Biblioteka
Mësimi 87: Veprat e Apostujve 8


Mësimi 87

Veprat e Apostujve 8

Hyrje

Përndjekja kundër Kishës në Jerusalem solli si rrjedhojë që anëtarët e Kishës të shpërndaheshin anembanë Judesë dhe Samarisë. Filipi kreu shërbesë në Samari, ku shumë njerëz e pranuan ungjillin e Jezu Krishtit. Pasi Pjetri dhe Gjoni ua dhanë dhuratën e Frymës së Shenjtë të kthyerve të rinj në besim, një magjistar i quajtur Simon u përpoq ta blinte priftërinë. Perëndia më vonë e çoi Filipin te një zyrtar etiopas, të cilit Filipi i dha mësim rreth Jezu Krishtit dhe e pagëzoi.

Sugjerime për Mësimdhënien

Veprat e Apostujve 8:1–25

Filipi kryen shërbesë në Samari, ku Simon magjistari përpiqet ta blejë priftërinë

Paraqitni ca para. Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë se kanë marrë një shumë të madhe parash.

  • Cila është diçka që do ta blinit me paratë?

Vini në dukje që disa njerëz besojnë se paratë mund të blejnë gjithçka. Megjithatë, disa nga gjërat më me vlerë në jetë nuk mund të blihen. Ftojini studentëve që teksa studiojnë Veprat e Apostujve 8 të kërkojnë një dhuratë nga Perëndia që nuk mund të blihet.

Kujtojuni studentëve se te Veprat e Apostujve 7 ne mësojmë rreth vdekjes së dishepullit Stefan në duart e përndjekësve. Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Veprat e Apostujve 8:1–5. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që bënë anëtarët e Kishës si rrjedhojë e përndjekjes kundër Kishës në Jerusalem. Ju mund të doni të shpjegoni se fraza merrte me vete (Veprat e Apostujve 8:3) do të thotë tërhiqte ose zvarriste.

  • Çfarë i çoi përndjekja të bënin anëtarët e Kishës?

Drejtojeni vëmendjen e studentëve tek emri Filipvargun 5. Kujtojuni studentëve se Filipi ishte një nga shtatë dishepujt e shuguruar për të ndihmuar Dymbëdhjetë Apostujt në shërbesën ndaj nevojave të anëtarëve të Kishës (shih Veprat e Apostujve 6:5). Kërkojuni studentëve t’i drejtohen fletushkës “Vështrim i Përgjithshëm i Veprave të Apostujve” (shih shtojcën e këtij manuali) dhe të gjejnë porosinë e Shpëtimtarit të shënuar te Veprat e Apostujve 1:8.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 8:6–8. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si samaritanët iu përgjigjën predikimit të Filipit.

  • Si iu përgjigjën këta samaritanë predikimit të Filipit?

  • Përveç predikimit të ungjillit, çfarë veprash të tjera kreu Filipi?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 8:9–11. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë përshkrimin e një samaritani të quajtur Simon.

  • Çfarë mësojmë rreth Simonit nga këto vargje? (Shpjegoni se “përdorimi i fuqisë së fituar nga ndihma ose kontrolli i shpirtrave të ligj quhet magji” [Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. (1965–1973), 2:82].)

  • Çfarë ndikimi kishte Simoni te njerëzit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 8:12–13. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si Simoni iu përgjigj predikimit të Filipit. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.

  • Sipas vargut 13, si u ndikua Simoni nga “veprat … dhe shenjat” që pa?

Përmblidhni Veprat e Apostujve 8:14–16 duke shpjeguar se Pjetri dhe Gjoni erdhën në Samari pasi dëgjuan që njerëzit atje e kishin pranuar fjalën e Perëndisë. Ata u lutën që samaritanët e kthyer në besim do ta merrnin dhuratën e Frymës së Shenjtë.

Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Veprat e Apostujve 8:17, duke kërkuar atë që Pjetri dhe Gjoni bënë për anëtarët e rinj të Kishës në Samari.

  • Çfarë mund të mësojmë nga ky rrëfim rreth mënyrës se si jepet dhurata e Frymës së Shenjtë? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni doktrinën vijuese në tabelë: Dhurata e Frymës së Shenjtë jepet pas pagëzimit nëpërmjet vënies së duarve nga mbajtësit e autorizuar të priftërisë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 8:18–19. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar ofertën që Simoni i bëri Pjetrit.

  • Çfarë oferte i bëri Simoni Pjetrit?

Tregojuni studentëve paratë që i paraqitët në fillim të mësimit. Ftojini ata të marrin parasysh se si do t’i ishin përgjigjur Simonit nëse do të kishin qenë në vendin e Pjetrit.

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Veprat e Apostujve 8:20–24. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që Pjetri ia dha mësim Simonit rreth marrjes së priftërisë.

  • Çfarë i dha mësim Pjetri Simonit rreth priftërisë, sikurse shënohet te vargu 20?

  • Kur ai u ofroi Apostujve para si shkëmbim për marrjen e priftërisë, çfarë nuk kuptoi Simoni rreth priftërisë? (Ngaqë priftëria i përket Perëndisë, ajo mund të jepet vetëm sipas vullnetit të Tij. Perëndia përcakton mënyrën në të cilën mund të fitohet priftëria.)

  • Sipas vargjeve 21–23, përse Simoni nuk mund ta merrte ende priftërinë? Si mendoni ju, në çfarë mënyrash zemra e Simonit nuk ishte “e drejtë përpara Perëndisë”? (vargu 21).

  • Çfarë mund të mësojmë nga ky rrëfim rreth marrjes së priftërisë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Priftëria jepet sipas vullnetit dhe standardeve të Perëndisë për denjësinë. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

  • Si mendoni ju, përse është e rëndësishme të dimë që priftëria jepet mbi individët vetëm sipas vullnetit dhe standardeve të Perëndisë për denjësinë?

Përmblidhni Veprat e Apostujve 8:25 duke shpjeguar se Pjetri dhe Gjoni e predikuan ungjillin në shumë fshatra samaritane.

Veprat e Apostujve 8:26–40

Filipi jep mësim dhe pagëzon një zyrtar etiopas

Kërkojuni studentëve të mendojnë për situata në të cilat ata kanë pasur nevojë ose do të kishin nevojë për dikë që t’i udhërrëfente.

  • Cilat janë disa situata në të cilat ju mund të jeni një udhërrëfyes për dikë tjetër? (Ju mund t’i ftoni studentët të mendojnë për vendmbërritjet ose temat për të cilat kanë njohuri apo talentet që kanë zhvilluar.)

Ftojini studentët që teksa studiojnë pjesën e mbetur të Veprave të Apostujve 8 të kërkojnë një mënyrë të rëndësishme në të cilën ata mund të jenë një udhërrëfyes për të tjerët.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 8:26–28. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar përse Filipi shkoi në Gaza.

  • Përse shkoi Filipi në Gaza?

  • Kush po udhëtonte gjithashtu në zonën ku ishte Filipi? (Një eunuk etiopas. Shpjegoni se një eunuk ishte një zyrtar në oborrin e një mbreti ose të një mbretëreshe [shih Bible Dictionary, “Eunuch”].)

  • Çfarë po bënte zyrtari etiopas në karrocën e tij? (Po lexonte nga fjalët e Isaias.)

Vendosini dy karrige përballë njëra-tjetrës përpara klasës. Kërkojuni dy vullnetarëve që të interpretojnë rolet e zyrtarit etiopas dhe Filipit në rrëfimin që vijon. (Ju mund të doni t’i caktoni këto role përpara orës mësimore dhe t’i ftoni këta studentë të përgatiten për t’i interpretuar me role pjesët e tyre.) Kërkojini studentit që luan zyrtarin etiopas, të ulet në njërën nga karriget dhe studentit që luan Filipin, të qëndrojë më këmbë pranë derës. Ftojeni një student të tretë të kryejë rolin e tregimtarit.

Kërkojuni këtyre studentëve të lexojnë me zë të lartë nga Veprat e Apostujve 8:29–39 dhe të interpretojnë rolet e tyre përkatëse. Vëreni klasën të shohë se çfarë ndodhi midis Filipit dhe zyrtarit etiopas. Teksa studentët lexojnë e interpretojnë me role pjesët e tyre, bëni sa vijon:

  1. Pasi tregimtari lexon vargjet 32–33, ftojini studentët të marrin parasysh ta shkruajnë Isaian 53:7–8 si referencë-kryq në shkrimet e tyre të shenjta pranë Veprave të Apostujve 8:32–33.

  2. Pasi tregimtari lexon vargun 35, kërkojini studentit që luan rolin e Filipit t’i shpjegojë klasës se çfarë do të jepte mësim ai ose ajo rreth Shpëtimtarit në këtë situatë. (Ju gjithashtu mund të doni ta ftoni klasën të bëjë sugjerime.)

  3. Kur tregimtari lexon vargun 38, me mirësjellje u kërkoni vullnetarëve të mos e interpretojnë me role kryerjen e pagëzimit.

Pasi vullnetarët ta kenë mbaruar këtë veprimtari, falënderojini ata dhe ftojini të kthehen në vendet e tyre.

  • Sipas vargut 29, përse Filipi shkoi te karroca e zyrtarit etiopas?

  • Sipas vargut 31, çfarë tha se kishte nevojë zyrtari me qëllim që t’i kuptonte shkrimet e Isaias?

  • Sipas vargjeve 35–38, si ishte Filipi një udhërrëfyes për zyrtarin?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga përvoja e Filipit rreth rezultateve të mbajtjes vesh të nxitjeve nga Perëndia? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që është e qartë se kur ua vëmë veshin nxitjeve nga Perëndia, ne mund të marrim mundësi për të ndihmuar në udhërrëfimin e të tjerëve drejt Jezu Krishtit. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

Jepuni studentëve kopje të fletushkës vijuese. Ftojini studentët të ndjekin udhëzimet në fletushkë dhe të mendojnë për mënyra se si mund të ndihmojnë për ta udhërrëfyer dikë drejt Jezu Krishtit. Shpjegoni se ata do të kenë mundësinë t’ia tregojnë klasës atë që shkruajnë.

Pamja
fletushkë

Udhërrëfimi i të Tjerëve drejt Jezu Krishtit

Manual i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 87

Përzgjidhni një nga situatat vijuese:

  • Një i ri me të cilin jeni shok, i përket një kishe tjetër të krishterë. Një ditë gjatë drekës, ju ndieni nxitjen që të flisni me të rreth Kishës.

  • Teksa ktheheni më këmbë nga shkolla në shtëpi, ju shihni një të re që po qan. E njihni atë si një anëtare të lagjes suaj, e cila nuk e ka frekuentuar ndonjë mbledhje të kishës për disa vjet. Ju ndieni nxitjen që t’i flisni asaj. Ndërkohë që përpiqeni ta ngushëlloni, ajo përshkruan sfidat e veta dhe pyet: “Përse s’mund të jem thjesht e lumtur?”

  • Nëna e një të riu me të cilin jeni lidhur në një faqe të medias shoqërore, ndërroi jetë kohët e fundit. Ju ndiheni të nxitur t’i përgjigjeni komentit vijues që ai bëri kohët e fundit: “Ndihem vetëm pikërisht tani. Sa do të doja që dikush të më kuptonte.”

Në pjesën e pasme të kësaj flete letre apo në fletoren e klasës ose ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani se çfarë do të thoshit dhe do të bënit për ta udhërrëfyer këtë njeri drejt Jezu Krishtit. Në përshkrimin tuaj, përfshini përgjigjet për pyetjet vijuese:

  • Cilat të vërteta të ungjillit do të ndanit për ta udhërrëfyer këtë njeri drejt Jezu Krishtit?

  • Cili është një shkrim i shenjtë që ju mund ta ftonit këtë njeri ta studionte?

  • Çfarë do ta ftonit të bënte këtë njeri?

Pas një kohe të mjaftueshme, ndajini studentët në dyshe. Ftojini studentët t’u shpjegojnë partnerëve të tyre se çfarë shkruan dhe përse ata do ta ndërmerrnin atë veprim. Më pas, ftojini disa studentë t’i shpjegojnë tërë klasës atë që shkruan. Ju mund të merrni parasysh t’i ftoni studentët që zgjodhën njërin prej dy skenarëve të parë për ta interpretuar me role atë që ata do të thonin dhe bënin në këto situata, duke luajtur me ju individin që po përpiqen ta ndihmojnë. (Nëse e bëni këtë, jepuni studentëve një minutë që të përgatiten përpara se t’i ftoni ata të interpretojnë me role skenarin me ju.) Më pas bëjini klasës pyetjet vijuese:

  • Kur dhe si keni ndihmuar për t’ia rrëfyer dikujt udhën drejt Jezu Krishtit?

  • Kur dhe si ju ka ndihmuar dikush për t’jua rrëfyer udhën drejt Jezu Krishtit?

Nxitini studentët t’ua vënë veshin nxitjeve nga Perëndia, që ata të mund të drejtohen tek individë të cilët mund t’i ndihmojnë për t’i udhërrëfyer drejt Jezu Krishtit. Ftojini studentët të përsiatin çfarë mund të bëjnë në ditët e ardhshme për të ndihmuar në udhërrëfimin e dikujt që e njohin drejt Jezu Krishtit. Nxitini studentët t’i raportojnë klasës atë që përjetojnë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Veprat e Apostujve 8:18–23. Marrja dhe përdorimi i priftërisë

Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë, shpjegoi se mënyra sipas së cilës merret fuqia e priftërisë, është e ndryshme nga mënyra sipas së cilës merret fuqia e botës:

“Më e madhja e të gjitha fuqive, fuqia e priftërisë, nuk merret sipas mënyrës që fuqia përdoret në botë. Ajo nuk mund të blihet apo shitet. … Shumë prej jush i vështroni dhe i admironi në futboll lojtarët e mbrojtjes, lojtarët e fuqishëm sulmues dhe lojtarët e qendrës, si edhe njerëzit që zotërojnë pasuri, famë dhe fuqi politike e ushtarake. Fuqia e botës shpesh vihet në punë pa mëshirë. Megjithatë, fuqia e priftërisë zgjohet vetëm nëpërmjet atyre parimeve të drejtësisë me anë të të cilave qeveriset priftëria” (“Power of the Priesthood”, Ensign, maj 1997, f. 43).

Presidenti Gordon B. Hinkli shpalli:

“Denjësia vetjake bëhet standardi i të drejtës për ta marrë dhe ushtruar këtë fuqi të shenjtë” (“Personal Worthiness to Exercise the Priesthood”, Ensign, maj 2002, f. 52).

Veprat e Apostujve 8:27–38. Udhërrëfimi i të tjerëve drejt Jezu Krishtit

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim për rëndësinë e të ndihmuarit për t’i udhërrëfyer të tjerët drejt Shpëtimtarit:

“Për secilin prej nesh të ‘vij[më] te Krishti’ [DeB 20:59], të zbatojmë urdhërimet e Tij dhe ta ndjekim shembullin e Tij për t’u kthyer tek Ati, është sigurisht qëllimi më i lartë dhe më i shenjtë i ekzistencës njerëzore. Për t’i ndihmuar të tjerët gjithashtu ta bëjnë atë – për t’u dhënë mësim atyre, për t’i bindur dhe udhëhequr ata plot lutje që edhe ata të ecin në atë shteg të shëlbimit – sigurisht ajo duhet të jetë detyra e dytë më e rëndësishme në jetën tonë. Ndoshta kjo është përse Presidenti Dejvid O. Mek-Kei njëherë tha: ‘Asnjë përgjegjësi më e madhe nuk mund të qëndrojë me ndonjë burrë [ose grua] sesa të jetë një mësues/e e fëmijëve të Perëndisë’ [në Conference Report, tetor 1916, f. 57]” (“A Teacher Come from God”, Ensign, maj 1998, f. 25).