Biblioteka
Mësimi 132: 2 Timoteut 3–4


Mësimi 132

2 Timoteut 3–4

Hyrje

Pali i shkroi Timoteut dhe shpjegoi se braktisja dhe ligësia do të sundonin në ditët e tyre si edhe në ditët e fundit. Ai e udhëzoi Timoteun të qëndronte besnik ndaj të vërtetave që i kishte mësuar tashmë. Pali dha mësim për qëllimet e shkrimeve të shenjta. Pali e mbylli letrën e tij duke e nxitur Timoteun që ta përmbushte me zell shërbesën e tij.

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Timoteut 3

Pali përshkruan kohët e vështira të ditëve të fundit

Përpara se të fillojë ora mësimore, kërkojuni dy ose tre studentëve që mbërrijnë të parët, të vizatojnë secili një figurë në tabelë të një situate të rrezikshme ose të dëmshme. Pasi të fillojë ora mësimore, bëjini klasës pyetjen vijuese:

  • Çfarë fjalësh do të përdornit për të përshkruar situatat e vizatuara në tabelë?

Shpjegoni se si pjesë të Letrës së tij të Dytë drejtuar Timoteut, Pali profetizoi për rrethanat në ditët e tij dhe në ditët tona. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Timoteut 3:1. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si i përshkruan Pali kohët në të cilat jetojmë.

  • Në ç’mënyrë i përshkroi Pali kohët në të cilat jetojmë? (Nëse nevojitet, shpjegoni se fjala të vështira do të thotë plot rrezik ose dëm.)

  • Cilat janë disa vështirësi morale ose shpirtërore apo rreziqe që keni vërejtur në kohën tonë?

Ndajini studentët në dyshe. Jepuani çdo dysheje një kopje të tabelës vijuese. Ftojeni secilën dyshe të lexojë 2 Timoteut 3:2–7 dhe përgjigjjuni pyetjeve në tabelë. Udhëzojini ata të përdorin poshtëshënimet për t’i ndihmuar me fjalët e vështira.

Pamja
fletushkë

2 Timoteut 3:2–7

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 132

Cilët janë disa shembuj të rrethanave të ditëve të mëvonshme që përshkroi Pali?

Cilën prej këtyre rrethanave keni vërejtur në kohën tonë? (Përcaktoni dy ose tre prej tyre.) Përse këto rrethana janë kaq të rrezikshme?

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët t’i raportojnë klasës atë që diskutuan, përfshirë arsyen përse këto rrethana janë kaq të rrezikshme.

Kërkojuni studentëve të përsiatin nëse shqetësohen ndonjëherë se mund të ndikohen nga disa prej rreziqeve që përmendi Pali në vargjet që studiuan.

  • Sipas fundit të 2 Timoteut 3:5, çfarë e nxiti Pali Timoteun të bënte, që mund ta na ndihmojë edhe ne në kohën tonë? (Ne duhet të largohemi nga ligësia.)

Përmblidheni 2 Timoteut 3:8–11 duke shpjeguar se Pali i tha Timoteut se atyre që e kundërshtojnë të vërtetën do t’u bëhet e njohur marrëzia e tyre. Ai shkroi gjithashtu për vështirësitë dhe përndjekjet e shumta që ai kishte duruar për shkak të përpjekjeve të tij për ta jetuar ungjillin.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Timoteut 3:12–13. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që profetizoi Pali se do t’u ndodhte atyre që e jetojnë ungjillin.

  • Çfarë profetizoi Pali se do t’u ndodhte atyre që e jetojnë ungjillin?

Shpjegoni se sido që të jetë serioziteti i këtyre rrethanave shqetësuese, ne mund të gjejmë ndihmë dhe mbrojtje. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Timoteut 3:14–15. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Pali se mund të na ndihmonte t’i largonim këto vështirësi.

  • Çfarë dha mësim Pali për përballimin e vështirësive që përshkroi ai?

  • Çfarë mendoni se do të thotë [fraza] në vargun 14 “qëndro në ato që mësove dhe u binde plotësisht”?

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë se çdo të thotë kjo frazë, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Në çaste frike apo dyshimi, ose kohë shqetësimi, mos u largoni nga besimi që keni fituar tashmë. … Kur ato çaste vijnë dhe shqetësimet shfaqen, zgjidhja e të cilave nuk po afrohet menjëherë, mbahuni fort tek ajo që tashmë e dini dhe qëndroni të paepur derisa vjen dija e mëtejshme” (“Unë Besoj, o Zot”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 94).

Vini në pah frazën “duke e ditur prej kujt i mësove” në vargun 14. Shpjegoni se ne mund të mësojmë dhe marrim siguri për të vërtetën nga burime të besuara, të tilla si profetët, udhëheqësit, mësuesit, prindërit dhe Fryma e Shenjtë.

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga vargjet 14–15 rreth mënyrës se si t’i mposhtim rreziqet shpirtërore të ditëve të fundit? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni parimin vijues në tabelë: Nëse vazhdojmë me të vërtetat që kemi mësuar nga burimet e besuara dhe në shkrimet e shenjta, ne mund ta mposhtim rrezikun shpirtëror të ditëve të fundit.)

  • Si na ndihmon mbështetja te shkrimet e shenjta dhe tek të vërtetat që kemi mësuar që t’i mposhtim rreziqet e ditëve tona?

  • Kur keni zgjedhur të mbështeteni tek të vërtetat që keni mësuar? Si u bekuat ngaqë e bëtë këtë? (Fillimisht mund t’u kërkoni studentëve t’u përgjigjen këtyre pyetjeve në ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta ose në fletoren e klasës dhe më pas ftojini disa studentë të tregojnë atë që shkruan.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Timoteut 3:16–17 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që dha mësim Pali rreth shkrimeve të shenjta. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë atë që gjejnë.

  • Çfarë dha mësim Pali për studimin e shkrimeve të shenjta që mund të na ndihmojë ne në ditët tona? (Ndihmojeni klasën të përcaktojë parimin vijues: Kur i studiojmë shkrimet e shenjta, ne mund të mësojmë doktrinën e të marrim ndreqje dhe edukim që do të na ndihmojnë të zhvillohemi drejt përsosjes. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

Qarkojini fjalët doktrinë, ndreqje dhe edukim te thënia që keni shkruar në tabelë. Kërkojuni studentëve të mendojnë për një rast kur shkrimet e shenjta i kanë ndihmuar ata në një nga mënyrat vijuese: 1) për ta kuptuar një doktrinë të ungjillit; 2) duke u dhënë bindje ose ndreqje lidhur me diçka në të menduarin, zgjedhjet ose sjelljet e tyre që nuk ishte e drejtë; ose 3) duke u dhënë një përgjigje për një lutje apo duke u dhënë edukim mbi mënyrën se si mund ta zgjidhin një problem. Jepuni studentëve kohë të mendojnë për përvojat dhe më pas ftojini disa studentë t’i tregojnë klasës atë që menduan. (Kujtojuni studentëve të mos tregojnë diçka që është tepër personale apo vetjake, përfshirë dhe mëkatet e kaluara.)

  • Duke marrë parasysh atë që kemi mësuar rreth vlerës së shkrimeve të shenjta, përse mendoni se nxitemi që t’i studiojmë ato përditë?

Jepuni studentëve një kopje të thënies vijuese nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë dhe vëreni klasën të kërkojë këshillën dhe premtimin e Plakut Skot, lidhur me studimin e shkrimeve të shenjta.

Pamja
Plaku Riçard G. Skot

“Mos iu dorëzoni gënjeshtrës së Satanit se ju nuk keni kohë për t’i studiuar shkrimet e shenjta. Zgjidhni që ta gjeni kohën për t’i studiuar ato. Ushqyerja me bollëk me fjalën e Perëndisë çdo ditë është më e rëndësishme sesa gjumi, shkolla, puna, shfaqjet televizive, videolojërat apo mediat shoqërore. Mund t’ju duhet të riorganizoni përparësitë tuaja për të siguruar kohë për studimin e fjalës së Perëndisë. Nëse ju duhet, bëjeni atë!

… Kur i përkushtoni kohë çdo ditë, për veten tuaj dhe me familjen tuaj, studimit të fjalës së Perëndisë, paqja do të mbizotërojë në jetën tuaj” (“Bëjeni Ushtrimin e Besimit Përparësinë Tuaj Parësore”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 93).

Dëshmoni për sigurinë dhe paqen që vjen tek ata që vazhdojnë në të vërtetat që gjenden në shkrimet e shenjta. Ftojini studentët të marrin parasysh se si ndiejnë se mund t’i zbatojnë këto parime në jetën e tyre. Nxitini studentët të vendosin një synim bazuar në nxitjet që ndiejnë.

2 Timoteut 4

Pali shpall se ai ka luftuar një luftë të mirë dhe i vë detyrë Timoteut që të vazhdojë të predikojë

Kërkojuni studentëve të ngrenë dorën nëse janë ndier ndonjëherë sikur kanë hequr dorë prej një detyre që ishte e vështirë.

  • Çfarë përvojash keni pasur ju kur keni ngulur këmbë edhe pse donit të hiqnit dorë?

Shpjegoni se ka të ngjarë që 2 Timoteut është letra e fundit që Pali shkroi përpara se të vdiste. Ftojeni gjysmën e klasës të lexojë në heshtje 2 Timoteut 4:1–5, duke kërkuar këshillën e Palit drejtuar Timoteut. Ftojeni gjysmën tjetër të lexojë të njëjtin fragment, duke kërkuar profecinë e Palit rreth të ardhmes së Kishës së lashtë të krishterë. Nxitini studentët të përdorin poshtëshënimet për t’i ndihmuar ta kuptojnë atë që lexojnë. Pasi të kenë lexuar, ftojini studentët nga secili grup të raportojnë atë që gjetën.

Shpjegoni se vargjet 3–4 shënojnë përshkrimin e Palit për braktisjen që po fillonte të ndodhte në Kishë. Sjelljet si ato që përshkroi Pali çuan në Braktisjen e Madhe, e cila e bëri të nevojshme rivendosjen e ungjillit.

  • Përse mendoni se Pali e nxiti Timoteun të vazhdonte të predikonte dhe t’u shërbente njerëzve edhe pse e dinte se shumë njerëz do të largoheshin nga e vërteta?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Timoteut 4:6–8, dhe vëreni klasën të kërkojë atë që shkroi Pali për vetë përpjekjet e tij për ta përhapur ungjillin.

  • Çfarë tha Pali për përpjekjet e tij si një misionar? (Vini në pah se si metaforat e Palit për të luftuar një luftë të mirë dhe për ta përfunduar vrapimin, përshkruajnë se si ai e përfundoi me sukses misionin e tij.)

  • Sipas vargut 8, çfarë dinte Pali se e priste pas vdekjes së tij?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga këto vargje rreth përpjekjeve tona për të qëndruar besnikë në bërjen e asaj që Zoti kërkon prej nesh? (Studentët duhet të përcaktojnë sa vijon: Nëse qëndrojmë besnikë në gjithçka që Zoti kërkon prej nesh, ne do të marrim një kurorë drejtësie. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

Shpjegoni se marrja e një “kuror[e] … drejtësi[e]” përfshin të bërit si Ati Qiellor. Ftojini studentët të renditin në tabelë disa nga kërkesat që Zoti i ka dhënë rinisë së Kishës për t’i ndihmuar ata të bëhen më shumë si Ati i tyre në Qiell.

  • Përse rinia mund të zgjedhë që të heqë dorë nga të qenët besnik ndaj disa prej këtyre kërkesave?

  • Cilin njihni që, ashtu si Pali, është një shembull i mirë i të qëndruarit besnik madje edhe kur është e vështirë? Çfarë kanë bërë ata që e ilustron konkretisht këtë parim?

Përmblidheni 2 Timoteut 4:9–22 duke shpjeguar se Pali e mbylli letrën e tij duke shpjeguar se edhe pse hera-herës ishte ndier i vetmuar gjatë punës së tij, Zoti ishte me të dhe e forcoi atë.

Nxitini studentët të qëndrojnë besnikë në bërjen e asaj çka kërkon Zoti prej tyre.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërim i Shkrimit të Shenjtë – 2 Timoteut 3:15–17

Kërkojuni studentëve të palosin një letër më tresh, duke krijuar tre kolona. Vërini ta hapin sërish letrën dhe shkruani Doktrinë në krye të kolonës së parë, Bindje dhe ndreqje në krye të kolonës së dytë dhe Edukim me drejtësi në krye të kolonës së tretë.

Ftojini studentët ta përdorin këtë letër si një shenjues në shkrimet e tyre të shenjta për një javë, duke shkruar në kolonën e duhur sa herë që lexojnë një shkrim të shenjtë që i përmbush një nga këto qëllime. Për shembull, poshtë titullit Doktrinë, studentët mund të shkruajnë referenca të shkrimeve të shenjta dhe doktrinat ose parimet që mësojnë nga vargjet. Poshtë titullit Bindje dhe ndreqje, studentët mund të shkruajnë referencat e shkrimeve të shenjta dhe se si fragmentet i korrigjojnë idetë e rreme ose zgjedhjet dhe sjelljet e vetë atyre. Dhe poshtë Edukim me drejtësi, studentët mund të shkruajnë fragmente që u japin pikëpamje lidhur me atë se çfarë veprash të mira mund të bëjnë ata.

Nxitini studentët t’i sjellin letrat e tyre në klasë brenda një jave për të raportuar përvojat e tyre. Ju mund të doni të vini një kujtues në shkrimet e shenjta ose te manuali juaj, që brenda një jave të bëni një diskutim të shkurtër për ta rishikuar këtë fragment për zotërimin e shkrimit të shenjtë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

2 Timoteut 3:1–7. “Në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira”

Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se vështirësitë e profetizuara te 2 Timoteut 3:1–7 janë rrethanat aktuale që ekzistojnë sot në botë:

“Këto vargje shërbejnë si paralajmërim, duke treguar se cilat modele të shmangen. Ne duhet të jemi ngaherë syçelët dhe të zellshëm. Ne mund ta shqyrtojmë secilën nga këto profeci dhe të vërtetojmë se janë aktuale dhe shqetësuese në botë sot:

Kohë të vështira – aktuale. Ne jetojmë në kohë shumë të rrezikshme.

Lakmues parash, mburravecë, krenarë – të gjithë janë të pranishëm dhe mes nesh.

Blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të paudhë, të padhembshur – të gjithë këta janë më se të pranishëm sot.

Të papajtueshëm, shpifës e kështu me radhë – të gjitha mund të vërtetohen si aktuale nga faktet në rritje që gjenden gjithkund rreth nesh” (“Çelësi për Mbrojtjen Shpirtërore”, Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 26).

Në këtë bisedë, Presidenti Paker më pas vazhdoi të dëshmonte se shkrimet e shenjta janë çelësi për mbrojtjen e vetvetes në kohët e vështira të ditëve të fundit.

2 Timoteut 3:14. “Qëndro në ato që mësove dhe u binde plotësisht”

Plaku Pol B. Pajper, i Të Shtatëdhjetëve, tha:

“Sot lufta vazhdon. Zërat laikë po rriten në volum dhe fuqi. Ata gjithnjë e më shumë i nxitin besimtarët të braktisin besimet që bota i konsideron të paarsyeshme dhe pa vend. … Ndonjëherë mund të ndihemi të cenueshëm dhe në nevojë për siguri më të madhe shpirtërore. Zoti i kujtoi Oliver Kaudrit:

‘Në qoftë se ti dëshiron dëshmi të mëtejshme, sill ndër mend natën kur më bërtite në zemrën tënde, që të mund të dije lidhur me të vërtetën e këtyre gjërave.

A nuk i fola paqe mendjes tënde lidhur me çështjen? Ç’dëshmi më të madhe mund të kesh sesa nga Perëndia?’ (DeB 6:22–23).

Zoti i kujtoi Oliverit, edhe neve, të mbështetemi në dëshmitë e shenjta personale që kemi marrë tashmë, kur besimi ynë të sfidohet. … Këto takime hyjnore shërbejnë si spiranca shpirtërore që të na mbajnë të sigurt dhe në drejtimin e duhur në kohë sprove” (“Ta Mbajmë të Shenjtë”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 110–111).

2 Timoteut 4:7–8. “E përfundova vrapimin”

Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na dha shpresë të gjithëve ne që pengohemi gjatë garës sonë këtu në vdekshmëri:

“Në jetë, ne nuk jemi sjellë në tokë vetëm që të lindemi në vdekshmëri. Ne erdhëm me një mision e një qëllim dhe ky qëllim është të durojmë deri në fund. …

Nëse keni hedhur hapa të gabuara në rininë tuaj, mos e lini shkurajimin t’ju mposhtë. Gjykimet e Zotit nuk janë mesatarja e notave shpirtërore – e vlerësuar sipas mëkateve dhe gabimeve të kaluara, [me qëllim] për t’u hedhur në vitin e fundit. Ai ka premtuar se ‘ai që është penduar për mëkatet e tij, po ai falet dhe unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato’ (DeB 58:42).

Ndaj nëse nuk jeni aty ku dëshironi të jeni, vendosni sot për të arritur atje.

Diploma e jetës sonë do të vlerësohet nga mënyra se sa mirë jetojmë sipas besëlidhjeve të bëra në ordinancat tona shpëtuese – pagëzimi, marrja e Frymës së Shenjtë, larjet, vajosjet, dhurimet [indaumentet] dhe vulosjet.

Ju mund ta kaloni vijën fundore me gjithë të tjerët.

‘Ecni përpara dhe jo prapa. Kurajo, … dhe përpara, përpara drejt fitores!’ (DeB 128:22)” (“Ten Axioms to Guide Your Life”, Ensign, shkurt 2007, f. 29).