Biblioteka
Mësimi 91: Veprat e Apostujve 13–14


Mësimi 91

Veprat e Apostujve 13–14

Hyrje

Pali (më parë i quajtur Saul) u nis në udhëtimin e tij të parë misionar me Barnabën si shoqëruesin e tij. Ata predikuan ungjillin dhe ngritën degë të Kishës në mes të përndjekjes së vazhdueshme. Kur judenjtë nuk e pranuan fjalën e Perëndisë, Pali dhe Barnaba u përqendruan në predikimin mes johebrenjve.

Sugjerime për Mësimdhënien

Veprat e Apostujve 13:1–13

Pali dhe Barnaba nisen në një udhëtim misionar dhe qortojnë një profet të rremë

Përpara orës mësimore, përgatitni një shenjë që thotë “Pa kundërshtim” dhe një shenjë tjetër që thotë “Kundërshtim i vazhdueshëm”. Vendosini në mure përkundruall të klasës.

Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë hapësirën midis shenjave si një shkallë që përfaqëson nivelin e kundërshtimit që has dikush kur përpiqet ta jetojë ungjillin. Ftojini studentët të qëndrojnë midis shenjave në vende që i mendojnë se tregojnë nivelin e kundërshtimit të përjetuar nga Moisiu. Kërkojuni disa studentëve të shpjegojnë zgjedhjet e tyre për vendndodhjen. Përsëriteni këtë ushtrim duke u kërkuar studentëve të qëndrojnë diku në këtë shkallë të kundërshtimit për Jozef Smithin dhe më pas për Nefin. Kërkojuni disa studentëve të shpjegojnë zgjedhjet e tyre për secilin. Ftojini studentët të kthehen në vendet e tyre.

Bëni të njohur që çdo dishepull i Jezu Krishtit do të hasë kundërshtim në kohë të ndryshme të jetës së tij ose të saj. Kërkojuni studentëve të mendojnë se ku do ta vendosnin veten përgjatë shkallës së kundërshtimit ndërkohë që janë përpjekur ta jetojnë ungjillin. Nxitini studentët që teksa studiojnë Veprat e Apostujve 13–14 të kërkojnë parime që mund të ndihmojnë për t’i udhëhequr ata kur hasin kundërshtim në përpjekjet e tyre për të jetuar me drejtësi.

Përmblidhni Veprat e Apostujve 13:1–6 duke shpjeguar se teksa profetë dhe mësues të caktuar u mblodhën në Antioki të Sirisë, ata morën drejtim nga Fryma e Shenjtë që Sauli (më vonë i njohur si Pali) dhe Barnaba duhej të thirreshin për ta predikuar ungjillin së bashku. Pasi u veçuan, Sauli dhe Barnaba udhëtuan nga Antiokia drejt ishullit të Qipros dhe predikuan në një sinagogë në qytetin Salamina. Që atje ata udhëtuan në anën tjetër të ishullit për në qytetin Pafo. (Ju mund të doni t’i ftoni studentët të gjejnë Antiokinë dhe Qipron në Hartat e Biblës, nr. 13, “Udhëtimet Misionare të Apostullit Pal”.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 13:6–8. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që ndodhi kur Sauli dhe Barnaba mbërritën në Pafo.

  • Sipas vargut 7, kush dëshiroi ta dëgjonte ungjillin nga Sauli dhe Barnaba? (Sergj Pali, që ishte prokonsulli romak i vendit.)

  • Çfarë kundërshtimi hasën misionarët në mësimdhënien e ungjillit për Sergj Palin?

Shpjegoni se duke filluar nga Veprat e Apostujve 13:9, Saulit i drejtohemi si Pali. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 13:9–12. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se si Pali veproi me kundërshtimin nga profeti i rremë Elimas.

  • Çfarë tha Pali rreth Elimasit te vargu 10? (Shpjegoni se Pali përdori fjalë të ashpra ngaqë Elimasi po përpiqej të mos e lejonte një njeri tjetër që ta merrte shpëtimin.)

  • Sipas vargut 11, çfarë i bëri Pali profetit të rremë nëpërmjet fuqisë së Perëndisë?

  • Sipas vargut 12, si ndikoi të dëshmuarit e fuqisë së Perëndisë te prokonsulli?

  • Çfarë mund të mësojmë nga ky rrëfim rreth fuqisë së Perëndisë të krahasuar me fuqinë e djallit? (Edhe pse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Fuqia e Perëndisë është shumë më e madhe se fuqia e djallit. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë të vërtetë në shkrimet e tyre të shenjta pranë Veprave të Apostujve 13:9–12.)

Ftojini studentët të përsiatin se si kuptueshmëria që fuqia e Perëndisë është shumë më e lartë sesa fuqia e djallit, mund të na ndihmojë kur hasim kundërshtim në jetën tonë. Ftojini disa studentë t’i ndajnë mendimet e tyre me klasën.

Veprat e Apostujve 13:14–43

Pali tregon historinë e izraelitëve dhe dëshmon që Jezu Krishti erdhi për të përmbushur premtimet e Perëndisë

Ftojini studentët të mendojnë për një gabim që kanë bërë, që ata do të dëshironin të mund të ktheheshin pas dhe ta fshinin. Shpjegoni se ndonjëherë kundërshtimi që hasim, ndodh për shkak të vetë zgjedhjeve tona mëkatare. Nxitini studentët të kërkojnë një parim teksa studiojnë Veprat e Apostujve 13:14–43, i cili mund t’i ndihmojë ata ta mposhtin këtë kundërshtim.

Përmblidhni Veprat e Apostujve 13:14–37 duke shpjeguar që Pali dhe Barnaba u larguan nga Qipro dhe lundruan për në Pamfili (në Turqinë e sotme), pas së cilës njëri prej shoqëruesve të tyre, Gjoni i quajtur Mark, vendosi t’i linte dhe të kthehej në shtëpi. Pali dhe Barnaba vazhduan udhën për në Antioki të Pisidisë (të mos ngatërrohet me Antiokinë në Siri, nga e cila e filluan misionin e tyre). Atje në Shabat, Pali qëndroi përpara njerëzve në sinagogë dhe ritregoi ngjarje nga historia izraelite. Pali më pas dëshmoi për Jezu Krishtin si Shpëtimtari i premtuar i Izraelit.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Veprat e Apostujve 13:26–34, duke kërkuar atë që Pali dha mësim rreth Jezu Krishtit.

  • Çfarë donte Pali që njerëzit në sinagogë të kuptonin rreth Jezu Krishtit?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 13:38–39. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë bekimi dha mësim Pali që ne mund ta marrim nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

  • Çfarë bekimi mund të marrim për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit? (Duke përdorur fjalët e studentëve, shkruajeni në tabelë të vërtetën vijuese: Ne mund të falemi për mëkatet tona dhe të shfajësohemi nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.)

Shpjegoni se fjala shfajësuar, siç përdoret në vargun 39, do të thotë “të falesh nga ndëshkimi për mëkatin dhe të shpallesh i pafajshëm” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shfajësim, Shfajësoj”, f. 176–177, scriptures.lds.org). Kur një njeri shfajësohet nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, marrëdhënia e tij ose e saj me Perëndinë bëhet përsëri siç duhet.

  • Si na lejon Shlyerja e Jezu Krishtit të shfajësohemi prej mëkateve tona?

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë doktrinën, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson

“Jezusi vuajti dhe e dha jetën e Tij për të shlyer mëkatin. Fuqia e Shlyerjes së Tij mund t’i fshijë pasojat e mëkatit brenda nesh. Kur pendohemi, hiri i Tij shlyes na shfajëson dhe na pastron (shih 3 Nefi 27:16–20). Është njësoj si të mos ishim dorëzuar, si të mos kishim rënë në tundim” (“That They May Be One in Us”, Ensign ose Liahona, nëntor 2002, f. 71).

  • Çfarë duhet të bëjmë që të falemi për mëkatet tona dhe të shfajësohemi nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit?

  • Cilët janë disa njerëz nga shkrimet e shenjta që u falën për mëkatet e tyre dhe u shfajësuan nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit? (Disa shembuj mund të përfshijnë Palin, Alma të Riun dhe Enosin.)

Ftojini studentët të këndojnë dy vargjet e para të himnit “Qëndroj Plot Habi” (Himne, nr. 113). Nxitini ata që teksa këndojnë, të kërkojnë mënyrën se si autori i himnit e shprehu mirënjohjen e tij për Shlyerjen e Shpëtimtarit dhe faljen.

Ftojini studentët t’i përgjigjen pyetjes vijuese në fletoren e klasës ose ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta apo në një fletë letre.

  • Çfarë ndjenjash keni kundrejt Jezu Krishtit kur mendoni se si Shlyerja e Tij e bën të mundur për ju që të faleni për mëkatet tuaja?

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të tregojnë atë që shkruan. Nxitini studentët të ndjekin ndonjë nxitje që mund të kenë marrë nga Fryma e Shenjtë për t’i ndihmuar ata të marrin falje dhe shfajësim nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Përmblidhni Veprat e Apostujve 13:40–43 duke shpjeguar që pas predikimit të Palit, shumë johebrenj i kërkuan Palit t’u jepte mësim sërish në Shabatin pasues.

Veprat e Apostujve 13:44–52

Pali dhe Barnaba predikojnë me guxim pavarësisht nga përndjekja në rritje

Shpjegoni se ditën tjetër të Shabatit, gati i tërë qyteti erdhi për t’i dëgjuar Palin dhe Barnabën të jepnin mësim fjalën e Perëndisë (shih Veprat e Apostujve 13:44).

Ndajini studentët në dyshe dhe ftojini të lexojnë së bashku Veprat e Apostujve 13:44–52. Udhëzojeni një student në secilën dyshe që të kërkojë sjelljet dhe veprimet e judenjve dhe një student tjetër të kërkojë sjelljet dhe veprimet e johebrenjve teksa njerëzit u mblodhën për të dëgjuar Palin dhe Barnabën. Nxitini studentët që gjithashtu të lexojnë Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it] në Biblën në anglisht te vargu 48, shënimi a në fund të faqes. Kur studentët ta kenë mbaruar leximin, kërkojini secilës dyshe të studentëve që të krahasojë e dallojë veprimet dhe sjelljet e judenjve me veprimet dhe sjelljet e johebrenjve.

  • Çfarë bekimesh u erdhën atyre që ishin të gatshëm të dëgjonin Palin dhe shoqëruesit e tij?

Veprat e Apostujve 14

Pali dhe Barnaba kryen mrekulli teksa predikonin ungjillin në mes të përndjekjes së vazhdueshme

Shkruajeni pyetjen vijuese në tabelë: Përse lejon Zoti që njerëz të mirë të përjetojnë sprova të vështira?

Ftojini studentët që teksa studiojnë Veprat e Apostujve 14 të kërkojnë një parim që mund t’i ndihmojë ata për të kuptuar një mënyrë se si t’i përgjigjen kësaj pyetjeje.

Shpjegoni se Veprat e Apostujve 14:1–21 përshkruajnë disa nga pikëllimet që Pali dhe Barnaba i duruan ndërkohë që vazhdonin të predikonin. Ftojeni disa studentë të lexojnë me zë të lartë vargjet vijuese dhe vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar pikëllimet që hasën misionarët.

  1. Veprat e Apostujve 14:1–2 (Judenjtë jobesimtarë i nxitin johebrenjtë kundër Palit dhe Barnabës.)

  2. Veprat e Apostujve 14:8–18 (Pasi Pali shëron një burrë të paralizuar, njerëzit në Listra mendojnë se Pali dhe Barnaba janë perëndi greke dhe përpiqen t’u ofrojnë atyre flijime.)

  3. Veprat e Apostujve 14:19–20 (Pali vritet me gurë dhe kthehet sërish në jetë.)

  • Çfarë pikëllimesh u desh të duronin Pali dhe Barnaba?

  • Çfarë mendimesh mund të kishit pasur po të kishit qenë me Palin dhe Barnabën gjatë këtyre sprovave?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 14:22. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali dha mësim rreth pikëllimit.

  • Çfarë parimi jep mësim Pali në këtë varg? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse kalojmë përmes pikëllimeve me besnikëri, ne do të përgatitemi që të hyjmë në mbretërinë çelestiale.)

  • Në çfarë mënyrash mendoni që durimi me besnikëri i pikëllimit mund të na përgatitë për mbretërinë çelestiale?

Kërkojuni studentëve të përsiatin bekime që u kanë ardhur atyre ose njerëzve që i njohin, ndërkohë që kanë kaluar me besnikëri përmes pikëllimit. Ftojini disa studentë të tregojnë përvojat e tyre. Kujtojuni studentëve që ata nuk duhet të tregojnë përvoja që janë tepër të shenjta ose vetjake. Merrni parasysh të tregoni vetë përvojat tuaja që mund ta ilustrojnë më tej këtë parim dhe të dëshmojnë për vërtetësinë e tij.

Nxitini studentët të përsiatin të vërtetat që përcaktuan nga Veprat e Apostujve 13 dhe 14 dhe të zgjedhin njërën që do t’i ndihmojë më shumë gjatë sprovave. Jepini një fletushkë të vogël shënimi ose një fletë letre secilit student dhe ftojini studentët të shkruajnë në fletushkë parimin që zgjodhën. Nxitini studentët ta vendosin atë atje ku do ta shohin shpesh (te një pasqyrë, në dollapin e tyre në shkollë e kështu me radhë) për t’iu dhënë forcë dhe nxitje kur hasin sprova.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Veprat e Apostujve 13:9. Sauli bëhet i njohur si Pali

“[Apoustulli Pal] u njoh në jetën e hershme si Saul; emri i tij në latinisht, Pal, për herë të parë përmendet në fillim të shërbesës së tij te johebrenjtë (Veprat e Apostujve 13:9)” (Bible Dictionary, “Paul”).

Veprat e Apostujve 13:51. “Shkundën pluhurin e këmbëve të tyre”

Plaku Xhejms E. Talmixh, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha këtë shpjegim lidhur me shkundjen e pluhurit të këmbëve nga dikush:

“Të shkundësh në mënyrë ceremoniale pluhurin nga këmbët e tua si dëshmi kundër një tjetri, kuptohej nga judenjtë se simbolizonte një ndërprerje të shoqërimit dhe një heqje dorë nga e gjithë përgjegjësia për pasojat që mund të vijonin. Ajo u bë një ordinancë e akuzës dhe e dëshmisë nëpërmjet udhëzimeve të Zotit për apostujt e Tij, siç citohet te [Mateu 10:14]. Në periudhën e tanishme ungjillore, Zoti në mënyrë të ngjashme i ka udhëzuar shërbëtorët e Tij të autorizuar që të dëshmojnë kështu kundër atyre që me dashje dhe ligësi e kundërshtojnë të vërtetën kur u paraqitet me autoritet” (Jesus the Christ, bot. i 3-të [1916], f. 345; shih edhe DeB 24:15; 75:18–22; 84:92–96). Megjithatë, për shkak të natyrës së saj serioze, praktika e shkundjes së pluhurit të këmbëve nga dikush nuk duhet bërë kurrë përveçse nën drejtimin e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

Veprat e Apostujve 14:22. “Me shumë pikëllime”

Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim sa vijon rreth pikëllimit:

“Ka kuptim dhe qëllim në sfidat tona tokësore. … Secili prej nesh duhet të kalojë përmes përvojave të caktuara për t’u bërë më shumë si Shpëtimtari ynë. Në shkollën e vdekshmërisë, mësimdhënësi është shpesh dhembja dhe pikëllimi, por mësimet kanë si qëllim që të na pastrojnë, bekojnë dhe forcojnë, jo që të na shkatërrojnë” (“Faith through Tribulation Brings Peace and Joy”, Ensign ose Liahona, maj 2003, f. 17).

Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi qëllimet e fatkeqësisë në jetën në vdekshmëri:

“Ka shumë lloje sfidash. Disa na japin neve përvoja të nevojshme. Rezultatet negative në këtë jetë të vdekshme nuk janë prova të mungesës së besimit apo të ndonjë papërsosmërie në planin e përgjithshëm të Atit tonë në Qiell. Zjarri i rafinuesit është i vërtetë dhe cilësitë e karakterit e të drejtësisë që janë farkëtuar në furrën e fatkeqësive, na përsosin dhe pastrojnë, dhe na përgatisin të takojmë Perëndinë” (“Këngët që Ata Nuk Mundën t’i Këndonin”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 106).