Biblioteka
Mësimi 74: Gjoni 14


Mësimi 74

Gjoni 14

Hyrje

Pas vaktit të Pashkës, Jezusi u mësoi Apostujve të Tij se si të ktheheshin tek Ati Qiellor dhe se si ta tregonin dashurinë e tyre për Shpëtimtarin. Jezusi më pas u premtoi Apostujve të Tij se Ai do t’iu dërgonte atyre një Ngushëllues tjetër.

Sugjerime për Mësimdhënien

Gjoni 14:1–14

Shpëtimtari u mëson Apostujve të Tij se si të kthehen tek Ati Qiellor

Nëse është e mundur, paraqitni një hartë të qytetit tuaj ose ftojini studentët të përcaktojnë vendndodhjen e tyre të tanishme në të. Në hartë, përcaktoni një vend tjetër me të cilin studentët janë të njohur. Kërkojuni të shkruajnë në një copë letre se si të shkojnë nga vendndodhja e tyre e tanishme tek ai vend. Ftojini një ose dy studentë të raportojnë atë që shkruan.

Shkruani në tabelë Mbretëria Çelestiale. Kërkojuni studentëve të marrin parasysh udhëzimet që do t’i jepnin dikujt që dëshiron të dijë se si të arrijë në mbretërinë çelestiale.

Ftojini studentët të kërkojnë një të vërtetë teksa studiojnë Gjonin 14, që mund t’i ndihmonte ata të dinin se si të ktheheshin tek Ati Qiellor dhe të hynin në mbretërinë çelestiale.

Për t’i ndihmuar studentët që të kuptojnë kontekstin e Gjonit 14, kujtojini ata se Shpëtimtari e mbajti Pashkën me Apostujt e Tij në një dhomë të sipërme në Jerusalem. Pas vaktit të Pashkës, Jezusi u tha dishepujve të Tij se shpejt Ai do të largohej prej tyre (shih Gjoni 13:33).

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Gjoni 14:1–5. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që Jezusi u dha mësim Apostujve të Tij që t’i ndihmonte ata për t’i ngushëlluar.

  • Çfarë u mësoi Jezusi Apostujve që t’i ndihmonte për t’i ngushëlluar ata?

  • Çfarë mendoni se do të thotë fraza “në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa” në vargun 2?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Profeti Jozef Smith:

Pamja
Profeti Jozef Smith

“[Thënia] ‘në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa’ … duhet të jetë – ‘në mbretërinë e Atit tim ka shumë mbretëri’, me qëllim që ju të mund të jeni trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë me mua. … Ka banesa për ata që i binden një ligji qiellor dhe ka banesa të tjera për ata që nuk i binden ligjit, çdo njeri sipas rendit të vet” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smithi [2007], f. 230).

Ju mund të doni të sugjeroni që studentët të shkruajnë fjalët mbretërinë dhe mbretëri në shkrimet e tyre të shenjta mbi fjalët shtëpinë dhe banesa te Gjoni 14:2.

  • Cilat mësime te Gjoni 14:1–4 mund të kenë qenë ngushëlluese për Apostujt?

  • Sipas vargut 5, si iu përgjigj Thomai mësimit të dhënë nga Shpëtimtari se Apostujt e Tij e njihnin udhën për te mbretëria e Atit Qiellor?

Ftojeni një student të lexojë Gjonin 14:6 me zë të lartë dhe vëreni klasën të kërkojë përgjigjen që Jezusi i dha pyetjes së Thomait.

  • Si iu përgjigj Jezusi pyetjes së Thomait?

Vizatoni një shteg në tabelë. Në njërin fund të shtegut shkruani Ne dhe në fundin tjetër shkruani Mbretëria e Atit Qiellor. Shkruani fjalën Udha nën shtegun dhe vini në dukje se kjo fjalë i drejtohet shtegut që çon nga një vend te tjetri.

  • Si është Shpëtimtari Udha? (Studentët mund të përgjigjen që Shpëtimtari na tregon se si të jetojmë me qëllim që të bëhemi si Perëndia dhe se si të jemi të denjë që të banojmë në praninë e Atit Qiellor.)

Shkruani E Vërteta dhe Jeta në tabelë nën fjalën “Udha”.

  • Në çfarë mënyrash është Jezu Krishti e Vërteta? (Ai është burimi i gjithë së vërtetës dhe e jetoi gjithë të vërtetën përsosmërisht.)

  • Në çfarë mënyrash është Jezu Krishti Jeta? (Ai bën të mundur për ne që ta mundim vdekjen fizike dhe të ringjallemi me trupa të pavdekshëm fizikë dhe ta mundim vdekjen shpirtërore që të fitojmë jetë të përjetshme. Ai është “drit[a] e cila është në gjithçka, që i jep jetë gjithçkaje” [DeB 88:13].)

Nën vizatimin e shtegut në tabelë, shkruani Jezu Krishti Është pranë fjalës “Udha”.

  • Bazuar në atë që kemi diskutuar, si do ta përmblidhnit kuptimin e thënies së Shpëtimtarit që “askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje”? (Gjoni 14:6). (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të shprehin një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Vetëm nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe me anë të ndjekjes së udhës së Tij ne mund të hyjmë në mbretërinë e Atit Qiellor.)

  • Çfarë do të ndodhë nëse përpiqemi të ndjekim një udhë që nuk është udha e Shpëtimtarit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Lorens E. Korbrixh, i Të Shtatëdhjetëve. Vëreni klasën të dëgjojë se çfarë do të ndodhë nëse përpiqemi të ndjekim një udhë që nuk është udha e Shpëtimtarit.

Pamja
Plaku Lorens E. Korbrixh

“Ka vetëm një udhë drejt lumturisë dhe përmbushjes. Ai është Udha. Çdo udhë tjetër, ndonjë udhë tjetër, çfarëdo udhe tjetër është marrëzi. …

… Ne ose mund të ndjekim Zotin dhe të dhurohemi me fuqinë e Tij e të kemi paqe, jetë, forcë, dituri, vetëbesim, dashuri e gëzim, ose ne mund të shkojmë në një udhë tjetër, në ndonjë udhë tjetër, në çfarëdo udhe tjetër dhe të shkojmë të vetëm – pa mbështetjen e Tij, pa fuqinë e Tij, pa udhërrëfim, në errësirë, trazirë, dyshim, brengosje dhe dëshpërim. Dhe unë pyes, cila udhë është më e lehtë? …

Ka vetëm një udhë drejt lumturisë dhe përmbushjes. Jezu Krishti është Udha” (“The Way”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 34, 36).

  • Sipas Plakut Korbrixh, çfarë do të ndodhë nëse nuk e ndjekim udhën e Shpëtimtarit?

  • Çfarë do të ndodhë nëse e ndjekim udhën e Shpëtimtarit?

Kërkojuni studentëve të përsiatin përvoja që i kanë pasur, në të cilat ata u bekuan duke ndjekur udhën e Shpëtimtarit. Ftojini disa prej tyre t’i tregojnë përvojat e tyre.

Përmblidheni Gjonin 14:7–14 duke shpjeguar se Shpëtimtari i mësoi Apostujt e Tij që një nga qëllimet e Tij për ardhjen në tokë ishte të zbulonte nëpërmjet fjalëve dhe veprimeve të Tij natyrën e vërtetë të Atit Qiellor. Ai gjithashtu u premtoi Apostujve të Tij që do të kishin fuqi për të bërë vepra të madhërishme.

Gjoni 14:15–31

Jezusi u mëson Apostujve të Tij se si ta tregojnë dashurinë e tyre për Të

Kërkojuni studentëve të mendojnë për dikë që e duan.

  • Si e tregoni dashurinë tuaj për këtë njeri?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 14:15 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që Jezusi u tha Apostujve të Tij të bënin për ta treguar dashurinë e tyre për Të.

  • Nisur nga ajo që Jezusi u mësoi Apostujve të Tij, çfarë mund të bëjmë për ta treguar dashurinë tonë për Jezu Krishtin? (Studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Ne tregojmë dashurinë tonë për Jezu Krishtin duke i zbatuar urdhërimet e Tij.)

Sillni në klasë disa shirita letre me urdhërime të shkruara mbi to (të tilla si bindja ndaj Fjalës së Urtësisë, pagimi i së dhjetës dhe mbajtja e ditës së Shabatit të shenjtë). Ftojini disa studentë të dalin përpara klasës. Udhëzojeni secilin që të marrë një shirit letre, ta lexojë me zë të lartë urdhërimin dhe të shpjegojë se si zbatimi i atij urdhërimi na lejon të tregojmë dashurinë tonë për Jezu Krishtin. Më pas ftojini ata të kthehen në vendet e tyre.

Ftojini studentët të përsiatin se sa mirë po e tregojnë dashurinë e tyre për Shpëtimtarin nëpërmjet zbatimit të urdhërimeve të Tij. Nxitini ata të caktojnë një synim për ta treguar dashurinë e tyre për Shpëtimtarin duke i zbatuar më mirë një ose më shumë urdhërime që mund të jenë të vështira për ta.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 14:16–17, 26. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar premtimin e Shpëtimtarit ndaj Apostujve të Tij.

  • Çfarë u premtoi Shpëtimtari Apostujve të Tij?

Shpjegoni se fraza “një Ngushëllues tjetër” në vargun 16 i drejtohet Frymës së Shenjtë. Ngaqë Shpëtimtari kishte qenë një ngushëllues për Apostujt e Tij gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, Ai e quajti Frymën e Shenjtë një Ngushëllues tjetër.

  • Sipas Gjonit 14:16–17, 26, çfarë mund të bëjë Fryma e Shenjtë për ne? (Duke përdorur fjalët e veta, studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Fryma e Shenjtë mund të na ngushëllojë, të na mësojë çdo gjë dhe të na i sjellë të gjitha gjërat në kujtesën tonë.)

Ftojini studentët t’i shënojnë përgjigjet e tyre për pyetjet vijuese në fletoret e klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta:

  • Kur e keni ndier Frymën e Shenjtë që t’ju ngushëllojë? Kur e keni ndier Atë që t’ju mësojë? Kur ju ka ndihmuar Ai që t’i kujtoni gjërat?

Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni disa studentëve të tregojnë atë që shkruan.

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Gjoni 14:18–23.

  • Sipas vargjeve 21 dhe 23, si do të bekohemi nëse i zbatojmë urdhërimet? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse i zbatojmë urdhërimet, Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do të jenë me ne.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do të jenë me ne? (Kjo i drejtohet një shfaqjeje vetjake të Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit [shih DeB 130:3].)

Shpjegoni që Profeti Jozef Smith dha mësim se, ndërkohë që Frymës së Shenjtë i drejtohemi si Ngushëlluesi i Parë, Jezu Krishti është Ngushëlluesi i Dytë. Për ta pranuar Atë si Ngushëlluesin e Dytë, ne fillimisht duhet të zhvillojmë besim tek Ai, të pendohemi, të pagëzohemi, të marrim Frymën e Shenjtë dhe të përpiqemi për të qenë të drejtë e për t’i shërbyer Perëndisë. Nëse i bëjmë këto gjëra, më së fundi ne “do ta kemi personazhin e Jezu Krishtit që të [na] ndihmojë ose që të [na] shfaqet herë pas here … dhe vegimet e qiejve do të [na] hapen e Zoti do të [na] japë mësim ballë për ballë” (në History of the Church, 3:380–381). Ky premtim do të përmbushet sipas vullnetit dhe kohës së Zotit (shih DeB 88:68).

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Gjonin 14:27, duke kërkuar mesazhin e Shpëtimtarit drejtuar Apostujve të Tij.

  • Si lidhet mesazhi i Shpëtimtarit te vargu 27 me parimet që kemi përcaktuar në këtë mësim?

  • Cili është ndryshimi midis paqes që ofron Shpëtimtari dhe paqes që ofron bota?

Përmblidhni Gjonin 14:28–30 dhe Joseph Smith Translation [Përkthimin prej Joseph Smith-it] të Gjonit 14:30 (në Biblën në anglisht vargu 30, shënimi a në fund të faqes) duke shpjeguar se Jezusi u tha Apostujve të Tij që ata duhej të gëzoheshin ngaqë Ai ishte gati të largohej prej tyre për t’u kthyer tek Ati Qiellor. Ai gjithashtu u tha atyre se Satani nuk kishte fuqi mbi Të, sepse Ai e kishte mundur botën. Jezusi u tha Apostujve se Satani ende mund t’i ndikonte, sepse akoma nuk e kishin plotësuar punën e tyre në tokë.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Gjonin 14:31, duke kërkuar atë që Shpëtimtari dëshironte që bota ta njihte.

  • Çfarë dëshironte Shpëtimtari që bota ta njihte?

  • Si e tregoi Shpëtimtari dashurinë e Tij për Atin Qiellor?

Për ta mbyllur, ftojini studentët të dëshmojnë se si parimet në këtë mësim mund t’i ndihmojnë teksa përpiqen të kthehen në praninë e Perëndisë në mbretërinë çelestiale.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Gjoni 14:6

Për t’i ndihmuar studentët të mësojnë përmendsh Gjonin 14:6, merrni parasysh të përdorni një nga idetë në shtojcën e këtij manuali.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Gjoni 14:15

Për t’i ndihmuar studentët të mësojnë përmendësh Gjonin 14:15, ftojini ta shkruajnë këtë varg në një copë letre. Kërkojuni atyre ta përsëritin vargun derisa ta kenë mësuar përmendësh. Më pas ftojini ta vendosin këtë fletë në një vend ku do t’i kujtojë ata që ta tregojnë dashurinë e tyre për Zotin nëpërmjet zbatimit të urdhërimeve të Tij.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Gjoni 14:6. “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta”

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi rëndësinë e Gjonit 14:6 dhe mënyrat sipas të cilave Jezu Krishti është “udha, e vërteta dhe jeta”:

“Ai është Udha në atë që është në Të dhe nëpërmjet Tij që shpëtimi vjen; ‘askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje, tha Ai. (Gjoni 14:6.) Ai është E Vërteta ngaqë është mishërimi dhe personifikimi i atij tipari të shenjtë. (Alma 5:48.) Dhe Ai është Jeta ngaqë tek Ai përqendrohet drita e jetës; po të mos ishte për Të dhe fuqinë e Tij, nuk do të kishte ekzistencë; nëse Ai do ta largonte dritën e jetës, vdekja do të fitonte fitore të menjëhershme; dhe pa Të nuk do të kishte as jetë të pavdekshme, as jetë të përjetshme, që është jeta në lavdi të pambarueshme” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 832).

Gjoni 14:9–12. “Kush më ka parë mua, ka parë Atin”

Presidenti Jozef F. Smith shpjegoi kuptimin e thënies së Shpëtimtarit “Kush më ka parë mua, ka parë Atin”:

“Jezu Krishti, Biri i Perëndisë, është ‘vula e qenies’ së Atit të Tij (Hebrenjve 1:3). Ai eci në tokë si një qenie njerëzore, si një njeri i përsosur dhe tha, në përgjigje të një pyetjeje që iu bë Atij: ‘Kush më ka parë mua, ka parë Atin’ (Gjoni 14:9). Kjo gjë e vetme mund ta zgjidhë problemin për ta kënaqur çdo mendje plot mendim e nderim. Përfundimi është i papërballueshëm, se, në qoftë se Biri i Perëndisë është vula e qenies (domethënë, ngjashmërisë) së personit të Atit të Tij, atëherë Ati i Tij është në formën e njeriut; sepse ajo ishte forma e Birit të Perëndisë, jo vetëm gjatë jetës së Tij në vdekshmëri, por përpara lindjes së Tij në vdekshmëri dhe pas ringjalljes së Tij. Ishte në këtë formë që Ati dhe Biri, si dy personazhe, iu shfaqën Jozef Smithit, kur, si një djalosh katërmbëdhjetëvjeçar, ai mori vegimin e tij të parë” (Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith [1998], f. 334).

Gjoni 14:12. “Do të bëjë edhe [vepra] më të mëdha se këto, sepse unë po shkoj tek Ati”

Mund të jetë pështjelluese të lexoni se ata që besojnë te Jezu Krishti, do të bëjnë vepra më të mëdha se ato që bëri Ai. Megjithatë, Lectures of Faith [Leksione mbi Besimin] sugjeron që kjo thënie kuptohet më mirë në lidhje me mësimet e Shpëtimtarit te Gjoni 17:20–24:

“Të gjitha këto thënie të mbledhura së bashku japin një rrëfim aq të qartë të gjendjes së shenjtorëve të përlëvduar sa ç’mund ta japin fjalët – veprat që Jezusi kishte bërë, duhej t’i bënin ata, dhe vepra më të mëdha se ato që kishte bërë Ai mes tyre, duhej t’i bënin ata, dhe këtë ngaqë Ai shkoi tek Ati. Ai nuk thotë se duhej t’i bënin këto punë pas pak kohe; por ata duhej të bënin vepra më të mëdha, sepse Ai shkoi tek Ati. … Veprat më të mëdha që ata që besonin në emrin e Tij do të bënin, do të bëheshin në përjetësi, atje ku Ai po shkonte dhe ku ata duhej ta shihnin lavdinë e Tij” (Lectures on Faith [1985], f. 77–78).

Gjoni 14:16–23, 26; 15:26; 16:7. “Ngushëlluesi” është një titull për Frymën e Shenjtë dhe për Jezu Krishtin

Profeti Jozef Smith shpjegoi:

“Ka dy Ngushëllues për të cilët flitet. Njëri është Fryma e Shenjtë, i njëjti që u dha në ditën e Rrëshajave dhe që të gjithë shenjtorët e marrin pas besimit, pendimit e pagëzimit. …

Ngushëlluesi tjetër për të cilin flitet është një çështje e një interesi të madh dhe ndoshta i kuptuar nga pak njerëz të këtij brezi. Pasi një njeri ka besim te Krishti, pendohet për mëkatet e tij, pagëzohet për heqjen e mëkateve të tij dhe e merr Frymën e Shenjtë, (me anë të vënies së duarve), që është Ngushëlluesi i parë, atëherë le të vazhdojë ai ta përulë vetveten përpara Perëndisë, duke pasur uri dhe etje për drejtësi e duke jetuar me çdo fjalë të Perëndisë dhe Zoti shpejt do t’i thotë atij: ‘Bir, ti do të ekzaltohesh’. Kur Zoti e ka vënë atë tërësisht në provë dhe gjen se njeriu është i vendosur që t’i shërbejë Atij në të gjitha rreziqet, atëherë njeriu do ta gjejë thirrjen dhe zgjedhjen e tij të sigurt, atëherë do të jetë privilegji i tij për ta marrë Ngushëlluesin tjetër, të cilin Zoti ua ka premtuar shenjtorëve, sikurse shënohet në dëshminë e Shën Gjonit, në kapitullin e 14-të, nga vargu 12 deri në vargun 27” (në History of the Church, 3:380).

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi rolin e Frymës së Shenjtë si Ngushëlluesi i Parë:

“Për aq kohë sa Jezusi ka qenë me ta, Ai ka qenë Ngushëlluesi i tyre; Ai u ka folur paqe shpirtrave të tyre; ata që ishin të rënduar me hidhërimet, vuajtjet dhe vështirësitë e botës, vinin tek Ai dhe gjenin prehje për shpirtrat e tyre. Ai ngushëlloi të venë dhe ishte një atë për jetimët. Fjalët e Tij i ngritën shpirtrat besimtarë në lartësi të reja të qetësisë e paqes. Tani Ai po largohet, por do të dërgojë një tjetër Ngushëllues – Frymën e Shenjtë – të qëndrojë me besnikët përgjithmonë.

Për të gjithë njerëzit, përveç atyre pak vetave që e dëgjuan zërin e Tij në vdekshmëri, Fryma e Shenjtë është Ngushëlluesi i parë. Ky anëtar i Kreut-Perëndi iu flet paqe shpirtrave të të drejtëve në të gjitha epokat. Fryma e Shenjtë ‘është dhurata e Perëndisë te të gjithë ata që e kërkojnë atë me zell, si në kohërat e vjetra, ashtu edhe në kohën kur ai do t’u shfaqet fëmijëve të njerëzve’ (1 Nefi 10:17) dhe, po ashtu, në kohët që do të vijnë. Ai është Shpirti i së vërtetës – sikurse është edhe Krishti – por bota nuk mund ta pranojë Frymën e Shenjtë, sepse Shpirti nuk do të banojë në tabernakuj të papastër” (Mortal Messiah, 4 vëll. [1979–1981], 4:74–75).

Gjoni 14:26. Fryma e Shenjtë është e ndryshme nga Drita e Krishtit

Presidenti Jozef Filding Smith na mësoi ndryshimin midis Frymës së Shenjtë dhe Dritës së Krishtit:

“Fryma e Shenjtë nuk duhet të ngatërrohet me Shpirtin, i cili mbush pafundësinë e hapësirës dhe i cili është i pranishëm kudo. Ky Shpirt tjetër [drita e Krishtit] nuk është një person dhe nuk ka as madhësi, as përmasa; ai buron nga prania e Atit dhe Birit dhe është në të gjitha gjërat. Ne duhet të flasim për Frymën e Shenjtë si një personazh, si një ‘njeri’ dhe për këtë Shpirt tjetër si një ‘send’, edhe pse kur flasim për fuqinë ose dhuratën e Frymës së Shenjtë ne mund të themi siç duhet një ‘send’.

… Fryma e Shenjtë, sikurse na mësohet në zbulesën tonë moderne, është anëtari i tretë i Kreut-Perëndi dhe një personazh i Shpirtit. Këto terma përdoren në mënyrë sinonime: Shpirti i Perëndisë, Shpirti i Zotit, Shpirti i së Vërtetës, Fryma e Shenjtë, Ngushëlluesi; që të gjitha i drejtohen Frymës së Shenjtë. Të njëjtat terma përdoren gjerësisht në lidhje me Shpirtin e Jezu Krishtit, gjithashtu i quajtur Drita e së Vërtetës, Drita e Krishtit, Shpirti i Perëndisë dhe Shpirti i Zotit; dhe prapëseprapë ata janë gjëra të veçanta dhe të dallueshme. Ne kemi një pështjellim shumë të madh ngaqë nuk e kemi mbajtur atë qartësisht në mendjen tonë” (Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 1:49–50).