Biblioteka
Mësimi 95: Veprat e Apostujve 18–19


Mësimi 95

Veprat e Apostujve 18–19

Hyrje

Pali nuk u pranua nga shumë prej judenjve në Korint, por pati sukses atje mes johebrenjve. Një çift të martuarish të drejtë, Akuila dhe Priskila, e ndihmuan Apollon të kuptonte udhën e Perëndisë. Pali predikoi për Frymën e Shenjtë, kreu mrekulli dhe iu shmang një turme të papërmbajtshme tek teatri në Efes.

Sugjerime për Mësimdhënien

Veprat e Apostujve 18:1–17

Pali predikon në Korint

Lexoni me zë të lartë pyetjet vijuese dhe ftojini studentët që t’i shkruajnë përgjigjet e tyre në fletoren e klasës ose ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta:

  • Cilat janë disa mënyra se si keni marrë pjesë në punën e Zotit?

  • Çfarë sfidash keni përjetuar kur jeni përpjekur të bëni punën e Zotit?

Kërkojuni disa studentëve të tregojnë për përvojat e tyre. Ftojini studentët që teksa studiojnë Veprat e Apostujve 18 të kërkojnë një parim që mund t’i ndihmojë ata teksa përpiqen të bëjnë punën e Zotit.

Përmblidhni Veprat e Apostujve 18:1–4 duke shpjeguar që Pali u largua nga Athina dhe udhëtoi për në Korint, ku ai dha mësim në sinagogë rreth Jezu Krishtit. (Ju mund të doni t’i ftoni studentët të hapin shkrimet te Hartat e Biblës, nr. 13, “Udhëtimet Misionare të Apostullit Pal” dhe të gjejnë Athinën dhe Korintin.)

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 18:5–6. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar sfidat që përjetoi Pali teksa u jepte mësim rreth Jezu Krishtit judenjve në Korint.

  • Çfarë sprovash përjetoi Pali?

  • Çfarë planifikoi të bënte Pali ngaqë judenjtë në sinagogë nuk e pranuan mesazhin e tij?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 18:7–10. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që ndodhi që mund t’i kishte dhënë kurajë Palit.

  • Çfarë ndodhi që mund t’i kishte dhënë kurajë Palit?

  • Sipas vargut 10, çfarë i premtoi Zoti Palit nëse e predikonte ungjillin?

  • Cilin parim mund të mësojmë nga këto vargje rreth asaj që Zoti do të bëjë për ata që e bëjnë me denjësi punën e Tij? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që të përcaktojnë parimin vijues: Nëse jetojmë me denjësi, Zoti do të jetë me ne ndërkohë që bëjmë punën e Tij.)

  • Përse është e rëndësishme të dini që Zoti do të jetë me ju kur e bëni punën e Tij?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson:

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

“Tani, disa nga ju mund të jenë të druajtur nga natyra ose ta konsiderojnë veten të papërshtatshëm për t’iu përgjigjur pozitivisht një thirrjeje. Mbani mend që kjo … është vepra e Zotit, dhe kur jemi në punën e Zotit, na është dhënë e drejta të kemi ndihmën e Zotit. Kujtoni që Zoti do t’i japë shpinës atë formë që të mund ta mbajë barrën e vendosur në të” (“Të Mësojmë, të Bëjmë, të Jemi”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 62).

  • Kur ka qenë Zoti me ju teksa bënit punën e Tij? Si e dinit që Ai ishte me ju?

Përmblidhni Veprat e Apostujve 18:11–17 duke shpjeguar se Pali vazhdoi të predikonte në Korint për një vit e gjysmë (dhe ka të ngjarë që e shkroi letrën e tij drejtuar thesalonikasve gjatë kësaj kohe). Ndërkohë që ishte në Korint, disa judenj u përpoqën ta nxirrnin Palin në gjyq për atë që po jepte mësim, por prokonsulli nuk e pranoi çështjen.

Veprat e Apostujve 18:18–28

Akuila dhe Priskila ndihmojnë Apollon që të kuptojë udhën e Perëndisë

Përmblidhni Veprat e Apostujve 18:18–23 duke shpjeguar se një bashkëshort e një bashkëshorte, Akuila dhe Priskila, e shoqëruan Palin për në Efes. Pasi e la çiftin në Efes, Pali udhëtoi drejt zonës së Jerusalemit dhe më pas në veri drejt Antiokisë. Në Antioki, ai e përfundoi udhëtimin e tij të dytë misionar, i cili zgjati tre vjet dhe mbuloi rreth 4.828 kilometra. Pas njëfarë kohe, ai u nis nga Antiokia dhe filloi udhëtimin e tij të tretë misionar, duke udhëtuar drejt degëve që i kishte krijuar më parë dhe duke i forcuar anëtarët.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 18:24–25. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë ndodhi në Efes pasi u largua Pali.

  • Çfarë ndodhi në Efes pasi u largua Pali?

  • Çfarë kuptonte tashmë Apolloja rreth “gjëra[ve të] Zotit”? (vargu 25.)

  • Çfarë njohurie i mungonte Apollos? (Duke “[njohur] vetëm pagëzimin e Gjonit” [vargu 25], Apollos i mungonte kuptueshmëri për plotësinë e ungjillit të Shpëtimtarit.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 18:26. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Akuila dhe Priskila bënë kur dëgjuan mësimet që jepte Apollo.

  • Çfarë bënë Akuila dhe Priskila kur i dëgjuan mësimet e dhëna nga Apollo?

  • Çfarë do të thotë që ata “ia shtjelluan më thellë udhën e Perëndisë”? (vargu 26.) (Akuila dhe Priskila i dhanë më shumë mësim Apollos rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij, që e shtoi njohurinë dhe kuptueshmërinë e Apollos.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 18:27–28. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar provë që Akuila dhe Priskila e ndihmuan Apollon ta kuptonte në mënyrë më të përsosur udhën e Perëndisë.

  • Çfarë frazash në këto vargje tregojnë që Akuila dhe Priskila e ndihmuan Apollon ta kuptonte në mënyrë më të përsosur udhën e Perëndisë?

Veprat e Apostujve 19:1–20

Pali jep dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe kryen mrekulli

Shpjegoni se pasi Pali udhëtoi nëpër vende të ndryshme, ai u kthye në Efes. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 19:2–6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si Pali i ndihmoi njerëzit në Efes që ta kuptonin në mënyrë më të përsosur udhën e Perëndisë.

  • Çfarë doktrine i ndihmoi Pali dishepujt në Efes që ta kuptonin në mënyrë më të përsosur?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese të botuar nën drejtimin e Profetit Jozef Smith dhe kërkojini klasës të dëgjojë për arsyen përse këta njerëz kishin nevojë të pagëzoheshin përsëri:

“Duket … që disa judenj sektarë ishin duke pagëzuar si Gjon [Pagëzori], por kishin harruar t’i njoftonin ata se ishte një njeri që duhej ndjekur, i quajtur Jezu Krisht, që pagëzonte me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë – i cili u tregoi këtyre të kthyerve në besim se pagëzimi i tyre i parë ishte i paligjshëm dhe kur e dëgjuan këtë, ata u pagëzuan me dëshirë dhe pasi duart u vendosën mbi ta, ata morën dhuratat, sipas premtimit” (“Baptism”, artikull i botuar në Times and Seasons, 1 shtator 1842, f. 904; germëzimi i bërë bashkëkohor; Jozef Smithi ishte redaktori i gazetës).

  • Përse disa nga njerëzit në Efes duhej të pagëzoheshin përsëri?

  • Çfarë të vërtetash rreth pagëzimit mund të mësojmë nga Veprat e Apostujve 19:2–6? (Edhe pse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, ndihmojini ata të përcaktojnë të vërtetat vijuese: Pagëzimi duhet të kryhet nga një shërbëtor i autorizuar i Perëndisë. Me qëllim që pagëzimi të jetë i plotë, ai duhet të shoqërohet nga marrja e Frymës së Shenjtë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Profeti Jozef Smith:

Pamja
Profeti Jozef Smith

“Ju do të mund të pagëzonit njëlloj një thes me rërë në vend të një njeriu dhe do të kishte të njëjtën pasojë, nëse nuk do të bëhej nga pikëpamja e heqjes së mëkateve dhe marrjes së Frymës së Shenjtë. Pagëzimi me ujë është vetëm gjysmë pagëzim dhe nuk vlen për asgjë pa gjysmën tjetër – që është pagëzimi i Frymës së Shenjtë” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 99).

Përmblidhni Veprat e Apostujve 19:7–10 duke shpjeguar se Pali vazhdoi të predikonte në Efes për më shumë se dy vjet.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 19:11–12. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë mrekullish ndodhën në Efes ndërkohë që Pali ishte atje.

  • Çfarë mrekullish kreu Perëndia nëpërmjet Palit?

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga ky rrëfim rreth asaj që bën Perëndia nëpërmjet shërbëtorëve të Tij të autorizuar? (Duke përdorur vetë fjalët e tyre, studentët duhet të përcaktojnë një të vërtetë të tillë si ajo që vijon: Një mënyrë se si Perëndia e shfaq fuqinë e Tij është nëpërmjet shërbëtorëve të Tij të autorizuar.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 19:13–16. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që ndodhi kur disa judenj u përpoqën të dëbonin demonë sikurse kishte bërë Pali.

  • Çfarë ndodhi kur shtatë bijtë e kryepriftit u përpoqën të dëbonin një frymë të ligë?

  • Cilin e dalloi fryma e ligë? Cilët nuk i dalloi fryma e ligë?

  • Përse nuk i dalloi fryma e ligë bijtë e Skevit? (Ngaqë ata nuk ishin të autorizuar të shërbenin në emrin e Jezu Krishtit.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 19:17–20. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që bënë shumë individë pasi mësuan rreth kësaj ngjarjeje. Shpjegoni se fjala “magji” (vargu 19) i drejtohet kryerjes së magjisë dhe praktikave të tjera të liga.

  • Çfarë bënë shumë njerëz pas kësaj ngjarjeje për të treguar se ata kishin besim në Jezu Krishtin? (Ata i rrëfyen dhe i braktisën praktikat e tyre të liga duke i djegur librat e tyre që lidheshin me ato praktika.)

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga këto vargje rreth mënyrës se si ta shfaqim besimin tonë në Jezu Krishtin? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata përcaktojnë parimin vijues: Duke i rrëfyer dhe braktisur praktikat e liga, ne shfaqim besimin tonë në Jezu Krishtin.)

  • Çfarë sakrificash mund të na nevojitet të bëjmë me qëllim që ta braktisim një mëkat që kemi rrëfyer?

Dëshmoni për rëndësinë e shfaqjes së besimit tonë në Jezu Krishtin nëpërmjet jo vetëm rrëfimit të mëkateve tona, por edhe braktisjes së gjithçkaje që mund të na çojë që të kthehemi tek ato mëkate.

Ftojini studentët të përsiatin nëse ka diçka në jetën e tyre që Zoti do të donte që ta braktisnin. Nxitini të veprojnë sipas çdo nxitjeje që mund të kenë ndier gjatë këtij mësimi.

Veprat e Apostujve 19:21–41

Adhuruesit e perëndeshës së rremë Diana flasin kundër Palit dhe shkaktojnë trazirë në qytet

Përmblidhni Veprat e Apostujve 19:21–41 duke shpjeguar se një pjesë e ekonomisë në Efes nxitej nga adhurimi i Dianës, e cila ishte një perëndeshë e rreme romake. Predikimi i Palit kundër adhurimit të perëndive të rreme shkaktoi që artizanët, të cilët bënin tempuj dhe idhuj për Dianën, t’i kthenin njerëzit kundër Palit. Njerëzit u mblodhën në teatrin e qytetit (i cili mund të nxinte deri në 24.000 veta) në pështjellim dhe trazirë. Pali pati dëshirë t’i fliste turmës, por u bind nga disa dishepuj e udhëheqës qeveritarë të mos hynte në teatër. Kancelari i qytetit më së fundi e qetësoi turmën dhe ata u shpërndanë. Vini në dukje se mbrojtja e Palit është një shembull i mënyrës se si puna e Perëndisë nuk do të pengohet as edhe përballë kundërshtimeve të liga. (Ishte gjatë kësaj kohe në Efes [rreth vitit 57 Ps.K.] që Pali shkroi 1 Korintasve.)

Mbylleni duke dëshmuar për të vërtetat që u dhanë në këtë mësim.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Veprat e Apostujve 19:11–12. A mund të shërohet dikush me vetëm një peshqir?

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

“Shërimet vijnë nga fuqia e besimit; nuk ka virtyt apo fuqi të shërimit në ndonjë artikull plaçke apo ndonjë objekt tjetër, të zotëruar qoftë nga Pali ose Jezusi apo dikush tjetër. Por rite dhe objekte mund të përdoren për të ndihmuar që të rritet besimi” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 2:169).

Veprat e Apostujve 18:18. “Pasi e qethi kokën … sepse kishte bërë një premtim solemn”

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi sa vijon rreth këtij vargu:

“‘Si një nxitës për drejtësi më të madhe vetjake, është diçka e shëndetshme dhe e duhur për shenjtorët që t’i bëjnë Zotit premtime të shpeshta solemne. Ka premtime solemne për të kryer një detyrë, për t’u përmbajtur nga një mëkat, për ta zbatuar një urdhërim ose për të ecur përpara për shërbim më të madh në mbretëri. Prandaj Jakobi premtoi solemnisht ta pranonte Jehovën si Perëndinë e tij dhe të paguante një të dhjetë të ndershme (Zanafilla 28:20–22) dhe Ana premtoi solemnisht t’ia jepte Samuelin Zotit për shërbimin e Tij. (1 Samuelit 1:9–18.)

Shenjtorët duhet t’i ofrojnë premtimet e tyre solemne [ose zotimet e tyre] si në ditën e Zotit ashtu edhe në të gjitha ditët (DeB 59:8–12); dhe pasi të ofrohen, ato duhet të mbahen. (DeB 108:3; Numrat 30:2; Predikuesit 5:4–5.) …’ (Mormon Doctrine, bot. i 2-të, f. 825.)

Nuk është e qartë cili ishte premtimi solemn i Palit. Nga fakti që e qethi kokën, hamendësohet që ai mund të ishte duke ndjekur zakonin judeas për sa u përket nazirejve. (Numrat 6.) Nëse qe kështu, ai po kryente një rit të panevojshëm dhe të papërshtatshëm, për qëllimin e dukshëm të kënaqjes qoftë të pjesës judease të Kishës apo të të kthyerve të rinj judeas në besim, ose të të dyja grupeve. Krahasoni Veprat e Apostujve 21:17–26” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 2:165).

Veprat e Apostujve 19:13. “Dhe disa yshtës shëtitës Judenj”

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha sa vijon rreth priftërinjve të rremë:

“Duke imituar urdhrin e vërtetë nëpërmjet të cilit demonët dëbohen prej njerëzve, shërbestarë të rremë (duke mos pasur fuqi të vërtetë të priftërisë) përpiqen t’i dëbojnë ata me anë të ekzorcismit. Kjo praktikë e paperëndishme ndoshta ishte më e zakontë në lashtësi sesa është tani, sepse pak njerëz sot besojnë qoftë në mrekullitë apo në dëbimin e demonëve të mirëfilltë. Por përgjatë viteve nuk ka qenë e pazakontë për të ashtuquajturit priftërinj që të përpiqeshin t’i largonin frymërat e liga nga njerëzit apo t’i dëbonin ato nga vendndodhje të caktuara nëpërmjet yshtjeve, magjisë ose betimit” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 259).