Biblioteka
Mësimi 32: Mateu 27:1–50


Mësimi 32

Mateu 27:1–50

Hyrje

Si pjesë e komplotit për ta vrarë Jezu Krishtin, udhëheqësit judeas e sollën Jezusin te Ponc Pilati, guvernatori romak. Pilati e dorëzoi Jezusin që të fshikullohej e kryqëzohej. Jezusi iu nënshtrua vuajtjes dhe vdekjes për të përmbushur vullnetin e Atit të Tij.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mateu 27:1–25

Jezusin ia dorëzojnë Pilatit që të dënohet me kryqëzim

Kërkojuni studentëve të marrin parasysh pyetjen vijuese:

  • Nëse do të mund të ishit dëshmitar okular i një ngjarjeje të shkrimit të shenjtë, cilën do të zgjidhnit?

Ftojini disa studentë të tregojnë përgjigjet e tyre. Shpjegoni se gjatë këtij mësimi, studentët do të studiojnë një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e botës. Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur janë dëshmitar okular të asaj që ndodhi.

Shkruajeni thënien e paplotë vijuese në tabelë: Sot unë pashë dhe ndjeva …

Drejtojuni thënies së papërfunduar në tabelë dhe shpjegoni që studentët do të kenë mundësi ta plotësojnë thënien në fund të mësimit bazuar tek ajo që përjetojnë gjatë studimit të Mateut 27:1–50 prej tyre.

Kujtojuni studentëve se kur Jezusi u arrestua, “të gjithë dishepujt e lanë dhe ikën” (Mateu 26:56). Kryeprifti Kajafa dhe sinedri e akuzuan Jezusin për blasfemi – një krim që dënohej me vdekje sipas ligjit judeas; mirëpo sipas ligjit romak, judenjtë nuk kishin fuqi ta dënonin me vdekje një njeri për blasfemi. Për rrjedhojë, udhëheqësit judeas u përpoqën që të gjenin një shkelje nën ligjin romak, me anë të së cilës Jezusi do të dënohej me vdekje.

Përmblidheni Mateun 27:1–10 duke shpjeguar se udhëheqësit judeas ia dorëzuan Jezusin Ponc Pilatit, guvernatorit romak të Judesë. Kur Juda e pa këtë, atij i erdhi keq për zgjedhjen e tij për ta tradhtuar Jezusin, u përpoq t’i kthente paratë që kishte marrë nga udhëheqësit judeas dhe pastaj i dha fund jetës së vet. Për shkak se monedhat e argjendit ishin “çmim gjaku” (Mateu 27:6) dhe si rrjedhim qe e paligjshme që t’i shtoheshin thesarit, udhëheqësit judeas i përdorën paratë për të blerë fushën e poçarit, ku do të varroseshin të panjohurit (ose të huajt). Mateu e citoi këtë ngjarje si një përmbushje të profecisë që gjendet te Zakaria 11:12–13.

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Mateu 27:11–14. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar akuzat që udhëheqësit judeas i bënë Jezusit para Pilatit.

  • Sipas vargut 11, çfarë pyetjeje i bëri Pilati Jezusit?

Shpjegoni që udhëheqësit judeas e akuzuan Jezusin për tradhti ose përpjekje për të rrëzuar qeverinë romake dhe pretenduan që Jezusi e shpallte Veten mbret dhe përpiqej të ngrinte mbretërinë e Tij.

  • Sipas vargut 14, përse u çudit shumë Pilati?

Kërkojuni studentëve të përsiatin atë që ata do t’i kishin thënë Pilatit në mbrojtje të Shpëtimtarit nëse do të kishin pasur mundësi të flisnin. Ftojini disa studentë që t’ia tregojnë mendimet e tyre klasës.

Përmblidheni Mateun 27:15–16 duke shpjeguar se çdo vit gjatë festës së Pashkës, qe zakon i qeveritarit romak të falte një kriminel të dënuar. Popullit i lejohej të zgjidhte një të burgosur për ta liruar. Një i burgosur i njohur në kohën e dënimit të Jezusit qe një burrë i quajtur Baraba, i cili ishte dënuar si hajdut, si rebel kundër autoritetit romak dhe si vrasës.

Ftojini disa studentë që me radhë të lexojnë me zë të lartë nga Mateu 27:17–25. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke shikuar për atë që Pilati i kërkoi turmës së njerëzve që ishin mbledhur në pallatin e guvernatorit.

  • Sipas vargut 17 dhe 21, çfarë i kërkoi Pilati turmës?

  • Çfarë arsyesh mund të ketë pasur Pilati që u ofrua të lironte Jezusin në vend të Barabës?

  • Përse në fund Pilati liroi Barabën dhe e dorëzoi Jezusin që të kryqëzohej?

Mateu 27:26–50

Jezusi fshikullohet, tallet e kryqëzohet

Kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë Mateun 27:26 dhe ftojeni klasën të kërkojë atë që iu bë Jezusit përpara se të dërgohej për t’u kryqëzuar.

  • Çfarë do të thotë të fshikullohesh? (Të rrihesh me kamxhik në mënyrë të përsëritur.)

Ju mund të doni të paraqitni një gur të vogël me një buzë të mprehtë ose të dhëmbëzuar dhe të shpjegoni se kamxhiku i përdorur për fshikullim shpesh kishte objekte të mprehta (të tilla si copa guri, metali ose kocke) të ndërthurura në disa prej fijeve. Ky lloj dënimi në mënyrë tipike rezervohej për ata që ishin shërbëtorë, ndërsa personat me gjak fisnik ose njerëzit e lirë të Romës rriheshin me litarë. Shumë njerëz nuk i mbijetonin të fshikulluarit për shkak të traumës së rëndë fizike që shkaktonte.

Ftoni disa studentë që me radhë të lexojnë me zë të lartë nga Mateu 27:27–32. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që i bënë Jezusit ushtarët romakë.

  • Çfarë bënë ushtarët romakë për ta tallur Jezusin?

  • Si mendoni, përse ushtarët gjetën dikë për ta mbajtur kryqin e Jezusit në vend të tij? (Jezusi duhet të ketë qenë i rraskapitur fizikisht pas përjetimit të dhembjes së papërfytyrueshme dhe pas humbjes së sasive të mëdha të gjakut kur vuajti në Gjetseman dhe kur u fshikullua.)

  • Duke e ditur që Jezusi është Biri i Perëndisë dhe Shpëtimtari i botës, si do të ishit ndier po të ishit detyruar të mbanit kryqin e Jezusit?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 27:33–34 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që refuzoi të bënte Jezusi para se të kryqëzohej.

  • Çfarë refuzoi të bënte Jezusi? (Të pinte substancën që iu ofrua Atij.)

Ofrimi i kësaj pijeje qe përmbushje e profecisë që gjendet te Psalmi 69:21. Ju mund të doni të shpjegoni se uthulla e “përzier me vrer” (Mateu 27:34) ose, siç shënoi Marku, “ver[a] [e] përzier me mirrë” (Marku 15:23) jepej zakonisht si një anestetik për të lehtësuar vuajtjen e një personi që po vdiste. Duke mos pranuar të pinte, Jezusi me qëllim zgjodhi të mos i mpinte ndjesitë e Tij dhe tregoi vendosmëri për të mbetur i ndërgjegjshëm gjatë pjesës tjetër të vuajtjeve të Tij shlyese.

Kërkojuni disa studentëve që me radhë të lexojnë me zë të lartë nga Mateu 27:35–45 dhe vëreni klasën të kërkojë gjëra të tjera që bënë njerëzit për ta tallur ose tunduar Jezusin.

  • Si e tallën apo e tunduan Jezusin njerëzit?

  • Duke e ditur që Jezusi kishte fuqi ta çlironte Veten, si mendoni, përse nuk zbriti nga kryqi Ai?

Ftojini studentët ta lexojnë Mateun 27:46 në heshtje, duke kërkuar atë që tha Jezusi ndërsa ishte në kryq.

  • Çfarë tha Jezusi? (“Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?”)

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë atë që ndodhi në këtë moment, ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Me bindjen e shpirtit tim, unë dëshmoj se … një Atë i mrekullueshëm nuk e braktisi Birin e Tij në atë orë. Vërtet, është besimi im personal që, në të gjithë shërbesën tokësore të Krishtit, Ati nuk ka qenë kurrë më pranë Birit të Tij, sesa në këto momente të fundit mundimtare të vuajtjes. Sidoqoftë, … Ati hoqi për pak momente nga Jezusi ngushëllimin e Shpirtit të Tij, mbështetjen e pranisë së Tij personale” (“Askush Nuk Ishte me Të”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 87–88).

  • Si mendoni, përse Ati Qiellor e hoqi Shpirtin e Tij nga Jezusi në këtë moment?

Për t’i ndihmuar studentët të përcaktojnë një të vërtetë nga vargu 46, lexojeni pjesën tjetër të thënies së Plakut Holland:

“Ajo kërkohej; në të vërtetë ajo ishte thelbësore për rëndësinë e Shlyerjes, që ky Bir i përsosur, që nuk kishte folur kurrë keq, as kishte bërë keq, as kishte prekur gjë të papastër, duhet të dinte se si pjesa tjetër e njerëzimit – ne, të gjithë ne – do të ndiheshim kur të bënim të tilla mëkate. Që Shlyerja e Tij të jetë e pafundme dhe e përjetshme, Ai duhej të ndiente se si ishte të vdisje jo vetëm fizikisht, por dhe shpirtërisht, të ndiente se si ishte të të largohej Shpirti hyjnor, duke e lënë njeriun të ndihej i vetëm tërësisht, dëshpërmisht, shpresëhumbur” (“Askush Nuk Ishte me Të”, f. 88).

  • Bazuar te Mateu 27:46 dhe te thënia e Plakut Holland, si do ta përmblidhnit atë që përjetoi Shpëtimtari si pjesë e Shlyerjes? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Si pjesë e Shlyerjes, Jezu Krishti ndjeu largimin e Shpirtit të Atit Qiellor.)

  • Sipas Plakut Holland, përse përjetoi një largim të Shpirtit Jezu Krishti? (Për të ndier se ç’do të thotë të vdesësh shpirtërisht.)

Shpjegoni se ne përjetojmë vdekje shpirtërore ose largimin e Shpirtit të Atit Qiellor kur mëkatojmë. Dëshmoni se për shkak se Jezu Krishti përjetoi vdekje shpirtërore në Kopshtin e Gjetsemanit dhe në kryq, Ai mund të na ndihmojë kur jemi të ndarë nga Shpirti i Atit Qiellor për shkak të zgjedhjeve tona të këqija. Ai gjithashtu mund të na ndihmojë kur ndihemi të vetmuar.

Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Mateun 27:50 dhe pjesën nga Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 27:54, që e ndryshon vargun duke thënë: “Jezusi bërtiti edhe një herë me zë të lartë duke thënë: ‘Atë, u bë, vullneti yt u përmbush’, dhe dha frymë”; duke kërkuar çfarë tjetër tha Shpëtimtari ndërsa ishte në kryq.

  • Sipas Përkthimit prej Joseph Smith-it të këtij vargu, përse vuajti Jezusi gjithë atë që vuajti? (Studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Jezu Krishti vuajti për të përmbushur vullnetin e Atit Qiellor.)

Kujtojuni studentëve mësimin e mëparshëm, në të cilin studiuan Mateun 26 dhe mësuan për vuajtjen e Shpëtimtarit në Gjetseman dhe gatishmërinë e Tij që vullnetin e Tij t’ia nënshtronte vullnetit të Atit. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë Mateun 26:39 si referencë kryq në shkrimet e tyre të shenjta pranë Mateut 27:50 për t’i ndihmuar të kujtojnë se Jezusi e bëri atë që premtoi se do të bënte.

  • Përse qe vullneti i Atit që Jezusi të përjetonte vuajtjet që përjetoi, duke filluar nga Gjetsemani dhe duke kulmuar në kryq?

Për të bërë një përsëritje dhe për t’i ndihmuar studentët ta ndiejnë të vërtetën dhe rëndësinë e ngjarjeve, doktrinave dhe parimeve që mësuan nga Mateu 27, ju mund të doni të shfaqni nga faqja Mormon Messages [Mesazhe Mormone] videon “None Were with Him” [“Askush Nuk Ishte me Të”] (4:25). Kjo video përfshin një dramatizim të Kryqëzimit dhe Ringjalljes së Shpëtimtarit dhe një pjesë nga “Askush Nuk Ishte me Të” (Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 86–88), një bisedë në konferencën e përgjithshme të prillit 2009 të dhënë nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Videoja është mundësuar te LDS.org.

Shpjegoni që një nga mënyrat më të mira për t’i treguar Zotit mirënjohjen tonë për atë që Ai vuajti për ne është duke jetuar me drejtësi. Kthejuni thënies së paplotë që shkruat në tabelë në fillim të orës mësimore: “Sot unë pashë dhe ndjeva …” Ftojini studentët ta plotësojnë frazën në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Pas një kohe të mjaftueshme, ju mund të doni të ftoni disa studentë të tregojnë atë që shkruan.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mateu 27:15–21. Barabën apo Jezusin?

Emri Baraba në mënyrë ironike do të thotë “bir i atit”. Turma, pjesa më e madhe e të cilës ishte fryrë nga krerët e priftërinjve dhe pleqtë, bënte thirrje për lirimin e Barabës, duke hedhur ndërkohë poshtë Birin e vërtetë të Atit. Në një kuptim, ne të gjithë jemi si Baraba – ne jemi bijtë mëkatarë që lirohemi për shkak se Biri i vërtetë i Atit u dënua me vdekje. Baraba qe një hajdut, vrasës dhe tradhtar, ndërsa Jezu Krishti ishte i përkryer. Atyre që e dënuan Shpëtimtarin me vdekje, iu paraqit një zgjedhje e qartë dhe ata zgjodhën të ligën.

Ligji i Moisiut dha një kumtim profetik të lirimit të Barabës shekuj përpara se kjo të ndodhte. Nga ligji i Moisiut mësohej se një herë në vit, në Ditën e Shlyerjes, prifti i lartë përzgjidhte dy cjep. Njëri cjap bëhej cjapi fajshlyes dhe lirohej i gjallë në shkretëtirë, ndërsa tjetri ishte “për Zotin” dhe vritej si një flijim për mëkatet e njerëzve (shih Levitiku 16:8–10). Prifti i lartë më pas e çonte gjakun nga cjapi i vrarë në Shenjtëroren e Shenjtëroreve të tabernakullit. Ai e spërkaste atë në kapakun e arkës së besëlidhjes (të quajtur pajtuesi), duke bërë në mënyrë simbolike shlyerjen për mëkatet e Izraelit.

Gerald N. Land, i cili më vonë u bë anëtar i Të Shtatëdhjetëve, shpjegoi se si ngjarjet në Ditën e Shlyerjes kumtuan ofrimin nga Shpëtimtari të gjakut të Tij: “Krishti, si qengji i Jehovait si edhe si Prift i Lartë, derdhi vetë gjakun e tij për të hyrë në Shenjtëroren e Shenjtëroreve qiellore ku ai gjak i shpengoi nga mëkatet e tyre ata të cilët do të besonin në të dhe do t’u bindeshin urdhërimeve të tij. (Shih Hebrenjve 9:11–14, 24–28; 10:11–22; DeB 45:3–5.)” (Jesus Christ, Key to the Plan of Salvation [1991], f. 67).

Mateu 27:26. Çfarë do të thoshte të fshikulloheshe?

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se çfarë do të thoshte të fshikulloheshe:

“Kjo praktikë e vrazhdë, paraprakisht kryqëzimit, përbëhej nga heqja e rrobave prej viktimës, lidhja e tij te një shtyllë ose gardh dhe fshikullimi i tij me një kamxhik të përbërë nga rripa lëkure, të bërë më të rëndë me copa të mprehta plumbi e kockash. Kjo e linte vuajtësin e torturuar të gjakosur, të dobët dhe nganjëherë të vdekur” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:807).

Në një rast tjetër, Plaku Mek-Konki përsëriti se “shumë vdisnin vetëm nga fshikullimi, por [Jezu Krishti] u ngrit nga vuajtjet e fshikullimit që të mund të vdiste me një vdekje poshtëruese mbi kryqin mizor të Kalvarit” (“The Purifying Power of Gethsemane”, Ensign, maj 1985, f. 9–10).