Biblioteka
Mësimi 68: Gjoni 8:31–59


Mësimi 68

Gjoni 8:31–59

Hyrje

Shpëtimtari vazhdoi mësimdhënien në tempull pas Festës së Tabernakujve. Ai dha mësim rreth lirisë nga mëkati. Kur Jezu Krishti shpalli se Ai ishte Jehovai i madhërishëm, judenjtë u përpoqën ta vrisnin me gurë Atë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Gjoni 8:31–36

Jezusi jep mësim rreth lirisë prej mëkatit

Për t’i ndihmuar studentët të kujtojnë atë që mësuan në mësimin e mëparshëm, ngrini lart një gur të vogël. Ftojini studentët të përmbledhin shkurtimisht mënyrën se si Shpëtimtari u përgjigj kur disa skribë dhe farisenj i sollën Atij një grua që kishte shkelur kurorën dhe mësimin që Ai e dha më pas (shih Gjoni 8:1–30). (Shpëtimtari nuk e dënoi gruan dhe i tha asaj që të “mos mëkato[nte] më” [vargu 11]. Më pas Jezusi dha mësim se Ai është “drita e botës” [vargu 12] dhe se kur besojmë tek Ai dhe u bindemi mësimeve të Tij, ne arrijmë ta njohim Atin.)

  • Sipas Gjonit 8:30, si i ndikuan veprimet dhe fjalët e Jezusit shumë prej judenjve?

Vini në dukje se, edhe pse shumë prej judenjve besuan në Jezusin, disa judenj vazhduan ta sfidonin Atë teksa Ai u jepte mësim njerëzve rreth dishepullimit, të vërtetës dhe lirisë kundrejt robërisë.

Vizatojeni skemën vijuese në tabelë:

Pamja
skemë, hapësira bosh drejt lirisë

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 8:31–32. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Jezusi tha se nevojitet të bëjmë me qëllim që të jemi të lirë.

Ftojini studentët të vijnë në tabelë dhe të plotësojnë hapësirat bosh për atë që Jezusi tha se nevojitet të bëjmë me qëllim që të jemi të lirë. Skema e plotësuar duhet të duket e ngjashme me sa vijon:

Pamja
skema e plotësuar, liria
  • Çfarë do të thotë të “qëndroni në fjalën [e Krishtit]”? (vargu 31).

  • Si do t’i përmblidhnit si një thënie parimore mësimet e Jezu Krishtit të shënuara në vargjet 31–32? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që është e qartë se, në qoftë se vazhdojmë [ose qëndrojmë] në fjalën e Jezu Krishtit, atëherë ne do të jemi dishepujt e Tij dhe do ta dimë të vërtetën, e cila do të na bëjë të lirë. Merreni parasysh ta shkruani këtë parim në tabelë. Ju gjithashtu mund të doni të vini në dukje që Gjoni 8:36 thekson se është për shkak të Jezu Krishtit që ne mund të bëhemi të lirë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të dëgjojë se nga çfarë mund të jemi të lirë nëse jetojmë në përputhje me fjalën e Shpëtimtarit:

Pamja
Plaku Brus R. Mek‑Konki

“Të lirë nga fuqia mallkuese e doktrinës së rreme; të lirë nga robëria e urisë dhe epshit; të lirë nga vargonjtë e mëkatit; të lirë nga çdo ndikim i lig e prishës dhe nga çdo fuqi kufizuese dhe tkurrëse; të lirë të vazhdojmë drejt lirisë së pakufishme që gëzohet në plotësinë e saj vetëm nga qenie të ekzaltuara” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:456–57).

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Gjonin 8:33. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që judenjtë besonin se i bënte ata të lirë.

  • Çfarë besonin judenjtë se do t’i bënte ata të lirë? (Gabimisht ata besonin se thjesht të qenit pasardhës të Abrahamit dhe trashëgimtarë të besëlidhjes abrahamike u jepte të drejtën e lirisë shpirtërore.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 8:34–36. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se nga çfarë tregoi Jezusi kishin njerëzit nevojë të ishin të lirë.

  • Sipas vargut 34, nga çfarë tregoi Shpëtimtari kishin njerëzit nevojë të ishin të lirë?

Vini në dukje që folja greke e përkthyer si “bën” në vargun 34 sugjeron idenë e të vazhduarit në mëkat në vend të pendimit.

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga vargu 34? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani parimin vijues në tabelë: Nëse bëjmë mëkat dhe nuk pendohemi, atëherë ne bëhemi skllevër të mëkatit.)

  • Çfarë do të thotë të jesh një “skllav i mëkatit”? (Ju mund të doni të vini në dukje se fjala e përkthyer si “skllav” gjithashtu mund të jepet edhe si “rob”.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë marrëdhënien midis dy parimeve që i kanë përcaktuar, vizatoni skemën vijuese në tabelë:

Pamja
skema, zgjedhja dhe pasojat
  • Përse disa njerëz sot mund t’i ngatërrojnë këto të vërteta duke besuar se ndjekja e Shpëtimtarit na vendos nën skllavëri, ndërkohë që bërja e mëkatit na çon në liri?

Për ta ndihmuar klasën që t’i kuptojë më mirë dy parimet e përcaktuara, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson

“Dorëzimi ndaj tundimeve [të Satanit] çon drejt një shkalle gjithmonë e më të ngushtë të zgjedhjeve derisa asgjë nuk mbetet dhe drejt vartësive që na lënë të pafuqishëm për të bërë qëndresë. …

… Bota i sheh gjërat nëpërmjet syve të Korihorit, duke marrë parasysh që bindja ndaj ligjeve dhe ordinancave të Perëndisë është ‘robëri’ (Alma 30:24, 27). …

… A ka dyshim ndonjëri që, si një pasojë e zotërimit të të gjithë dritës e së vërtetës, Perëndia zotëron lirinë përfundimtare për të qenë dhe për të bërë?

Po ashtu, teksa kuptueshmëria jonë për doktrinën dhe parimet e ungjillit rritet, liria jonë e zgjedhjes zgjerohet. Së pari, ne kemi më shumë zgjedhje dhe mund të arrijmë më shumë e mund të marrim bekime më të mëdha, sepse ne kemi më shumë ligje të cilave mund t’iu bindemi. … Së dyti, me kuptueshmëri të shtuar ne mund të bëjmë zgjedhje më të mençura, sepse i shohim më qartësisht jo vetëm mundësitë, por edhe rrjedhojat e tyre të mundshme” (“Moral Agency”, Ensign, qershor 2009, f. 49, 50–51).

Ndajini studentët në dyshe. Ftojeni secilën dyshe që të studiojë një pjesë të caktuar nga broshura Për Forcën e Rinisë (broshurë, 2011). Kërkojuni studentëve të vizatojnë tabelën vijuese në fletoret e klasës apo ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta (ju mund të doni ta vizatoni atë në tabelë). Ftojeni secilën dyshe të lexojë së bashku seksionin e caktuar atyre nga broshura Për Forcën e Rinisë dhe të plotësojë tabelën.

Standardi i diskutuar te broshura Për Forcën e Rinisë:

Në çfarë mënyrash të jetuarit e këtij standardi mund të sjellë liri?

Në çfarë mënyrash dështimi i të jetuarit të këtij standardi mund të sjellë robëri?

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojeni secilën dyshe që të ndryshojë partnerë me një dyshe tjetër dhe të japin mësim atë që mësuan rreth standardit që studiuan. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë që t’ia raportojnë atë që mësuan klasës.

  • Çfarë lirish të premtuara në broshurën Për Forcën e Rinisë i keni përjetuar vetë?

Ftojini studentët të shkruajnë një mënyrë të veçantë se si ata do të përpiqen të jenë të lirë nëpërmjet të jetuarit sipas fjalës së Shpëtimtarit.

Gjoni 8:37–59

Jezusi dëshmon për hyjninë e Tij

Ftojini studentët t’i përgjigjen shkurtimisht pyetjes vijuese:

  • Kë njeri njihni që është shumë i ngjashëm me atin e tij ose të saj?

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Gjoni 8:37–40, 44–45. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si udhëheqësit judenj, të cilët e kundërshtuan Zotin, ishin të ndryshëm nga profeti i madh i Dhiatës së Vjetër, Abrahami, të cilin ata e shpallnin si atin e tyre.

  • Sipas vargut 39, çfarë tha Shpëtimtari se ata do të bënin nëse ishin fëmijë të Abrahamit?

  • Sipas vargut 40, çfarë po kërkonin ata të bënin që Abrahami nuk do ta kishte bërë kurrë?

  • Sipas vargjeve 44–45, kush tha Jezusi se ishte ati i tyre? (Djalli.) Në çfarë mënyrash e ndoqën ata djallin?

Përmblidheni Gjonin 8:46–50 duke shpjeguar që Shpëtimtari na mësoi se ata që janë të Perëndisë, e pranojnë fjalën e Tij. Udhëheqësit judeas u përpoqën ta poshtëronin Jezusin duke e quajtur Atë një samaritan (pasi samaritanët në përgjithësi përbuzeshin nga judenjtë) dhe duke shpallur se Ai ishte i pushtuar nga një demon.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 8:51–53. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar pyetjen që udhëheqësit judeas ia bënë Jezusit.

  • Çfarë pyetjeje i bënë ata Jezusit? (Ju mund të doni t’i ftoni studentët që të shenjojnë pyetjen “Ti qenke më i madh se ati ynë Abraham?” në vargun 53.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 8:56–58. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar përgjigjen e Jezusit ndaj pyetjes së judenjve.

  • Cila ishte përgjigjja e Jezusit ndaj pyetjes “Ti qenke më i madh se ati ynë Abraham?” (Ju mund të doni t’i ftoni studentët të shenjojnë frazën “para se të kishte lindur Abrahami, unë jam” në vargun 58.)

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Gjonin 8:58, shënimin b në fund të faqes, duke kërkuar kuptimin e termit “unë jam”. Më pas bëni pyetjet vijuese:

  • Çfarë do të thotë termi “unë jam”? (Termi përcakton Jehovën, Perëndinë e Abrahamit, Isakut dhe Jakobit; ju gjithashtu mund të nevojitet të shpjegoni se Septuagint-i është përkthimi në greqisht i Dhiatës së Vjetër. Ju mund të doni t’i ftoni studentët ta shkruajnë këtë të vërtetë në shkrimet e tyre të shenjta: Jezu Krishti është Jehova, Perëndia i Dhiatës së Vjetër.)

  • Bazuar në studimin tuaj të vargut 58, cila ishte përgjigjja e Jezusit ndaj pyetjes nëse Ai ishte më i madh se Abrahami?

Pamja
Tre Burra në Furrën me Zjarr Përvëlues
Pamja
Danieli në Gropën e Luanëve

Paraqitni disa fotografi nga Libri i Figurave Artistike të Ungjillit ([2009]; shih edhe LDS.org) që tregojnë mrekulli të shënuara në Dhiatën e Vjetër (të tilla si Tre Burra në Furrën me Zjarr Përvëlues, nr. 25; ose Danieli në Gropën e Luanëve, nr. 26).

  • Nëse do të kishit qëndruar përpara Jezusit dhe e kishit dëgjuar Atë të shpallte se ishte Ai që i kishte bërë të ndodhnin mrekullitë e shënuara në Dhiatën e Vjetër, si mund t’i ishit përgjigjur Atij?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Gjonin 8:59. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si udhëheqësit judeas iu përgjigjën shpalljes së Jezusit se Ai ishte Jehova. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.

  • Si mendoni, përse është e rëndësishme për ne që të dimë se Jezu Krishti ishte Jehova, Perëndia e Dhiatës së Vjetër?

Merrni parasysh të ftoni disa studentë t’i japin klasës dëshmitë e tyre për Jezu Krishtin. Ju mund të doni ta mbyllni duke dhënë dëshminë tuaj gjithashtu.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Përsëritja e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Provimet me alternativa dhe detyrat e kontrollit u japin studentëve mundësi që të vënë në provë aftësinë për t’i kujtuar fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë. Të dhënat orientuese mund të përfshijnë fjalë kyçe ose referenca të shkrimit të shenjtë, citate nga fragmentet ose skenarë që ilustrojnë të vërtetat e dhëna mësim te fragmentet. Provimet me alternativa dhe detyrat e kontrollit mund të jepen me gojë, në tabelë ose në letër. Pasi studentët të kenë bërë provimin me alternativa apo detyrën e kontrollit, merrni parasysh të vini në dyshe studentë që kanë rezultat më të ulët me studentë që kanë rezultat të lartë. Studenti me rezultat të lartë mund të veprojë si mësues për ta ndihmuar studentin me rezultatin më të ulët që të studiojë e të përmirësohet. (Nëse e bëni këtë, sigurohuni që ta bëni në një mënyrë që nuk i turpëron studentët që po hasin vështirësi.)

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Gjoni 8:33. “Ne jemi pasardhës të Abrahamit”

Shpallja nga judenjtë se ata janë fara e Abrahamit dëfton një keqkuptim të zakonshëm lidhur me besëlidhjen abrahamike dhe doktrinën e parashugurimit. Shpjegimi vijues nga Bible Dictionary [Fjalori Biblik] i qartëson premtimet e bëra ndaj farës së Abrahamit dhe përgjegjësitë e asaj fare:

“Abrahami së pari e mori ungjillin me anë të pagëzimit (që është besëlidhja e shpëtimit). Më pas atij iu dha priftëria më e lartë dhe ai hyri në një martesë çelestiale (që është besëlidhja e ekzaltimit), duke marrë në këtë mënyrë sigurinë se ai do të kishte rritje të përjetshme. Së fundi ai mori një premtim se të gjitha këto bekime do t’u ofroheshin të gjithë pasardhësve të tij të vdekshëm (DeB 132:29–50; Abrahami 2:6–11). … Pasardhësit e Abrahamit do të merrnin toka të caktuara si një trashëgimi të përjetshme (Zanafilla 17; 22:15–18; Galatasve 3; Abrahami 2). Këto premtime të mbledhura së bashku quhen besëlidhja e Abrahamit. …

Pjesët e besëlidhjes që i përkasin shpëtimit vetjak dhe rritjes së përjetshme përtërihen me çdo individ që e merr ordinancën e martesës së përjetshme (shih DeB 132:29–33). Ata njerëz që nuk janë të prejardhjes izraelite, zakonisht të njohur si johebrenj, birësohen në shtëpinë e Izraelit dhe bëhen trashëgimtarë të besëlidhjes dhe të farës së Abrahamit, nëpërmjet ordinancave të ungjillit (Galatasve 3:26–29).

Qenia një trashëgimtar i besëlidhjes abrahamike nuk e bën dikë një ‘njeri të zgjedhur’ në vetvete, por vërtet bën të ditur që njerëz të tillë zgjidhen për t’ua çuar me përgjegjësi ungjillin të gjithë njerëzve të tokës. Fara e Abrahamit e ka mbartur veprimtarinë misionare në të gjitha kombet që nga koha e Abrahamit. (Mateu 3:9; Abrahami 2:9–11)” (Bible Dictionary, “Abraham, Covenant of”).

Gjoni 8:58. Çfarë do të thotë fraza “para se të kishte lindur Abrahami, unë jam”?

Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi kuptimin dhe rëndësinë e termit “unë jam”:

“Jezusi ishte Jehova … (shih Eksodi 6:3; Psalmeve 83:18; Isaia 12:2; Isaia 26:4). Përdorimi i këtij emri të shenjtë gjithashtu pohohet në shkrimet e shenjta moderne (shih Moroni 10:34; DeB 109:68; DeB 110:3; DeB 128:9). Emri Jehova rrjedh nga fjala hebraike hajah, që do të thotë ‘të jesh’ ose ‘të ekzistosh’. Një formë e fjalës hajah në tekstin hebreik të Dhiatës së Vjetër u përkthye si UNË JAM (shih Eksodi 3:14).

Në mënyrë mbresëlënëse, UNË JAM u përdor nga Jehova si një emër për Veten e Tij (shih DeB 29:1; DeB 38:1; DeB 39:1). Lexoni dialogun kureshtar që vijon nga Dhiata e Vjetër. Moisiu sapo kishte marrë një caktim hyjnor që ai nuk e kërkoi, një autorizim për t’i udhëhequr fëmijët e Izraelit jashtë skllavërisë. Skena ndodh në majë të malit Sinai:

‘Moisiu i tha Perëndisë: “Kush jam unë që të shkoj te Faraoni dhe t’i nxjerr bijtë e Izraelit nga Egjipti?”’

Pa dyshim Moisiu u ndie i papërshtatshëm për thirrjen e tij, madje ashtu siç mund të ndiheni ju dhe unë kur na jepet një detyrë sfiduese.

Atëherë Moisiu i tha [sërish] Perëndisë: ‘Ja, kur të shkoj te bijtë e Izraelit dhe t’u them: “Perëndia i etërve tuaj më ka dërguar te ju”, po të jetë se ata më thonë: “Cili është emri i tij?”, ç’përgjigje duhet t’u jap?’.

Perëndia i tha Moisiut: “UNË JAM AI QË JAM”. Pastaj tha: “Do t’u thuash kështu bijve të Izraelit: ‘UNË JAM-i më ka dërguar tek ju’”.

[Dhe] Perëndia i tha [akoma] Moisiut: “Do t’u thuash kështu bijve të Izraelit: ‘Zoti, Perëndia i etërve tuaj, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit më ka dërguar tek ju. Ky është emri im përjetë’” (Eksodi 3:11, 13–15).

Jehova ia kishte zbuluar në këtë mënyrë Moisiut pikërisht këtë emër që Ai e kishte zgjedhur me përulësi dhe thjeshtësi për vetë përcaktimin e Tij të para lindjes: ‘UNË JAM’” (“Jesus the Christ: Our Master and More”, Ensign, prill 2000, f. 6–7).