Biblioteka
Mësimi 97: Veprat e Apostujve 23–26


Mësimi 97

Veprat e Apostujve 23–26

Hyrje

Udhëheqësit judeas e morën në pyetje Palin dhe një grup judenjsh komplotuan ta vrisnin atë. Pali u çua në Cezare, ku ai e mbrojti veten kundrejt akuzave të rreme përpara disa udhëheqësve romakë. Ai tregoi për kthimin e tij në besim dhe dëshmoi për Jezu Krishtin.

Sugjerime për Mësimdhënien

Veprat e Apostujve 23–25

Pali përndiqet, gjykohet dhe burgoset

Përpara se të fillojë ora mësimore, shkruani sa vijon në një fletë letre: Urdhërimet dhe bekimet e Perëndisë. Përdorni shirit ose litar që të shënoni një zonë të klasës dhe vendoseni letrën në dysheme brenda kësaj zone të përcaktuar. Kur fillon ora mësimore, ftojeni një student të rrijë në këmbë në zonën që përfaqëson urdhërimet dhe bekimet e Perëndisë.

  • Teksa vijmë më pranë Perëndisë nëpërmjet ndjekjes së urdhërimeve dhe mësimeve të Tij, cilat janë disa prej bekimeve që mund të marrim?

Ftojeni studentin të dalë jashtë zonës që përfaqëson urdhërimet dhe bekimet e Perëndisë.

  • Cilat janë disa ndikime të botës që mund ta nxitin dikë të largohet prej urdhërimeve dhe mësimeve të Perëndisë dhe të mos jetojë më sipas tyre?

  • Çfarë mund të ndodhë kur njerëzit e largojnë veten nga Perëndia?

Falënderojeni studentin ose studenten dhe ftojeni atë të ulet. Vërini studentët të përsiatin se në cilin drejtim po e hedhin vështrimin kohët e fundit dhe sa afër ose sa larg nga Ati Qiellor ndihen ata. Ftojini studentët teksa studiojnë Veprat e Apostujve 23–26 të kërkojnë të vërteta që do t’i ndihmojnë kur ndiejnë se janë larguar nga Perëndia dhe bekimet e Tij.

Kujtojuni studentëve që Pali u arrestua jashtë tempullit në Jerusalem dhe u soll përpara udhëheqësve judeas (shih Veprat e Apostujve 21:30–33; 22:23–30). Përmblidhni Veprat e Apostujve 23:1–10 duke shpjeguar se Pali u mor në pyetje nga këta udhëheqës judeas dhe u burgos.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 23:11. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që ndodhi ndërkohë që Pali ishte në burg. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.

  • Çfarë i tha Zoti Palit në burg?

Kujtojuni studentëve premtimin e shënuar te Veprat e Apostujve 18:9–10 që Zoti do të ishte me Palin dhe do ta mbronte atë teksa bënte punën e Zotit. Ftojini studentët të marrin parasysh frazën “Zoti iu shfaq atij” dhe të shkruajnë Veprat e Apostujve 18:9–10 si një referencë–kryq në anë të faqes pranë vargut 11.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë përmbledhjen vijuese:

Te Veprat e Apostujve 23:12–25:27 ne mësojmë se kapiteni romak, i cili e kishte arrestuar Palin, e dërgoi atë në Cezare për ta penguar një grup judenjsh që ta vrisnin atë. Pali e shpalli pafajësinë e tij përpara qeveritarit romak, Feliksit. Edhe pse i bindur për pafajësinë e Palit, Feliksi vazhdoi ta mbante Palin në arrest shtëpie për dy vjet. Festi zuri vendin e Feliksit si qeveritari romak i Judesë. Mbreti Herod Agripa, i cili sundonte mbi një zonë të vendosur në verilindje të Detit të Galilesë, vizitoi Festin dhe dëshiroi ta dëgjonte çështjen e Palit. Pali u soll përpara Mbretit Agripa.

Veprat e Apostujve 26

Pali tregon për kthimin e tij në besim dhe dëshmon për Jezu Krishtin përpara mbretit Agripa

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Veprat e Apostujve 26:4–11. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar se si Pali ia përshkroi të shkuarën e tij mbretit Agripa.

  • Si ia përshkroi Pali të shkuarën e tij mbretit Agripa?

Shpjegoni se Pali më pas tregoi vegimin e tij për Shpëtimtarin. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 26:16–18. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar misionin që Zoti i dha Palit në rrugën për në Damask.

  • Çfarë misioni i dha Zoti Palit? (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët të shenjojnë fraza që përshkruajnë misionin që Zoti i dha Palit.)

Shpjegoni se në këtë kontekst fjala trashëgim (vargu 18) i drejtohet hyrjes në mbretërinë çelestiale të Perëndisë.

  • Çfarë mund ta ndihmojë dikë të largohet prej errësirës dhe ndikimit të Satanit e të kthehet drejt dritës dhe urdhërimeve e bekimeve të Perëndisë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 26:19–23. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali tha se ua kishte mësuar si judenjve dhe johebrenjve se duhej të bënin për të marrë bekimet e përmendura në vargun 18. Ju mund të shpjegoni se fraza “duke bërë vepra të denja pendimi” në vargun 20 mund të nënkuptojë të jetoni me drejtësi me qëllim që të tregoni se jeni penduar me të vërtetë.

  • Sipas vargut 20, çfarë u mësoi Pali të bënin si judenjve dhe johebrenjve?

Shkruajeni thënien e paplotë vijuese në tabelë: Nëse pendohemi dhe kthehemi te Perëndia …

  • Bazuar në atë që mësojmë te vargu 18, si do ta plotësonit thënien në tabelë? (Përmblidhni përgjigjet e studentëve duke plotësuar thënien në tabelë që të lexohet si vijon: Nëse pendohemi dhe kthehemi te Perëndia, ne mund ta mposhtim fuqinë e Satanit në jetën tonë, mund të marrim falje për mëkatet tona dhe të kualifikohemi për mbretërinë çelestiale.)

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë parim, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve (merrni parasysh t’u jepni studentëve një kopje të thënies):

Pamja
Plaku Nil L. Andersen

“Kur mëkatojmë, ne ikim nga Perëndia. Kur pendohemi, kthehemi përsëri drejt Tij.

Ftesa për pendim rrallëherë është një zë ndëshkimi, por më shumë një thirrje me dashuri për të bërë kthesë e për t’u ‘ri-kthyer’ drejt Perëndisë [shih Helamani 7:17]. Ajo është thirrja ftuese e një Ati të dashur dhe e Birit të Tij të Vetëmlindur që të jemi më të mirë sesa jemi, të ngrihemi në një udhë më të lartë jete, të ndryshojmë si dhe ndiejmë lumturinë prej zbatimit të urdhërimeve” (“Pendohuni … Që të Mund t’Ju Shëroj”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 40).

  • Sipas Plakut Andersen, çfarë mund të arrijmë kur pendohemi dhe kthehemi sërish tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti?

Ftojini studentët që teksa vazhdojnë të studiojnë Veprat e Apostujve 26, të kërkojnë se çfarë i pengoi Festin dhe mbretin Agripa që të pendoheshin, të ktheheshin te Perëndia dhe të ktheheshin në besim te Jezu Krishti. Shkruajeni thënien e paplotë vijuese në tabelë: Që të kthehemi në besim te Jezu Krishti …

Ndajini studentët në dyshe. Ftojini studentët të lexojnë me partnerët e tyre Veprat e Apostujve 26:24–28. Kërkojuni atyre të përcaktojnë dhe krahasojnë mënyrat sipas të cilave reaguan Festi dhe mbreti Agripa secili, ndaj mësimeve dhe dëshmisë së Palit për Shpëtimtarin. Teksa studentët lexojnë e diskutojnë me partnerët e tyre, kopjojeni figurën vijuese në tabelë (mos i përfshini thëniet nën secilin titull):

Reagimet ndaj Mësimeve të Dhëna nga Pali

Festi

Mbreti Agripa

Foli me zë të lartë

Tha se Pali ishte i tërbuar

E akuzoi Palin se kishte shkalluar

Pothuajse u bind të bëhej një i krishterë

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të vijnë te tabela dhe të shkruajnë atë që gjetën (përgjigjet duhet të jenë të ngjashme me frazat në figurën më lart).

  • Çfarë zbuloi reagimi i Festit rreth mendimit të tij për mësimet e dhëna nga Pali? (Shtojeni fjalën Mosbesim te përgjigjet e studentëve nën titullin “Festi”.)

  • Sipas vargut 27, çfarë tha Pali se dinte rreth mbretit Agripa? (Shtoni I besonte profetët nën titullin “Mbreti Agripa”.)

  • Çfarë mund të mësojmë nga komenti i Agripës drejtuar Palit rreth zotimit të Agripës për të qenë një i krishterë (shih vargu 28)? (Shtoni Nuk kishte dëshirë të zotohej tërësisht nën titullin “Mbreti Agripa”.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 26:29. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si Pali iu përgjigj komentit të mbretit Agripa se ai pothuajse u bind të bëhej një i krishterë.

  • Çfarë dëshiroi Pali për mbretin dhe të gjithë ata që i kishin dëgjuar mësimet e tij?

  • Çfarë mendoni se e pengoi Festin që të bëhej një i kthyer në besimin te Jezu Krishti?

  • Çfarë mendoni se e pengoi mbretin Agripa që të bëhej një i kthyer në besim?

  • Çfarë mund të mësojmë nga Festi dhe mbreti Agripa rreth asaj që duhet të bëjmë për t’u kthyer në besim te Jezu Krishti? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që të përcaktojnë parimin vijues: Që të kthehemi në besim te Jezu Krishti, ne duhet të zgjedhim që të besojmë në të jetuarin e ungjillit dhe të zotohemi tërësisht që ta jetojmë atë.)

Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë këtë parim, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë rrëfimin vijues nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Dy vëllezër të vegjël qëndruan në majë të një rrëpire të vogël nga ku hidhej vështrimi mbi ujërat e kthjellëta të një liqeni blu. Ky ishte një vend mjaft i njohur për zhytje dhe vëllezërit shpesh kishin folur rreth hedhjes që atje – diçka që i kishin parë të tjerët ta bënin.

Edhe pse ata dëshironin të hidheshin, asnjëri nuk donte të hidhej i pari. Lartësia e rrëpirës nuk ishte shumë e madhe, por për dy djemtë e vegjël, dukej që distanca shtohej sa herë që ata fillonin të përkuleshin drejt saj – dhe guximi i tyre po pakësohej me të shpejtë.

Më së fundi, njëri vëlla e vuri këmbën te buza e rrëpirës dhe eci përpara me vendosmëri. Në atë çast vëllai i tij pëshpëriti: ‘Ndoshta duhet të presim deri verën e ardhshme’.

Megjithatë, vrulli i vëllait të parë tashmë po e tërhiqte atë përpara. ‘Vëlla’, u përgjigj ai, ‘unë jam i zotuar!’

Ai u përplas në ujë dhe doli në sipërfaqe me të shpejtë, me një britmë fitimtare. Vëllai i dytë e ndoqi menjëherë. Më pas, që të dy qeshën rreth fjalëve të fundit të djalit të parë përpara se të zhytej në ujë: ‘Vëlla, unë jam i zotuar’.

Zotimi është paksa i ngjashëm me zhytjen në ujë. Ti ose je i zotuar ose nuk je. Ti ose po ecën përpara ose po qëndron palëvizur. Nuk ka rrugë të mesme. …

Ata që janë vetëm disi të zotuar, vetëm mund të presin disi që të marrin bekimet e dëshmisë, gëzimit dhe paqes. Pragjet e qiellit mund të jenë vetëm disi të hapura për ta. …

Në njëfarë mënyre, secili prej nesh qëndron te një pikë vendimtare, duke e parë ujin nga lart. Është lutja ime që ne do të kemi besim, do të ecim përpara, do të përballemi me frikën dhe dyshimet tona me kurajë dhe do të themi vetë: ‘Unë jam i zotuar!’” (“Brother, I’m Committed”, Ensign, korrik 2011, f. 4, 5.)

  • Si është të zotuarit për ta jetuar ungjillin i ngjashëm me zhytjen në ujë?

  • Sipas Presidentit Uhtdorf, përse është e rëndësishme që të jemi tërësisht të zotuar në vend që të jemi “disi të zotuar” në të jetuarin e ungjillit?

  • Si ju ka ndihmuar të jetuarit e një zotimi ose parimi të ungjillit që ta forconi kthimin tuaj në besim te Jezu Krishti? (Merrni parasysh të tregoni një përvojë nga vetja juaj.)

Ftojini studentët të shkruajnë në fletoren e klasës ose ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta një listë të urdhërimeve ose parimeve të ungjillit për të cilat ata e ndiejnë se janë tërësisht të zotuar për t’i jetuar. Kërkojuni atyre të marrin parasysh ndonjë parim të ungjillit që e ndiejnë “të bëhen të tillë” (Veprat e Apostujve 26:29), të zotuar që ta jetojnë. Ftojini studentët të shkruajnë një synim të asaj që mund të bëjnë për ta shtuar kuptueshmërinë e tyre dhe zotimin e tyre ndaj njërit prej këtyre parimeve. Nxitini studentët të luten për ndihmë teksa përpiqen të bëhen të kthyer në besim te Jezu Krishti duke e jetuar më plotësisht ungjillin.

Përmblidhni Veprat e Apostujve 26:30–32 duke shpjeguar se Festi dhe mbreti Agripa e gjetën Palin të pafajshëm dhe do ta kishin liruar atë, por ngaqë Pali ia kishte apeluar çështjen e tij Cezarit, atyre iu kërkohej ta dërgonin në Romë.

Mbylleni duke rishikuar dhe dëshmuar për parimet e dhëna mësim te Veprat e Apostujve 23–26.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Veprat e Apostujve 25:13. Kush ishte Herod Agripa?

Për një tabelë të dobishme që tregon marrëdhëniet midis anëtarëve të ndryshëm të familjes herodiane, të përmendur në Dhiatën e Re, shihni titullin “Herod”, f. 64, në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta.

“Herod Agripa II (gjithashtu i quajtur Markus Julius Agripa) ishte mbreti i shtatë dhe i fundit në dinastinë herodiane të judenjve. Ai sundoi në territorin në verilindje të Detit të Galilesë nga viti 55 deri në vitin 93 Ps.K. Ai ishte biri i Herod Agripës I, i cili urdhëroi vdekjen e Jakobit dhe burgimin e Pjetrit (shih Veprat e Apostujve 12:1–4); nipi i Herod Antipasit, i cili bëri që Gjon Pagëzorit t’i pritej koka (shih Mateu 14:1–12); dhe stërnipi i Herodit të Madh, i cili urdhëroi vrasjen e foshnjave të Bethlehemit (shih Mateu 2:16).

Mbretëria e Agripës shtrihej në veri të territorit të Festit. Agripa dhe motra e tij, Bernisa … e vizituan Festin në Cezare ndërkohë që Pali ishte i burgosur atje. Ngaqë Agripa ishte një jude dhe si rrjedhojë ishte më i njohur me çështjet judease se Festi, i cili ishte romak, Festi shpresoi që Agripa mund ta ndihmonte atë për të kuptuar akuzimet kundër Palit dhe gjithashtu ta ndihmonte për t’i shkruar letrën e tij Cezarit (shih Veprat e Apostujve 25:24–27; 26:3)” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 326).

Veprat e Apostujve 26:24. “Pal, ti je tërbuar; studimet e shumta të bënë të shkallosh”

Profeti Jozef Smith e krahasoi përndjekjen që ai përjetoi pas Vegimit të tij të Parë me përvojat e Apostullit Pal (shih Joseph Smith – Historia 1:24–25). Pali dhe Jozef Smithi, që të dy, e panë Shpëtimtarin dhe e dëgjuan zërin e Tij. Që të dy dëshmuan se kishin parë një vegim. Si rrjedhim, që të dy u përndoqën dhe u përqeshën, prapëseprapë ata mbetën të vërtetë ndaj dëshmimit dhe dëshmisë së tyre për Jezu Krishtin. Përveç kësaj, ka rrëfime të shumta të Vegimit të Parë të Jozef Smithit, ashtu sikurse ka rrëfime të shumta të vegimit të Palit për Shpëtimtarin (shih Veprat e Apostujve 9:3–9; Veprat e Apostujve 22:6–11; Veprat e Apostujve 26:13–18). Pavarësisht nga ndryshimet e vogla në hollësitë, rrëfimet e shumta të tyre bien dakord për të vërtetën thelbësore që secili prej tyre e pa dhe foli me Jezu Krishtin.

Veprat e Apostujve 26:28. “Për pak dhe po ma mbush mendjen të bëhem i krishterë”

Teksa shërbente si anëtar i Të Shtatëdhjetëve, Plaku Brus C. Heifën dha mësim:

“Nëse na duhet ta japim gjithçka që kemi, atëherë dhënia jonë për pak e vetëm gjithçkaje nuk është e mjaftueshme. Nëse për pak i zbatojmë urdhërimet, ne për pak i marrim bekimet” (“The Atonement: All for All”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 98).

Presidenti Harold B. Li i zbatoi fjalët e mbretit Agripa për anëtarët e Kishës që përpiqen ta shfajësojnë vetveten nga zbatimi i urdhërimeve:

“Një peshkop i mirë bëri një koment interesant rreth asaj që e quajti fjalët më të trishtueshme që ai i di për një burrë në një pozitë të lartë. Ai lexoi nga fjalët në ditët e Apostullit Pal kur Pali kishte dhënë përpara mbretit Agripa dëshminë e tij të fuqishme të kthimit të tij në besim. Përgjigjja e mbretit Agripa ishte: ‘Për pak dhe po ma mbush mendjen të bëhem i krishterë’. (Veprat e Apostujve 26:28.) Atëherë peshkopi tha: ‘Mbreti e dinte të vërtetën, por atij i mungonte kuraja që të bënte atë që do t’i kërkohej. …’

Dhe atëherë [peshkopi] karakterizoi disa gjëra që ai i zbuloi në vetë lagjen e tij në një predikim të shkurtër, por të fuqishëm. Si përgjigje ndaj Mësuesit: “Eja, … më ndiq” (Marku 10:21), disa anëtarë për pak’, tha ai, ‘por jo vërtet thonë: “Për pak po ma mbush mendjen që të jem i ndershëm, por kam nevojë për më shumë ndihmë që ta kaloj një provim”.’ …

[Peshkopi vazhdoi:] ‘Për pak po ma mbush mendjen që ta mbaj ditën e Shabatit të shenjtë, por është e këndshme të luash lojëra me top të dielën.

‘Për pak po ma mbush mendjen për ta dashur fqinjin tim, por ai është ngatërrestar; për të qenë tolerant me pikëpamjet e të tjerëve, por ato janë me të vërtetë të gabuara; … për të shkuar në mësimin e shtëpisë, por është kaq ftohtë dhe lagështi sonte përjashta; për ta paguar të dhjetën dhe ofertat, por neve na nevojitet një televizor i ri me ngjyra. … Për pak! Për pak! Për pak!’” (në Conference Report, prill 1964, f. 23–24).