Biblioteka
Mësimi 76: Gjoni 16


Mësimi 76

Gjoni 16

Hyrje

Pas darkës së Pashkës, Jezu Krishti vazhdoi t’u jepte mësim dishepujve të Tij. Ai u tha atyre se shpejt do të shkonte tek Ati i Tij dhe se Fryma e Shenjtë ose Ngushëlluesi do të vinte dhe do t’i udhëzonte ata drejt gjithë së vërtetës. Jezusi profetizoi për vetë vdekjen dhe Ringjalljen e Tij dhe shpalli se Ai e kishte mundur botën.

Sugjerime për Mësimdhënien

Gjoni 16:1–15

Jezusi shpjegon më gjerësisht rolin e Frymës së Shenjtë.

Ftojeni një student/e të dalë përpara klasës. Vendosni një lidhëse të syve përreth kokës së studentit, duke i mbuluar sytë që studenti nuk mund të shohë. Pasi t’i lidhen sytë studentit, ftojini studentët e tjerë t’i vendosin kompletet e tyre të shkrimeve të shenjta diku në dhomë. Më pas kërkojini studentit me sy të lidhur se sa e vështirë mund të jetë që të gjendet një komplet i caktuar i shkrimeve të shenjta në dhomë dhe të hapet ai te një faqe e caktuar. Pyeteni studentin nëse do të ishte e dobishme, në qoftë se dikush ishte i gatshëm t’ia rrëfente udhën atij ose asaj drejt librit.

Ftojeni studentin me sy të lidhur të zgjedhë një student/e tjetër për të vepruar si udhërrëfyes. Ftojeni studentin e zgjedhur ta udhëheqë studentin me sy të lidhur drejt një kompleti të përcaktuar të shkrimeve të shenjta dhe ta ndihmojë atë për të gjetur një faqe të caktuar. Pasi të plotësohen këto detyra, shpjegoni se kur Jezu Krishti ishte në tokë, Ai i këshilloi dhe u dha mësim dishepujve të Tij. Ai vetë i udhëhoqi ata të kuptonin të vërtetat që Ai i dha mësim.

Përmblidheni Gjonin 16:1–4 duke shpjeguar se pasi Jezusi e kishte ngrënë darkën e Pashkës me dishepujt e Tij, Ai u tha atyre se koha do të vinte kur njerëzit do t’i urrenin ata dhe se këta njerëz do të besonin që po i bënin një shërbim Perëndisë duke i vrarë ata.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 16:5–6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Jezusi u tha dishepujve të Tij dhe se si u ndien ata rreth asaj.

  • Si po ndiheshin dishepujt nga lajmi që Jezusi do të largohej dhe që ata do të përndiqeshin?

Ftojeni studentin që po shërbente si udhërrëfyesi për studentin me sy të lidhur që të kthehet te vendi i vet. Pyeteni studentin me sy të lidhur:

  • Si do të ndiheshit po të ishit përsëri vetëm, pa një shok për t’ju ndihmuar?

Siguroni një karrige për studentin me sy të lidhur dhe ftojeni të ulet (por t’i lërë sytë të lidhur).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 16:7. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar cilin premtoi Jezusi që ta dërgonte pasi Ai të kishte ikur.

  • Cili tha Jezusi se do të vinte pasi Ai të largohej? (Jezusi do t’u dërgonte Ngushëlluesin ose Frymën e Shenjtë.)

Shpjegoni se fjala mirë, siç përdoret në vargun 7, do të thotë dobiprurëse ose e dobishme. Vini në dukje që “Fryma e Shenjtë nuk veproi në plotësi mes judenjve gjatë viteve të qëndrimit të Jezusit në vdekshmëri (Gjoni 7:39; 16:7)” (Bible Dictionary, “Holy Ghost”). Për ta ndihmuar klasën të kuptojnë përse Fryma e Shenjtë nuk veproi në plotësinë e tij, lexoni me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Brus R. Mek‑Konki

“Për aq kohë sa Jezusi ishte vetë me dishepujt, nuk kishte nevojë të plotë për ta që ta kishin shoqërimin e vazhdueshëm të Shpirtit që do të ishte atje pasi Jezusi të largohej” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], f. 753).

Përmblidheni Gjonin 16:8–12 duke shpjeguar se një prej roleve të Frymës së Shenjtë është ta qortojë botën për mëkatin.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 16:13 dhe vëreni klasën të kërkojë role të tjera që Ngushëlluesi do t’i përmbushte në jetën e dishepujve pasi Jezusi të largohej.

  • Çfarë rolesh do të përmbushte Fryma e Shenjtë në jetën e dishepujve të Zotit pasi Ai të largohej? Si mund të përfitonin dishepujt nga ndihma dhe udhërrëfimi që do të siguronte Fryma e Shenjtë?

  • Bazuar në vargun 13, çfarë mund të bëjë gjithashtu Fryma e Shenjtë për ne në kohën tonë? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Fryma e Shenjtë mund të na udhërrëfejë drejt gjithë së vërtetës dhe të na tregojë gjërat që do të vijnë.)

  • Cilat janë disa mënyra se si Fryma e Shenjtë na rrëfen udhën drejt së vërtetës?

  • Në çfarë mënyrash mund të na tregojë Fryma e Shenjtë gjërat që do të vijnë? (Nëse nevojitet, shpjegoni se nëpërmjet Frymës së Shenjtë, Perëndia mund të sigurojë shpresë, largpamësi, paralajmërim, sigurim dhe udhërrëfim për të ardhmen tonë.)

Vendoseni një objekt (një çmim të marrë) mbi një raft ose karrige apo diku tjetër në dhomë. Ftojeni studentin me sy të lidhur ta gjejë objektin. Ftojeni një student tjetër t’i pëshpëritë udhëzime studentit me sy të lidhur për ta ndihmuar që të përshkojë udhën për ta gjetur çmimin. Pasi studenti ta ketë gjetur objektin, ftojeni atë që t’i zbulojë sytë. Bëjini të dy studentët të kthehen në vendet e tyre. Pyeteni klasën:

  • Kur e keni ndier Frymën e Shenjtë t’ju udhëheqë drejt së vërtetës? Si e dalluat se ishte Fryma e Shenjtë që po ju rrëfente udhën?

Ju mund të doni të tregoni një përvojë kur ju jeni udhërrëfyer nga Fryma e Shenjtë në vetë jetën tuaj. Për t’i ndihmuar studentët që ta zbatojnë të vërtetën që e kanë mësuar, nxitini të jetojnë në mënyra që e ftojnë udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë në jetën e tyre.

Vini në dukje se Gjoni 16:13 tregon që Fryma e Shenjtë, roli i të cilit është të japë dëshmi për Atin dhe Birin, nuk do të “flasë nga vetja, por do të thotë [të] gjitha ato gjëra që ka dëgjuar dhe do t’ju kumtojë”. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 16:14–15 dhe vëreni klasën të kërkojë se mesazhet e cilëve do të na kumtojë Fryma e Shenjtë.

  • Mesazhet e cilëve do të na i japë Fryma e Shenjtë? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Fryma e Shenjtë zbulon të vërtetat dhe udhëzimet që vijnë nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.)

  • Përse është e dobishme të dimë që kur Fryma e Shenjtë na flet, Ai po flet për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?

Shpjegojuni studentëve se “ajo që [Fryma e Shenjtë] i bën të ditur shpirtit tuaj, mbart shumë më tepër siguri se çdo informacion i shkëmbyer nëpërmjet ndjesive natyrore” (Të Vërtetë ndaj Besimit [2004], f. 56). Kjo do të thotë që Fryma e Shenjtë është udhërrëfyesi ynë më i vlefshëm në të mësuarin e së vërtetës; ndikimi i Tij është më i vlefshëm sesa prova fizike, opinioni i të tjerëve apo arsyetimi i botës. Sikurse ne, dishepujt e Shpëtimtarit kishin nevojë të mësonin që të mbështeteshin te Fryma e Shenjtë si një udhërrëfyes në mungesën e pranisë fizike të Zotit.

Gjoni 16:16–33

Shpëtimtari diskuton largimin e Tij nga vdekshmëria dhe shpall se Ai e ka mundur botën

Ftojini studentët të mendojnë për një kohë kur atyre iu desh t’i jepnin lamtumirën një pjesëtari të familjes ose një miku për njëfarë kohe.

  • Çfarë thatë që ta ngushëllonit njëri-tjetrin teksa i jepnit lamtumirën njëri-tjetrit?

Ftojeni një student/e të lexojë me zë të lartë Gjonin 16:16. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë gjëje tjetër u tha Jezusi dishepujve, që mund t’i kishte ngushëlluar ndërsa mendonin rreth largimit të Tij. Kërkojini klasës të raportojnë atë që gjejnë.

Shpjegoni se te Gjoni 16:17–19, ne lexojmë se dishepujt nuk e kuptuan atë që donte të thoshte Jezusi kur tha që Ai po largohej, por ata do ta shihnin Atë përsëri.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 16:20–22. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti tha se dishepujt e Tij do të ndienin kur Ai të largohej dhe atë që ata do të ndienin kur ta shihnin Atë përsëri. Mund të nevojitet të shpjegoni se fraza “gruaja, kur lind” i drejtohet një nëne shtatzënë që po kalon përmes dhembjeve përpara se të lindë një fëmijë.

  • Si do të ndiheshin dishepujt kur Jezusi të largohej? Çfarë premtoi Ai se do të ndodhte më pas?

Shpjegoni se dishepujt do ta shihnin Jezusin përsëri pasi Ai të ringjallej. Edhe pse hidhërimi i tyre për vdekjen e Tij do të ishte i madh, gëzimi që do të ndienin në Ringjalljen e Tij do të ishte afatgjatë.

Përmblidheni Gjonin 16:23–32 duke shpjeguar se Jezusi u mësoi dishepujve të Tij që t’i luteshin drejtpërsëdrejti Atit Qiellor në emër të Tij (të Krishtit) dhe i siguroi për dashurinë e Atit për ta dhe për Të.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 16:33 dhe vëreni klasën të kërkojë fjalë e fraza që Shpëtimtari i përdori për të ngushëlluar dishepujt e Tij.

  • Çfarë fjalësh e frazash përdori Zoti për të ngushëlluar dishepujt e Tij?

  • Sipas vargut 33, përse mund të kemi lumturi dhe paqe edhe në një botë të mbushur me mundim dhe vdekje? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani parimin vijues në tabelë: Ngaqë Jezu Krishti e kishte mundur botën, ne mund të marrim zemër dhe të kemi paqe.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë që Jezu Krishti e ka mundur botën?

Shpjegoni që si i Vetëmlinduri i Atit, Jezu Krishti jetoi një jetë të pamëkatë, duke e mundur çdo tundim të botës. Ai gjithashtu përjetoi çdo dhembje e fatkeqësi dhe shleu për mëkatet e ne të gjithëve. Nëpërmjet jetës së Tij, vuajtjes e vdekjes së Tij dhe Ringjalljes së Tij, Ai i mundi të gjitha pengesat për ne që të bëhemi të pastër, të gjejmë paqe dhe të jetojmë përsëri me Atin tonë në Qiell dhe me njerëzit që i duam.

  • Në çfarë mënyrash mund të na ndihmojë që të marrim zemër dhe të kemi paqe, dijenia se Jezu Krishti e mundi botën?

Jepuni studentëve një kopje të thënies vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien dhe vëreni klasën të kërkojë një shpjegim rreth arsyes përse ne mund të marrim zemër pavarësisht nga sprovat dhe vështirësitë e kësaj bote.

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

“Le të marrim zemër ndërsa jetojmë jetën tonë. Ndonëse jetojmë në kohë gjithnjë e më të rrezikshme, Zoti na do dhe kujtohet për ne. Ai është gjithmonë pranë nesh kur ne bëjmë çfarë është e drejtë. Ai do të na ndihmojë në kohë nevoje. … Jeta jonë gjithashtu mund të mbushet me gëzim ndërsa ndjekim mësimet e ungjillit të Jezu Krishtit.

Zoti këshilloi: ‘Merrni zemër, unë e munda botën’ [Gjoni 16:33]. Çfarë lumturie të madhe duhet të na sjellë kjo njohuri. Ai jetoi për ne dhe Ai vdiq për ne. Ai pagoi çmimin për mëkatet tona. Le ta ndjekim shembullin e Tij. Le ta shfaqim mirënjohjen tonë të madhe ndaj Tij duke e pranuar sakrificën e Tij dhe duke jetuar një jetë që do të na kualifikojë për t’u kthyer e për të jetuar një ditë me Të” (“Perëndia me Ju Qoftë kur Prapë të Takohemi”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 110–111).

  • Kur ju ka ndihmuar që të merrni zemër dhe të keni paqe dijenia se Jezu Krishti e mundi botën?

Ftojini studentët të marrin zemër dhe ta jetojnë ungjillin e Jezu Krishtit. Dëshmoni se kur e bëjnë këtë, ata do të ndiejnë paqen dhe shpresën që është e mundur nëpërmjet flijimit shlyes dhe Ringjalljes së Zotit.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Gjoni 16:33. “Merrni zemër”

Gjatë konferencës së përgjithshme të prillit 2009, Presidenti Tomas S. Monson tregoi një histori të thënë nga Presidenti Ezra Taft Benson dhe Frederik W. Babeli, të cilët vizituan Europën pasi mbaroi Lufta II Botërore. Historia është rreth një nëne të ve me katër fëmijë të vegjël, e cila u gjend në territorin armik. Edhe pse udhëtoi mbi 1.600 kilometra drejt sigurisë, duke i humbur të gjithë fëmijët e saj për shkak të të ftohtit dhe mungesës së ushqimeve, ajo mbeti besnike ndaj shpresës së saj në Jezu Krishtin që familja e saj mund të ishte së bashku pas Ringjalljes.

Pas historisë, Presidenti Monson tha sa vijon:

“Unë ju dëshmoj që bekimet tona të premtuara janë përtej çdo mase. Megjithëse retë e stuhishme mund të mblidhen, megjithëse shirat mund të derdhen mbi ne, dija jonë për ungjillin dhe dashuria jonë për Atin Qiellor dhe për Shpëtimtarin tonë do të na ngushëllojnë e mbështetin dhe do t’i sjellin gëzim zemrave tona, kur ecim drejtësisht dhe mbajmë urdhërimet. Nuk do të ketë asgjë në këtë botë që të na mundë.

Vëllezër dhe motra të mia të dashura, mos u frikësoni. Merrni zemër. E ardhmja është po aq e ndritur sa besimi juaj” (“Merrni Zemër”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 91–92).