Biblioteka
Mësimi 138: Hebrenjve 11


Mësimi 138

Hebrenjve 11

Hyrje

Pali u dha mësim anëtarëve të Kishës rreth besimit. Ai citoi shembuj të burrave dhe grave të drejta nga Dhiata e Vjetër, të cilët ushtruan besim në Jezu Krishtin dhe si rrjedhojë, kryen mrekulli, duruan vështirësi dhe morën bekime të mëdha.

Sugjerime për Mësimdhënien

Hebrenjve 11:1–6

Pali u jep mësim anëtarëve të Kishës rreth besimit

Lexoni rrëfimin vijues të një të reje nga Filipinet. Ftojini studentët të mbajnë vesh për mënyrën se si ushtroi besim e reja.

Në vend që ta lexoni rrëfimin, ju mund të shfaqni materialin filmik “Pure and Simple Faith” [“Besim i Pastër dhe i Thjeshtë”] (5:22), nga e cila është përshtatur rrëfimi vijues. Ky material filmik gjendet në LDS.org. Ndaleni materialin filmik pasi e reja merr nxitjen të blejë gjërat që i nevojiten (kodi kohor 2:36).

Një e re nga Filipinet shpjegoi se një verë babai i saj duhej të largohej për të punuar. Kur merrte pagën, ai e dërgonte atë në shtëpi te familja e tij. Një të shtunë, familja i kishte përdorur të gjitha paratë përveç dy kartëmonedhave me vlerë 20 pesos secila. Kur e reja pa listën e artikujve që i nevojiteshin familjes, ajo e dinte se nuk do të kishin mjaft para që të blinin të gjithë artikujt dhe të paguanin biletat e transportit për ta çuar familjen e saj në kishë të nesërmen. Ajo e pyeti të ëmën se çfarë duhet të bënte. E ëma i tha që t’i blinte artikujt dhe se Perëndia do ta krijonte mundësinë për [blerjen] e biletave.

E reja u lut që të mund t’i blinte artikujt në listë dhe ende të kishte mjaft para për të paguar transportin për në kishë të nesërmen. Së pari, ajo duhej të blinte qymyr druri, që familja e saj të kishte lëndë djegëse për të gatuar. Ajo u trondit kur mësoi se çmimi i një qeseje me qymyr druri ishte dyfishuar nga 5 pesos në 10 pesos. Duke e ditur se familjes së saj i nevojitej lënda djegëse për të gatuar ushqimin, ajo bleu dy qese me qymyr druri për një shumë prej 20 pesos. Kjo e re u lut edhe me më shumë zjarr që familja e saj ende të mund të shkonte në kishë. Ndërsa lutej, diçka i pëshpëriti asaj: “Vazhdo dhe bliji gjërat që të nevojiten. Gjithçka është në rregull”. Kështu që ajo e vazhdoi pazarin me vetëm 20 pesos. (Përshtatur nga videoja “Pure and Simple Faith” [“Besim i Pastër dhe i Thjeshtë”], LDS.org.)

  • Në çfarë mënyrash ushtroi besim kjo e re?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Hebrenjve 11:1 si edhe Përkthimin prej Joseph Smith-it të Hebrenjve 11:1 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta). Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Pali rreth besimit.

  • Sipas vargut 1, çfarë është besimi? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Besimi është siguria e gjërave që shpresohen, tregim i gjërave që nuk shihen.)

Shpjegoni se Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përdori Hebrenjve 11:1 si edhe burime të tjera (Alma 32:21; Lectures on Faith [Leksione mbi Besimin]) për të shpjeguar tre elementet bazë të besimit në Jezu Krisht. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Bednar.

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Këto mësime theksojnë tre elemente bazë të besimit: 1) besimi si siguria e gjërave që shpresohen, të cilat janë të vërteta, 2) besimi si tregimi [/prova] i gjërave që nuk shihen dhe 3) besimi si parimi i veprimit në të gjitha qeniet inteligjente. I përshkruaj këta tre përbërës të besimit në Shpëtimtarin si [elementë] që njëherësh përballen me të ardhmen, vështrojnë nga e shkuara dhe fillojnë veprimin në të tashmen” (“Seek Learning by Faith”, Ensign, shtator 2007, f. 62).

Shkruajeni sa vijon në tabelë: Siguria – përballja me të ardhmen; Tregimi [/Prova] – vështrimi nga e shkuara; Veprimi – fillimi i veprimit në të tashmen. Shpjegoni që Plaku Bednar dha mësim se këto tre elemente të besimit – siguria, prova dhe veprimi – funksionojnë së bashku kur ne përballemi me të ardhmen, vështrojmë nga e shkuara dhe ndërmarrim një veprim në të tashmen.

  • Si ndryshon ushtrimi i besimit në Jezu Krisht nga thjesht të besuarit në Të?

  • Si i ilustron rrëfimi i të resë filipinase tre elementet e besimit që përshkroi Plaku Bednar?

  • Çfarë mund të ndodhë kur ne ushtrojmë besim në Krisht?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Hebrenjve 11:2–5. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar shembujt që përdori Pali për të ilustruar atë që mund të ndodhë kur njerëzit ushtrojnë besim në Jezu Krishtin.

  • Çfarë ndodhi për shkak se këta njerëz ushtruan besim në Jezu Krishtin?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Hebrenjve 11:6, duke kërkuar atë që dha mësim Pali rreth besimit.

  • Çfarë dha mësim Pali rreth besimit?

  • Bazuar tek ajo që dha mësim Pali, çfarë duhet të bëjmë ne që t’i pëlqejmë Perëndisë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që të jetë e qartë se që t’i pëlqejmë Perëndisë, ne duhet ta ushtrojmë besimin tonë duke ardhur tek Ai, duke besuar në Të dhe duke besuar se Ai i shpërblen ata që e kërkojnë Atë me zell. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë të vërtetë në vargun 6.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë përfundimin e rrëfimit të së resë filipinase. Kërkojini klasës të mbajë vesh për atë që ndodhi për shkak se e reja ushtroi besim në Jezu Krishtin.

Në vend të kësaj, nëse zgjidhni që ta shfaqni materialin filmik, vëreni pjesën tjetër të materialit filmik “Pure and Simple Faith” [“Besim i Pastër dhe i Thjeshtë”] (kodi kohor 2:36 deri në fund).

Kur e reja shkoi të paguante për artikujt e tjerë, ajo futi dorën në xhepin e saj dhe preku një shuk të madh letrash. Kur e hapi, ajo gjeti pesë kartëmonedha shtesë me vlerë 20 pesos secila, të mbështjella me kartëmonedhën e saj 20 pesos që i kishte mbetur. Në atë çast ajo e kuptoi se kishte mjaftueshëm për të blerë gjërat që i nevojiteshin familjes së saj dhe të paguante biletat [e transportit] që familja e saj të shkonte në kishë. Kjo e re shpjegoi se gjatë kësaj përvoje, ajo ndjeu ndihmën e Perëndisë dhe dashurinë e Perëndisë për të. Kur arriti në shtëpi, ajo e falënderoi Atin Qiellor për mrekullinë. (Përshtatur nga videoja “Pure and Simple Faith” [“Besim i Pastër dhe i Thjeshtë”], LDS.org.)

  • Çfarë ndodhi për shkak se kjo e re ushtroi besim në Jezu Krishtin?

  • Si mund ta ndihmojë kjo përvojë të renë që të ushtrojë besim në të ardhmen? (Ngaqë ajo e dalloi provën [e dhënë] se Perëndia po e ndihmonte gjatë kësaj përvoje, ajo mund të sigurohet se Perëndia do ta ndihmojë sërish në të ardhmen. Për shkak të provës dhe sigurisë që mori, ajo mund të ketë besim për të ndërmarrë veprime në të tashmen. Nëse vazhdon të veprojë, atëherë ky proces i të vepruarit me besim do të vazhdojë dhe besimi i saj do të bëhet më i fortë.)

Kërkojuni studentëve të mendojnë për një rast kur ata ushtruan besim. Ftojini disa studentë të tregojnë përvojat e tyre.

  • Në ç’mënyrë ajo përvojë ju dha një provë se Perëndia do t’ju ndihmojë në të ardhmen?

Hebrenjve 11:7–40.

Pali citon shembuj të njerëzve të drejtë nga Dhiata e Vjetër të cilët ushtruan besim

  • Cilat janë disa situata me të cilat përballeni tani ose do të përballeni në të ardhmen që ju kërkojnë të ushtroni besim në Jezu Krishtin?

Ftojini studentët që ndërsa e studiojnë Hebrenjve 11:7–40, të kërkojnë të vërteta që mund t’i ndihmojnë për të njohur bekimet që mund të marrin ndërsa ushtrojnë besim në Jezu Krishtin.

Shkruani në tabelë fjalët me anë të besimit dhe me anë të fesë, dhe shpjegoni se Pali citoi shembuj të njerëzve të drejtë në Dhiatën e Vjetër të cilët ushtruan besim, për ta siguruar publikun e tij se edhe ata do të bekoheshin me anë të ushtrimit të besimit. Ftojini studentët t’i hedhin një sy të shpejtë Hebrenjve 11, duke kërkuar frazat “me anë të besimit” dhe “me anë të fesë”. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë këto fraza.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Hebrenjve 11:7. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si Noeu ushtroi besim në Perëndi. (Ju mund të doni të shpjegoni se fraza “u frikësua” nënkupton se Noeu veproi me shpresë e siguri të bazuar në udhërrëfimin e Perëndisë [shih poshtëshënimet b dhe c, në variantin shdm të Biblës në anglisht].)

  • Si ushtroi Noeu besim në Perëndi?

  • Cilat elemente të besimit të përshkruara nga Plaku Bednar (siguria, prova dhe veprimi) shfaqen në këtë rrëfim të Noeut?

  • Në çfarë mënyrash shfaqen ato?

Shkruani në tabelë referencat vijuese të shkrimeve të shenjta: Hebrenjve 11:8–10, 11–12, 17–19, 20–22, 23–28, 29–31. Ndajeni klasën në gjashtë grupe dhe caktojini secilit grup një prej referencave. (Nëse keni një klasë të vogël, caktojini secilit student një prej referencave, ose ndajini studentët në dyshe dhe caktojini secilës dyshe më shumë sesa një referencë.) Ftojeni secilin grup ta lexojnë së bashku referencën e caktuar atyre, duke kërkuar përgjigje për pyetjet vijuese (ju mund të doni t’i shkruani këto pyetje në tabelë):

Kush ushtroi besim?

Në ç’mënyra u ilustruan të tre elementet e besimit (siguria, prova dhe veprimi)?

Çfarë sfidash hasim ne sot që kërkojnë një besim të ngjashëm?

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojeni një student nga secili grup që t’ia tregojë përgjigjet e tyre klasës.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Hebrenjve 11:13–16. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që mund të mësojmë nga shembujt e Abrahamit, Sarës dhe të të tjerëve rreth ushtrimit të besimit. Shpjegoni se fraza “një atdhe më të mirë” (vargu 16) i referohet jetës së përjetshme.

  • Sipas vargut 13, çfarë i ndodhi Abrahamit dhe gruas së tij, Sarës, si edhe njerëzve të tjerë besnikë?

  • Përse qëndruan besnikë edhe pse nuk i morën të gjitha premtimet e Perëndisë në këtë jetë? (Ju mund të doni të shpjegoni se që t’i shohësh bekimet e premtuara “së largu” do të thotë të kesh shpresë dhe besim se ata do t’i marrin bekimet pasi të vdesin.)

  • Si mund të na ndihmojnë shembujt e tyre për të qëndruar besnikë?

Shkruajeni në tabelë frazën vijuese: Kur ushtrojmë besim në Jezu Krishtin, ne mund … Ftojini studentët që ta shkruajnë këtë frazë në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Hebrenjve 11:32–40. Shpjegoni se Përkthimi prej Joseph Smith-it i vargut 35 ndryshon nga “një ringjallje më [e] mirë” te “ringjallj[a] e parë”. Shpjegoni se Përkthimi prej Joseph Smith-it i vargut 40 e ndryshon atë duke thënë: “Perëndia kishte paraparë diçka më të mirë për ta nëpërmjet vuajtjeve të tyre, pasi pa vuajtje ata nuk do të mund të bëheshin të përsosur”. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar një mënyrë se si mund ta plotësojnë frazën që shkruan. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët të shenjojnë fjalë ose fraza në shkrimet e tyre të shenjta që iu bëjnë përshtypje.

Kërkojuni studentëve ta plotësojnë frazën duke u bazuar te vargjet 32–40. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të gatshëm që të raportojnë atë që shkruan. Përmblidhini përgjigjet e studentëve duke shkruar në tabelë parimin vijues: Kur ushtrojmë besim në Jezu Krishtin, ne mund ta durojmë vuajtjen, të kryejmë mrekulli, të marrim premtime hyjnore, ta forcojmë dëshminë tonë për Të dhe të ecim drejt përsosjes.

  • Cilat janë disa nga mënyrat se si ne mund të ushtrojmë besim në Jezu Krishtin?

  • Çfarë bekimesh keni parë të vijnë në jetën e dikujt për shkak se ai person ushtroi besim?

Ftojini studentët të mendojnë sërish rreth situatave që u kërkojnë apo do t’u kërkojnë atyre të ushtrojnë besim në Jezu Krishtin.

Nxitini ata të vënë një qëllim për të ushtruar besim në Zotin në ato situata. Ftojini studentët ta shkruajnë synimin duke plotësuar frazën “Me anë të besimit unë do të …”

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Hebrenjve 11:1. “Besimi është siguria e gjërave që shpresohen, tregim i gjërave që nuk shihen”

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi tre elemente bazë të besimit:

“Apostulli Pal e përkufizoi besimin si ‘siguria e gjërave që shpresohen [dhe] tregim i gjërave që nuk shihen’ (Hebrenjve 11:1). Alma shpalli se besimi nuk është një njohuri e përsosur; përkundrazi, nëse kemi besim, ne ‘shpreso[jmë] për gjëra që nuk shihen, [por] të cilat janë të vërteta’ (Alma 32:21). Për më tepër, te Lectures of Faith [Leksione mbi Besimin] ne mësojmë se besimi është ‘parimi i parë në fenë e zbuluar, dhe themeli i gjithë drejtësisë’ dhe se është gjithashtu ‘parimi i veprimit në të gjitha qeniet inteligjente’ [Lectures on Faith (1985), f. 1].

“Këto mësime theksojnë tre elemente bazë të besimit: 1) besimi si siguria e gjërave që shpresohen, të cilat janë të vërteta, 2) besimi si tregimi [/prova] i gjërave që nuk shihen dhe 3) besimi si parimi i veprimit në të gjitha qeniet inteligjente. I përshkruaj këta tre përbërës të besimit në Shpëtimtarin si [elementë] që njëherësh përballen me të ardhmen, vështrojnë nga e shkuara dhe fillojnë veprimin në të tashmen.

Besimi si siguria e gjërave që shpresohen, vështron nga e ardhmja. …

Besimi në Krisht është pazgjidhshmërisht i lidhur me shpresën në Krisht dhe çon në shëlbimin dhe ekzaltimin tonë. Dhe siguria e shpresa bëjnë të mundur që të ecim në skaj të dritës dhe pastaj të bëjmë pak hapa në errësirë – duke pritur dhe mirëbesuar se drita do të shfaqet dhe do ta ndriçojë udhën [shih Boyd K. Packer, “The Candle of the Lord”, Ensign, janar 1983, f. 54]. Ndërthurja e sigurisë dhe e shpresës nxit veprimin në të tashmen.

Besimi, si tregimi i gjërave që nuk shihen, vështron nga e shkuara dhe pohon mirëbesimin tonë në Perëndi dhe besimin tonë në vërtetësinë e gjërave që nuk shihen. Ne u futëm në errësirë me siguri e shpresë, dhe morëm një provë e pohim kur drita në fakt u shfaq dhe na dha ndriçimin që na nevojitej. Dëshmia që ne morëm pas sprovës së besimit tonë (shih Ethëri 12:6) është një tregues që e shton dhe forcon sigurinë tonë.

Siguria, veprimi dhe prova ndikojnë te njëra-tjetra në një proces të vazhdueshëm” (“Seek Learning by Faith”, Ensign, shtator 2007, f. 61–63).

Hebrenjve 11:4. “Abeli i ofroi Perëndisë flijim më të mirë”

Profeti Jozef Smith shpjegoi arsyen përse oferta e Abelit ishte e pranueshme për Perëndinë dhe oferta Kainit nuk ishte: ‘Me anë të besimit në këtë shlyerje, ose plan të shëlbimit, Abeli i ofroi Perëndisë një flijim që u pranua dhe që ishte i parëlinduri i kopesë. Kaini ofroi frutat e tokës dhe nuk u pranua, sepse nuk mundi ta bënte me besim; ai nuk mund të kishte besim, ose nuk mund të ushtronte besim në kundërshtim me planin e qiellit. Duhej të derdhej gjaku i të Vetëmlindurit që të shlyhej për njeriun, pasi ky ishte plani i shëlbimit dhe pa derdhjen e gjakut nuk kishte heqje të mëkateve. Dhe meqenëse flijimi u vendos si një simbol me anë të të cilit njeriu mund të dallonte Flijimin e madh që kishte përgatitur Perëndia, nëse dikush ofronte një flijim në kundërshtim me këtë, ai nuk mund ta bënte atë me besim, sepse shlyerja nuk u ble në atë mënyrë, as pushteti i shlyerjes nuk u vendos sipas këtij rregulli; si pasojë Kaini nuk mund të kishte besim’ (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 50)” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 486).