Biblioteka
Mësimi 93: Veprat e Apostujve 16


Mësimi 93

Veprat e Apostujve 16

Hyrje

Fryma e Shenjtë i udhëzoi Palin dhe shoqëruesit e tij që të predikonin ungjillin në Maqedoni (Greqia veriore). Një grua e quajtur Lidia e pranoi mesazhin e tyre dhe u pagëzua. Pasi Pali e nxori jashtë një frymë të ligë nga një vajzë shërbëtore, ai dhe Sila u rrahën dhe u burgosën. Atë natë, ata u çliruan në mënyrë të mrekullueshme nga burgu, pas së cilës ata pagëzuan rojën e burgut dhe familjen e tij.

Sugjerime për Mësimdhënien

Veprat e Apostujve 16:1–15

Pali dhe shoqëruesit e tij predikojnë ungjillin në Maqedoni

Shkruajeni në tabelë thënien vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson. (Kjo thënie gjendet te “The Spirit Giveth Life”, Ensign, qershor 1997, f. 5.)

“Kurrë mos e shtyni një nxitje” (Presidenti Tomas S. Monson).

  • Një nxitje u drejtohet ndjenjave ose mbresave që marrim nga Fryma e Shenjtë për të thënë ose bërë diçka. Çfarë mund të ndodhë nëse dikush e shtyn për më vonë bindjen ndaj një nxitjeje?

Ftojini studentët të kërkojnë një parim teksa studiojnë Veprat e Apostujve 16, i cili mund t’i ndihmojë që ta kuptojnë më tej rëndësinë e bindjes ndaj nxitjeve të Frymës së Shenjtë.

Përmblidhni Veprat e Apostujve 16:1–5 duke shpjeguar se Pali, Sila dhe një johebre i kthyer në besim, i quajtur Timote, udhëtuan drejt disa degëve të Kishës për të shpallur vendime që i kishin marrë udhëheqësit e Kishës në Jerusalem, të cilat do të ndikonin në të gjithë Kishën dhe do ta forconin besimin e anëtarëve të Kishës.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 16:6–10. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se si Pali dhe shoqëruesit e tij (ka të ngjarë që të përfshihej Lluka) e dinin se ku të shkonin teksa udhëtonin.

  • Si e dinin Pali dhe shoqëruesit e tij se ku të mos shkonin? Si e dinit se ku të shkonin?

  • Çfarë pa Pali në vegim?

  • Si iu përgjigjën Pali dhe shoqëruesit e tij vegimit të Palit?

Përmblidhni Veprat e Apostujve 16:11–13 duke shpjeguar se Pali dhe Sila udhëtuan për shumë ditë derisa mbërritën në Filipi, një qytet në Maqedoni. (Ju mund të doni t’i ftoni studentët të kthehen te Hartat e Biblës, nr. 13, “Udhëtimet Misionare të Apostullit Pal” dhe të gjejnë Filipinë.) Ditën e Shabatit, ata dolën nga qyteti për t’u lutur anës një lumi dhe filluan të flisnin me gratë e mbledhura atje.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 16:14–15. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si një grua e quajtur Lidia iu përgjigj mësimeve të dhëna nga Pali. (Ju mund të doni të shpjegoni se fraza “tregtare të purpurtash” [vargu 14] i drejtohet faktit se Lidia shiste bojë me ngjyrë të purpurt, që ishte shumë e shtrenjtë, dhe ndoshta tregon se Lidia ishte një grua me pasuri dhe ndikim.)

  • Si iu përgjigj Lidia mësimeve të dhëna nga Pali? (Mund t’ju duhet të shpjegoni se fraza për të dëgjuar do të thotë të kushtosh vëmendje ose të vësh veshin.)

  • Cilat fraza te Veprat e Apostujve 16:14 tregojnë që Lidia ishte gati ta pranonte ungjillin?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga përvoja e Palit rreth asaj që mund të ndodhë kur veprojmë sipas zbulesës? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që e kuptojnë se kur veprojmë sipas zbulesës nga Perëndia, ne mund të udhërrëfehemi drejt atyre që janë gati për ta pranuar ungjillin. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

Vini në dukje që nëse veprojmë sipas zbulesës, ne gjithashtu mund t’i ndihmojmë të tjerët ta fillojnë dhe vazhdojnë procesin e bërjes gati për ta pranuar ungjillin.

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë parim, kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të dëgjojë për atë që duhet të bëjmë që të udhërrëfehemi drejt atyre që janë gati për ta pranuar ungjillin.

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Ne duhet të lutemi për ndihmën dhe udhëzimet e Zotit që të mund të jemi mjete në duart e Tij për dikë që tani është gati – personin që Ai do që ne ta ndihmojmë sot. Prandaj ne duhet të jemi vigjilentë për t’i dëgjuar dhe për t’ua vënë veshin nxitjeve të Shpirtit të Tij lidhur me mënyrën se si të veprojmë.

Ato nxitje do të vijnë. Ne e dimë nga dëshmi të panumërta vetjake se në vetë mënyrën e Tij dhe në vetë kohën e Tij Zoti po i përgatit njerëzit që ta pranojnë ungjillin e Tij. Njerëz të tillë po kërkojnë dhe kur ne përpiqemi t’i përcaktojmë ata, Zoti do t’iu përgjigjet lutjeve të tyre duke iu përgjigjur lutjeve tona. Ai do t’i nxitë dhe udhërrëfejë ata që dëshirojnë dhe ata që me çiltërsi kërkojnë udhërrëfim lidhur me mënyrën, vendin, kohën dhe personin që ta ndajnë ungjillin e Tij” (“Sharing the Gospel”, Ensign, nëntor 2001, f. 8).

  • Sipas Plakut Ouks, çfarë duhet të bëjmë që të udhërrëfehemi drejt atyre që janë gati për ta pranuar ungjillin?

Merrni parasysh të tregoni një përvojë nga vetja juaj lidhur me mënyrën se si bindja ndaj nxitjeve të Shpirtit ju drejtoi te dikush që ishte gati ta pranonte ungjillin ose lidhur me mënyrën se si bindja e dikujt tjetër ndaj nxitjeve të Shpirtit e bëri atë person që t’ju gjente juve kur ishit gati ta pranonit ungjillin. Kërkojuni disa studentëve të tregojnë një përvojë që e kanë pasur ata ose dikush që e njohin, në të cilën ai ose ajo u udhërrëfye drejt dikujt që ishte gati për ta pranuar ungjillin.

Ftojini studentët të përsiatin për mënyrën, vendin, kohën dhe c ta ndajnë ungjillin. Ftojini të shënojnë ndonjë nxitje që e marrin dhe të vazhdojnë të luten për udhërrëfim.

Veprat e Apostujve 16:16–40

Pali dhe Sila burgosen dhe më pas lirohen

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Veprat e Apostujve 16:16–19. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që bëri Pali kur u takua me një “skllave të re” (vargu 16), ose një vajzë shërbëtore, që ishte pushtuar nga një frymë e ligë. Ju mund të doni të shpjegoni se falli është procesi i parashikimit ose përpjekja për të parashikuar të ardhmen duke përdorur mjete supersticioze.

  • Çfarë i bëri Pali më së fundi frymës së ligë që e kishte pushtuar vajzën?

  • Çfarë problemi hasën zotërinjtë e vajzës në qytet pasi Pali e nxori jashtë frymën e ligë nga ajo vajzë?

Përmblidhni Veprat e Apostujve 16:20–24 duke shpjeguar se burrat që nuk mund të përfitonin më prej vajzës, i çuan Palin dhe Silën përpara “pretorë[ve]” (vargu 20), ose autoriteteve vendore, dhe shpallën që Pali dhe Sila u kishin dhënë mësim njerëzve që ata nuk duhej ta ndiqnin ligjin romak. Me urdhrin e pretorëve, Pali dhe Sila më pas u rrahën e u burgosën dhe këmbët e tyre u lidhën në mënyrë që ata nuk mund të ecnin.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë përmbajtjen e Veprave të Apostujve 16:25–36, ndajini studentët në dyshe dhe jepini secilës dyshe një fletë letre. Kopjojeni figurën vijuese në tabelë dhe ftojeni secilën dyshe ta kopjojë atë në fletën e tyre.

Veprat e Apostujve 16:25


Veprat e Apostujve 16:26


Veprat e Apostujve 16:27–28


Veprat e Apostujve 16:29–30


Veprat e Apostujve 16:31–32


Veprat e Apostujve 16:33–34


Ftojeni secilin grup të lexojë me zë të lartë vargjet në tabelë dhe më pas ta bëjnë me radhë duke vizatuar figura të thjeshta për të paraqitur secilin nga gjashtë grupimet e vargjeve (njëri student në dyshe mund të vizatojë figura për të përfaqësuar tre prej grupimeve të vargjeve dhe studenti tjetër në dyshe mund të vizatojë figura për të përfaqësuar tre grupimet e tjera të vargjeve.) Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të paraqesin dhe shkurtimisht t’ua shpjegojnë figurat e tyre një grupi tjetër të studentëve ose të gjithë klasës.

Për t’i ndihmuar studentët ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre për Veprat e Apostujve 16:25–36, bëni pyetjet vijuese:

  • Si iu përgjigjën Pali dhe Sila pyetjes së rojës së burgut rreth mënyrës se si ai mund të shpëtohej?

  • Çfarë bëri roja i burgut për të treguar besimin e tij në Jezu Krishtin?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga Veprat e Apostujve 16:31–33 rreth asaj që duhet të bëjmë për të marrë shpëtim? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Shpëtimi kërkon besim në Jezu Krishtin dhe ne e shfaqim besimin tonë tek Ai duke u pagëzuar.)

Shpjegoni se shpëtim do të thotë “të shpëtohesh si nga vdekja fizike ashtu dhe ajo shpirtërore” (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shpëtim”, f. 182, scriptures.lds.org).

  • Si mund ta tregojë pagëzimi besimin tonë në Jezu Krishtin?

  • Përveç pagëzimit, cilat janë mënyra të tjera sipas të cilave mund ta tregojmë besimin tonë në Jezu Krisht?

Përmblidhni Veprat e Apostujve 16:35–40 duke shpjeguar se pretorët i dërguan fjalë rojës së burgut që t’i linte të shkonin Palin dhe Silën. Pali nuk pranoi të ikte ngaqë ai i njihte të drejtat e tij si qytetar romak dhe e dinte që trajtimi i tyre për të ishte i padrejtë. Ishte e paligjshme të goditej një qytetar romak pa kryer fillimisht një gjyq. Kur pretorët mësuan se Pali dhe Sila ishin romakë, ata u frikësuan ngaqë e dinin se, nëse mbikëqyrësit e tyre do të zbulonin se e kishin trajtuar një qytetar romak sikurse i trajtuan, ata do të ndëshkoheshin, madje me vdekje. Pretorët erdhën te burgu, i liruan Palin dhe Silën dhe iu kërkuan atyre të largoheshin nga qyteti.

Mbylleni duke dëshmuar për të vërtetat e dhëna mësim te Veprat e Apostujve 16.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Përsëritja e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Përdorni tabelën shoqëruese për të rishikuar fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë që studentët i kanë mësuar deri tani këtë vit. Lexoni me zë të lartë pyetjen ose shqetësimin në kolonën e majtë të tabelës dhe ftojini studentët të gjejnë fragmentin e zotërimit të shkrimit të shenjtë që mund të japë një përgjigje (përgjigjet jepen në kolonën e djathtë të tabelës). Ju mund të doni t’i lexoni pyetjet ose shqetësimet me zë të lartë dhe në mënyrë rastësore. Pasi studentët të gjejnë një shkrim të shenjtë, pyetini se si ai fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë mund ta ndihmojë një njeri me atë shqetësim.

Kam frikë ta jetoj atë që besoj. Shqetësohem se çfarë do të mendojnë të tjerët për mua.

Mateu 5:14–16

Ndihem i munduar tej mase nga sfidat dhe sprovat e mia.

Mateu 11:28–30

Përse profeti është në gjendje të marrë zbulesë për të gjithë Kishën?

Mateu 16:15–19

Unë e dua Atin Qiellor, por e kam të vështirë që të dua një shok ose shoqe pikërisht tani. A pret me të vërtetë nga unë Perëndia që ta dua atë?

Mateu 22:36–39

E di se si një mbajtës i priftërisë, unë e kam për detyrë që të shërbej në një mision kudo që më thërret Zoti, por shqetësohem rreth të qenit shumë larg nga cilido që njoh dhe rreth të qenit i vetmuar.

Mateu 28:19–20

Si e dimë që Jezu Krishti me të vërtetë është ringjallur me një trup prej mishi e kockash?

Lluka 24:36–39

A është pagëzimi me të vërtetë i domosdoshëm për të jetuar me Perëndinë?

Gjoni 3:5

Disa njerëz thonë se nuk ka rëndësi nëse unë zgjedh të ndjek Jezu Krishtin apo dikë tjetër. Për aq kohë sa jam një njeri i mirë, unë do të shkoj në qiell.

Gjoni 14:6

Cila është mënyra më e mirë për mua që t’i tregoj Zotit se e dua Atë?

Gjoni 14:15

Përse ka rëndësi njohja e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?

Gjoni 17:3

Çfarë duhet të bëj për të marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë?

Veprat e Apostujve 2:36–38

A e dinte apo profetizoi ndonjëri që jetonte në kohët biblike se do të kishte një Rivendosje të ungjillit në ditët e mëvonshme?

Veprat e Apostujve 3:19–21

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Veprat e Apostujve 16:1–3. Përse e rrethpreu Pali Timoteun edhe pse ajo gjë nuk kërkohej më?

“Edhe pse johebrenjve të kthyer në besim nuk iu kërkohej që të rrethpriteshin … , Pali e rrethpreu Timoteun përpara punëve të tyre misionare së bashku ‘për shkak të Judenjve që ishin në ato vende’ (Veprat e Apostujve 16:3). Pasi u rrethpre, [gjatë kësaj periudhe kalimtare] Timoteu mund të punonte në mënyrë më fitimprurëse mes judenjve, të cilët do të ndienin se një misionari të parrethprerë i mungonte respekti për Perëndinë e Izraelit dhe për ligjet e Tij. … Për hir të ungjillit, herë pas here Pali vetë e përshtati sjelljen e tij që të ndihmonte si judenjtë ashtu edhe johebrenjtë (shih Veprat e Apostujve 21:20–26; 1 Korintasve 9:20–22). Ai gjithashtu u dha mësim johebrenjve të kthyer në besim që të mos përfshiheshin me dëshirë në ndonjë sjellje që mund të shihej si fyese ndaj judenjve, edhe pse ajo mund të mos ishte ndaluar nga ndonjë urdhërim (shih Romakëve 14:13–15; 1 Korintasve 8:9–13)” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 312).

Veprat e Apostujve 16:16–18. Përse ishte problem dëshmia e vajzës shërbëtore që ishte e pushtuar nga një frymë e ligë?

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

“Dëshmia e skllaves së re, të udhëhequr nga demoni, ishte e vërtetë. Pali dhe Sila ishin profetë; ata kishin fjalët dhe fuqinë e shpëtimit. Por dëshmia e vërtetë nga shërbëtorët e Satanit nuk çon drejt shpëtimit. Në fakt skllavja e re po thoshte: ‘Shkoni e besoni në Palin e Silën dhe këtë Jezus për të cilin ata predikojnë. Unë bie dakord që ata dhe Mësuesi i tyre janë nga Perëndia; dhe ngaqë tani jemi të një mendje në atë pikë, ju gjithashtu mund të vazhdoni të më ndiqni mua dhe të gëzoni frytet e fallit nga ana ime.’ Dhe sa ushtrues të tjerë të besimeve të rreme fetare ka të cilët japin shërbim me fjalët e tyre për Jezusin dhe doktrinën e tij, me qëllim që njerëzit do t’i ndjekin më me gatishmëri ata dhe markën e tyre të veçantë të hirit ‘shpëtues’? Ishte pikërisht për këtë arsye të përfshirë këtu që Jezusi vetë i ndaloi demonët, të cilët Ai i dëboi, që të dëshmonin se Ai ishte Biri i Perëndisë. (Lluka 4:41.)” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 2:149).