Biblioteka
Mësimi i Studimit në Shtëpi: 1 Korintasve 15–2 Korintasve 7 (Njësia 23)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

1 Korintasve 152 Korintasve 7 (Njësia 23)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja vijuese e ngjarjeve, doktrinave dhe parimeve që studentët mësuan kur studiuan 1 Korintasve 15–2 Korintasve 7 (njësia 23), nuk synohet të jepet si pjesë e mësimit tuaj. Mësimi që jepni, përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë, teksa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (1 Korintasve 15:1–29)

Ndërsa studentët studiuan pjesën e parë të 1 Korintasve 15, ata mësuan që Apostujt dëshmuan se Jezu Krishti vdiq për mëkatet tona dhe u ringjall nga të vdekurit. Studentët gjithashtu mësuan se ata që kanë vdekur pa pagëzim mund ta marrin këtë ordinancë thelbësore.

Dita 2 (1 Korintasve 15:30–16:24)

Në këtë mësim studentët vazhduan të studionin mësimet e Palit për Ringjalljen. Ata mësuan se ka shkallë të ndryshme të lavdisë për trupat e ringjallur. Përveç kësaj, ata mësuan se nëse jemi të palëkundur dhe të patundur për ta jetuar ungjillin, gjembi i vdekjes që vjen nga mëkati hiqet nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Dita 3 (2 Korintasve 1–3)

Nga letra e dytë e Palit drejtuar korintasve, studentët mësuan se kur Ati Qiellor na ngushëllon në mundimet tona, ne jemi në gjendje që t’i ndihmojmë të tjerët ta marrin ngushëllimin e Tij. Ata gjithashtu mësuan se nëse nuk i falim të tjerët, Satani do të ketë epërsi ndaj nesh dhe ndërsa e kthejmë zemrën tonë drejt Zotit, ne do të kemi Shpirtin, i cili do të na ndihmojë gradualisht që të bëhemi më shumë si Perëndia.

Dita 4 (2 Korintasve 4–7)

Ndërsa studentët studiuan përshkrimin e Palit për shërbesën e tij në këtë mësim, ata zbuluan të vërtetat vijuese: Sprovat dhe vuajtjet tona në këtë jetë janë të vogla kur krahasohen me bekimet dhe rritjen e përjetshme që vijnë kur ne i durojmë ato me besnikëri. Për shkak se jemi të veçuar nga Perëndia në vdekshmëri, ne duhet të ecim me anë të besimit dhe jo me anë të vizionit. Secili prej nesh do të gjykohet nga Jezu Krishti sipas asaj që ka bërë në vdekshmëri. Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të bëhemi krijesa të reja dhe të pajtohemi me Perëndinë. Kur ne e veçojmë veten nga praktikat e rreme dhe gjërat e papastra, Zoti do të na pranojë.

Hyrje

Në letrën e tij të dytë drejtuar shenjtorëve korintas, Apostulli Pal pohoi përkushtimin e tij ndaj tyre dhe tha se gëzohej kur dëgjonte se ata i kishin pranuar këshillat e tij të mëparshme. Ai dha mësim se trishtimi sipas Perëndisë për mëkatin çon drejt pendimit.

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Korintasve 7:8–11

Pali gëzohet në pendimin e vërtetë të shenjtorëve

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë skenarin vijues:

Në një intervistë për një rekomandim tempulli për martesë, një e re i rrëfen peshkopit të saj disa mëkate të së kaluarës. Pas një diskutimi të mëtejshëm, peshkopi arrin të kuptojë se e reja nuk është penduar me të vërtetë për mëkatet e saj dhe se mëkatet e saj janë mjaft të rënda, duke e bërë të padenjë për një rekomandim tempulli. Peshkopi shpjegon se e reja do të duhet të presë për të marrë një rekomandim derisa ajo të pendohet plotësisht. Atë e zë paniku, duke pretenduar se është penduar ngaqë nuk i ka përsëritur asnjë nga ato mëkate për një kohë të gjatë. Peshkopi shpjegon se thjesht ndalimi i të bërit mëkat nuk është një pendim i plotë dhe ai e fton atë që të fillojë sinqerisht procesin e pendimit të vërtetë.

  • Si mendoni ju, çfarë mund të ketë ndier e reja në këtë pikë të intervistës?

Ftojeni studentin ta vazhdojë leximin e skenarit me zë të lartë:

E reja i shpjegon peshkopit të saj se ajo është tepër e mërzitur ngaqë ftesat për martesën dhe pritjen tashmë janë dërguar. Ajo thotë se nuk mund të përballet me të gjitha pyetjet dhe ndjenjën e turpit për shtyrjen e planeve të saj për martesën. Ajo pyet nëse ka ndonjë mënyrë që ajo të vuloset në tempull ashtu siç është planifikuar dhe të kalojë nëpërmjet procesit të pendimit më vonë.

  • Bazuar në përgjigjen e së resë ndaj peshkopit, për çfarë duket më shumë e shqetësuar ajo?

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë 2 Korintasve 7:8–11, të kërkojnë një të vërtetë që e reja në skenar ka nevojë të kuptojë përpara se të mund të pendohet me të vërtetë për mëkatet e saj.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Korintasve 7:8–9. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si kishte ndikuar te shenjtorët korintas një nga letrat e mëparshme të Palit.

  • Si kishte ndikuar letra te shenjtorët?

  • Përse Pali u gëzua në trishtimin e tyre?

Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje 2 Korintasve 7:10–11. Ju mund të doni të sugjeroni që ata t’i shenjojnë dy llojet e trishtimit që përmendi Pali dhe ku të çon secila prej tyre.

  • Cilat janë dy llojet e trishtimit që përmendi Pali?

Shkruani në tabelë titujt Trishtimi sipas Perëndisë dhe Trishtimi i Botës. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë deklaratën vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson. Kërkojini klasës t’i vërë veshin përshkrimit të tij për trishtimin e botës.

Pamja
Presidenti Ezra Taft Benson

“Nuk është e pazakontë të gjesh në botë burra dhe gra që ndiejnë brejtje të ndërgjegjes për gjërat që i bëjnë gabim. Ndonjëherë kjo ndodh sepse veprimet e tyre i shkaktojnë një trishtim e dhembje të madhe vetes ose njerëzve që duan. Ndonjëherë trishtimi u shkaktohet ngaqë ata kapen dhe dënohen për veprimet e tyre. Të tilla ndjenja prej bote nuk përbëjnë ‘trishtimin sipas Perëndisë’” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson [2014], f. 88).

  • Si do ta përmblidhnit se çfarë është trishtimi i botës?

  • Sipas 2 Korintasve 7:10, drejt kujt mund të na çojë trishtimi i botës? (Shpjegoni se fjala vdekjevargun 10 i referohet vdekjes shpirtërore, duke nënkuptuar veçimin nga Perëndia. Nën titullin “Trishtimi i Botës” në tabelë, shkruani të vërtetën vijuese: Trishtimi i botës mund të na çojë drejt vdekjes shpirtërore, ose veçimit nga Perëndia.)

  • Në çfarë mënyrash trishtimi i botës mund ta çojë një person drejt vdekjes shpirtërore? (Mund ta pengojë një person nga pendimi i vërtetë dhe marrja e faljes së Atit Qiellor.)

  • Bazuar në vargun 10, drejt kujt na çon trishtimi sipas Perëndisë? (Nën titullin “Trishtimi sipas Perëndisë” në tabelë, shkruani të vërtetën vijuese: Trishtimi sipas Perëndisë na çon drejt pendimit për mëkatet tona dhe marrjes së shpëtimit.)

Për t’i ndihmuar studentët që të kuptojnë se përse trishtimi sipas Perëndisë na çon drejt pendimit, ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson:

Pamja
Presidenti Ezra Taft Benson

“Trishtimi sipas Perëndisë është një dhuratë e Shpirtit. Ai është një vetëdije e thellë se veprimet tona e kanë fyer Atin tonë dhe Perëndinë tonë. Është dijenia e mprehtë dhe therëse se sjellja jonë e bëri Shpëtimtarin, Atë që nuk njohu mëkat, madje më të madhin e të gjithëve, të duronte agoni dhe të vuante. Mëkatet tona e bënë Atë t’i dilte gjak nga çdo por. Pikërisht ky ankth i vërtetë mendor e shpirtëror është ajo që shkrimet e shenjta i referohen si të kesh ‘një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar’. Një shpirt i tillë është parakushti absolut për pendim të vërtetë” (Mësimet: Ezra Taft Benson, f. 89).

  • Si mendoni ju, përse trishtimi sipas Perëndisë na çon drejt pendimit të vërtetë për mëkatet tona?

Ftojini studentët që të mendojnë për skenarin lidhur me të renë që kërkonte një rekomandim tempulli.

  • Gjatë intervistës së të resë me peshkopin, a duket sikur ajo kishte përjetuar trishtimin sipas Perëndisë për mëkatet e saj? Përse jo? (Ajo ishte më tepër e shqetësuar për vonesën në planet saj të martesës dhe opinionin e njerëzve të tjerë sesa ishte për pendimin e vërtetë dhe marrjen e faljes nga Ati Qiellor.)

  • Çfarë mund të bëjmë ne që ta zëvendësojmë trishtimin e botës me trishtimin sipas Perëndisë? (Ne mund të agjërojmë dhe të lutemi, duke i kërkuar Atit Qiellor që të na bekojë me dhuratën e trishtimit sipas Perëndisë. Ne gjithashtu mund të studiojmë rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe të kërkojmë një kuptueshmëri më të thellë të mënyrës se si mëkatet tona ndikuan në vuajtjen e Tij.)

Dëshmoni se ndërsa ne ndiejmë trishtimin sipas Perëndisë në vend të trishtimit të botës për mëkatet tona, ne do të mund të pendohemi me të vërtetë, të pastrohemi nga mëkatet tona dhe përfundimisht të marrim shpëtimin. Ftojini studentët që të kërkojnë trishtimin sipas Perëndisë në përpjekjet e tyre për t’u penduar.

Nëse ka kohë, rishikojini shkurtimisht të vërtetat që studentët përcaktuan ndërsa studiuan mësimet në njësinë 23, dhe nxitini ata që të ndjekin çdo mbresë që mund të kenë ndier për t’i zbatuar këto të vërteta. Ju mund të doni t’i rishikoni fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë te 1 Korintasve 15:20–22 dhe 1 Korintasve 15:40–42. Ftojini studentët që të shpjegojnë doktrinat në këto fragmente dhe mënyrën se si ata mund t’i përdorin këto vargje për t’ia mësuar planin e shpëtimit dikujt tjetër.

Njësia Tjetër (2 Korintasve 8Efesianëve 1)

Kërkojuni studentëve të marrin parasysh pyetjen vijuese: Si e dini ju që po e ndieni Shpirtin? Cilat janë frytet ose ndjenjat e Shpirtit? Çfarë janë parashuguruar shenjtorët të marrin? Cila është përgjegjësia jonë ndaj atyre që u mungojnë nevojat materiale të jetës, të tilla si ushqimi, veshja dhe strehimi? Po sikur ne vetë të kishim disa nga po këto nevoja? Shpjegoni se gjatë javës së ardhshme ata do të studiojnë mënyrën se si i trajtoi Pali këto pyetje dhe të tjera.