Biblioteka
Mësimi 73: Gjoni 13


Mësimi 73

Gjoni 13

Hyrje

Pas ngrënies së darkës së Pashkës, Jezusi lau këmbët e Apostujve të Tij dhe e përcaktoi Judën si tradhtarin e Tij. Pavarësisht nga trazira e javës përfundimtare të shërbesë së Tij në vdekshmëri, Jezusi i përqendroi mësimet e Tij te bindja, shërbimi dhe dashuria – tipare që e përcaktuan jetën e Tij dhe duhet të përcaktojnë jetën e dishepujve të Tij në të gjitha epokat.

Sugjerime për Mësimdhënien

Gjoni 13:1–17

Jezusi lan këmbët e Apostujve të Tij

Përpara orës mësimore, kopjojeni skemën vijuese në tabelë:

Pamja
vargu i pandërprerë i lumturisë

Lexoni me zë të lartë pyetjet vijuese dhe ftojini studentët të përsiatin se si do të përgjigjeshin (shpjegoni se ata nuk kanë nevojë të përgjigjen me zë të lartë):

  • Ku do ta vendosnit veten tuaj në këtë varg të pandërprerë?

  • A do të donit të ishit më të lumtur sesa jeni tani?

  • A mund të mendoni për dikë që do të donit ta ndihmonit të bëhej më i/e lumtur?

Ftojini studentët të kërkojnë një parim teksa studiojnë Gjonin 13, që do t’i ndihmojë të dinë atë që mund të bëjnë për të qenë më të lumtur.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë kontekstin e Gjonit 13, kujtojini ata se Jezusi e festoi festën e Pashkës me Apostujt e Tij. Përmblidheni Gjonin 13:1–3 duke shpjeguar se, ndërkohë që Jezusi ndante këtë darkë të fundit me Apostujt e Tij përpara Kryqëzimit të Tij, Ai e dinte se shpejt do të vritej dhe do të kthehej tek Ati i Tij Qiellor.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 13:4–5 dhe vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Jezusi bëri pasi Ai dhe Apostujt e Tij e mbaruan ngrënien e vaktit të Pashkës. Shpjegoni se fraza “hoqi rrobat e tij” në vargun 4 do të thotë që Jezusi e hoqi një rrobë të sipërme, të ngjashme me dikë që heq një xhaketë në kohën tonë.

  • Çfarë shërbimi kreu Shpëtimtari për dishepujt e Tij?

Shpjegoni se “në kohët e Dhiatës së Re, njerëzit vishnin sandale të hapura, ecnin në rrugë kryesisht me pluhur që grumbullonin papastërtitë e bagëtive dhe nuk kishin rregullisht mundësinë për ujë që të laheshin. Këmbët e tyre bëheshin shumë të papastra dhe larja e këmbëve të një personi tjetër mund të kishte qenë një detyrë e padëshirueshme. … Ky zakon i mikpritjes zakonisht kryhej nga shërbëtorët e nivelit më të ulët” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 242). Gjatë darkës së fundit, “Krishti u ngrit qetësisht, i përveshi krahët sikurse një skllav ose një shërbëtor do t’i përvishte dhe ra në gjunjë që të lante këmbët e Apostujve” (Jeffrey R. Holland, “He Loved Them unto the End”, Ensign, nëntor 1989, f. 25).

Pamja
Jezusi u Lan Këmbët Apostujve

Paraqitni figurën Jezusi u Lan Këmbët Apostujve (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 55; shih edhe LDS.org).

  • Po të kishit qenë atje kur Jezusi u lau këmbët Apostujve të Tij, si mund të kishit reaguar nëse Jezusi fillonte të lante këmbët tuaja?

  • Çfarë zbuloi rreth karakterit të Jezusit veprimi i larjes së këmbëve të Apostujve të Tij?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Përkthimin prej Joseph Smith-it të Gjonit 13:8 (në kombinimin tresh). Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pjetri tha kur Shpëtimtari filloi të lante këmbët e tij.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Përkthimin prej Joseph Smith-it të Gjonit 13:9–10 (në kombinimin tresh). Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar përgjigjen e Pjetrit ndaj asaj që Zoti i tha atij.

  • Çfarë mësojmë rreth Pjetrit nga përgjigjja e tij, e shënuar te vargu 9, për atë që Zoti i tha atij? (Pjetri e respektonte Zotin dhe dëshironte ta ndiqte Atë tërësisht.)

Shpjegoni se nëpërmjet larjes së këmbëve të Apostujve të Tij, Shpëtimtari jo vetëm që kreu një veprim të bukur shërbimi, por Ai gjithashtu përmbushi ligjin e Moisiut dhe themeloi një ordinancë të shenjtë (shih Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:708–709). Kjo ordinancë u rivendos në periudhën tonë të kujdestarisë ungjillore nëpërmjet Profetit Jozef Smith (shih DeB 88:74–75, 137–141).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 13:11 dhe vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar përse Jezusi u tha Apostujve se ishin “të pastër, por jo të gjithë”.

  • Kujt po i drejtohej Shpëtimtari kur Ai tha se Apostujt ishin “të pastër, por jo të gjithë”? (Judë Iskariotit, i cili do ta tradhtonte Atë pas pak kohe.)

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Gjoni 13:12–17. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari u dha mësim Apostujve të Tij pasi Ai ua lau këmbët.

  • Sipas vargjeve 13–16, çfarë shembulli dha Shpëtimtari dhe i ftoi Apostujt e Tij që ta ndiqnin? (Edhe pse Shpëtimtari ishte “Mësues[i] dhe Zot[i]” [vargu 13] dhe më i madhërishmi i të gjithëve, Ai u shërbeu të tjerëve.)

  • Nisur nga premtimi i Shpëtimtarit dhënë Apostujve të Tij, i shënuar në vargun 17, çfarë bekimi do të marrim kur e ndjekim shembullin e Tij për t’u shërbyer të tjerëve? (Duke përdorur fjalët e tyre, studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Kur e ndjekim shembullin e Shpëtimtarit për t’u shërbyer të tjerëve, ne do të jemi më të lumtur.)

  • Si mendoni, përse do të jemi më të lumtur nëse u shërbejmë të tjerëve ashtu siç bëri Shpëtimtari?

Kërkojuni studentëve të mendojnë për një rast kur ata ishin më të lumtur ngaqë e ndoqën shembullin e Shpëtimtarit duke u shërbyer të tjerëve. Ftojini disa studentë t’i tregojnë klasës përvojat e tyre. Ju mund të doni të tregoni një përvojë tuajën.

Për t’i ndihmuar studentët të mësojnë një mënyrë se si mund ta zbatojnë këtë parim, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku M. Rasëll Ballard

“Në lutjen tuaj të mëngjesit çdo ditë të re, kërkojini Atit Qiellor t’ju drejtojë që të dalloni mundësi për t’i shërbyer një[rit] prej fëmijëve të Tij të çmuar. Pastaj vazhdojeni gjithë ditën me zemrën plot besim e dashuri, duke kërkuar të gjeni dikë që mund ta ndihmoni. Nëse e bëni këtë, ndjeshmëritë tuaja shpirtërore do të zhvillohen dhe do të zbuloni mundësi për të shërbyer që kurrë më parë nuk i keni menduar të mundshme” (“Përfshihuni me Zell”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 31).

  • Sipas Plakut Ballard, si mund të gjejmë ne mundësi për t’u shërbyer të tjerëve?

Nxitini studentët ta ndjekin shembullin e Shpëtimtarit duke u shërbyer të tjerëve. Merrni parasysh t’i ftoni studentët të përgatiten gjatë disa prej klasave të ardhshme që të raportojnë për përvojat e tyre të shërbimit të tjerëve.

Gjoni 13:18–30

Jezusi përcakton tradhtarin e Tij

Përmblidheni Gjonin 13:18–30 duke shpjeguar se pasi Jezusi u mësoi Apostujve të Tij që ata do të ishin të lumtur nëse u shërbenin të tjerëve, Ai tha se një prej tyre do ta tradhtonte Atë. Kur Gjoni e pyeti Jezusin se kush do ta tradhtonte, Jezusi vuri në dukje se një prej Apostujve të Tij (Juda) do ta tradhtonte Atë.

Gjoni 13:31–38

Jezusi u mëson dishepujve të Tij që ta duan njëri-tjetrin

Pyetini studentët nëse dikush i ka akuzuar ndonjëherë se nuk ishin të krishterë ose dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit, ngaqë ata janë anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Nëse ndonjë student e ngre dorën, pyeteni se si iu përgjigj akuzës se nuk janë të krishterë. Nëse askush nuk e ka pasur këtë përvojë, pyetni:

  • Si do të përgjigjeshit nëse dikush ju thoshte se ju nuk jeni i krishterë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 13:34–35. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari tha se do t’i ndihmonte të tjerët të kuptonin që Apostujt ishin dishepuj të Jezu Krishtit.

  • Sipas vargut 34, çfarë urdhërimi u dha Jezusi Apostujve të Tij?

  • Sipas vargut 35, çfarë do të dinin të tjerët nëse Apostujt e donin njëri-tjetrin sikurse Jezusi i deshi ata?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga mësimet e Shpëtimtarit të dhëna Apostujve të Tij? (Duke përdorur fjalët e tyre, studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Kur e duam njëri-tjetrin sikurse Jezu Krishti na do ne, të tjerët do ta dinë se ne jemi dishepujt e Tij.)

  • Sipas asaj që keni studiuar këtë vit rreth Jezu Krishtit, në çfarë mënyrash na tregon Jezusi se Ai i do njerëzit?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë të vërtetën dhe rëndësinë e parimit që sapo e përcaktuan, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë rrëfimin vijues, i cili u dha nga Plaku Pol E. Kolliker, i Të Shtatëdhjetëve:

Pamja
Plaku Pol E. Kolliker

“Dy misionarë të rinj trokitën në një derë me shpresën që të gjenin dikë për të pranuar mesazhin e tyre. Dera u hap dhe një burrë trupmadh i përshëndeti ata me një zë antipatik: ‘Mendova se ju thashë të mos trokisni më në derën time. Ju paralajmërova më parë se, nëse do të vinit përsëri, kjo nuk do të ishte një përvojë e këndshme. Tani më lini të qetë.’ Ai me ngut mbylli derën.

Kur misionarët u larguan, misionari më i vjetër e më me përvojë vendosi dorën mbi shpatullën e misionarit më të ri për ta ngushëlluar dhe për t’i dhënë zemër. Pa u vënë re nga ata, burri i pa nga dritarja për t’u siguruar se ata e kishin kuptuar mesazhin e tij. Ai priste që t’i shihte ata tërësisht të qeshur dhe të bënin shaka me përgjigjen e tij të shkurtër e të pasjellshme për përpjekjen e tyre për ta vizituar. Megjithatë, ndërsa ai pa shprehjen e mirësisë midis dy misionarëve, zemra e tij u zbut në çast. Ai e hapi sërish derën dhe u kërkoi misionarëve të ktheheshin e të ndanin mesazhin e tyre me të.

… Ky parim i të pasurit të dashurisë për njëri-tjetrin dhe zhvillimit të aftësisë sonë për të qenë me përqendrimin te Krishti në mënyrën si mendojmë, flasim dhe veprojmë, është thelbësor për t’u bërë dishepuj të Krishtit” (“Ai me të Vërtetë na Do”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 17).

  • Si e ndoqën misionarët e përshkruar në këtë tregim këshillën e Zotit për ta dashur njëri-tjetrin?

Ftojini studentët të këndojnë “Love One Another” [“Doni Njëri-Tjetrin”] (Hymns, nr. 308) dhe kërkojuni atyre të mendojnë për dikë që e njohin, që dallohet me lehtësi si një dishepull i Jezu Krishtit për shkak të dashurisë që ai ose ajo tregon për të tjerët. Pasi të këndohet himni, ftojini studentët të japin emrat e njerëzve për të cilët menduan dhe të shpjegojnë mënyra të veçanta se si këta njerëz e tregojnë dashurinë e tyre për të tjerët. Merrni parasysh t’i tregoni klasës edhe për dikë që menduat ju.

Nxitini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës apo ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta se çfarë do të bëjnë ata që t’i duan më mirë të tjerët, ashtu si Shpëtimtari i do ata.

Përmblidheni Gjonin 13:36–38 duke shpjeguar se pasi Pjetri shpalli që ai do ta jepte jetën e tij për Jezu Krishtit, Jezusi i tha Pjetrit se ai do ta mohonte tri herë Jezusin përpara se gjeli të këndonte.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Përsëritja e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Udhëhiqini studentët në një veprimtari të kërkimit të shkrimeve të shenjta duke përdorur të dhëna që i ndihmojnë ata të ushtrohen në gjetjen me shpejtësi të fragmenteve në shkrimet e tyre të shenjta. Si të dhëna, ju mund të përdorni fjalë kyçe, thënie të kontekstit, doktrina e parime dhe ide për zbatim nga kartat e zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju gjithashtu mund të krijoni vetë të dhënat tuaja orientuese. Veprimtaritë e kërkimit të shkrimit të shenjtë, në të cilat studentët konkurrojnë për të gjetur fragmente, mund t’i ndihmojnë ata që të përfshihen në mënyrë vepruese në mësimin e fragmenteve të zotërimit të shkrimit të shenjtë. Kur përdorni veprimtaritë e kërkimit të shkrimeve të shenjta, bëjini ato në një mënyrë që nuk shkakton ndjenja të lënduara apo që nuk e fyen Shpirtin. Ndihmojini studentët të shmangin trajtimin e shkrimeve të tyre të shenjta pa nderim ose të qenit konkurrues në mënyrë të tepruar. Gjithashtu merrni parasysh t’i ftoni studentët të konkurrojnë kundrejt një standardi në vend të konkurrimit kundër njëri-tjetrit. Për shembull, studentët mund të konkurrojnë kundër mësuesit ose mund të konkurrojnë për të parë nëse një përqindje e caktuar e klasës mund të gjejë një fragment të veçantë brenda një madhësie të caktuar të kohës.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Gjoni 13:1–17. Larja nga ana e Shpëtimtarit e këmbëve të dishepujve të Tij

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se larja nga ana e Shpëtimtarit e këmbëve të dishepujve të Tij tregoi përkushtimin e Tij të palëkundshëm:

“Në mes të [Darkës së Fundit], Krishti u ngrit qetësisht, i përveshi krahët sikurse një skllav ose një shërbëtor do t’i përvishte dhe ra në gjunjë që të lante këmbët e Apostujve. (Shih Gjoni 13:3–17.) Ky rreth i vogël besimtarësh në këtë mbretëri që mezi gjendej, ishte gati të kalonte përmes sprovës më të rëndë për ta, kështu që Ai do të linte mënjanë ankthin e Tij në rritje me qëllim që edhe njëherë të mund t’u shërbente atyre dhe t’i forconte ata. Nuk ka rëndësi që askush nuk ia lau këmbët e Tij. Në përulësi të papërfytyrueshme Ai do të vazhdonte t’u jepte mësim dhe t’i pastronte ata. Ai deri në orën përfundimtare – dhe përtej saj – do të ishte shërbëtori i tyre mbështetës” (“He Loved Them unto the End”, Ensign, nëntor 1989, f. 25).

Gjoni 13:4–12. Larja e këmbëve është një ordinancë e ungjillit

Përkthimi prej Joseph Smith-it siguron një këndvështrim shtesë në larjen e këmbëve të dishepujve: ‘Tani ky ishte zakoni i judenjve sipas ligjit të tyre; si rrjedhim, Jezusi e bëri këtë që ligji të mund të përmbushej’ (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Gjoni 13:10 [në kombinimin tresh]).

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

“Rëndësia e plotë e kësaj nuk është e dukshme për lexuesin e përciptë, as nuk duhet të jetë, sepse larja e këmbëve është një ordinancë e shenjtë, e ruajtur për t’u bërë në vende të shenjta për ata që e bëjnë vetveten të denjë. Megjithatë, është e dukshme që judenjtë gjithashtu kishin ordinanca të shenjta, të kryera në tempujt e tyre, një dituri e cila nuk është ruajtur, as nuk mund të ruhej, në ndonjë literaturë që ka mbërritur deri te ne” (The Mortal Messiah, 4 vëll. [1979–1981], 4:38–39).

Një shënim paralajmërimi: Nuk nevojitet të hyni në hollësi përtej thënies së Plakut Mek-Konki lidhur me ordinancën e shenjtë të larjes së këmbëve, të kryer në tempuj “për ata që e bëjnë vetveten të denjë”. Kujtoni këtë paralajmërim nga Presidenti Spenser W. Kimball:

“Me raste dikush bën pyetje ose përpiqet të pyesë rreth ordinancave që janë përtej njohurisë së tij dhe përtej përgjegjësisë së tij. Një mësues nuk u bën shërbim studentëve të tij kur e gjallëron kuriozitetin ose e nxit diskutimin rreth atyre gjërave që nuk janë pjesë e jetës së tyre apo e përvojës së tyre – bekime të caktuara, për të cilat flitet në shkrimet e shenjta, mundësi të caktuara që janë të kufizuara dhe që jepen vetëm nga ata që kanë autoritet të veçantë dhe nën rrethana të veçanta. … Sigurisht do të ishte e urtë për mësuesit tanë që t’i linin mënjanë këto tema dhe të mos shqetësoheshin rreth tyre, as të mos i shqetësonin studentët rreth tyre” (“The Ordinances of the Gospel” [bisedë e dhënë trupës mësimore të seminarit dhe institutit, 18 qershor 1962], f. 2–3).

Gjoni 13:17. “Të lumtur jeni ju nëse do t’i bëni”

Presidenti Tomas S. Monson shpalli se lumturia vjen nga shërbimi të tjerëve:

“Që të gjejmë lumturinë e vërtetë, ne duhet të kërkojmë për të brenda një përqendrimi jashtë vetes sonë. Askush nuk e ka mësuar kuptimin e të jetuarit derisa ai nuk e ka dorëzuar egoizmin e tij ndaj shërbimit të bashkënjerëzve të tij. Shërbimi të tjerëve është i ngjashëm me detyrën – përmbushja e së cilës sjell gëzim të vërtetë” (“Guideposts for Life’s Journey” [takim shpirtëror i Universitetit “Brigam Jang”, 13 nëntor 2007], f. 4, speeches.byu.edu).

Gjoni 13:23. “Por një nga dishepujt e tij, … ishte mbështetur te kraharori i Jezusit”

“Në kohët e Dhiatës së Re, ata që hanin në darka formale shpesh uleshin në divane të ulët, të vendosur përreth tavolinave, duke u mbështetur mbi krahun e tyre të djathtë me kokën të vendosur drejt tavolinës dhe këmbët e tyre të drejtuara larg nga tavolina. Si rrjedhim, miku i ulur në të djathtë të mikpritësit do të përkulej drejt mikpritësit. Ky duket të ketë qenë vendi ku u ul Apostulli Gjon, ‘mbështetur te kraharori i Jezusit’, ose duke u përkulur drejt Jezusit, gjatë ngrënies (krahasoni me Llukën 16:22). Ky pozicion do ta kishte lejuar Gjonin, dishepullin ‘të cilin Jezusi e donte’, të kishte biseda të fshehta me Shpëtimtarin që nuk do të ishin dëgjuar nga kushdo në darkë, të tilla si ajo lidhur me tradhtinë e Judës (shih Gjoni 13:23–28)” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 242).

Gjoni 13:34–35. “Doni njëri-tjetrin”

Plaku Xhozef B. Uirthlin, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli rreth rëndësisë së dashurisë dhe dishepullimit:

“Dashuria është fillimi, mesi dhe fundi i udhës së dishepullimit. … Në përfundim, dashuria na udhëheq te lavdia dhe madhështia e jetës së përjetshme. …

Kur Jezusi u dha dishepujve një urdhërim të ri që ta ‘doni[n] njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur’ [Gjoni 13:34], Ai iu dha atyre kyçin e madhërishëm të lumturisë në këtë jetë dhe të lavdisë në jetën që vjen.

Dashuria është urdhërimi më i madh i të gjitha urdhërimeve – të gjithë të tjerat varen nga ai. Është përqendrimi ynë si pasues të Krishtit të gjallë” (“The Great Commandment”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 28–29, 30–31).

Pasi citoi Gjonin 13:34–35, Plaku M. Rusëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

“Dashuria që përshkruan Shpëtimtari është një dashuri vepruese. Nuk shfaqet përmes veprimeve të mëdha dhe heroike, por përkundrazi nëpërmjet veprimeve të thjeshta të mirësisë dhe shërbimit” (“Duke Gjetur Gëzim përmes Shërbimit të Përzemërt”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 47).

Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, tha:

“Dashuria është tipari përcaktues i një dishepulli të Krishtit” (“The Love of God”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 22).