Biblioteka
Mësimi 154: Zbulesa 6–11, Pjesa 1


Mësimi 154

Zbulesa 6–11, Pjesa 1

Hyrje

Gjoni pa një vegim të Qengjit të Perëndisë duke hapur gjashtë vulat e para të librit të vulosur. Në vulën e gjashtë, Gjoni pa shërbëtorët e Perëndisë, të cilët kishin “larë rrobat e tyre … në gjakun e Qengjit” (Zbulesa 7:14).

Sugjerime për Mësimdhënien

Zbulesa 6

Gjoni pa Qengjin e Perëndisë duke hapur gjashtë vulat e para të librit të vulosur

Ftojini studentët të tregojnë çfarëdo shqetësimi që mund të kenë lidhur me të jetuarit në ditët e mëvonshme. Renditini përgjigjet e tyre në tabelë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Profeti Jozef Smith. Vëreni klasën të dëgjojë për mënyrën se si profetët e lashtë u ndien rreth ditëve tona:

Pamja
Profeti Jozef Smith

“Profetët, priftërinjtë dhe mbretërit … kanë shpresuar me pritje të gëzuar ditën në të cilën jetojmë ne; dhe të frymëzuar me parashikime qiellore e të gëzueshme ata kanë kënduar dhe shkruar, dhe profetizuar për këtë ditën tonë” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 194).

  • Si u ndien profetët e lashtë për ditët tona?

Nxirrni në pah se Gjon Zbuluesi ishte një nga profetët që i dinte ngjarjet e ditëve të mëvonshme dhe që profetizoi për ditët tona me shpresë të gëzueshme.

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Zbulesën 6–7, të kërkojnë arsye përse profetët e lashtë i pritën me padurim e me gëzim ditët tona.

Kujtojuni studentëve se siç shënohet te Zbulesa 5:1–5, Gjoni pa një libër me shtatë vula që vetëm Qengji ishte i denjë ta hapte. Shpjegoni se në vegimin e tij, Gjoni pa përshkrime letrare të disa prej ngjarjeve madhore që i përkasin secilës periudhë mijëvjeçare, të përfaqësuar nga shtatë vulat.

Shkruajeni listën vijuese në tabelë (merrni parasysh ta bëni këtë përpara orës mësimore):

Vula e parë (Zbulesa 6:1–2)

Vula e dytë (Zbulesa 6:3–4)

Vula e tretë (Zbulesa 6:5–6)

Vula e katërt (Zbulesa 6:7–8)

Vula e pestë (Zbulesa 6:9–11)

Jepini çdo studenti një fletë letre. Caktojini çdo studenti një nga vulat (çdo vulë mund t’i caktohet më shumë se një studenti). Vërini studentët të lexojnë referencat që përkojnë me vulat e caktuara atyre, dhe të vizatojnë disa nga ngjarjet që pa Gjoni për sa i përket asaj vule.

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët t’ia tregojnë klasës vizatimet e tyre sipas rendit, duke filluar me ata që u qe caktuar vula e parë. Ftojeni një student nga secili grup që të përdorë vizatimin e tij apo të saj për të shpjeguar atë që pa Gjoni kur u hap ajo vulë. Teksa studentët raportojnë, tregojini interpretimet e mundshme vijuese, të sugjeruara nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ju mund të doni t’i nxitni studentët ta shkruajnë këtë informacion në shkrimet e tyre të shenjta ose në fletoren e tyre të shënimeve apo ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta.

Vula e parë

(Rreth 4000 deri 3000 pr.K.)

Kalë i bardhë = Fitore

Hark = Betejë

Kurorë = Pushtues

Plaku Mek-Konki sugjeroi se vargjet 1–2 përshkruajnë ditët e Enokut dhe se kalorësi është Enoku (shih Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1966–1973], 3:476–478).

Vula e dytë

(Rreth 3000 deri 2000 pr.K.)

Kalë i kuq = Gjakderdhje

Shpatë = Luftë dhe shkatërrim

Plaku Mek-Konki sugjeroi se vargjet 3–4 përshkruajnë ditët e Noeut, kur ligësia mbuloi tokën. Kalorësi i kalit të kuq mund të jetë vetë djalli ose ndoshta “një person që përfaqëson shumë luftëtarë vrasës” (Doctrinal New Testament Commentary, 3:478–479).

Vula e tretë

(Rreth 2000 deri 1000 pr.K.)

Kalë i zi = Zi buke

Peshore = Çmime të shtrenjta të ushqimeve

Plaku Mek-Konki sugjeroi se vargjet 5–6 përshkruajnë ditët e Abrahamit, kur shumë vdiqën nga uria (shih Doctrinal New Testament Commentary, 3:479–480). Një person mund të blinte me gjithë rrogën e ditës aq ushqim sa për të jetuar, gjë që tregon çmimet ekstreme gjatë zisë së bukës.

Vula e katërt

(Rreth 1000 pr.K. deri në lindjen e Krishtit)

Kalë i zbehtë = Vdekje

Vdekje dhe Hadesi = Shkatërrimi i të ligjve dhe marrja e tyre në burgun e shpirtrave (shih Isaia 5:14)

Plaku Mek-Konki tha se vargjet 7–8 i referohen “mijëvjeçarit të atyre mbretërive dhe kombeve të mëdha, luftërat dhe tradhtitë e të cilave munduan dhe shkretuan [Izraelin], sërish e sërish” (Doctrinal New Testament Commentary, 3:481). Këto kombe përfshinin Babiloninë, Persinë, Egjiptin, Greqinë dhe Romën.

Vula e pestë

(Rreth lindjes së Krishtit deri në vitin 1000 ps.K.)

Altar = Sakrificë

Shpirtra = Martirë, të krishterë të vrarë për besimin e tyre

Plaku Mek-Konki sugjeroi se vargjet 9–11 iu referohen shumë të krishterëve të hershëm, përfshirë shumicën e Apostujve të parë që vdiqën si martirë (shih Doctrinal New Testament Commentary, 3:482–483). Për arsye se këta shenjtorë hoqën dorë nga jeta e tyre “për shkak të fjalës së Perëndisë dhe për shkak të dëshmisë që kishin” (Zbulesa 6:9), atyre iu dhanë “rroba të bardha”, simbolikë e pastërtisë (shih Zbulesa 7:13–14; 3 Nefi 27:19).

Pasi secili grup ta ketë dhënë paraqitjen, shpjegoni se vula e gjashtë përfaqëson kohën tonë dhe ngjarjet që çojnë drejt Mijëvjeçarit, kur Jezu Krishti do të mbretërojë personalisht mbi tokë (shih Doctrinal New Testament Commentary, 3:485–486).

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Zbulesa 6:12–17, përfshirë Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it] te vargu 14, poshtëshënimi a, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar ngjarjet që parashikoi Gjoni.

  • Kur u hap vula e gjashtë, çfarë ngjarjesh pa Gjoni? (Shpjegoni se këto ngjarje shkatërrimtare janë shenja të ditëve të fundit.)

  • Sipas vargut 16, çfarë do të dëshirojnë ata që kërkojnë t’i largohen “zemërimi[t]” të Perëndisë?

  • Çfarë pyetje është shënuar te vargu 17?

Shkruajeni në tabelë pyetjen vijuese: Kush mund të qëndrojë?

Shpjegoni se Zbulesa 7 na ndihmon të kuptojmë se kush do të jetë në gjendje të qëndrojë ose t’i durojë katastrofat e vulës së gjashtë.

Zbulesa 7

Gjoni pa shërbëtorët e Perëndisë, të cilët i kishin larë rrobat e tyre me gjakun e Qengjit

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 7:1 dhe ftojeni një student tjetër të lexojë me zë të lartë Doktrina e Besëlidhjet 77:8. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar se çfarë tjetër pa Gjoni në vulën e gjashtë.

  • Çfarë po bënin katër engjëjt? (Nxirrni në pah se erërat që ata po mbajnë, kanë fuqi të shkatërrojnë jetën në tokë. Shih edhe DeB 86:5–7.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 7:2–3 dhe një student tjetër të lexojë me zë të lartë Doktrina e Besëlidhjet 77:9. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar se çfarë u tha engjëlli tjetër katër engjëjve.

Shpjegoni se fjala Elias në këtë rast është një “titull për ata, misioni i të cilëve [është] t’u japin çelësat dhe fuqitë burrave në periudhën e fundit ungjillore” (Doctrinal New Testament Commentary, 3:491–492; shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Elias”).

  • Çfarë u tha ky engjëll katër engjëjve?

Shpjegoni se “vulosja ose shenjimi ‘në ballë [i] shërbëtorë[ve të] Perëndisë tonë’ është një metaforë e përkushtimit, shërbimit të tyre dhe që ata i përkasin Perëndisë (Zbulesa 7:3; shih edhe Zbulesa 9:4; 14:1). …

Profeti Jozef Smith dha mësim se vulosja e besnikëve në ballin e tyre ‘tregon vulosjen e bekimeve mbi kokën e tyre që nënkupton besëlidhjen e përjetshme, duke e përforcuar kështu thirrjen dhe zgjedhjen e tyre’ (në History of the Church, 5:530)” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 544).

Shpjegoni se siç shënohet te Zbulesa 9, Gjoni pa se çfarë do t’u ndodhte atyre që nuk e mbartnin këtë vulë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 9:3–4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar gjendjen e atyre që nuk e kanë këtë vulë. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Zbulesën 7:4, duke kërkuar se sa shumë njerëz u vulosën në ballë nga ky engjëll. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.

Shpjegoni se Zoti i tha Profetit Jozef Smith se “numri 144.000 i përmendur te Zbulesa 7:4–8 është numri i priftërinjve të lartë të shuguruar nga dymbëdhjetë fiset e Izraelit, të cilët do t’i ndihmojnë të tjerët në synimin e tyre për të marrë ekzaltimin [shih DeB 77:11]. Nuk do të thotë sikurse besojnë disa se numri total i njerëzve që do të ekzaltohen, do të jetë aq” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 544).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 7:9–10. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se kë tjetër pa Gjoni.

  • Kë pa Gjoni?

  • Çfarë kishte veshur kjo turmë dhe çfarë po mbante ajo në duar? Mund t’ju nevojitet të shpjegoni se degët e palmave mund të simbolizojnë fitoren dhe gëzimin.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 7:13–17. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë mësoi Gjoni rreth këtyre njerëzve.

  • Çfarë kishin duruar këta njerëz?

  • Si u bënë të bardha rrobat e tyre? (Me anë të “gjaku[t të] Qengjit” – simbolikë e Shlyerjes së Jezu Krishtit.)

  • Sipas vargjeve 15–17, çfarë bekimesh morën këta njerëz për shkak se ishin pastruar nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit? (Ju mund të nxirrni në pah se këto vargje përshkruajnë gëzimin, paqen dhe përkushtimin e atyre që trashëgojnë lavdinë çelestiale.)

  • Çfarë parimi mund të përcaktojmë nga këto vargje rreth mënyrës se si mund ta trashëgojmë lavdinë çelestiale? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse e durojmë me besnikëri mundimin dhe bëhemi të pastër nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne do të gëzojmë lavdinë çelestiale me Perëndinë. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

Ftojini studentët të përsiatin mënyrën se si do të jetë dhe si do të ndiheshin ata po të qëndronin të pastër në praninë e Perëndisë.

  • Si do të krahasoheshin këto ndjenja me ndjenjat e njerëzve të përshkruara te Zbulesa 6:16?

  • Çfarë duhet të bëjmë ne që Shpëtimtari të mund të na pastrojë nëpërmjet Shlyerjes së Tij?

  • Në ç’mënyrë ju ka ndihmuar ju të kujtuarit e bekimeve të lavdisë çelestiale, në përpjekjet tuaja për të duruar mundimet dhe për t’u bërë të pastër?

Kujtojuani studentëve listën me shqetësime të shkruar në tabelë në fillim të orës mësimore. Ftojini ata të marrin parasysh se si parimi i shkruar në tabelë mund t’i ndihmojë ata kur ndihen të shqetësuar rreth të jetuarit në ditët e mëvonshme. Ftojini disa studentë të gatshëm që t’ia tregojnë mendimet e tyre klasës.

Ftojini studentët të shpenzojnë disa minuta për të përsiatur mënyrën se si mund ta zbatojnë parimin që mësuan sot. Nxitini ata të shënojnë çdo mbresë që marrin.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Zbulesa 6–11. Të jetuarit në ditët e fundit

Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim sa vijon rreth të jetuarit në ditët e fundit:

“Adoleshentët gjithashtu mendojnë ndonjëherë: ‘Cili është qëllimi i jetës? Bota shpejt do të shkatërrohet dhe asaj do t’i vijë fundi.’ Ajo ndjenjë vjen nga frika, jo nga besimi. Askush nuk e di orën apo ditën (shih DeB 49:7), por fundi nuk mund të vijë derisa ta gjitha qëllimet e Zotit të jenë përmbushur. Çdo gjë që kam mësuar nga zbulesat dhe nga jeta, më bind se ka mjaftueshëm kohë për ju që të përgatiteni me kujdes për një jetë të gjatë” (“To Young Women and Men”, Ensign, maj 1989, f. 59).

Zbulesa 7:1–3. Të drejtët do të përjetojnë sprova dhe vuajtje

“Apostulli Gjon pa se fatkeqësi të caktuara që paraprijnë Ardhjen e Dytë, nuk do ta prekin të gjithë tokën apo banorët e saj ‘por vetëm ata njerëzit të cilët nuk kanë vulën e Perëndisë mbi ballë’ (Zbulesa 9:4). Kjo përkon me premtime të tjera të shkrimeve të shenjta se në ditët e fundit ata që janë besnikë, do të ruhen përfundimisht (shih 1 Nefi 22:17–19; DeB 115:5–6). …

Ndonëse Zoti premton ruajtje për të drejtët në ditët e fundit, Profeti Jozef Smith e sqaroi se disa njerëz që janë të drejtë, mund ta humbasin jetën e tyre gjatë sprovave dhe fatkeqësive të ditëve të fundit: ‘[Unë] shpjegova në lidhje me ardhjen e Birit të Njeriut; gjithashtu që është ide e rreme që shenjtorët do t’u shpëtojnë gjithë gjykimeve ndërsa të ligjtë vuajnë; sepse gjithë mishi i nënshtrohet vuajtjes dhe ‘shenjtorët … mezi do të shpëtojnë’ [shih DeB 63:34]; përsëri shumë prej shenjtorëve do të shpëtojnë, sepse i drejti do të rrojë për shkak të besimit të tij [shih Habakuku 2:4]; përsëri shumë prej të drejtëve do të bien pre e sëmundjes, murtajës etj., për shkak të dobësisë së mishit, dhe përsëri do të shpëtohen në Mbretërinë e Perëndisë’ (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 268)” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 547).

Zbulesa 7:2. Eliasi

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi titullin Elias:

“Shumë shërbestarë engjëllorë janë dërguar nga oborret e lavdisë për të dhënë çelësa dhe fuqi, për t’ia besuar sërish burrave në tokë periudhat ungjillore dhe lavditë. Të paktën ata që vijojnë, kanë ardhur: Moroni, Gjon Pagëzori, Pjetri, Jakobi dhe Gjoni, Moisiu, Elia, Eliasi, Gabrieli, Rafaeli dhe Mikaeli. (DeB 13; 110; 128:19–21.) Meqenëse është e dukshme që asnjë lajmëtar nuk e ka mbajtur vetë të gjithë barrën e rivendosjes, por përkundrazi, gjithsecili ka ardhur me një dhurim të veçantë nga lart, bëhet e qartë se Eliasi është një personazh i përbërë. Shprehja duhet të kuptohet si një emër dhe një titull për ata, misioni i të cilëve ishte që t’u jepnin çelësat dhe fuqitë burrave në këtë periudhë të fundit ungjillore. ([Shih Joseph Fielding Smith], Doctrines of Salvation, vëll. 1, f. 170–174.)” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 221). Shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Elias”, f. 40.