Biblioteka
Mësimi 61: Gjoni 2


Mësimi 61

Gjoni 2

Hyrje

Në Kanë, Shpëtimtari kreu mrekullinë e parë publike të shërbesës së Tij tokësore kur Ai e ktheu ujin në verë. Jezu Krishti shkoi në Jerusalem për Pashkën. Ai pastroi tempullin duke i dëbuar këmbyesit e monedhave që po e përdhosnin shtëpinë e Atit të Tij.

Sugjerime për Mësimdhënien

Gjoni 2:1–11

Jezusi ndryshon ujin në verë

Ftojini studentët të mendojnë rreth “gjërave të para” vijuese që mund të kenë ndodhur në jetën e tyre: dita e tyre e parë e shkollës, puna e tyre e parë, hera e parë që mbajnë mend kur e ndien Frymën e Shenjtë.

  • Përse ne nganjëherë vendosim rëndësi mbi këto dhe “gjëra” të tjera “të para” në jetën tonë?

Shpjegojuni studentëve se teksa studiojnë Gjonin 2:1–11, ata do të mësojnë rreth mrekullisë së parë, të shënuar, që Jezusi e kreu gjatë shërbesës së Tij tokësore. Ftojini studentët të kërkojnë përse kjo mrekulli e parë, e shënuar, mund të jetë domethënëse.

Shpjegoni se pak kohë pasi Jezusi u pagëzua, Ai dhe dishepujt e Tij morën pjesë në një festë dasme në Kanë, një fshat pranë Nazaretit, qytezës ku jetonte Jezusi. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 2:1–3 dhe vëreni klasën të kërkojë çfarë problemi doli gjatë festës së dasmës.

  • Çfarë problemi doli gjatë festës së dasmës?

Shpjegoni që vera ishte një pije tradicionale në një festë dasme. Nganjëherë festa e dasmës do të vazhdonte për ditë të shumta. Po të mbarohej vera do të kishte qenë diçka turpëruese për organizuesit e festës. Maria dukej se ndiente njëfarë përgjegjësie për festën, prandaj kur vera u mbarua, ajo iu afrua Birit të saj dhe kërkoi ndihmën e Tij në përpjekje për ta shpëtuar familjen mikpritëse nga turpërimi. Përgjigjja e Jezusit tregoi respekt dhe dashamirësi për dëshirën e nënës së Tij për të ndihmuar në dasmë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 2:4, duke përfshirë Joseph Smith Translation [Përkthimin prej Joseph Smith-it në Biblën në anglisht] në shënimin a në fund të faqes. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë përgjigjen e Jezusit dhënë nënës së Tij.

  • Çfarë tha Jezusi si përgjigje për nënën e Tij?

  • Si tregon përgjigjja e Jezusit respektin e Tij për nënën e Tij? (Jezusi jo vetëm që e pyeti nënën e Tij se çfarë donte ajo që Ai të bënte, por Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë për ta bërë atë. Mund t’ju nevojitet të shpjegoni se në kohën e Jezusit, fjala “grua” ishte një mënyrë e respektueshme për t’iu drejtuar nënës së dikujt.)

  • Çfarë gjëje po i drejtohej Jezusi kur Ai tha: “Ora ime s’ka ardhur akoma”?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 2:5 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që Maria u tha shërbëtorëve. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.

  • Çfarë na mësojnë udhëzimet e Marisë dhënë shërbëtorëve rreth besimit të saj në Jezusin?

Ftojeni një student të lexojë me zë me zë të lartë Gjonin 2:6–7 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që Jezusi i udhëzoi të bënin shërbëtorët.

  • Çfarë i udhëzoi Jezusi që të bënin shërbëtorët?

Shpjegoni që gjatë kohës së Jezusit, enët e ujit të bëra nga gurë konsideroheshin ritualisht të pastra për përdorim në ceremonitë fetare. Ishte praktika e judenjve që në mënyrë ceremoniale ta pastronin veten përpara se të hanin një vakt ushqimi nëpërmjet larjes së duarve të tyre duke përdorur ujin nga këto enë.

Pamja
enë të bëra me gur gëlqeror

Enë të bëra me gur gëlqeror nga koha e Dhiatës së Re në Izrael

  • Sa shumë i mbushën shërbëtorët enët me ujë?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë sasinë e ujit që mbanin enët, paraqitni një mbajtëse të hapur që mund të mbajë një litër ujë. Shpjegojuni studentëve që një “masë” ishte rreth 34 litra, kështu që të gjashtë enët mund të kishin mbajtur nga 380 deri në 600 litra. Mbushni një enë me ujë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 2:18 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që Jezusi i udhëzoi shërbëtorët të bënin më pas. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë. Teksa studentët raportojnë, zhyteni një gotë në enën me ujë dhe ngrijeni gotën lart.

  • Nëse ishit njëri prej këtyre shërbëtorëve, çfarë mund të kishit menduar ose ndier teksa i çuat një gotë të parit të festës ose udhëheqësit të festës?

Vëreni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 2:9–10 dhe ftojeni klasën të kërkojë atë që i pari i festës tha pasi e shijoi pijen që i ishte sjellë atij.

  • Çfarë i kishte bërë Jezusi ujit?

  • Çfarë tha i pari i festës për verën e re? (Shpjegoni se vera më e mirë përdorej shpesh në fillim të festës dhe vera me cilësi më të ulët përdorej më vonë në festë.)

Shpjegoni që Jezusi kurrë nuk dha një interpretim të posaçëm të kuptimit ose simbolikës së mrekullisë së parë, të shënuar për shërbesën e Tij në vdekshmëri. Megjithatë, ka shumë të vërteta domethënëse që mund t’i mësojmë nga ky rrëfim i mrekullisë së parë, të shënuar të Jezusit.

Ndajini studentët në grupe të vogla me nga dy ose tre veta. Ftojeni secilin grup që të renditë në një fletë letre sa më shumë të vërteta që munden, të cilat mund të mësohen nga Gjoni 2:1–11. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojeni një anëtar nga secili grup që t’i tregojë klasës të vërtetat që i përcaktoi grupi i tyre. Ftojeni një student të veprojë si shkrues. Kërkojini shkruesit të shkruajë në tabelë secilën të vërtetë të veçantë që jepet. Sa vijojnë janë disa prej të vërtetave të mundshme që studentët mund t’i përcaktojnë: Jezu Krishti ka fuqi mbi elementët fizikë. Shpëtimtari e dinte se Ai kishte një mision hyjnor për të përmbushur. Mesia e shfaqi fuqinë e Tij hyjnore nëpërmjet mrekullive. Biri i Perëndisë e donte dhe e respektonte nënën e Tij.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 2:11 dhe vëreni klasën të kërkojë se çfarë ndikimi pati kjo mrekulli mbi dishepujt e Jezusit.

  • Çfarë ndikimi pati kjo mrekulli mbi dishepujt e Jezusit?

Rrethoni të vërtetën vijuese në tabelë nga lista e të vërtetave që studentët i përcaktuan: Jezu Krishti ka fuqi mbi elementët fizikë. (Shënim: Nëse studentët nuk e renditën këtë të vërtetë, shtojani atë listës.)

  • Si e forcon besimin tuaj në Jezu Krishtin kuptueshmëria që Jezusi ka fuqi mbi elementët fizikë?

  • Çfarë rrëfimesh të tjera që i kemi studiuar në Dhiatën e Re, ilustrojnë gjithashtu që Jezu Krishti ka fuqi mbi elementët fizikë? (Përgjigjet mund të përfshijnë sa vijon: dy mrekullitë e bukëve dhe peshqve [pesë mijë veta: Marku 6:33–44; katër mijë veta: Marku 8:1–9], qetësimin e stuhisë [Marku 4:35–41] ose ecjen mbi ujë [Mateu 14:22–33].)

Gjoni 2:12–25

Jezusi pastron tempullin

Ftojini studentët të përmendin lojëra në natyrë që i luajtën kur ishin fëmijë. Pasi të renditin disa lojëra, pyetini sa vijon:

  • Edhe pse këto lojëra janë të pafajshme dhe argëtuese, a do të ndiheshit rehat t’i luanit ato në oborrin rrethues të tempullit?

Ndajini studentët në grupe me nga dy veta. Ftojeni secilin grup të lexojë Gjonin 2:12–17. Teksa lexojnë, bëjini grupet të kërkojnë dhe të diskutojnë përgjigjet e pyetjeve vijuese (shkruajini këto pyetje në tabelë):

  1. Cilët njerëz i gjeti Jezusi në tempull?

  2. Si mendoni, përse u zemërua Jezusi?

  3. Çfarë bëri Jezusi që ta korrigjonte problemin?

Pas një kohe të mjaftueshme, paraqitni figurën Jezusi Pastron Tempullin (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 51; shih edhe LDS.org) dhe kërkojuni disa prej grupeve të raportojnë përgjigjet e tyre. Juve mund t’ju duhet të shpjegoni se mijërat e vizitorëve që erdhën në Jerusalem për festimin e Pashkës, kishin nevojë të blinin kafshë që të ofroheshin si flijime në tempull si pjesë e adhurimit të tyre. Këmbyesit e parave shkëmbenin monedha romake dhe monedha të tjera për monedhat e tempullit, që të mund të bliheshin kafshët flijuese, dhe shitës të tjerë i shitnin kafshët e nevojshme. Ndërkohë që tregtimi nevojitej të ndodhte, kryerja e një tregtie të tillë në tempull tregonte mungesë respekti dhe nderimi.

  • Çfarë të vërtete rreth tempujve mund të mësojmë nga përshkrimi i Jezusit për tempullin në vargun 16? (Studentët duhet të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me atë që vijon: Tempulli është shtëpia e Perëndisë.)

  • Në çfarë mënyrash janë tempujt shtëpia e Perëndisë? (Përgjigjet e studentëve mund të ndryshojnë, por mund të përfshijnë idetë vijuese: Tempujt janë vende ku Perëndia mund të vijë, ku prania e Tij ose Shpirti i Tij mund të ndihen dhe ku kryhen ordinanca që lidhen me punën e Tij të shpëtimit. Tempujt janë vendet më të shenjta të adhurimit në tokë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Hauard W. Hanter. Kërkojuni studentëve të dëgjojnë për mënyrën se si të kuptuarit e Jezusit për shenjtërinë e tempujve dha ndihmesë në vendimin e Tij për t’i nxjerrë jashtë nga tempulli këmbyesit e monedhave dhe shitësit.

Pamja
Presidenti Hauard W. Hanter

“Arsyeja për stuhinë qëndron në katër fjalë të thjeshta: ‘Shtëpia e Atit Tim’. Nuk ishte një shtëpi e zakonshme; ishte shtëpia e Perëndisë. Ajo u ngrit për adhurimin e Perëndisë. Ishte një shtëpi për zemrën nderuese. Kishte si qëllim të ishte një vend i ngushëllimit për mjerimet dhe shqetësimet e njerëzve, pikërisht porta e qiellit. … Përkushtimi i [Jezusit] ndaj Më të Lartit ndezi një zjarr në shpirtin e Tij dhe u dha fjalëve të Tij forcën që i shpoi fyesit si një thikë” (“Hallowed Be Thy Name”, Ensign, nëntor 1977, f. 53).

  • Si treguan veprimet e Jezusit nderimin e Tij për shtëpinë e Atit të Tij?

Shkruajeni thënien e paplotë vijuese në tabelë: Ne tregojmë nderim për tempullin nëpërmjet …

Ndajini studentët në grupe me nga dy ose tre veta. Ftojini grupet që të shkruajnë në një fletë letre sa më shumë mënyra që munden për ta plotësuar thënien. Pas një ose dy minutash, kërkojini një grupi t’ia thotë listën e tij klasës. Teksa grupi i parë thotë listën, kërkojuni grupeve të tjera që të vendosin një shenjë pranë secilit artikull që përmendet në listat e tyre. Më pas, bëjeni një grup tjetër të japë artikuj nga lista e tij që nuk u përmendën nga grupi i parë. Përsëriteni këtë proces derisa të gjitha grupet të kenë marrë pjesë.

  • Si është e mundur ta tregojmë nderimin tonë për tempullin edhe kur nuk jemi brenda në tempull?

Ftojini të gjithë studentët të shkruajnë në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta përse ata e ndiejnë se është e rëndësishme që të bëjnë gjithçka munden për të treguar nderim për tempullin. Gjithashtu ftojini studentët të shkruajnë një synim për të bërë një gjë që të tregojnë nderim për tempullin. Nxitini ata të veprojnë sipas këtij synimi.

Jepni dëshminë tuaj për parimet e përcaktuara në mësimin e sotëm.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Përsëritja e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Kjo veprimtari mund të përdoret për të paraqitur ose për të përsëritur një grup fragmentesh të zotërimit të shkrimit të shenjtë. Përzgjidhni një numër kartash të zotërimit të shkrimit të shenjtë dhe përgatituni që t’i shpërndani mes studentëve tuaj. (Sigurohuni që të keni kopje të shumta të secilës kartë në mënyrë që më shumë se një student të marrë të njëjtin fragment të zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni të keni mjaft karta që secili student të ketë dy ose tre fragmente të ndryshme.) Shpërndajuani kartat studentëve. Jepuni kohë studentëve që t’i studiojnë fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë, referencën, fjalët kyçe, thënien e kontekstit, doktrinën ose parimin dhe idetë për zbatim në secilën kartë. Thoni të dhëna orientuese nga kartat (për shembull, fjalë nga fragmenti i zotërimit të shkrimit të shenjtë ose fjalët kyçe, kontekstin, doktrinën apo parimin, ose zbatimin). Studentët që e kanë kartën shoqëruese, duhet të ngrihen dhe të thonë me zë të lartë referencën e zotërimit të shkrimit të shenjtë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Gjoni 2:1–11. “Verën e mirë”

“Ka shumë referime në Bibël ndaj ligësive të dehjes dhe pijeve të forta (për shembull, shih Fjalët e Urta 23:20–21; Isaia 5:11–12; Efesianëve 5:18). Këto vargje nuk e ndalojnë në mënyrë të veçantë përdorimin e alkoolit, por ato e dënojnë abuzimin dhe dehjen. Në kohën tonë, Zoti ka zbuluar Fjalën e Urtësisë, e cila nuk e lejon përdorimin e pijeve alkoolike (shih DeB 89:4–7). Ne duhet të shmangim të gjykuarin e njerëzve të periudhave më të hershme ungjillore nëpërmjet urdhërimeve që Zoti i ka dhënë në kohën tonë” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 208).

Gjoni 2:4. “Ç’ke me mua, o grua?”

“Përgjigjja e Shpëtimtarit ndaj nënës së Tij mund të duket e vrazhdë siç lexohet në Variantin e Mbretit Xhejms, por Përkthimi prej Joseph Smith-it si edhe varianti grek tregojnë se Ai foli me respekt. Plaku Xhejms E. Talmixh (1862–1933), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi: ‘Emri me të cilin i drejtohet, “Grua”, siç përdorej nga një djalë për nënën e tij, mund të na tingëllojë disi i ashpër në vesh, si edhe pa respekt; por përdorimi i tij në të vërtetë ishte një shprehje e nënkuptimit të kundërt. … Kur, në skenat e fundit, të tmerrshme, të ekzistencës së Tij në vdekshmëri, Krishti qëndroi i varur në kryq duke vdekur në agoni, Ai pa drejt Marisë së përlotur, nënës së Tij, dhe e la atë nën përkujdesjen e apostullit të dashur, Gjonit, me fjalët: “O grua, ja biri yt!” [Gjoni 7:26.] A mund të mendohet se në këtë çast vendimtar, shqetësimi i Zotit tonë për nënën, nga e cila Ai ishte duke u ndarë prej vdekjes, u shoqërua me ndonjë emocion tjetër përveç atij të nderit, dhembshurisë dhe dashurisë?’ (Jesus the Christ, bot. 3-të [1916], f. 144–145).

Përkthimi prej Joseph Smith-it gjithashtu na ndihmon të kuptojmë se Jezusi jo vetëm që e pyeti nënën e Tij se çfarë donte ajo që Ai të bënte, por Ai shprehu edhe gatishmërinë për ta bërë atë: ‘Grua, çfarë do që unë të bëj për ty? atë do ta bëj’ (Joseph Smith Translation, Gjoni 2:4 [në Biblën në anglisht te Gjoni 2:4, shënimi a në fund të faqes]). Pyetja ‘Ç’ke me mua?’ në thelb donte të thoshte ‘Çfarë do që unë të bëj?’ (Gjoni 2:4)” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 208).