Biblioteka
Mësimi 69: Gjoni 9


Mësimi 69

Gjoni 9

Hyrje

Jezusi shëroi një burrë që ishte lindur i verbër. Farisenjtë e pyetën këtë burrë dhe e nxorën jashtë sinagogës ngaqë ai nuk pranoi ta mallkonte Jezusin si një mëkatar për shërimin në Shabat. Shpëtimtari e kërkoi burrin dhe burri e adhuroi Jezusin si Birin e Perëndisë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Gjoni 9:1–7

Jezusi shëron një burrë që ishte lindur i verbër

Sillini klasës një artikull lajmesh i cili përshkruan dikë që ka hasur një fatkeqësi. Përmblidheni artikullin për studentët ose shkruajeni titullin e tij në tabelë.

  • Çfarë shembujsh të tjerë keni parë të njerëzve që po përjetojnë fatkeqësi?

Vini në dukje se disa njerëz pyesin veten përse Perëndia e lejon fatkeqësinë që ta ndikojë thellësisht jetën e tyre.

Vërini studentët të kërkojnë një të vërtetë teksa e studiojnë Gjonin 9:1–5 që na ndihmon ta kuptojmë më mirë përse Perëndia e lejon fatkeqësinë për të na e ndikuar jetën tonë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 9:1–2. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar fatkeqësinë me të cilën u përball një burrë. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.

  • Sipas vargut 2, çfarë pyetje bënë dishepujt lidhur me shkakun e fatkeqësisë së këtij burri?

Shpjegoni se shumë njerëz në kohën e Shpëtimtarit besuan, sikurse besojnë disa njerëz në kohën tonë, se fatkeqësitë që i hasin njerëzit janë pasojat e mëkateve që ata ose prindërit e tyre i kishin kryer. (Ju gjithashtu mund të vini në dukje që pyetja e dishepujve nënkupton realitetin e një ekzistence para lindjes.)

  • A mendoni se kjo gjë që besonin ishte e saktë? Përse po ose përse jo?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 9:3–5. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mësimet e Shpëtimtarit rreth verbërisë së këtij burri.

  • Si mendoni, çfarë do të thotë që “tek ai të dëftohen veprat e Perëndisë”? (vargu 3).

  • Nga mësimet e Shpëtimtarit në këto vargje, çfarë të vërtete mund të mësojmë rreth fatkeqësive tona? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por duhet të përcaktojnë një të vërtetë të tillë si ajo që vijon: Perëndia mund t’i përdorë fatkeqësitë tona që të vërë në dukje veprat dhe fuqinë e Tij.)

Shpjegoni se, ndërkohë që mund të ketë shumë shkaqe të ndryshme për fatkeqësinë në jetën tonë, Perëndia mund t’i përdorë sfidat tona që të ndihmojë të përmbushen qëllimet e Tij të drejta.

Ftojini studentët të mendojnë për një fatkeqësi që e kanë hasur ose që po e hasin tani. Teksa studentët vazhdojnë të studiojnë Gjonin 9, kërkojuni atyre të përsiatin mënyra sipas të cilave Perëndia mund t’i tregojë veprat dhe fuqinë e Tij përmes tyre për shkak të atyre fatkeqësive.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 9:6–7. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar mënyrën sipas së cilës Perëndia i dëftoi veprat dhe fuqinë e Tij nëpërmjet përvojës së burrit të verbër.

Ju gjithashtu mund të shfaqni një pjesë të videos nga Life of Jesus Christ Bible Videos [Videot nga Bibla për Jetën e Jezu Krishtit] të titulluar “Jesus Heals a Man Born Blind” [“Jezusi Shëron një Burrë që u Lind i Verbër”] [kodi kohor 0:00–3:37]. Kjo video është në dispozicion te LDS.org.

  • Si e përfytyroni se do të ishte për këtë burrë që të shihte për herë të parë?

  • Si i lejoi fatkeqësia e këtij njeriu të tjerët që të dëshmonin fuqinë e Perëndisë?

  • Në këtë tregim, burrit iu desh të lahej në pellgun e Siloamit me qëllim që të merrte dritën e syve të tij. Çfarë mund të keni nevojë të bëni që Perëndia të mund të tregojë veprat dhe fuqinë e Tij në jetën tuaj?

Gjoni 9:8–41

Shpëtimtari kërkon burrin që Ai e kishte shëruar, pasi farisenjtë e nxorën jashtë

Përmblidheni Gjonin 9:8–15 duke shpjeguar se pasi burri i verbër ishte shëruar, disa njerëz debatuan nëse ai ishte me të vërtetë burri që ishte lindur i verbër. Të tjerët pyesnin veten se si ishte shëruar ai dhe e sollën atë te farisenjtë, të cilët filluan ta merrnin në pyetje.

Ftojini studentët të kërkojnë Gjonin 9:14 për ditën në të cilën Shpëtimtari e shëroi burrin e verbër. Kërkojini një studenti të raportojë për atë që ai ose ajo gjen.

  • Çfarë reagimi mendoni se patën farisenjtë ndaj Jezusit që e shëroi burrin në Shabat?

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Gjoni 9:16–38. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar një fatkeqësi tjetër me të cilën u përball burri i shëruar.

Në vend që t’i bëni studentët të lexojnë, ju mund të shfaqni pjesën e mbetur të videos “Jesus Heals a Man Born Blind” [“Jezusi Shëron një Burrë që u Lind i Verbër”] (kodi kohor 3:37–7:47). Udhëzojini studentët të kërkojnë një fatkeqësi tjetër me të cilën u përball burri i shëruar.

Ndihmoni që t’i përgatitni studentët të përcaktojnë një parim nga ky rrëfim duke i kujtuar ata që prindërit e burrit të verbër u sollën përpara farisenjve që të merreshin në pyetje.

  • Sipas vargut 22, përse prindërit e burrit të verbër iu drejtuan birit të tyre që të shpjegonte se si ai ishte në gjendje të shihte?

Shpjegoni që “sinagogat shërbenin si qendra fetare dhe shoqërore për shumë komunitete judease. Sinagogat ofronin mundësi për udhëzim dhe adhurim shpirtëror, si edhe mundësitë arsimore dhe shoqërore. Ngaqë sinagoga ishte kaq e rëndësishme për shoqërinë judease, të nxirreshe jashtë nga sinagoga … do të thoshte më shumë se sa të shkishëroheshe dhe të humbisje shoqërimin me komunitetin fetar. Do të thoshte dëbim nga veprimtaritë kulturore dhe shoqërore gjithashtu. Ky kërcënim ishte me sa duket tepër i ashpër për t’i bërë prindërit e burrit që ishte lindur i verbër, që të mos përfshiheshin shumë në hetimin e [shërimit të birit të tyre]” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 230).

  • Sipas vargut 24, çfarë shtytjeje mendoni që po përjetonte burri i shëruar?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje vargjet 30–33, duke përfshirë pjesë të shkëputura nga Përkthimi prej Joseph Smith-it i Gjonit 9:32, që gjendet në vargun 32, shënimin a në fund të faqes, duke kërkuar përgjigjet e burrit të dhëna farisenjve.

  • Çfarë arsyetimi përdori burri për ta mbrojtur Jezusin? (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë fjalët e tij te vargu 33.)

  • Çfarë dinte ky burrë rreth Jezu Krishtit?

Vini në dukje që ky burrë u nxor jashtë nga sinagoga ngaqë e mbrojti pa frikë njeriun që e kishte shëruar atë (shih vargun 34).

  • Si mendoni, përse ishte ky burrë i gatshëm të qëndronte i vërtetë ndaj asaj që dinte rreth Jezu Krishtit, edhe pse do të thoshte që ai do të nxirrej jashtë nga sinagoga?

Kujtojini studentët se pasi burri u nxor jashtë nga sinagoga, Shpëtimtari e gjeti atë dhe e pyeti nëse ai “beson[te] … në Birin e Perëndisë” (vargu 35). Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 9:36–38 dhe vëreni klasën të kërkojë përgjigjen e burrit.

  • Çfarë i ndodhi dëshmisë së këtij burri për Jezu Krishtin? (Ai arriti të njihte se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë.)

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga ky burrë rreth të qëndruarit të vërtetë ndaj asaj që njohim? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi parimesh, por sigurohuni që ata e kuptojnë parimin vijues: Teksa mbetemi të vërtetë ndaj asaj që e njohim pavarësisht nga kundërshtimi, dëshmitë tona do të forcohen. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë më mirë këtë parim, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Ethërin 12:6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që ndodh pasi ne mbetemi të vërtetë ndaj Zotit kur përjetojmë kundërshtim ndaj besimit tonë.

  • Si mendoni, përse dëshmitë tona forcohen pasi i bëjmë ballë kundërshtimit ose sprovave të besimit?

  • Si është forcuar dëshmia juaj për shkak të kundërshtimit?

Për t’i ndihmuar studentët të përcaktojnë një parim tjetër nga ky tregim, pyesni se sa studentë përdorin lente korrigjuese (të tilla si syze ose lente kontakti).

  • Çfarë i bëjnë këto lente shikimit tuaj?

  • Si ishte shikimi fizik i këtij burri pasi Jezusi e shëroi atë?

  • Si u korrigjua ose përmirësua shikimi shpirtëror ose kuptueshmëria e këtij burri për Shpëtimtarin?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Gjonin 9:11, 17, 33, duke kërkuar fraza që përshkruajnë shikimin shpirtëror ose kuptueshmërinë se cili ishte Jezusi. Kërkojuni atyre të raportojnë atë që gjejnë. (Përgjigjet e tyre duhet të përfshijnë “një njeri që quhet Jezus”, “një profet” dhe një njeri “i Perëndisë”. Shkruajini këto fraza në tabelë dhe ftojini studentët t’i shenjojnë ato në shkrimet e tyre të shenjta.)

  • Sipas këtyre frazave, çfarë i ndodhi shikimit shpirtëror të këtij burri? (U korrigjua dhe u përmirësua. Këto fraza pasqyrojnë rritjen e pjekurisë shpirtërore dhe të kuptueshmërisë së këtij burri për identitetin e vërtetë të Jezusit.)

  • Si mendoni, përse shikimi shpirtëror dhe kuptueshmëria e tij për Shpëtimtarin u bënë më të qarta? (Ai ushtroi besim duke qëndruar i vërtetë ndaj asaj që e njihte.)

Vërini studentët t’i hedhin një sy të shpejtë Gjonit 9:36–38, duke kërkuar për mënyrën se si ky burrë arriti më së fundi ta shihte Shpëtimtarin.

  • Çfarë arriti më së fundi ky burrë të shihte rreth Shpëtimtarit? (Ai arriti të kuptonte se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë.)

  • Sa i saktë u bë shikimi shpirtëror i këtij burri?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Hauard W. Hanter. Kërkojini klasës të dëgjojë për atë që tha Presidenti Hanter se i ndodhi këtij burri.

Pamja
Presidenti Hauard W. Hanter

“Tani shikimi ishte dhënë dy herë – një herë për të shëruar një defekt të bashkëlindur [një defekt fizik që nga lindja] dhe një herë për të vështruar Mbretin e Mbretërve përpara se Ai të ngjitej në fronin e Tij të përjetshëm. Jezusi i kishte përshpejtuar si shikimin fizik ashtu edhe shikimin shpirtëror” (“The God That Doest Wonders”, Ensign, maj 1989, f. 16–17).

  • Si mund të paraqesë shërimi i burrit nga verbëria fizike shërimin e tij nga verbëria shpirtërore?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga ky tregim rreth asaj që mund të na ndodhë kur ushtrojmë besim në Jezu Krishtin? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Kur ushtrojmë besim në Jezu Krishtin, shikimi ynë shpirtëror dhe kuptueshmëria jonë bëhen më të qarta. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

  • Si mendoni, përse është i domosdoshëm ushtrimi i besimit me qëllim që ta shohim e kuptojmë të vërtetën shpirtërore më qartësisht?

Shpjegoni se disa farisenj po qëndronin aty pranë kur burri e pa dhe e adhuroi Jezusin si Birin e Perëndisë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 9:39–41. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari dha mësim rreth verbërisë.

  • Si do ta përmblidhnit atë që Shpëtimtari ua dha mësim farisenjve?

Shpjegoni se në përgjigje të pyetjes së farisenjve: “Jemi të verbër edhe ne?” (vargu 40), “Shpëtimtari përdori një metaforë, duke thënë mësim se individët që ishin ‘të verbër’ – ata që nuk e dinin se kush ishte ai – ‘nuk do të kishi[n] asnjë mëkat’ (Gjoni 9:41). Nga ana tjetër, individët që mund të ‘shihnin’ – ata që kishin marrë dëshmi të mjaftueshme lidhur me Shpëtimtarin dhe misionin e Tij hyjnor, që duhej ta kishin ditur se cili ishte Ai – do të ishin të përgjegjshëm për veprimet e tyre. Farisenjtë ishin mes atyre që mund të ‘shihnin’ dhe kështu ‘mëkati [i tyre] mbete[j]’. Duke folur nga ana shpirtërore, ata zgjodhën të ishin të verbër ngaqë nuk pranuan ta dallonin Jezusin si Birin e Perëndisë, pavarësisht nga dëshmitë e shumta që kishin marrë” (New Testament Student Manual, f. 231).

Për ta mbyllur, ftojini studentët të shohin të dy parimet në tabelë dhe të përsiatin se cilin e ndiejnë që duhet ta zbatojnë në jetën e tyre (ata mund të ndiejnë nevojë për t’i zbatuar që të dy parimet). Jepuni studentëve kohë të shkruajnë në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta se si do ta vënë në jetë këtë parim. Nxitini të luten për udhërrëfim rreth mënyrës se si ta bëjnë këtë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Gjoni 9:2. “Kush ka mëkatuar, ai apo prindërit e tij, që ai ka lindur i verbër?”

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha këndvështrimin vijues për atë që Jezusi u dha mësim dishepujve të Tij kur e shëroi burrin e verbër:

“Nëpërmjet këtij veprimi të dhënies së dritës së syve një lypësi të verbër Jezusi, në një mënyrë dramatike dhe të pamohueshme, e shpalli vetveten si: 1) Dritën e Botës; dhe 2) Birin e vërtetë të Perëndisë. Në lidhje me kryerjen e saj ai gjithashtu pohoi bindjen e dishepujve në ekzistencën para [lindjes]; kundërshtoi bindjen e disa njerëzve që paaftësitë fizike rrjedhin nga mëkati para lindjes; i mësoi se vetë puna e tij iu ngarkua atij nga Ati; ripohoi që ai qëndron si gjykues ndaj botës; dhe u mësoi se mohimi i dritës dhe së vërtetës sjell mallkim” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:479).

Gjoni 9:8–38. Kur ushtrojmë besim në Jezu Krishtin, shikimi ynë shpirtëror dhe kuptueshmëria jonë bëhen më të qarta

Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi:

“Jini besues dhe besimi juaj do të shtohet vazhdimisht, njohja e së vërtetës do të rritet dhe dëshmia juaj për Shëlbuesin, për Ringjalljen, për Rivendosjen do të jetë si një ‘burim uji që gufon në jetë të përjetshme’ [DeB 63:23; shih edhe Gjoni 4:14; Jeremia 2:13]. Atëherë ju mund të merrni udhërrëfim për vendimet praktike në jetën e përditshme” (“Personal Revelation: The Gift, the Test, and the Promise”, Ensign, nëntor 1994, f. 61).

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

“Ushtroni besim te Shpëtimtari. Përpiquni t’ia vini veshin këshillës së Tij dhe t’iu bindeni urdhërimeve të Tij. Ai do t’ju bekojë dhe udhëheqë teksa lëvizni përgjatë kësaj bote nganjëherë të pabesë.

Unë dëshmoj solemnisht se Jezu Krishti e drejton këtë, kishën e Tij. Ai ju njeh dhe ju do personalisht. Teksa ecni duke u bindur me besnikëri, Ai do t’ju bekojë, frymëzojë dhe udhëheqë drejt diturisë dhe aftësisë më të madhe. Unë vërtetoj se Ai jeton” (“Acquiring Spiritual Knowledge”, Ensign, nëntor 1993, f. 88).