Biblioteka
Mësimi i Studimit në Shtëpi: Mateu 1–5 (Njësia 2)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Mateu 1–5 (Njësia 2)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja vijuese e ngjarjeve, doktrinave dhe parimeve që studentët mësuan kur studiuan Mateun 1–5 (njësia 2), nuk ka për qëllim të jepet si pjesë e mësimit tuaj. Mësimi që jepni, përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë, teksa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (Mateu 1–2)

Ndërsa studentët studiuan për gjenealogjinë e Shpëtimtarit, ata mësuan se Jezu Krishti është Biri hyjnor i Atit Qiellor dhe Maries. Nga shembulli i Dijetarëve që erdhën ta adhuronin Jezusin, studentët mësuan se nëse e kërkojmë me sinqeritet dhe zell Shpëtimtarin, ne do të udhëhiqemi për tek Ai. Duke lexuar për atë se si Jozefi u frymëzua që ta merrte familjen e tij dhe të largoheshin për në Egjipt për siguri, studentët zbuluan se nëse jemi të ndjeshëm ndaj Shpirtit, ne mund të marrim zbulesë dhe udhërrëfim.

Dita 2 (Mateu 3)

Ndërsa studentët lexuan për Gjon Pagëzorin dhe pagëzimin e Jezu Krishtit, ata mësuan të vërtetat vijuese: Ne i tregojmë pendim të vërtetë Zotit, kur i ndryshojmë dëshirat dhe veprimet tona për të ndjekur mësimet e Tij. Pagëzimi me anë të zhytjes nga një person që mban autoritetin është thelbësor për shpëtimin. Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë janë tri Qenie të dallueshme dhe të veçanta.

Dita 3 (Mateu 4)

Ndërsa studentët lexuan për përgjigjen e Shpëtimtarit ndaj tundimeve të djallit, ata mësuan se kur i sjellim ndërmend dhe i zbatojmë të vërtetat e mësuara në shkrimet e shenjta, ne mund t’u bëjmë ballë tundimeve të djallit. Ata gjithashtu mësuan se Jezu Krishti sjell dritë në jetën e atyre që janë në errësirë. Kur studentët lexuan për Pjetrin, Andrean, Jakobin dhe Gjonin, ata zbuluan të vërtetën vijuese: Nëse ne i përgjigjemi menjëherë ftesave të Shpëtimtarit për ta ndjekur Atë, Ai mund të bëjë që të arrijmë më shumë në jetën tonë sesa do të mundeshim ne me forcat tona vetjake.

Dita 4 (Mateu 5)

Në këtë mësim studentët lexuan një pjesë të Predikimit në Mal të Shpëtimtarit. Nga ky predikim, ata mësuan të vërtetat vijuese: Ndërsa zhvillojmë cilësi si të Krishtit, ne do të gjejmë lumturi më të madhe. Bërja i ndotur nga mëkatet e botës mund të na pengojë nga të qenit një bekim për të tjerët. Shembulli ynë i drejtë mund t’i nxitë të tjerët t’i afrohen më pranë Atit Qiellor. Studentët gjithashtu mësuan për ligjin më të lartë që Jezu Krishti u mësoi dishepujve të Tij.

Hyrje

Ky mësim mund t’i ndihmojë studentët të kuptojnë atë se çfarë duhet të bëjmë për t’u bërë të përsosur si Ati ynë në Qiell. Përveç kësaj, ndërsa studentët rishikojnë ligjet më të larta të Zotit, ata mund të marrin parasysh mënyra si ta përmirësojnë atë se si i binden urdhërimeve të Zotit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mateu 5:17–48

Jezu Krishti i mëson dishepujt e Tij se si të bëhen të përkryer si Ati Qiellor

Përpara fillimit të orës mësimore, shkruajeni pyetjen vijuese në tabelë: Cili urdhërim mendoni se është më i vështiri për njerëzit që ta mbajnë? Kur të fillojë ora mësimore, kërkojuni studentëve t’i përgjigjen pyetjes. Renditini përgjigjet e tyre në tabelë.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 5:48. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar një urdhërim që është i vështirë për t’u mbajtur. Ju mund të doni të lexoni Përkthimin prej Joseph Smith-it të Mateut 5:48, që thotë: “Jeni urdhëruar, pra, të jeni të përkryer, madje ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej”.

  • Si ju bën të ndiheni urdhërimi për të qenë të përkryer?

  • Çfarë mendoni se do të thotë të jesh i përkryer?

Shpjegoni që fjala “i përkryer” u përkthye nga një fjalë greke që do të thotë “i plotësuar”, “i mbaruar” ose “i zhvilluar plotësisht”. Pyeteni klasën se si kjo i ndihmon ata ta kuptojnë më mirë këtë varg. Shpjegoni se që të bëhesh i përmbushur ose plotësisht i zhvilluar do të thotë të bëhesh si Ati Qiellor.

Teksa studentët vazhdojnë me studimin vetjak të Predikimit në Mal të Shpëtimtarit te Mateu 5, ftojini që të kërkojnë parime të cilat duhet t’i zbatojnë në mënyrë që të përparojnë drejt të bërit të përsosur si Ati ynë Qiell.

Përmblidheni Mateun 5:17–20 duke shpjeguar se Shpëtimtari dha mësim se Ai erdhi për ta përmbushur ligjin e Moisiut, jo për ta shkatërruar ose për t’i dhënë fund ndonjë prej të vërtetave të përjetshme në ligjin e Moisiut. Jezu Krishti rivendosi plotësinë e ungjillit që kishte humbur për shkak të ligësisë dhe braktisjes, korrigjoi mësime të rreme dhe përmbushi profecitë e bëra nga profetët e Dhiatës së Vjetër. Përfundimisht, si pjesë e Rivendosjes së plotësisë së ungjillit, disa aspekte të ligjit të Moisiut u ndërprenë, të tilla si rrethprerja dhe flijimi i kafshëve.

Shpjegoni që Mateu 5:21–48 përfshin mësimet e Shpëtimtarit për ligje dhe tradita të ndryshme që judenjtë i kishin krijuar ose shtuar nën ligjin e Moisiut. Kur Jezu Krishti shpjegoi kuptimin e vërtetë të ligjeve, Ai dha mësim një mënyrë më të lartë drejtësie. Anëtarët e mbretërisë së Tij duhet ta jetojnë këtë ligj më të lartë. Këto ligje më të larta siguruan udhërrëfim për t’i ndihmuar dishepujt e Jezu Krishtit të shmangnin shkeljen e urdhërimeve të Perëndisë.

Për t’i ndihmuar studentët të kujtojnë disa nga ato që mësuan për ligjin më të lartë në mësimin e tyre të studimit në shtëpi, ju mund të doni t’i shkruani fjalitë vijuese në tabelë: Nuk do të vrasësh. Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore.

Kërkojuni studentëve që të shpjegojnë atë që Jezu Krishti u mësoi dishepujve të Tij për këto ligje. (Nëse studentëve nuk u kujtohet, ftojini që t’i referohen përkatësisht Mateut 5:21–26 dhe Mateut 5:27–30.)

  • Cilat janë disa rreziqe të mos kontrollimit të zemërimit vetjak?

  • Përse është e rëndësishme t’i kontrollojmë mendimet tona?

Përmblidheni Mateun 5:31–37 duke shpjeguar se Zoti dha mësim për divorcin, martesën dhe bërjen e betimeve.

Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur një student tjetër në shkollë thotë gjëra të tmerrshme e jo të mira për ta. Pyetini studentët se si do të përgjigjeshin.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 5:38. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që na mësoi ligji i Moisiut rreth dënimit të individëve për mëkatet ose shkeljet e tyre. Kërkojuni atyre të raportojnë atë që gjejnë. Shpjegoni se fraza “sy për sy dhe dhëmb për dhëmb” do të thotë që nën ligjin e Moisiut, dënimi duhej të përputhej me seriozitetin e shkeljes.

Ndajeni klasën në dyshe. Ftojeni njërin partner të lexojë Mateun 5:39–42 dhe të dytin të lexojë Mateun 5:43–47. Vërini që të kërkojnë ligjin më të lartë. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve që t’i diskutojnë pyetjet vijuese me partnerët e tyre (ju mund të doni që t’i paraqitni këto pyetje në tabelë ose t’i jepni në një fletushkë):

Sipas Shpëtimtarit, cili është ligji më i lartë?

Si na mëson ky ligj më i lartë për mënyrën se si duhet të veprojmë ndaj atyre që na lëndojnë?

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës.

Ftojeni një student ta rilexojë me zë të lartë Mateun 5:45. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që do të ndodhë nëse i duam armiqtë tanë dhe u bëjmë të mirë atyre që na urrejnë.

  • Çfarë do të ndodhë nëse i duam armiqtë tanë dhe u bëjmë të mirë atyre që na urrejnë?

  • Duke e ditur se jemi të gjithë fëmijë shpirtërorë të Perëndisë, çfarë mendoni se do të thotë në këtë varg që të jemi fëmijë të Atit tonë në Qiell? (Do të thotë të jemi si Ai dhe të bëhemi trashëgimtarë të mbretërisë së Tij.)

  • Si e dha Shpëtimtari shembullin e të dashurit të armiqve të Tij dhe të të bërit të mirë të tjerëve gjatë jetës së Tij?

Ftojini studentët të reflektojnë për atë që kanë mësuar te Mateu 5 rreth asaj që duhet të bëjmë për t’u bërë të përkryer si Ati Qiellor.

  • Cilat janë disa gjëra që duhet të bëjmë për t’u bërë të përkryer si Ati ynë në Qiell? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me vijuesin: Kur i ndjekim mësimet dhe urdhërimet e Shpëtimtarit, ne mund të bëhemi të përsosur si Ati ynë në Qiell.)

Kujtojuni studentëve se është vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit dhe nga Hiri i Tij që ne mund të bëhemi të përkryer (shih Moroni 10:32).

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë procesin e të bërit të përkryer, ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Rasëll M. Nelson

“Ne nuk ka nevojë të zhgënjehemi nëse përpjekjet tona të zellshme drejt përsosjes tani duken kaq të mundimshme [të vështira] dhe të pafundme. Përsosja është duke pritur. Mund të vijë e plotë vetëm pas Ringjalljes dhe vetëm nëpërmjet Zotit. I pret të gjithë ata që e duan Atë dhe i zbatojnë urdhërimet e Tij” (“Perfection Pending”, Ensign, nëntor 1995, f. 88).

  • Sipas Plakut Nelson, kur do ta arrijmë ne përsosjen?

  • Si mund ta ndihmojë kjo thënie dikë që ndihet i sfilitur dhe i shkurajuar nga papërsosmëritë e tija apo të saja?

Nxitini studentët të vazhdojnë t’u binden urdhërimeve të Perëndisë, në mënyrë që përfundimisht të mund të bëhen si Ati ynë Qiellor.

Njësia Tjetër (Mateu 6:1–13:23)

Për të ndihmuar në përgatitjen e studentëve për njësinë tjetër, ftojini të marrin parasysh pyetjet vijuese: Cili është Rregulli i Artë? Çfarë dha mësim Zoti rreth të gjykuarit të të tjerëve? Çfarë u ndodh atyre që u shërbejnë dy zotërinjve? Çfarë iu desh njerëzve që të bënin për t’u shëruar nga Shpëtimtari? Shpjegoni se në njësinë tjetër studentët do të kenë mundësinë që të mësojnë përgjigjet e këtyre pyetjeve, si edhe të mësojnë rreth porosisë së Shpëtimtarit për Apostujt e Tij.