Biblioteka
Mësimi 80: Gjoni 21


Mësimi 80

Gjoni 21

Hyrje

Zoti i ringjallur iu shfaq dishepujve të Tij teksa po peshkonin. Në bregdet, Jezusi hëngri me dishepujt e Tij dhe e ftoi Pjetrin ta shfaqte dashurinë e tij për Zotin nëpërmjet të ushqyerit të deleve të Tij. Jezusi paratregoi si për martirizimin e Pjetrit ashtu edhe për përndryshimin e Gjonit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Gjoni 21:1–17

Zoti i ringjallur u shfaqet disa prej dishepujve të Tij në detin e Tiberiadës (detin e Galilesë)

Vizatoni në tabelë një zemër të madhe.

Pamja
zemra

Ftojini studentët të vijnë në tabelë dhe të shkruajnë brenda zemrës dy ose tri gjëra të parapëlqyera prej tyre. Shpjegoni se këto mund të përfshijnë njerëz, zotërime ose veprimtari.

Kur studentët të kenë mbaruar, ju mund të renditni gjithashtu disa prej gjërave tuaja të parapëlqyera.

Përmblidheni Gjonin 21:1–2 duke shpjeguar se pasi e panë Zotin e ringjallur në dy raste, Pjetri dhe disa nga dishepujt e tjerë ishin në breg të Detit të Galilesë (i cili quhet edhe Deti i Tiberiadës). Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 21:3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që vendosi të bënte Pjetri.

  • Si mendoni, çfarë veprimtarie mund të shtonte Pjetri në listën tonë të gjërave të parapëlqyera në tabelë? (Pasi studentët përgjigjen, shkruani peshkimi brenda zemrës në tabelë.)

  • Për sa kohë peshkuan Pjetri dhe dishepujt e tjerë? Sa peshq kapën?

Kërkojuni studentëve të marrin parasysh se si mendojnë ata që Pjetri dhe dishepujt e tjerë mund të ishin ndier pas një nate të gjatë të peshkimit pa asnjë rezultat.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 21:4–6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që ndodhi mëngjesin pasues.

  • Kush ishte në bregdet?

  • A e dalluan dishepujt Jezusin fillimisht?

  • Çfarë i udhëzoi Jezusi ata të bënin?

  • Çfarë ndodhi pasi ata e ndoqën udhëzimin e Jezusit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Vetëm tre vjet më parë po këta burra kishin qenë duke peshkuar në po këtë det. Edhe në atë rast ishin ‘mundua[r] gjithë natën dhe nuk [kishin] z[ënë] asgjë’ [Lluka 5:5], thotë shkrimi i shenjtë. Por në bregdet, një galileas si ata u kishte thirrur që t’i hidhnin rrjetat e tyre dhe ata zunë ‘një sasi … të madhe peshku’ [Lluka 5:6], aq sa rrjetat e tyre u shqyen, sasia e kapur duke i mbushur dy barka aq rëndë sa ato kishin filluar të fundoseshin.

Tani ajo po ndodhte sërish” (“Urdhërimi i Parë i Madh”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 84).

  • Si mund t’i kishte ndihmuar dishepujt që të dallonin se kush ishte në bregdet, kjo kapje e dytë e mahnitshme e peshqve?

  • Çfarë mund të kishit menduar ose ndier nëse do të kishit qenë në barkë me dishepujt?

Përmblidheni Gjonin 21:7–14 duke shpjeguar që, teksa dishepujt përpiqeshin me vështirësi ta ngrinin rrjetën plot me peshq për në barkë, Gjoni shpalli se burri në breg të detit ishte Zoti. Pjetri gjithë zell u hodh në det dhe notoi drejt Jezusit ndërkohë që të tjerët shkuan me barkën e tyre. Kur dishepujt mbërritën në bregdet, Jezusi po përgatiste një vakt ushqimi për ta.

Shpjegoni që Plaku Xhefri R. Holland e shtjelloi këtë rrëfim duke na mësuar që pasi Pjetri dhe dishepujt e tjerë kishin ngrënë me Shpëtimtarin, Jezusi mund të ketë “vështruar barkat e tyre të dëmtuara, rrjetat e tyre të holluara dhe një grumbull të habitshëm prej 153 peshqish” (“Urdhërimi i Parë i Madh”, f. 84) dhe më pas i foli Pjetrit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 21:15–17. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar një pyetje që Jezusi ia bëri Pjetrit në mënyrë të përsëritur. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shenjojnë atë që gjejnë.

  • Cilën pyetje ia bëri Jezusi Pjetrit tri herë?

  • Kur Jezusi pyeti: “A më do ti mua më shumë se këta?” (vargu 15), cilëve mendoni se iu drejtohej fjala këta? (Jezusi mund të kishte qenë duke iu drejtuar grumbullit të peshqve ose gjërave të tjera të lidhura me jetën e një peshkatari. Shkruani pyetjen vijuese në tabelë pranë zemrës: A më do ti mua më shumë se këta?)

  • Si u përgjigj Pjetri?

  • Si mund të ishit ndier nëse do të kishit qenë në vendin e Pjetrit dhe Jezusi do t’ju kishte pyetur tri herë nëse e donit Atë?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë përse Jezusi mund ta ketë bërë këtë pyetje tri herë, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Holland:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Jezusi iu përgjigj (dhe këtu përsëri pranoj se po jap rrëfimin tim, jo nga shkrimet e shenjta), ndoshta duke thënë diçka të tillë: ‘Atëherë, Pjetër, përse je këtu? Përse jemi kthyer në po të njëjtin bregdet, pranë po të njëjtave rrjeta, duke bërë po të njëjtën bisedë? A nuk ishte e qartë që atëherë dhe a nuk është e qartë tani se nëse dua peshk, mund ta siguroj vetë peshkun? Pjetër, ajo çfarë më duhet janë dishepujt – dhe më duhen përgjithmonë. Më duhet dikush që të kujdeset për delet e mia e të shpëtojë qengjat e mi. Më duhet dikush që të predikojë ungjillin tim e të mbrojë fenë time. Më duhet dikush që më do, që më do plotësisht me të vërtetë dhe e ka për zemër atë që Ati ynë në Qiell më ka thirrur të bëj. … Kështu që, Pjetër, për herë të dytë dhe supozoj për herë fundit, po të kërkoj që ta lësh të gjithë këtë dhe të shkosh të japësh mësim e të dëshmosh, të punosh e të shërbesh me besnikëri deri në ditën që ata do të të bëjnë ty pikërisht atë që më bënë Mua” (“Urdhërimi i Parë i Madh”, f. 84).

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga përvoja e Pjetrit? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni parimin vijues në tabelë: Nëse e duam Shpëtimtarin dhe Atin Qiellor më shumë se çfarëdo gjëje tjetër, ne vërtet do t’i ushqejmë delet e Tyre.)

  • Cilat janë delet e Atit Qiellor dhe të Jezu Krishtit? Si i ushqejmë ne ato?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Robert D. Hejls

“Kjo është thirrja e Krishtit për çdo të krishterë sot: ‘Kulloti qengjat e mi! … Kulloti delet e mia’ – ndani ungjillin tim me këdo pavarësisht nga mosha, duke i lartësuar, bekuar, ngushëlluar, inkurajuar dhe duke i ngritur, veçanërisht ata të cilët mendojnë dhe besojnë në mënyrë të ndryshme nga ne” (“Të Qenit më Shumë i Krishterë si Krishti”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 91).

Për ta ndihmuar klasën të kuptojë se si parimi që sapo e përcaktuan mund të luajë rol për ne, ftojini tre studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë skenarët vijues. (Ju mund t’ua përshtatni këto skenarë nevojave dhe interesave të studentëve tuaj.) Pasi të jetë lexuar secili skenar, bëni pyetjet që vijojnë.

  1. Një grup djemsh e fton një të ri të ulet gjatë drekës me ta dhe ai shpreson që të bëhet shok me ta. Gjatë bashkëbisedimit të tyre, një prej djemve në grup fillon të tallet haptazi me një djalë tjetër.

  2. Një të reje i pëlqen shumë të luajë futboll. Ajo i kushton shumë orë çdo javë lojës së futbollit dhe ka pak kohë për gjëra të tjera, të tilla si mbrëmja familjare e shtëpisë dhe studimi vetjak i shkrimeve të shenjta.

  3. Një i ri ka qenë shumë i zënë si me veprimtaritë shkollore ashtu edhe jashtëshkollore. Gjithë javën, ai mezi po e pret që të kalojë ca kohë të lirë, të paktë, me miqtë të premten në darkë. Pikërisht përpara se ta marrë në telefon njërin prej tyre atë natë, shoqëruesi i tij i mësimit të shtëpisë merr në telefon për të parë nëse ai mund të shkojë me të që të ndihmojnë njërën prej familjeve të caktuara atyre me një nevojë urgjente.

  • Çfarë zgjedhjesh janë në dispozicion të këtij personi?

  • Çfarë mund të bënte ky njeri për ta shprehur dashurinë e tij ose të saj për Zotin? Si do të tregonte ai veprim dashuri për Zotin?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Holland:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, nuk jam i sigurt tamam se si do të jetë përvoja jonë në Ditën e Gjykimit, por do të jem shumë i habitur nëse, në një çast të caktuar gjatë asaj bisede, Perëndia nuk na pyet pikërisht atë që Krishti e pyeti Pjetrin: ‘A më doje mua?’ (“Urdhërimi i Parë i Madh”, f. 84).

Jepni dëshminë tuaj për rëndësinë e zgjedhjes për t’i dashur Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin mbi gjithë të tjerët dhe rëndësinë e shfaqjes së asaj dashurie nëpërmjet të ushqyerit të deleve të Tyre.

Referojuni artikujve të renditur brenda zemrës në tabelë dhe pyetjes së shkruar pranë atyre artikujve: “A më do ti mua më shumë se këta?” Nënvizojeni fjalën këta dhe ftojini studentët që t’iu përgjigjen pyetjeve vijuese në fletoret e klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta:

  • Nëse Jezusi do t’ju bënte të njëjtën pyetje juve, si mendoni, cilave gjëra do t’iu referohej Ai si “këta” në jetën tuaj?

  • Si do t’i përgjigjeshit pyetjes së Tij?

  • Si do ta tregoni dashurinë tuaj për Zotin?

Gjoni 21:18–25

Jezusi paratregon martirizimin e Pjetrit dhe përndryshimin e Gjonit

Përmblidheni Gjonin 21:18–21 duke shpjeguar se Jezusi profetizoi që kur Pjetri të bëhej plak, ai do t’i “shtri[nte] duart [e tij]” (vargu 18) dhe do të çohej atje ku ai nuk donte të shkonte. Besohet si traditë që Pjetri vdiq me anë të kryqëzimit. Megjithatë, thuhet që Pjetri kërkoi që të kryqëzohej me kokën poshtë, sepse ai e konsideronte vetveten të padenjë që të vdiste në të njëjtën mënyrë sikurse Shpëtimtari (shih Joseph Fielding Smith, Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 3:151–152).

Pasi dëgjoi rreth kësaj profecie, Pjetri pyeti se çfarë do t’i ndodhte Apostullit Gjon, gjithashtu të njohur si Gjon i Dashuri. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 21:22–23. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si Shpëtimtari iu përgjigj Pjetrit.

  • Çfarë mësoi Pjetri rreth Gjonit?

Shpjegoni se fjala mbetetvargun 22 do të thotë që të qëndrojë i gjallë në tokë. Si rrjedhim, Gjoni do të mbetej në tokë si një qenie e përndryshuar deri në Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Qenie të përndryshuara janë “persona që ndryshohen që të mos provojnë dhembje ose vdekje, deri në ringjalljen e tyre në pavdekësi” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Qenie të Ngritura në Qiell”, scriptures.lds.org).

  • Sipas vargut 22, te çfarë e donte Jezusi Pjetrin të përqendrohej në vend që ta shqetësonte vetveten me atë që do t’i ndodhte Gjonit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 21:24–25. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Gjoni donte çdo njeri ta dinte ndërkohë që ai e përfundoi analin e tij.

  • Çfarë donte Gjoni që çdo njeri ta dinte teksa e përfundonte analin e tij?

Shkruani në tabelë pyetjet vijuese:

Nga gjithçka që u shkrua në analet e Mateut, Markut, Llukës dhe Gjonit, cila histori, ngjarje ose cili mësim nga shërbesa e vdekshme e Shpëtimtarit ka pasur ndikimin më të madh te ju? Përse?

Ftojini studentët të përsiatin përgjigjet e tyre për këto pyetje. Ju mund të luani qetësisht një regjistrim të një himni, të tillë si “Come, Follow Me” (Hymns, nr. 116) dhe t’i lejoni studentët të shqyrtojnë shkrimet e tyre të shenjta dhe fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta për të sjellë ndërmend disa të vërteta që i kanë mësuar. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të vijnë përpara klasës dhe të ndajnë përgjigjet e tyre ndaj pyetjeve.

Ju mund të doni ta mbyllni mësimin duke dëshmuar për vërtetësinë e rrëfimeve të shërbesës në vdekshmëri dhe të Shlyerjes së Jezu Krishtit, të shkruara nga Mateu, Marku, Lluka dhe Gjoni.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Gjoni 21:1–19. Urdhërimi i parë i madh

Për komente shtesë lidhur me bashkëbisedimin midis Jezusit dhe Pjetrit, siç shënohet te Gjoni 21, lexoni bisedën e Plakut Xhefri R. Holland “Urdhërimi i Parë i Madh” (Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 83–85).

Gjoni 21:22–23. “Të mbetet derisa të vij unë”

“Më herët në shërbesën e Tij tokësore, Shpëtimtari kishte thënë: ‘Disa nga ata që janë të pranishëm këtu, nuk do të vdesin pa e shikuar më parë Birin e njeriut duke ardhur në mbretërinë e vet’ (Mateu 16:28). Krishti i ringjallur paranjoftoi se Gjoni do të ishte njëri që do ta përmbushte atë profeci dhe do të ‘mbete[j]’ në tokë derisa Ai të vinte përsëri (shih Gjoni 21:22–23). Një rrëfim më i plotë i këtij bashkëbisedimi midis Shpëtimtarit, Pjetrit dhe Gjonit gjendet te Doktrina e Besëlidhje, seksioni 7, që është ‘një version i përkthyer i analit të bërë në pergamenë nga Gjoni dhe të fshehur mirë prej tij’ (DeB 7, hyrja e seksionit). Kjo zbulesë qartëson që Gjoni i kërkoi Shpëtimtarit ‘fuqi mbi vdekjen, që të mund të jetoj e të sjell shpirtra te ti’ dhe si përgjigje, Shpëtimtari i dhuroi Gjonit fuqi të jetonte deri në Ardhjen e Tij të Dytë (shih DeB 7:1–3). Kështu Gjoni u bë një qenie ‘e përndryshuar’. Qenie të tilla të përndryshuara janë ‘persona që ndryshohen që të mos provojnë dhembje ose vdekje, deri në ringjalljen e tyre në pavdekësi’ (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, ‘Qenie të Ngritura në Qiell’; scriptures.lds.org). Për më shumë informacion rreth qenieve të përndryshuara, shih 3 Nefi 28:4–40, që pohon se tre dishepuj nefitë përjetuan të njëjtin ndryshim, të cilit iu nënshtrua Gjoni (shih 3 Nefi 28:6)” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 271).

Profeti Jozef Smith në qershor 1831 na mësoi që Gjoni ishte në atë kohë duke shërbyer mes dhjetë fiseve të humbura (shih History of the Church, 1:176). Përveç kësaj thënieje, ne nuk i dimë hollësitë e shërbesës së Gjonit si një qenie e përndryshuar. Nuk është e urtë të spekuloni rreth vendndodhjeve ose arritjeve të Gjonit.