Biblioteka
Mësimi 64: Gjoni 5


Mësimi 64

Gjoni 5

Hyrje

Shpëtimtari mori pjesë në një festë (si Pashka) në Jerusalem dhe shëroi një burrë të paralizuar te pellgu i Betesdës. Jezu Krishti dha mësim se Ai përfaqëson Atin Qiellor dhe shpjegoi përse njerëzit kanë nevojë ta nderojnë Birin e Perëndisë. Ai gjithashtu përshkroi dëshmitarë të tjerë të cilët kishin dëshmuar për hyjnishmërinë e Tij.

Sugjerime për Mësimdhënien

Gjoni 5:1–30

Jezusi shëron një burrë të paralizuar në Shabat dhe jep mësim rreth marrëdhënies së Tij me Atin

Pamja
vazo e thyer

Paraqitni një figurë të pjesëve të një vazoje apo një pjate të thyer (ose ju mund të vizatoni një figurë të një pjate të thyer në tabelë.)

Kërkojuni studentëve të ngrenë dorën nëse kanë thyer ndonjëherë diçka të rëndësishme apo me vlerë. Shpjegoni që si fëmijë të Atit Qiellor, ne jemi të rëndësishëm dhe kemi vlerë të madhe. Megjithatë, për shkak të zgjedhjeve tona ose sfidave që hasim, me raste ne mund të ndihemi të thyer ose sikur të kemi vlerë të paktë.

  • Cilat janë disa mënyra sipas të cilave dikush mund të ndihet i thyer shpirtërisht, fizikisht apo emocionalisht? (Renditini përgjigjet e studentëve në tabelë.)

Ftojini studentët të kërkojnë një të vërtetë teksa studiojnë Gjonin 5:1–9, e cila mund të na ndihmojë të ngushëllohemi dhe mund të na japë shpresë kur ndihemi të thyer.

Përmblidheni Gjonin 5:1 duke shpjeguar se pasi Jezu Krishti dha shërbesë në Galile, Ai udhëtoi drejt Jerusalemit që të vëzhgonte një festë judease, ka shumë të ngjarë Pashkën (shih Gjoni 5:1, shënimi a në fund të faqes në Biblën angleze). Teksa ishte në Jerusalem, Ai shkoi te një pellg pranë tempullit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 5:2–4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se kush po mblidhej përreth pellgut.

  • Çfarë lloj njerëzish u mblodhën te pellgu i Betesdës? (Vini në dukje që fjalët të lënguar, të verbër, të çalë dhe të paralizuar [vargu 3] përshkruajnë njerëz që ishin të sëmurë, të pazotë ose të paaftë në njëfarë mënyre.)

  • Për çfarë po prisnin këta njerëz të brengosur? (Shpjegoni se atje mund të ketë pasur një përrua që me raste derdhte ujë në pellg dhe shkaktonte që sipërfaqja e ujit të krijonte flluska, të cilat mund të kenë siguruar njëfarë lehtësimi për lëngatat e këtyre njerëzve [shih Bible Dictionary, “Bethesda”].)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek–Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Brus R. Mek–Konki

“S’ka dyshim që pellgu i Betesdës ishte një përrua me ujë mineral, ujërat e të cilit kishin disa aftësi shëruese. Por ndonjë ide që një engjëll zbriste dhe i turbullonte ujërat, me qëllim që njeriu i parë i cili do të hynte më pas, do të shërohej, ishte thjesht paragjykim. Mrekullitë shëruese nuk sillen në ndonjë mënyrë të tillë” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:188).

  • Çfarë dha mësim Plaku Mek-Konki rreth besimit që një engjëll i shkaktonte ujërat që ta shëronin njeriun e parë që hynte në to?

  • Si mendoni se do të ishte e ngjashme skena te pellgu, me kaq shumë njerëz duke shpresuar të shëroheshin nëse ishin i pari që do të hynte në pellg?

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Gjoni 5:5–7. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari pa të shtrirë pranë pellgut.

Pamja
Krishti Shëron të Sëmurin në Betesda

Paraqitni figurën Krishti Shëron të Sëmurin në Betesda ( Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 42; shih edhe LDS.org).

  • Si e përshkruajnë këto vargje burrin që Shpëtimtari e pa?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Gjonin 5:8–9, duke kërkuar përgjigjen e Shpëtimtarit dhënë burrit. Kërkojuni të raportojnë atë që gjejnë. Ftojini të marrin parasysh që ta shenjojnë frazën “njeriu u shërua” (vargu 9).

Shkruajeni fjalën Betesda në tabelë. Shpjegoni se Betesda mund të përkthehet si “shtëpia e mëshirës” (Bible Dictionary, “Bethesda”). Shkruajeni këtë përkufizim pranë fjalës Betesda në tabelë. Shpjegoni se mëshira është dhembshuri ose mirësi. Vepra më e madhërishme e mëshirës, e kryer ndonjëherë, ishte Shlyerja e Jezu Krishtit.

  • Përse ishte Betesda një emër i përshtatshëm për këtë vendndodhje, veçanërisht pasi Shpëtimtari e shëroi këtë burrë?

  • Në çfarë mënyrash mund të jemi ne të gjithë si ky burrë në buzë të pellgut të Betesdës?

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga shërimi i këtij burri prej Shpëtimtarit? (Edhe pse studentët mund ta shprehin atë ndryshe, sigurohuni që të theksohet se nëpërmjet fuqisë dhe mëshirës së Jezu Krishtit, ne mund të shërohemi.)

Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë këtë të vërtetë, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Merill J. Beitmen, i cili dha këtë ide teksa shërbente si Peshkopi Kryesues. Kërkojini klasës të dëgjojë për mënyrat në të cilat Shpëtimtari mund të na shërojë:

Pamja
Plaku Merrill J. Beitmen

“Sikurse burri i paralizuar te Pellgu i Betesdës kishte nevojë për dikë më të fortë se ai vetë që të shërohej (shih Gjoni 5:1–9), po ashtu ne jemi të varur nga mrekullitë e Shlyerjes së Krishtit nëse shpirtrat tanë duhet të shërohen nga brengosja, hidhërimi dhe mëkati. … Nëpërmjet Krishtit, zemrat e thyera shërohen dhe paqja i zëvendëson ankthin dhe hidhërimin” (“The Power to Heal from Within”, Ensign, maj 1995, f. 13).

  • Cilat janë disa mënyra sipas të cilave ne mund të shërohemi nëpërmjet mëshirës së Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij? (Ju mund të doni të shpjegoni që ne mund të shërohemi qoftë në këtë jetë ose në jetën që vjen.)

  • Çfarë duhet të bëjmë për të marrë mëshirë dhe shërim nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit?

Kërkojuni studentëve të përsiatin raste kur kanë dëshmuar ose ndier fuqinë, mëshirën apo dhembshurinë e Jezu Krishtit duke i ndihmuar ata ose dikë tjetër që ndihej i thyer, qoftë shpirtërisht, fizikisht ose emocionalisht. Shkruajeni thënien e paplotë vijuese në tabelë: Unë e di që Shpëtimtari është i mëshirshëm dhe i dhembshur, sepse …

Pyetini studentët të marrin parasysh se si do ta plotësonin këtë thënie. Ftojini disa studentë të japin përgjigjet e tyre.

Përmblidheni Gjonin 5:10–16 duke shpjeguar se Shpëtimtari më vonë e gjeti burrin në tempull dhe e këshilloi të “mos mëkato[nte] më” (Gjoni 5:14). Kur udhëheqësit judeas mësuan se burri ishte shëruar nga Jezusi në Shabat, ata e përndoqën dhe u përpoqën ta vrisnin Shpëtimtarin.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 5:17–18. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar një arsye tjetër që udhëheqësit judeas ishin të zemëruar me Jezusin.

Shpjegoni se siç shënohet në vargun 17, Shpëtimtari u mësoi udhëheqësve judeas se nëpërmjet shërimit të burrit, Ai po bënte veprën e Atit Qiellor. Më pas Shpëtimtari dha mësim rreth marrëdhënies së Tij me Atin.

  • Sipas vargut 18, cila është një arsye tjetër përse udhëheqësit judeas ishin të zemëruar me Jezusin? (Ata besonin se Jezusi ishte fajtor për blasfemi, sepse Ai kishte thënë që Perëndia ishte Ati i Tij dhe si rrjedhim kishte shpallur se ishte i barabartë me Perëndinë.)

Shkruajeni pyetjen vijuese në tabelë: Çfarë dha mësim Shpëtimtari rreth marrëdhënies së Tij me Atin tonë Qiellor? Ndajini studentët në dyshe. Ftojeni secilën dyshe të lexojnë me zë të lartë së bashku Gjonin 5:19–22, 26–27, 30. Ftojini studentët të kërkojnë përgjigje për këtë pyetje.

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të raportojnë atë që gjetën. Përmblidhini përgjigjet e tyre për pyetjen duke shkruar të vërtetën vijuese në tabelë: Në gjithçka që bën, Jezu Krishti përfaqëson Atin Qiellor dhe përpiqet t’i bindet vullnetit të Tij. Shpjegoni se Shpëtimtari na fton të bëjmë të njëjtën gjë.)

  • Përse është e rëndësishme të kuptojmë se në gjithçka që Ai bën, Jezu Krishti qëndron si përfaqësuesi i përsosur i Atit tonë në Qiell?

Gjoni 5:31–47

Jezusi dha mësim rreth dëshmitarëve të shumtë që dëshmojnë për hyjnishmërinë e Tij

Sillni në klasë një arrë të vogël që ndodhet akoma brenda guaskës së saj (një mashurkë e vogël me kokrra brenda gjithashtu do të funksionojë). Mbajeni arrën në dorë në mënyrë që studentët nuk mund ta shohin atë. Shpjegoni se ju po mbani diçka që nuk është parë kurrë nga syri njerëzor. Kërkojuni studentëve që të ngrenë dorën nëse ju besojnë. Ftojeni një student i cili nuk është i sigurt nëse kjo është e vërtetë, që të zgjedhë disa pjesëtarë të klasës për ta parë sendin. Tregojuani këtyre studentëve objektin dhe ftojini ata t’i tregojnë klasës nëse ju po thoni të vërtetën.

  • Si forcohet vërtetësia e ndonjë shpalljeje duke pasur më shumë se një dëshmitar?

Tregojani klasës arrën dhe shpjegoni se si pjesa e brendshme e saj nuk është parë kurrë nga syri njerëzor.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 5:31. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që tha Shpëtimtari rreth vetë dëshmisë së Tij për marrëdhënien e Tij me Atin Qiellor. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.

Vini në dukje që Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it] i qartëson vargjet 31 dhe 32: “Nëse unë jap dëshmi për veten time, prapëseprapë dëshmia ime është e vërtetë. Sepse unë nuk jam i vetëm” (Joseph Smith Translation, Gjoni 5:32–33). Shpjegoni se Shpëtimtari po u jepte mësim judenjve që ata kishin dëshmitarë të tjerë përveç dëshmisë së Tij.

Shkruajini referencat vijuese në shkrimet e shenjta në tabelë: Gjoni 5:32–35; Gjoni 5:36; Gjoni 5:37–38; Gjoni 5:39; Gjoni 5:45–47. Caktojeni secilën referencë për një ose më shumë studentë. Vërini ata t’i lexojnë këto vargje dhe të kërkojnë dëshmitarë të tjerë për hyjnishmërinë e Jezusit. Ndihmojini studentët të bëjnë një listë të këtyre dëshmitarëve duke i ftuar ata të shkruajnë atë që gjejnë në tabelë pranë referencave të caktuara atyre.

Shpjegoni se pavarësisht nga të pasurit e shumë dëshmitarëve për Jezu Krishtin, udhëheqësit judeas nuk besonin në hyjnishmërinë e Jezusit. Vini në dukje në vargun 39 se teksa Jezusi foli për shkrimet e shenjta, Ai tha: “Sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme”.

  • Çfarë besimi të gabuar po iu vinte në dukje Jezusi judenjve? (Shpjegoni se shumë judenj në kohën e Jezusit besonin se thjesht studimi i shkrimeve të shenjta do t’i lejonte ata të merrnin jetë të përjetshme. Ata nuk arritën ta kuptonin se qëllimi i shkrimeve të shenjta ishte t’i drejtonin ata te Jezu Krishti. Në thelb, Ai tha: “Ju mendoni se keni jetë të përjetshme, por hetojini shkrimet e shenjta, sepse ato dëshmojnë për mua”.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 5:40. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që të judenjtë duhej të bënin për të fituar jetë të përjetshme.

  • Edhe pse judenjtë i studionin shkrimet e shenjta, çfarë nuk pranuan të bënin ata që do t’i kishte ndihmuar të kualifikoheshin për të marrë jetë të përjetshme?

  • Sipas mësimeve të Shpëtimtarit te vargjet 39 e 40, çfarë duhet të bëjmë që të marrim jetë të përjetshme? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Vetëm duke ardhur te Jezu Krishti mund të marrim jetë të përjetshme. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

Kujtojini studentët se jeta e përjetshme përfshin bërjen si Ati Qiellor dhe të jetuarit përgjithmonë me anëtarët e denjë të familjeve tona në praninë e Tij.

  • Çfarë do të thotë të vijmë te Jezu Krishti? (Të vijmë te Krishti është të ushtrojmë besim tek Ai, të pendohemi për mëkatet tona dhe t’u bindemi urdhërimeve të Tij.)

  • Përse është ardhja te Jezu Krishti thelbësore që të marrim jetë të përjetshme?

Ftojini studentët të marrin parasysh mënyrat sipas të cilave dëshmitarët e renditur në tabelë mund ta ndihmojnë dikë që të vijë te Shpëtimtari.

  • Kur ju ka ndihmuar një prej këtyre dëshmitarëve të Jezu Krishtit që të vini tek Ai?

Kërkojuni studentëve të përsiatin atë që do të bëjnë për të ardhur në mënyrë më të plotë te Shpëtimtari që të mund të marrin jetë të përjetshme.

Mbylleni duke dëshmuar për të vërtetat e dhëna mësim te Gjoni 5.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Gjoni 5:17–47. “Im Atë vepron deri më tash, e edhe unë veproj”

Sipas Plakut Xhejms E. Talmixh, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përgjigjja e Shpëtimtarit dhënë udhëheqësve judeas, e shënuar te Gjoni 5:17–47, “qëndron si predikimi më gjithëpërfshirës në shkrimet e shenjta lidhur me temën jetike të marrëdhënies midis Atit Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit” (Jesus the Christ, bot. 3-të [1916], f. 208).

Në një deklaratë doktrinore të datës 30 qershor 1916, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i të Dymbëdhjetë Apostujve dhanë mësim:

“Jezu Krishti foli dhe kreu shërbesë në dhe nëpërmjet emrit të Atit; dhe kështu, për sa i përket fuqisë, autoritetit dhe perëndishmërisë, fjalët dhe veprat e Tij ishin dhe janë fjalët dhe veprat e Atit” (“The Father and the Son: A Doctrinal Exposition by the First Presidency and the Quorum of the Twelve Apostles”, Ensign, prill 2002, f. 17).

Gjoni 5:29. Ringjallja e njerëzimit

Ndërsa përsiatnin Gjonin 5:29, Profeti Jozef Smith dhe Sidni Rigdoni morën vegimin e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 76. Ky vegim u dha atyre kuptueshmëri shtesë rreth Ringjalljes dhe planit të shpëtimit (shih DeB 76:11–19).

Gjoni 5:39. “Hetoni shkrimet; … ato janë këto që dëshmojnë për mua”

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi:

“Në fund të fundit, qëllimi thelbësor i gjithë shkrimit të shenjtë është t’i mbushë shpirtrat tanë me besim në Perëndinë, Atin, dhe në Birin e Tij, Jezu Krishtin – besim se Ata ekzistojnë; besim në planin e Atit për pavdekësinë dhe jetën tonë të përjetshme; besim në Shlyerjen dhe Ringjalljen e Jezu Krishtit, që i jep jetë këtij plani të lumturisë; besim për ta bërë ungjillin e Jezu Krishtit udhën tonë të jetës; dhe besim për të arritur që të njohim ‘të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që [Ai e ka] dërguar’ (Gjoni 17:3)” (“Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 34).