Biblioteka
Mësimi i Studimit në Shtëpi: Gjoni 2–6 (Njësia 13)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Gjoni 2–6 (Njësia 13)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja e mëposhtme e ngjarjeve, doktrinave dhe parimeve që studentët i mësuan ndërsa studiuan Gjonin 2–6 (njësia 13), nuk ka për qëllim të jepet si pjesë e orës suaj mësimore. Mësimi që jepni, përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë, teksa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (Gjoni 2)

Teksa studentët lexuan rreth mrekullisë së parë të Shpëtimtarit për ta kthyer ujin në verë, ata mësuan që Jezu Krishti ka fuqi mbi elementët fizikë. Ata gjithashtu mësuan që Shpëtimtari e deshi dhe e respektoi nënën e Tij. Ndërsa studiuan tregimin për Jezusin duke pastruar tempullin, studentët mësuan se tempulli është shtëpia e Perëndisë.

Dita 2 (Gjoni 3)

Studentët mësuan të vërtetat vijuese nga mësimet e Shpëtimtarit dhënë Nikodemit: Pagëzimi dhe marrja e dhuratës së Frymës së Shenjtë janë të domosdoshme për t’u rilindur shpirtërisht dhe për të marrë ekzaltim në mbretërinë çelestiale. Gjithë njerëzimi mund të fitojë jetë të përjetshme nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ati Qiellor i do fëmijët e Tij kaq shumë, saqë Ai dërgoi Birin e Tij të Vetëmlindur për të vuajtur për mëkatet e tyre. Nëse besojmë në Jezu Krishtin, gjë që përfshin pendimin për mëkatet tona dhe bindjen ndaj fjalës së Tij, ne mund të kemi jetë të përjetshme nëpërmjet Shlyerjes së Tij. Nga shembulli i Gjon Pagëzorit, studentët mësuan se ne mund t’i ndikojmë të tjerët për mirë duke i drejtuar ata drejt Jezu Krishtit.

Dita 3 (Gjoni 4)

Ndërsa studentët lexuan rreth mësimeve të Shpëtimtarit të dhëna një gruaje samaritane te një pus, ata mësuan të vërtetat vijuese: Nëse vijmë te Jezu Krishti dhe me zell marrim prej ungjillit të Tij, atëherë ne do të marrim jetë të përjetshme. Jezu Krishti i njeh mëkatet tona dhe na ofron ungjillin e Tij për të na ndihmuar që t’i mposhtim ato. Nëse e adhurojmë Atin në shpirt dhe në të vërtetë, Ai do të na bekojë me Shpirtin e Tij. Kur fitojmë dëshmi për Jezu Krishtin, ne mbushemi me dëshirë për ta ndarë atë me të tjerët.

Dita 4 (Gjoni 5–6)

Teksa studentët lexuan rreth Shpëtimtarit duke shëruar një njeri të lënguar, ata mësuan se nëpërmjet fuqisë dhe mëshirës së Jezu Krishtit, ne mund të shërohemi. Ata gjithashtu mësuan se vetëm duke ardhur te Jezu Krishti ne mund të marrim jetë të përjetshme. Nga predikimi i Shpëtimtarit për Bukën e Jetës, studentët mësuan se një dëshmi e palëkundur për Jezu Krishtin do të na ndihmojë të mbetemi besnikë gjatë kohëve kur mund të jetë e vështirë për ta ndjekur Shpëtimtarin ose për t’i jetuar mësimet e Tij.

Hyrje

Ditën pasi Jezusi ushqeu në mënyrë të mrekullueshme një turmë prej më shumë se 5.000 vetash, Ai dha mësim se Ai është Buka e Jetës.

Sugjerime për Mësimdhënien

Gjoni 6:22–59

Jezusi jep mësim se Ai është Buka e Jetës

Paraqitni një çyrek buke. Ftojeni një student ta përmbledhë tregimin e Shpëtimtarit që ushqeu më shumë se 5.000 njerëz me pesë bukë dhe dy peshq të vegjël.

  • Çfarë mund të kishit menduar nëse do të kishit qenë të pranishëm për këtë mrekulli dhe nëse do të mësonit se Jezusi kishte aftësinë për të siguruar ushqim në mënyrë të mrekullueshme?

Shpjegoni se Gjoni 6:22–25 shënon që shumë njerëz, të cilët Jezusi i kishte ushqyer në mënyrë të mrekullueshme, udhëtuan drejt Kapernaumit për ta parë Atë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 6:26–27. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Jezusi u tha njerëzve.

Shpjegoni se Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it] për Gjonin 6:26 sqaron se “Jezusi u përgjigj dhe tha: ‘Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: “Ju më kërkoni jo ngaqë dëshironi të zbatoni thëniet e mia, as ngaqë patë mrekullitë, por sepse keni ngrënë nga bukët dhe u ngopët”’” (Joseph Smith Translation, Gjoni 6:26 [në Biblën në anglisht te Gjoni 6:26, shënimi a në fund të faqes]). Gjithashtu shpjegoni se fjala ushqim [“meat (mish)” në Biblën në anglisht] te Gjoni 6:27 dhe nëpër të gjithë Biblën i drejtohet ushqimit. Fjala mish përdoret për t’iu drejtuar asaj që në Biblën në anglisht ne e quajmë “flesh (mish)”.

  • Sipas Shpëtimtarit, përse këta njerëz e kërkuan Atë? (Fjalët e Shpëtimtarit sugjerojnë që ata e kishin ndjekur Atë për të marrë më shumë ushqim prej Tij.)

  • Çfarë u tha Shpëtimtari se ata duhej të kërkonin?

Shpjegoni se “ushqimi që mbetet për jetë të përjetshme” (Gjoni 6:27) mund t’iu drejtohet të vërtetave të përjetshme të ungjillit të Shpëtimtarit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 6:28–31. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që njerëzit dëshironin nga Jezusi për t’u provuar atyre më tej se Ai ishte Mesia.

  • Çfarë donin njerëzit që Jezusi të bënte për ta? (Shpjegoni se mana ishte “bukë nga qielli” [Gjoni 6:31] që Perëndia e siguroi për fëmijët e Izraelit teksa endeshin në shkretëtirë; shih Eksodi 16:14–15, 35.)

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Gjoni 6:32–35. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari ua dha mësim njerëzve në përgjigje të kërkesës së tyre për një shenjë.

  • Çfarë dha mësim Shpëtimtari rreth vetes së Tij kur Ai iu drejtua manës ose bukës nga qielli?

Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë frazën “unë jam buka e jetës” te Gjoni 6:35.

  • Në ç’mënyra mund t’i përngjasojmë Shpëtimtarin me mësimet e Tij me bukën?

  • Çfarë mendoni se do të thotë që ata të cilët vijnë te Jezu Krishti, “nuk do të ke[n]ë më kurrë uri”? (Gjoni 6:35). (Një përgjigje e mundshme është që Ai do t’i ushqejë ata shpirtërisht.)

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga mësimet e Shpëtimtarit në vargun 35? (Edhe pse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, ata duhet të shprehin një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse vijmë te Jezu Krishti, Ai do të na ushqejë shpirtërisht. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

Shkruani në tabelë shprehjet e paplota vijuese:

Ne vijmë te Jezu Krishti nëpërmjet …

Ai do të na ushqejë shpirtërisht nëpërmjet …

Ndajini studentët në dyshe. Kërkojuni atyre të punojnë së bashku për të bërë në fletoret e klasës apo ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta një listë të disa prej gjërave që mund të bëjmë që të vijmë te Jezu Krishti dhe mënyrat se si Ai do të na ushqejë shpirtërisht. Ftojini disa studentë t’ua raportojnë përgjigjet e tyre klasës.

Merrni parasysh t’i ftoni disa studentë për të treguar se si kanë marrë ushqim shpirtëror teksa kanë ardhur te Shpëtimtari.

Për t’i përgatitur studentët që të përcaktojnë një parim shtesë që e dha mësim Shpëtimtari, ftojini disa studentë të vijnë përpara klasës dhe jepini secilit prej tyre një copë bukë. Ftojini ta mbajnë erë bukën dhe të përfytyrojnë se si do të shijonte ajo.

  • Sa mirë do t’ju ushqente kjo bukë nëse vetëm i mbanit erë, përfytyronit se çfarë shije kishte dhe e mbanit me vete gjithë ditën?

  • Çfarë duhet të bëni që të përfitoni nga ajo që ka për të ofruar buka?

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Gjoni 6:49–54. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si përvoja e shokëve të tyre të klasës me bukën mund të përngjasohet me atë që Shpëtimtari e dha mësim në këto vargje.

  • Si është Buka e Jetës e ndryshme nga buka e rregullt? (Ndryshe nga buka që mund të na kënaqë vetëm për një kohë të shkurtër, Jezu Krishti na ofron bekime që do të zgjatin përgjithmonë.)

  • Sipas vargjeve 53–54, çfarë u mësoi Shpëtimtari njerëzve të bënin?

Shpjegoni se Shpëtimtari i përdori fjalët hani dhe pini në mënyrë simbolike. Për ta ndihmuar klasën të kuptojë mësimet e Shpëtimtarit, ftojini studentët vullnetarë ta hanë bukën. Më pas i ftoni të kthehen në vendet e tyre.

  • Çfarë u ndodh bukës dhe përbërësve të saj ushqyes kur ajo hahet? (Vitaminat dhe përbërësit ushqyes bëhen pjesë e trupit, duke i dhënë atij forcë dhe shëndet të mirë.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë të hamë mishin dhe të pimë gjakun e Jezu Krishtit? (Mund të thotë që t’i përvetësojmë mësimet dhe Shlyerjen e Tij. Gjithashtu mund të përfaqësojë marrjen e sakramentit, të cilin Shpëtimtari do ta fillonte më vonë.)

  • Sipas Gjonit 6:54, çfarë bekimesh mund të marrim nëse i përvetësojmë ose zbatojmë mësimet dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani parimin vijues në tabelë: Nëse i përvetësojmë ose zbatojmë mësimet dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit, ne mund të marrim jetë të përjetshme.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Vëreni klasën të dëgjojë për mënyra që ai tha se si ne mund t’i përvetësojmë mësimet dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit.

Pamja
Plaku Brus R. Mek-Konki

“Të hash mishin dhe të pish gjakun e Birit të Perëndisë është, së pari, ta pranosh Atë në kuptimin më të drejtpërdrejtë dhe të plotë, pa asnjë lloj rezerve, si pasardhësin vetjak në mish të Atit të Amshuar; dhe, së dyti, është të zbatosh urdhërimet e Birit duke e pranuar ungjillin e Tij, duke u bashkuar me Kishën e Tij dhe duke duruar me bindje dhe drejtësi deri në fund. Ata që hanë mishin e Tij dhe pinë gjakun e Tij në këtë mënyrë, do të kenë jetë të përjetshme, që do të thotë ekzaltim në qiellin më të lartë të botës çelestiale” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:358).

  • Si sugjeroi Plaku Mek-Konki që ne t’i përvetësojmë mësimet dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit?

Shpjegoni se jeta e përjetshme është të jetojmë përgjithmonë me Atin tonë Qiellor dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe të bëhemi si Ata. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 6:56–57. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si ne bëhemi si Ata kur i përvetësojmë mësimet dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.

Shpjegoni se Shpëtimtari nuk do të banojë fizikisht brenda nesh, por përkundrazi, ndikimi i Tij hyjnor do të mbetet me ne për të na ndihmuar që të bëhemi më shumë si Ai dhe Ati Qiellor.

Përmblidheni Gjonin 6:59–66 duke shpjeguar se disa nga dishepujt e Jezusit nuk i pranuan mësimet e Tij dhe u larguan prej ndjekjes së Tij.

Jepni dëshminë tuaj për të vërtetat që i kanë përcaktuar studentët. Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta një synim për mënyrën se si ata do ta përvetësojnë më mirë Shlyerjen e Shpëtimtarit ose njërin prej mësimeve të Tij.

Njësia Tjetër (Gjoni 7–10)

U thoni studentëve se në njësinë tjetër ata do të mësojnë se si Jezu Krishti e trajtoi një grua që ishte zënë duke shkelur kurorën dhe çfarë tha Ai për ta shpërndarë turmën që donte ta vriste atë. Ju mund t’i bëni studentët të mbyllin sytë dhe të përfytyrojnë se si mund të ishte po të ishin të verbër. Më pas pyetini se si mund të ishin ndier kur të ishin shëruar prej verbërisë dhe më pas të shihnin për herë të parë. Studentët do të lexojnë rreth një të verbri i cili jo vetëm që mori shikimin fizik, por gjithashtu mori këndvështrim shpirtëror dhe fitoi një dëshmim se Jezusi ishte Krishti, Biri i Perëndisë. Gjithashtu do të mësojnë përse Shpëtimtari e quajti veten e Tij Bariu i Mirë dhe çfarë fuqie tha Ai se mori nga Ati.