Biblioteka
Mësimi 17: Mateu 14


Mësimi 17

Mateu 14

Hyrje

Pasi mësoi për vdekjen e Gjon Pagëzorit, Jezusi u përpoq të tërhiqet në vetmi, por u ndoq nga një turmë njerëzish. Ai pati dhembshuri për ta, shëroi të sëmurët e tyre, dhe ushqeu mrekullisht më shumë se pesë mijë prej tyre. Atë natë, Jezusi eci mbi det drejt dishepujve të Tij të cilët po mundoheshin kundër një stuhie të fuqishme në detin e Galilesë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mateu 14:1–21

Jezusi përpiqet të tërhiqet në vetmi dhe pastaj ushqen më shumë se pesë mijë njerëz

Kërkojuni studentëve që të mendojnë për një rast kur ata përjetuan pikëllim të madh. Ftojini ata të reflektojnë mbi atë që bënë për të duruar dhe për ta kapërcyer pikëllimin e tyre.

  • Cilat janë disa mënyra të ndryshme se si njerëzit përpiqen ta durojnë dhe ta kapërcejnë pikëllimin?

Ftojini studentët që teksa e studiojnë Mateun 14 të kërkojnë mënyra se si mund ta durojnë dhe ta kapërcejnë trishtimin, sprovat dhe dyshimet.

Përmblidheni Mateun 14:1–11 duke shpjeguar se me nxitjen e gruas së tij të re (Herodiadës), mbreti Herod e kishte burgosur padrejtësisht Gjon Pagëzorin. Pasi e bija e gruas së tij (Salomeja) vallëzoi përpara tij, Herodi publikisht premtoi se ajo mund të kishte “çfarëdo që t’i kërkonte” (Mateu 14:7). E bija u këshillua me të ëmën dhe kërkoi kokën e Gjon Pagëzorit dhe, për pasojë, Herodi bëri që Gjonit t’i pritej koka.

Kujtojuni studentëve që Gjon Pagëzori ishte mik dhe i afërm i Jezu Krishtit dhe ai qe zgjedhur nga Perëndia për të qenë profeti që do të përgatiste udhën për Mesian.

  • Përfytyroni sikur të ishit një mik i ngushtë i Gjon Pagëzorit. Si do të kishit reaguar pasi të merrnit vesh për vdekjen e tij të padrejtë?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 14:12–13 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që bëri Jezusi kur mori vesh për vdekjen e Gjonit.

  • Çfarë bëri Jezusi kur mori vesh për vdekjen e Gjonit? (Ju mund të doni të shpjegoni që “në vetmi, në një vend të shkretë” i referohet një vendi të vetmuar.)

  • Çfarë ndodhi kur Jezusi u përpoq të qëndronte vetëm?

  • Si do të ndiheshit, nëse do të ishit i pikëlluar dhe do të dëshironit të qëndronit vetëm, por të tjerët do të kërkonin vëmendjen tuaj?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 14:14. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si Jezusi reagoi kur Ai e pa turmën ta ndiqte.

  • Çfarë shembulli dha Shpëtimtari për ne që ta ndjekim kur ne përjetojmë pikëllim? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Duke treguar dhembshuri për të tjerët edhe kur po përjetojmë pikëllim, ne ndjekim shembullin e Jezu Krishtit.)

  • Përse mund të jetë e vështirë të tregojmë dhembshuri për të tjerët kur jemi duke vuajtur?

  • Si mund të na ndihmojë të treguarit e dhembshurisë për të tjerët kur ne vetë jemi duke vuajtur?

  • Kur keni përjetuar ju ose dikush që ju njihni pikëllim të madh dhe ende shfaqët dhembshuri për një person tjetër? Në ç’mënyra qe e dobishme të shërbyerit dikujt tjetër?

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Mateu 14:15–21. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si Jezusi vazhdoi të tregonte dhembshuri për turmën. (Shënim: Mrekullia e shënuar te Mateu 14:15–21 do të jepet më me thellësi në mësimin që trajton Markun 6:35–44.)

  • Si vazhdoi Jezusi të tregonte dhembshuri për njerëzit që e kishin ndjekur Atë?

Mateu 14:22–36

Jezusi ecën mbi det gjatë një stuhie

Për t’i ndihmuar studentët të marrin parasysh rrethanat në të cilat ata mund të përjetojnë dyshim dhe frikë ndërsa e ndjekin Jezu Krishtin, kërkojuni dy studentëve të lexojnë me zë të lartë skenarët vijues:

  1. Një e re ndihet e pafuqishme kur shikon të ëmën duke vuajtur nga një sëmundje e pashërueshme. Ajo fillon të dyshojë nëse Ati Qiellor është në dijeni për dhimbjen e familjes së saj. Ajo dëshpërimisht dëshiron që të besojë në Perëndi, por dyshimet e saj po fillojnë ta pushtojnë.

  2. Një i ri është bashkuar me Kishën kohët e fundit. Shumë nga miqtë e tij të vjetër kanë qenë haptazi kritikues ndaj vendimit të tij për t’u bashkuar me Kishën. Ai po fillon të pyesë veten nëse duhet të vazhdojë të jetë anëtar aktiv dhe besnik i Kishës.

  • Cilat janë mënyrat e tjera se si njerëzit mund të përjetojnë dyshim apo frikë kur përpiqen ta ndjekin Jezu Krishtin?

Vërini studentët që teksa studiojnë pjesën e mbetur të Mateut 14 të kërkojnë të vërteta që mund t’i ndihmojnë të kapërcejnë druajtjet, dyshimet dhe shkurajimin.

Përmblidheni Mateun 14:22 duke shpjeguar që Shpëtimtari i udhëzoi dishepujt e Tij të udhëtonin me barkë për në anën tjetër të detit të Galilesë, ndërkohë që Ai i lëshonte turmat. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 14:23. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se ku shkoi Jezusi mbasi i nisi turmat. Ftojini ata të raportojnë atë që gjejnë.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 14:24–25 dhe vëreni klasën të kërkojë se çfarë ndodhi kur dishepujt po kalonin detin e Galilesë.

  • Çfarë u ndodhi dishepujve kur po kalonin detin e Galilesë?

  • Çfarë do të thotë që “era … ishte e kundërt”? (vargu 24). (Ajo po frynte në drejtim të kundërt me pikëmbërritjen e tyre.)

Sipas vargut 23, ishte mbrëmje kur Jezusi ishte i vetëm në mal dhe dishepujt po kalonin detin e Galilesë. Distanca për të kaluar detin ishte rreth pesë milje (rreth tetë kilometra) dhe në mot të mirë duhet të kalohej për dy deri tri orë.

  • Sipas vargut 25, kur erdhi Shpëtimtari te dishepujt mbi ujë? (Roja e katërt ishte nga ora 03:00 deri në 06:00 të mëngjesit.)

  • Për sa kohë ka gjasa që dishepujt e kishin luftuar erën për ta kaluar detin? (Ka gjasa për rreth 9 deri 12 orë.)

Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Markun 6:47–48, duke kërkuar hollësi shtesë që dha Marku për këtë ngjarje. Kërkojuni studentëve të raportojnë për atë që gjejnë.

  • A mund t’ua kishte kursyer Jezusi më shpejt dishepujve mundimet e tyre? Cili mund të ketë qenë qëllimi i lënies së dishepujve që të mundoheshin për një farë kohe përpara se të shpëtoheshin?

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë në lidhje me mundimet tona vetjake nga këto rrëfime për dishepujt duke u përpjekur të kalonin detin? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Ndonëse Perëndia mund të mos na i kursejë përherë mundimet, Ai e di atë që ne po përjetojmë dhe, në vetë kohën e Tij, do na vijë në ndihmë.)

  • Çfarë e mire mund të na vijë kur mundohemi për një kohë në vend që të çlirohemi menjëherë nga sprovat tona prej Zotit?

  • Si mundet ta forcojë besimin tonë te Zoti të diturit që Ai është në dijeni të mundimeve tona, edhe kur Ai nuk na çliron menjëherë nga ato?

Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë sikur janë në një barkë peshkimi në mes të natës, duke u munduar kundër erës dhe valëve të fuqishme për shumë orë, dhe pastaj shikojnë dikë duke ecur mbi ujë.

  • Çfarë mund të mendonit ose ndienit nëse do të ishit në këtë situatë?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 14:26–27 dhe vëreni klasën të kërkojë mënyrën se si dishepujt reaguan kur panë Jezusin.

  • Si reaguan dishepujt kur panë Jezusin?

  • Si iu përgjigj Jezusi frikës së tyre?

Kërkojini një studenti tjetër ta lexojë me zë të lartë Mateun 14:28 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që deshi Pjetri kur dëgjoi zërin e Zotit.

  • Çfarë deshi Pjetri të bënte kur dëgjoi zërin e Zotit?

Ngrini lart një fotografi të Jezusit para klasës dhe kërkojini klasës të përfytyrojë sikur janë Pjetri në barkë. Kërkojuni dy studentëve të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Mateu 14:29–30. Pasi të lexohet çdo varg, pyetini studentët se çfarë do të mendonin apo ndienin po të ishin në vend të Pjetrit.

  • Përse filloi të fundosej Pjetri?

  • Çfarë mund të përfaqësojnë era dhe valët e këtij rrëfimi në jetën tonë që mund të na bëjnë të përjetojmë frikë apo dyshim?

  • Çfarë mund të mësojmë nga përvoja e Pjetrit rreth mënyrës se si t’i shmangemi mposhtjes nga druajtjet dhe dyshimet? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që është e qartë se nëse ne i mbajmë sytë tanë të ngulitur te Jezu Krishti dhe e ruajmë besimin tonë tek Ai, ne nuk do të mposhtemi nga druajtjet dhe dyshimet tona.)

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Hauard W. Hanter dhe kërkojini klasës të mbajë vesh për rrezikun e mos arritjes që ta ruajmë besimin tonë te Zoti:

Pamja
Presidenti Hauard W. Hanter

“Është bindja ime e palëkundur se nëse si njerëz individual, si familje, komunitete dhe kombe, ne mund t’i përqendrojmë sytë tanë te Jezusi, ashtu si Pjetri, ne gjithashtu mund të ecim ngadhënjimisht mbi ‘valët në rritje të mosbesimit’ dhe të qëndrojmë ‘sy patrembur midis erërave në ngritje të dyshimit’. Por nëse i heqim sytë tanë nga Ai tek i cili duhet të besojmë, siç është aq e lehtë të bëhet dhe që bota është aq shumë e tunduar ta bëjë, nëse vështrojmë fuqinë dhe furinë e atyre forcave të tmerrshme e shkatërrimtare rreth nesh në vend që të shohim tek Ai që mund të na ndihmojë dhe shpëtojë, atëherë ne pashmangshmërisht do të fundosemi në një det konflikti e dhimbjeje dhe dëshpërimi” (“The Beacon in the Harbor of Peace”, Ensign, nëntor 1992, f. 19).

  • Si mendoni ju se mund t’i “përqendrojmë sytë tanë” te Jezu Krishti, ashtu siç bëri Pjetri në fillim?

  • Kur keni parë ju që besimi i një individi te Jezu Krishti e aftësoi atë t’i shmangej mposhtjes nga frika apo dyshimi?

Dëshmoni se kur i “përqendrojmë sytë tanë” te Jezu Krishti dhe e ruajmë besimin tonë tek Ai, ne do të gjejmë shpresë dhe guxim për t’u përballur me sfidat tona. Ftojini studentët të marrin parasysh ndryshimet që mund të bëjnë në jetën e tyre që të përqendrohen dhe ta ruajnë më shumë besimin e tyre te Jezu Krishti dhe të vënë një qëllim për t’i bërë ato ndryshime.

Shpjegoni se ashtu si Pjetri, ne ndonjëherë nuk arrijmë ta ruajmë besimin tonë te Jezu Krishti dhe mund t’i dorëzohemi frikës, dyshimit dhe shkurajimit.

Pamja
Krishti duke ecur mbi ujë

Shfaqni një figurë të Jezu Krishtit duke ecur mbi ujëra (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 43; shih gjithashtu LDS.org). Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 14:30–32.

  • Sipas vargut 30, çfarë bëri Pjetri kur e kuptoi se po fundosej?

  • Çfarë mund të mësojmë nga ky rrëfim për atë që do të bëjë Zoti nëse e kërkojmë ndihmën e Tij kur besimi ynë venitet? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Në qoftë se ne kërkojmë ndihmën e Perëndisë kur besimi ynë venitet, Ai mund të na i heqë druajtjet dhe dyshimet tona.)

  • Në çfarë mënyrash i heq Perëndia druajtjet dhe dyshimet tona?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 14:33 dhe vëreni klasën të kërkojë se si u përgjigjën dishepujt në varkë pasi Jezusi dhe Pjetri hipën në varkë.

Përmblidheni Mateun 14:33–36 duke shpjeguar se pas kësaj ngjarjeje, Jezusi dhe dishepujt e Tij vazhduan udhëtimin e tyre dhe arritën në brigjet e largëta të Galilesë. Kur njerëzit mësuan se Jezusi ishte atje, ata i sollën Atij njerëz që vuanin nga sëmundje. Shumë vetë u shëruan thjesht duke prekur cepin e rrobës së Tij.

Mbylleni duke i nxitur studentët që ta zbatojnë atë që mësuan në këtë mësim duke vepruar sipas ndonjë mbrese që ata kanë marrë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mateu 14:25. “Në rojën e katërt të natës, Jezusi shkoi drejt tyre”

Kur ne presim që Zoti do të na japë zgjidhje të shpejta për problemet tona, ne nuk arrijmë të shohim qëllimin më të madh në vonesën e ndihmës së Tij. Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli për një provë personale me të cilën u përball për të cilën nuk pati zgjidhje të shpejtë nga Zoti:

“Ndonëse vuajta atëherë, kur hedh vështrimin pas tani, jam mirënjohës që nuk pati një zgjidhje të shpejtë për problemin tim. Fakti që qeshë i detyruar t’i drejtohesha Perëndisë për ndihmë thuajse çdo ditë gjatë një periudhe të zgjatur vitesh, më mësoi me të vërtetë se si të lutesha e të merrja përgjigje për lutjen dhe më mësoi në një mënyrë shumë praktike që të kisha besim te Perëndia. Unë arrita ta njoh Shpëtimtarin tim dhe Atin tim Qiellor në një mënyrë dhe në një shkallë që, përndryshe, mund të mos kishte ndodhur ose për të cilën mund të më ishte dashur shumë më tepër kohë për ta arritur. … Mësova t’i mirëbesoj Zotit me gjithë zemrën time. Unë mësova të eci me Të ditë pas dite” (“Give Us This Day Our Daily Bread” [mbledhje rreth vatrës e Sistemit Arsimor të Kishës, 9 janar 2011], LDS.org).

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha sa vijon për dijeninë e Shpëtimtarit për mundimin e dishepujve të Tij për të kaluar detin e Galilesë në stuhi:

“Nga maja e malit ku Ai u lut … , Jezusi pa rrezikun dhe mundimet e miqve të Tij të dashur ndërsa po kërkonin sigurinë e bregut perëndimor të liqenit galileas. … Dijenia e Tij për telashet e tyre duhet të ketë ardhur nga fuqia e Shpirtit se sa nga syri natyral, pasi ata ishin larg më tepër se katër milje – ndoshta pesë apo gjashtë. …

… Në afro tetë ose dhjetë orë, ata udhëtuan më pak se katër milje nga bregu.

Rrezikimi i tyre ishte i madh. Edhe njerëzit e fortë nuk mund t’i bëjnë ballë pafundësisht valëve goditëse dhe fuqisë dallgëzuese të një stuhie në det. Tani ishte roja e katërt e natës, diku mes orës tre dhe gjashtë të mëngjesit. Jezusi i kishte lënë ata të mundoheshin e luftonin derisa fuqia e tyre kishte shteruar. Tani Ai erdhi për t’i shpëtuar” (The Mortal Messiah, 4 vëll. [1979–1981], 2:358–359).