vegimin e Gjonit të dragoit dhe gruas me fëmijën, ata mësuan se Satani, i përfaqësuar nga dragoi, kërkon ta shkatërrojë Kishën dhe mbretërinë e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Kjo luftë filloi në jetën paratokësore. Studentët mësuan se ne mund t’i mposhtim ndikimet e Satanit nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit dhe duke qëndruar të vërtetë ndaj dëshmive tona për ungjillin.

Dita 2 (Zbulesa 14–16)

Nga vegimi që pa Gjoni të një engjëlli që po kthehej në tokë në ditët e mëvonshme, studentët mësuan se një arsye përse Perëndia e rivendosi ungjillin e Jezu Krishtit, ishte për të përgatitur banorët e tokës për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Ata mësuan edhe sa vijon: Nëse jetojmë drejtësisht, atëherë ne do të bekohemi për veprat tona dhe do të prehemi nga mundimet tona pasi të vdesim. Nëse rrimë zgjuar dhe jemi gati nga ana shpirtërore, atëherë ne do të jemi të përgatitur për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.

Dita 3 (Zbulesa 17–19)

Studentët mësuan se në ditët e fundit, Jezu Krishti do t’i mposhtë ligësitë e botës. Ata mësuan edhe se veçimi i vetes sonë nga ligësia e botës mund të na ndihmojë ta shmangim mëkatin dhe gjykimet që do të vijnë mbi të ligjtë në ditët e fundit. Kur studentët e krahasuan martesën me Ardhjen e Dytë, ata mësuan se nëse jemi të pastër dhe të drejtë, atëherë ne do të jemi të përgatitur për ardhjen e Zotit Jezu Krisht.

Dita 4 (Zbulesa 20–22)

Nga kapitujt përmbyllës të vegimit të Gjonit, studentët mësuan të vërtetat vijuese: Perëndia do të na gjykojë ne në bazë të gjërave të shkruara në libra, sipas veprave tona. Perëndia do të banojë dhe do t’i ngushëllojë njerëzit e Tij dhe ata nuk do ta provojnë më kurrë vdekjen, pikëllimin ose vuajtjen. Nëse i zbatojmë urdhërimet e Zotit, atëherë ne mund të marrim të gjitha bekimet e Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe të hyjmë në mbretërinë çelestiale.

Hyrje

Apostulli Gjon pa në vegim ngjarjet që do të ndodhin menjëherë përpara dhe gjatë mbretërimit mijëvjeçar të Jezu Krishtit. Ai dëshmoi gjithashtu betejën e fundit midis Satanit dhe forcave të Perëndisë në fund të Mijëvjeçarit dhe pa Gjyqin Përfundimtar, gjatë të cilit Perëndia do ta gjykojë këdo në bazë të gjërave të shkruara në libra.

Sugjerime për Mësimdhënien

Zbulesa 20:1–6

Gjoni sheh në vegim ngjarjet që do të ndodhin menjëherë përpara dhe gjatë mbretërimit mijëvjeçar të Jezu Krishtit

Kërkojuni studentëve të mendojnë për një konkurs ose garë (e tillë si një ngjarje artistike ose atletike), në të cilën kanë marrë pjesë ndonëse besonin se do të humbnin. Më pas, kërkojuni atyre të mendojnë për një rast kur kanë marrë pjesë në një konkurs ose garë, të cilën besonin se do ta fitonin.

  • Në ç’mënyrë pritshmëritë tuaja rreth rezultatit të konkursit ose garës, e ndryshojnë mënyrën se si do ta kryeni atë?

  • Përse njerëzit heqin dorë kur mendojnë se do të humbin? Kur ka qenë një rast që menduat se do të humbnit dhe në të vërtetë fituat?

Shpjegojuni studentëve se teksa studiojnë Zbulesën 20, ata do të mësojnë më shumë rreth betejës midis së mirës dhe së ligës dhe rezultatit përfundimtar të betejës. Ftojini ata që teksa studiojnë Zbulesën 20, të kërkojnë të vërteta që mund t’i motivojnë ata të qëndrojnë besnikë ndaj Shpëtimtarit gjatë kësaj beteje.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 20:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar atë që do t’i ndodhë Satanit gjatë Mijëvjeçarit.

  • Çfarë do t’i ndodhë Satanit gjatë Mijëvjeçarit?

  • Sipas vargut 3, ngaqë Satani është i lidhur, çfarë nuk do të jetë në gjendje të bëjë ai?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 20:4–6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se cilët pa Gjoni që po gjykoheshin.

  • Sipas vargut 4, cilët pa Gjoni që po gjykoheshin?

  • Çfarë shpërblimi morën këta njerëz për shkak të besnikërisë së tyre?

  • Pjesë e cilës ngjarje do të jenë ata gjatë Mijëvjeçarit? (Ringjalljes së Parë.)

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga Zbulesa 20:4–6 rreth bekimeve që mund të marrim nëse jemi besnikë ndaj Jezu Krishtit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse jemi besnikë ndaj Jezu Krishtit, ne do të jemi pjesë e Ringjalljes së Parë dhe do të mbretërojmë me Krishtin gjatë Mijëvjeçarit.)

Shpjegoni se Ringjallja e Parë filloi me Ringjalljen e Jezu Krishtit dhe përfshiu të drejtët, të cilët vdiqën përpara Ringjalljes së Krishtit (shih Mosia 15:21–25; Alma 40:16–20). Shumica e të drejtëve, të cilët vdiqën pas Ringjalljes së Krishtit, do të ringjallen kur të ngjasë Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit (shih Bruce R. McConkie, Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 639; James E. Talmage, The Articles of Faith, bot. i 12-të [1924], f. 385). Ata njerëz që do të vijnë në Ringjalljen e Parë, përfshijnë “të gjithë profetë[t]; dhe të gjithë a[ta] që kanë besuar në fjalët e tyre” (Mosia 15:22), ata që kanë vdekur në padituri, pa “iu njoftuar shpëtimi” (Mosia 15:24; shih edhe DeB 45:54) dhe fëmijët e vegjël, të cilët kanë vdekur përpara moshës së përgjegjshmërisë (shih Mosia 15:25; Moroni 8:4–24). Të ligjtë dhe të papenduarit nuk do të ringjallen deri në Ringjalljen e Dytë, e cila do të ndodhë në fund të Mijëvjeçarit (shih DeB 76:85).

  • Në ç’mënyrë njohuria se ju do të jeni pjesë e Ringjalljes së Parë dhe do të mbretëroni me Jezu Krishtin gjatë Mijëvjeçarit, ju ndihmon të jeni besnikë tani në betejën kundër së ligës?

Dëshmoni se ata që do të qëndrojnë besnikë, do të jenë pjesë e Ringjalljes së Parë dhe do të mbretërojnë me Shpëtimtarin gjatë Mijëvjeçarit.

Zbulesa 20:7–11

Gjoni sheh betejën e fundit midis Satanit dhe forcave të Perëndisë në fund të Mijëvjeçarit

Shkruajeni thënien e paplotë vijuese në tabelë: Në fund të Mijëvjeçarit …

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 20:7–10. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar ngjarjet që përshkroi Gjoni, të cilat do të ndodhin në fund të Mijëvjeçarit.

Ftoni disa studentë të vijnë në tabelë dhe të shkruajnë atë që kanë gjetur. Më pas, bëni pyetjet vijuese:

  • Çfarë ngjarjesh përshkroi Gjoni? (Shpjegoni se emrat Gogu dhe Magoguvargun 8 iu referohen forcave që Satani do t’i përdorë në fund të Mijëvjeçarit për herë të fundit në betejë kundër njerëzve të Zotit [shih DeB 88:110–114].)

  • Çfarë do t’u ndodhë djallit dhe pasuesve të tij pas kësaj beteje? (Pasi studentët të përgjigjen, plotësojeni thënien në tabelë që të jetë si vijon: Në fund të Mijëvjeçarit, forcat e Perëndisë do ta mposhtin Satanin dhe pasuesit e Tij.)

  • Përse është e rëndësishme që ne ta kuptojmë rezultatin përfundimtar të betejës midis Perëndisë dhe Satanit?

Zbulesa 20:12–15

Gjoni sheh Gjyqin Përfundimtar

Shpjegoni se, si pjesë e planit të shpëtimit të Atit Qiellor, çdo person që ka jetuar në këtë tokë, do të qëndrojë përpara Perëndisë për t’u gjykuar. Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë se si mendojnë që do të jetë Gjyqi Përfundimtar.

  • Çfarë shpresoni që të mendoni dhe ndieni kur të qëndroni përpara Perëndisë për t’u gjykuar?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 20:12–13. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si do të gjykohemi ne nga Perëndia.

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga vargu 12 rreth mënyrës se si do të gjykohemi? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Perëndia do të na gjykojë ne në bazë të gjërave të shkruara në libra, sipas veprave tona.)

  • Çfarë librash pa Gjoni? (Shkrimet e shenjta, analet e Kishës që kanë të shënuara ordinancat shpëtuese dhe ndoshta veprime të tjera, dhe librin e jetës [shih 2 Nefi 29:10–11; DeB 128:6–7; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Libër i Jetës”, f. 102].)

  • Çfarë tjetër keni mësuar rreth Gjyqit Përfundimtar? (Shënim: Te Njësia 32: Dita 4, detyra 3, studentët gjetën shkrime të shenjta shtesë që jepnin mësim rreth Gjyqit Përfundimtar.)

Nxirrni në pah se Zoti i zbuloi Profetit Jozef Smith se, përveç veprave tona, ne do të gjykohemi sipas dëshirave të zemrave tona (shih DeB 137:9; shih edhe Alma 41:3–5).

  • Si ndikon njohuria se ne do të gjykohemi sipas dëshirave të zemrave tona tek ajo që doni të bëni?

Dëshmoni për këtë doktrinë dhe se si ndikon ajo te zgjedhjet tuaja.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 22:14. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kujtojnë parimin që mësuan nga ky varg gjatë studimit të tyre në shtëpi.

  • Çfarë parimi mësuat nga ky varg? (Nëse i zbatojmë urdhërimet e Zotit, atëherë ne mund të marrim të gjitha bekimet e Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe të hyjmë në mbretërinë çelestiale. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

  • Përse është e përshtatshme që ta mbyllim studimin e Dhiatës së Re me këtë të vërtetë?

Merrni parasysh t’i ftoni studentët të tregojnë disa nga të vërtetat që kanë ndikuar tek ata gjatë studimit të tyre të Dhiatës së Re këtë vit. Ftojeni këdo që ka dëshirë, që të ndajë dëshminë e vet për këto të vërteta dhe për hyjninë e Zotit Jezu Krisht.

Nxitini studentët të vazhdojnë studimin e shkrimeve të shenjta çdo ditë. Nëse do të shkojnë në seminar vitin e ardhshëm ose nëse janë duke u përgatitur për një mision, ftojini ata të fillojnë ta lexojnë Librin e Mormonit që sot.