Biblioteka
Mësimi 88: Veprat e Apostujve 9


Mësimi 88

Veprat e Apostujve 9

Hyrje

Jezusi i shfaqet Saulit teksa udhëtonte për në Damask, përvojë pas së cilës Sauli u verbua. Pasi Anania e shëroi, Sauli u pagëzua dhe filloi predikimin në Damask. Tri vjet më vonë, Sauli shkoi në Jerusalem, por kur jeta e tij u kërcënua, Apostujt e dërguan atë në Tars. Pjetri kreu mrekulli në Lida dhe Jopa.

Sugjerime për Mësimdhënien

Veprat e Apostujve 9:1–9

Jezusi i shfaqet Saulit në rrugën për në Damask

Shkruani në tabelë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. (Kjo thënie gjendet në artikullin “The Best Is Yet to Be”, Ensign ose Liahona, janar 2010, f. 25–26.)

“Ka diçka brenda shumë prej nesh që në mënyrë të veçantë nuk ia del mbanë të falë dhe të harrojë gabimet e mëparshme në jetë – qofshin ato gabimet tona ose gabimet e të tjerëve. …

Lërini njerëzit të pendohen. Lërini njerëzit të rriten. Besoni që njerëzit mund të ndryshojnë dhe të përmirësohen” (Plaku Xhefri R. Holland).

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien në tabelë. Më pas, pyeteni klasën:

  • Cilat janë disa situata në të cilat do të ishte e rëndësishme që t’i lejojmë të tjerët të ndryshojnë, të përmirësohen dhe të besojnë se ata mund ta bëjnë këtë gjë?

  • Cilat janë disa situata në të cilat do të ishte e rëndësishme të besojmë se ne mund të ndryshojmë dhe të përmirësohemi?

Ftojini studentët të kërkojnë të vërteta teksa studiojnë Veprat e Apostujve 9, që të mund të mësojmë nga përvoja e dikujt që ndryshoi dhe u përmirësua.

Shpjegoni se shumica e tekstit të Veprave të Apostujve 9 përqendrohet te përvojat e një burri të quajtur Saul. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë përshkrimin vijues të Saulit:

Sauli u lind në qytetin grek të Tarsit (shih Veprat e Apostujve 21:39) dhe kishte nënshtetësi romake (shih Veprat e Apostujve 16:37). Ai ishte një jude nga linja e prejardhjes së Beniaminit (shih Romakëve 11:1) dhe ishte arsimuar në Jerusalem nga Gamalieli (shih Veprat e Apostujve 22:3), një farise i mirënjohur dhe mësues i respektuar i ligjit judeas (shih Veprat e Apostujve 5:34). Sauli u bë një farise (shih Veprat e Apostujve 23:6) dhe foli një “gjuhë hebraike” (ndoshta aramaike) dhe greqisht (shih Veprat e Apostujve 21:37, 40). Ai u njoh më vonë me emrin e tij në latinisht, Pali (shih Veprat e Apostujve 13:9). (Shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Pal”, f. 138.)

Kujtojuni studentëve që Sauli ishte i pranishëm në vrasjen me gurë të Stefanit (shih Veprat e Apostujve 7:58–59). Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 8:1–3 dhe një student tjetër të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 9:1–2. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si Sauli i trajtoi pasuesit e Jezu Krishtit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 9:3–6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që ndodhi teksa Sauli udhëtonte për në Damask.

  • Kush iu shfaq Saulit?

Vini në dukje frazën “të godasësh me shkelm kundër gjembave” te vargu 5. Shpjegoni se një gjemb i drejtohet një hosteni ose një shkopi të mprehtë, të përdorur për t’i bërë kafshët të ecin (nëse është e mundur, tregojuani studentëve një shkop me maja). Në këtë rast, të “godasësh me shkelm kundër gjembave” do të thotë të luftosh kundër Perëndisë.

Ftojini studentët të marrin parasysh që ta shenjojnë pyetjen e Saulit të shënuar te vargu 6.

  • Çfarë na mëson pyetja e Saulit rreth tij? (Ai dëshironte t’i nënshtrohej vullnetit të Zotit.)

Përmblidhni Veprat e Apostujve 9:7–9 duke shpjeguar se ata që udhëtonin me Saulin e panë dritën, por nuk e dëgjuan zërin e Jezusit teksa Ai i fliste Saulit (shih Përkthimi prej Joseph Smith-it, Veprat e Apostujve 9:7 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, Veprat e Apostujve 9:7]; Veprat e Apostujve 22:9). Pas vegimit, Sauli ishte fizikisht i verbër. Ai u çua në Damask dhe as nuk hëngri as nuk piu për tri ditë.

  • Përfytyroni sikur jeni Sauli. Nëse i kishit përndjekur egërsisht dishepujt e Jezu Krishtit, çfarë mund të mendonit dhe ndienit gjatë kësaj kohe?

Veprat e Apostujve 9:10–22

Sauli shërohet nga Anania i Damaskut, pagëzohet dhe predikon rreth Jezu Krishtit

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 9:10–12. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë e drejtoi Zoti që të bënte Ananian, një anëtar të Kishës në Damask.

  • Çfarë e drejtoi Zoti të bënte Ananian?

Vini në dukje se qëllimi fillestar i Saulit për të shkuar në Damask ishte që të arrestonte njerëz si Anania.

  • Nëse ishit Anania dhe e njihnit famën e Saulit, çfarë mund të kishit menduar pasi ta merrnit këtë udhëzim nga Zoti?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 9:13–16. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti i mësoi Ananias rreth Saulit.

  • Si ndryshonte këndvështrimi i Zotit për Saulin nga këndvështrimi i Ananias për Saulin?

  • Sipas vargut 15, çfarë e kishte zgjedhur Zoti Saulin të ishte dhe të bënte? (Mund të jetë mirë të vini në dukje se fraza “vegla që unë kam zgjedhur” mund t’i drejtohet faktit që Sauli u parashugurua për shërbesën e tij.)

  • Sipas vargut 16, edhe pse Sauli do të ishte një vegël e zgjedhur nga Zoti, çfarë do të përjetonte ai?

  • Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga këto vargje rreth mënyrës se si na sheh Zoti? (Studentët mund të zbulojnë një larmi të vërtetash, por sigurohuni që të theksoni se Zoti na sheh siç mund të bëhemi dhe Zoti e sheh potencialin tonë për ta ndihmuar Atë në punën e Tij. Shkruajini këto të vërteta në tabelë.)

Ftojini studentët të përsiatin se si origjinat e tyre individuale, tiparet e karakterit dhe aftësitë e tyre mund të përdoren për ta ndihmuar Zotin në punën e Tij. Kërkojuni atyre t’i shënojnë mendimet e tyre në fletoren e klasës ose ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 9:17–20. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që bëri Anania pasi Zoti e ndihmoi të kuptonte potencialin e Saulit dhe misionin e tij të ardhshëm.

  • Çfarë bëri Anania për Saulin?

  • Sipas vargut 20, çfarë bëri Sauli “menjëherë” ose pa humbur kohë, pasi u pagëzua dhe mori forcë?

Vini në dukje që pendimi, pagëzimi dhe predikimi i Saulit treguan besimin e tij në Jezu Krishtin dhe nënshtrimin e tij ndaj vullnetit të Zotit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 9:21–22. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si njerëzit iu përgjigjën predikimit të Saulit.

  • Si iu përgjigjën njerëzit predikimit të Saulit?

  • Përse u habitën njerëzit teksa dëgjonin Saulin?

Kujtojuni studentëve se pyetja që Sauli i bëri Jezusit, e shënuar te Veprat e Apostujve 9:6, tregoi përulësinë e tij dhe dëshirën e tij për t’iu nënshtruar vullnetit të Zotit.

  • Sikurse Sauli, çfarë duhet të bëjmë ne që të ndryshojmë dhe që ta përmbushim potencialin që Zoti sheh brenda nesh? (Duke përdorur fjalët e studentëve, shkruajeni në tabelë parimin vijues: Nëse i nënshtrohemi vullnetit të Zotit, atëherë ne mund të ndryshojmë dhe mund ta përmbushim potencialin që Ai sheh brenda nesh.)

Ftojini dy vullnetarë të dalin përpara klasës. Jepini një studenti plastelinë të butë dhe jepini një studenti tjetër plastelinë të ngurtësuar. (Nëse nuk gjeni plastelinë, ftojini studentët të përfytyrojnë se po e bëjnë këtë veprimtari, pastaj bëjuni pyetjet që vijnë pas veprimtarisë.) Jepuni vullnetarëve rreth 30 sekonda që të krijojnë diçka që e zgjedhin vetë duke përdorur plastelinën e tyre. Nëse studenti me plastelinën e ngurtësuar thotë që është shumë e vështirë, nxiteni atë që të vazhdojë të përpiqet.

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini vullnetarët që të paraqesin atë që krijuan. Pyeteni studentin/en që iu dha plastelina e ngurtësuar:

  • Përse ishte e vështirë të bëje një skulpturë të diçkaje me plastelinën tënde?

Falënderojini vullnetarët dhe ftojini të kthehen në vendet e tyre. Pyeteni klasën:

  • Si mund të krahasohet plastelina e ngurtësuar me dikë që nuk i është nënshtruar vullnetit të Zotit?

  • Si mund të krahasohet plastelina e butë me dikë që i është nënshtruar vullnetit të Zotit?

  • Si ju ka ndihmuar ju ose të tjerët nënshtrimi ndaj Zotit që të ndryshoni dhe që ta përmbushni potencialin që Zoti sheh brenda jush ose brenda tyre?

Lexoni me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson:

Pamja
Presidenti Ezra Taft Benson

“Një [njeri] nuk mund të bëjë pyetje më të rëndësishme në jetën e tij [ose të saj] sesa ajo që bëri Pali: ‘… Zot, ç’don ti të bëj unë?’” (“Listen to a Prophet’s Voice”, Ensign, janar 1973, f. 57).

Ftojini studentët të përsiatin pyetjen “Zot, ç’don ti të bëj unë?” Ftojini të shënojnë ndonjë nxitje që marrin. Pas një kohe të mjaftueshme, lexoni me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Benson:

“Një [person] nuk mund të ndërmarrë veprim më të madh sesa të ndjekë një udhë që do t’i sjellë atij [ose asaj] përgjigje ndaj asaj pyetjeje dhe më pas ta vërë në veprim atë përgjigje” (“Listen to a Prophet’s Voice”, f. 57).

Nxitini studentët të vazhdojnë të kërkojnë një përgjigje ndaj kësaj pyetjeje dhe të veprojnë sipas ndonjë nxitjeje që marrin.

Veprat e Apostujve 9:23–31

Jeta e Saulit kërcënohet në Jerusalem dhe Apostujt e dërgojnë atë në Tars

Vini në dukje që pas kthimit të Saulit në besim, ai banoi në Arabi dhe më vonë u kthye në Damask (shih Galatasve 1:17). Përmblidhni Veprat e Apostujve 9:23–26 duke shpjeguar se judenjtë në Damask komplotuan për ta vrarë Saulin, por anëtarët e Kishës e ndihmuan të largohej nga qyteti. Tri vjet pas kthimit të tij në besim (shih Galatasve 1:18), Sauli u kthye në Jerusalem, ku anëtarët e Kishës kishin frikë ta pranonin ngaqë nuk besonin që ai ishte bërë një dishepull i Jezu Krishtit.

  • Si mendoni, përse disa anëtarë të Kishës ngurronin ta pranonin që Sauli ishte bërë një dishepull i Jezu Krishtit?

Përmblidhni Veprat e Apostujve 9:27–31 duke shpjeguar se Barnaba, një anëtar i Kishës (shih Veprat e Apostujve 4:36–37), e solli Saulin tek Apostujt dhe u tregoi atyre për vegimin e Saulit dhe për predikimin e tij të guximshëm në Damask. Atëherë anëtarët e Kishës e mirëpritën Saulin në shoqërimin e tyre. Kur judenjtë grekë në Jerusalem kërkuan ta vrisnin Saulin, udhëheqësit e Kishës e dërguan atë në Tars. Kisha përjetoi paqe dhe rritje në Jude, Galile dhe Samari.

Veprat e Apostujve 9:32–43

Pjetri kryen mrekulli në Lida dhe Jopa

Ndajini studentët në dyshe. Kërkojini një studenti në çdo dyshe të lexojë Veprat e Apostujve 9:32–35 dhe studentit tjetër të lexojë Veprat e Apostujve 9:36–42. Ftojini studentët të kërkojnë mrekullitë që kreu Pjetri dhe mënyrën se si u përgjigjën njerëzit. Shpjegoni se lëmosh[a] (vargu 36) është ushtrimi i dhënies së ofertave të varfërve.

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të diskutojnë në dyshet e tyre mrekullitë që kreu Pjetri dhe mënyrën se si u përgjigjën njerëzit. Më pas, pyeteni klasën:

  • Sipas vargjeve 35 dhe 42, si iu përgjigjën njerëzit në Lida dhe njerëzit në Jopa shërbesës së Pjetrit?

  • Çfarë mund të mësojmë nga përgjigjet e tyre rreth ndikimeve të mundshme të shërbesës ndaj njerëzve të tjerë? (Duke përdorur fjalët e studentëve, shkruajeni në tabelë parimin vijues: Duke u kryer shërbesë njerëzve të tjerë, ne mund t’i ndihmojmë njerëzit të kthehen te Zoti dhe të besojnë në Të.)

Shpjegoni që dhënia e bekimeve të priftërisë është një mënyrë për t’u kryer shërbesë njerëzve të tjerë. Për t’i ndihmuar studentët të dallojnë mënyra shtesë që mund t’u japim shërbesë njerëzve të tjerë, pyetini:

  • Sipas vargjeve 36 dhe 39, si u dha shërbesë Tabitha njerëzve të tjerë?

  • Si mund t’i ndihmojë njerëzit që të kthehen te Zoti dhe të besojnë në Të, dikush që “bën shumë vepra të mira” (vargu 36) dhe që u shërben të tjerëve?

  • Kur ju kanë ndihmuar veprat e mira të dikujt tjetër ju ose njerëzit e tjerë që të ktheheni te Zoti dhe të besoni në Të?

Mbylleni duke ndarë dëshminë tuaj për të vërtetat e dhëna në këtë mësim.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Veprat e Apostujve 9:1–2. Autoriteti i Saulit për t’i sjellë anëtarët e Kishës të lidhur në Jerusalem

Sauli mori autoritet nga prifti i lartë në Jerusalem që të shkonte përtej Judesë dhe t’i sillte judenjtë në gjyq përpara sinedrit, të cilin prifti i lartë mund ta jepte ngaqë “romakët e lejonin sinedrin që të ushtronte juridiksion civil dhe kriminal (përveç rasteve të dënimit me vdekje) mbi të gjithë komunitetin judeas, edhe jashtë Palestinës” (J. R. Dummelow, red., A Commentary on the Holy Bible [1909], f. 831). Ngaqë ligji i Moisiut shërbente si ligji civil ashtu edhe si ligji fetar për judenjtë, të krishterët judeas mund të arrestoheshin si kriminelë. “Letrat” që mori Sauli ishin dokumente që përmbanin udhëzime që lidheshin me qëllimin e Saulit dhe vërtetimin e autoritetit të tij për ta kryer synimin e tij.

Veprat e Apostujve 9:1–22. Kthimi i Saulit në besim

Presidenti Harold B. Li shpjegoi se “Sauli i Tarsit ishte njëri prej atyre që kishin qenë të guximshëm dhe të përfshirë në mënyrë të ndërgjegjshme në përpjekjen për ta çrrënjosur krishterimin, që besonte se ishte një sekt që e përdhoste fjalën e Perëndisë” (në Conference Report, tetor 1946, f. 144). Megjithatë, përvoja me Shpëtimtarin e ringjallur bëri të ndodhte një ndryshim i fuqishëm brenda Saulit. Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se çfarë mund të ketë përjetuar Sauli gjatë tri ditëve të tij të verbërisë:

“Gjatë tri ditëve që [Sauli] nuk shihte, filloi shndërrimi i karakterit, i cili me kalimin e kohës do të ndryshonte historinë e krishterimit. Çfarë dhembjeje të shpirtit duhet të ketë ndier, çfarë zjarresh të ndërgjegjes, çfarë hidhërimi të perëndishëm për mëkatin, ndërkohë që e përuli veten në përgatitje për t’iu nënshtruar udhëzimit nga Anania” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 2:90).

Presidenti Hauard W. Hanter tha sa vijon rreth kthimit të Saulit në besim:

“Për ta bërë kthimin [e Saulit] të plotë, ai u pagëzua. Jeta e Palit u ndryshua. Është mbresëlënëse që burri, i cili mbante rrobën e vrasësve të Stefanit, që këtej e tutje u bë mbrojtësi kryesor i parimeve për të cilat vdiq Stefani. …

… Jeta e Palit ishte ndarë më dysh nga Rruga e Damaskut. Më parë, ai ishte një përndjekës i egër i krishterimit, por pas Rrugës së Damaskut ai ishte njëri prej përhapësve më të zjarrtë të tij” (në Conference Report, tetor 1964, f. 108–109).

Veprat e Apostujve 9:2. Përpjekjet e Saulit për të arrestuar pasuesit e Jezu Krishtit

Presidenti Dejvid O. Mek-Kei dha mësim rreth synimeve të Saulit që kërkonte të arrestonte pasuesit e Jezu Krishtit:

“Kaq i vendosur ishte ai që t’i jepte fund asaj që e mendonte të ishte një herezi, sa fitoi të drejtën si një oficer i sinedrit që të arrestonte pasuesit e Jezusit kudo që i gjente ata. Ai shkoi nga shtëpia në shtëpi, duke i tërhequr zvarrë burrat prej grave dhe fëmijëve të tyre. Ai arrestoi edhe gratë dhe i futi ato në burg! Sigurisht vajtimet dhe përgjërimet e dhimbshme të fëmijëve të vegjël duhet ta kenë copëtuar zemrën e tij të hidhur pothuajse më shumë sesa martirizimi i Stefanit besnik. Sigurisht, teksa i detyronte burrat e gratë të largoheshin nga shtëpitë e tyre, fytyrat e zbehta të fëmijëve të mbledhur kruspull dhe të qarat e tyre, që ta thyenin zemrën, duhet të kenë lënë gjurmë mbi mbresat e shpirtit të tij fanatik që do ta përulnin, në mos përndiqnin atë të gjitha ditët e jetës së tij! Vetëm një gjë mund t’i jepte atij ngushëllim në jetën e mëvonshme, ndërkohë që shihte pas tek ato përvoja të tmerrshme. Ishte kjo, sikurse e shpjegoi me vetë fjalët e tij: ‘Unë vetë mendova se ishte detyra ime të bëj shumë gjëra kundër emrit të Jezusit Nazarenas’ [Veprat e Apostujve 26:9]. Sauli ishte i sinqertë në atë që po bënte. Ai nuk besonte që Jezu Krishti ishte Biri i Perëndisë dhe mendonte se do të ishte e kënaqshme për Atin e tij në qiell që ta bënte çdo besimtar të Krishtit që ta mohonte emrin e Tij” (Ancient Apostles, bot. i 2-të [1921], f. 147–148).

Veprat e Apostujve 9:15–16. Zoti na sheh se si mund të bëhemi

Presidenti Tomas S. Monson u dha mësim anëtarëve të Kishës që t’i shohin individët sipas mënyrës që Zoti i sheh ata (shih “Shihini të Tjerët ashtu siç Mund të Bëhen”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 70).