2014
Një Spirancë e Hedhur me Qëndrueshmëri
Prill 2014


Mesazhi i Presidencës së Parë

Një Spirancë e Hedhur me Qëndrueshmëri

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

Jo shumë kohë më parë, pata mundësinë të lundroja në një anije të madhe përgjatë bregut të mrekullueshëm të Alaskës në SHBA. Ndërkohë që kapiteni përgatitej për qëndrimin e anijes gjatë natës në një gji të pashkelur, ai vlerësoi me kujdes vendndodhjen dhe rrethanat, të tilla si rendin e baticës e zbaticës, thellësinë e ujërave dhe largësinë nga pengesat e rrezikshme. Pasi mbeti i kënaqur, ai e hodhi spirancën që anija të rrinte e mbrojtur dhe e ankoruar në mënyrë të qëndrueshme, duke u dhënë pasagjerëve mundësi për t’u mahnitur me bukurinë madhështore të krijimeve të Perëndisë.

Teksa po shihja vijën bregdetare, fillova të kuptoj se anija po lëvizte në mënyrë pothuajse të pakuptueshme me shkallën më të vogël të erës dhe rrymës poshtë saj. Megjithatë, anija qëndroi në mënyrë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme brenda një rrethi të përcaktuar nga gjatësia e vijës së spirancës dhe nga fuqia e spirancës.

Kapiteni nuk e kishte mbajtur spirancën të ruajtur në anije, gati për ta ulur vetëm nëse do të afronte një stuhi. Jo, ai e kishte ulur spirancën e anijes si një masë parandaluese dhe e mbrojti anijen nga lëvizja drejt ujërash të pasigurt ose nga të shkuarit dalëngadalë pas rrjedhës ndërkohë që pasagjerët dhe ekuipazhi ndiheshin të sigurt.

Teksa po e soditja këtë skenë, më erdhi ndër mend mendimi se, nëse kjo nuk ishte një mundësi për një shëmbëlltyrë, atëherë unë nuk kisha pilotuar kurrë një aeroplan.

Përse na Duhen Spirancat

Qëllimi i një spirance është ta mbajë të mbrojtur dhe të sigurt një anije në një vendndodhje të dëshiruar ose që të ndihmojë për ta kontrolluar anijen gjatë motit të keq. Sidoqoftë, për t’i arritur këto qëllime jetike, nuk mjafton thjesht të kesh një spirancë. Spiranca duhet të jetë e fortë, e besueshme dhe të përdoret siç duhet në kohën dhe vendin e duhur.

Edhe individët dhe familjet kanë nevojë për spiranca.

Fatkeqësia mund të vijë si një stuhi e madhe që na flak jashtë udhës dhe kërcënon të na përplasë pas shkëmbinjve. Por ndonjëherë, ne jemi në rrezik edhe kur gjithçka duket se është e sigurt – erërat të lehta dhe ujërat të patrazuar. Në fakt, ne mund të jemi në rrezikun më të madh kur po na merr rrjedha dhe lëvizja është aq e papërfillshme saqë mezi e dallojmë.

Ungjilli Është Spiranca Jonë

Spirancat duhet të jenë të qëndrueshme, të forta dhe të mirëmbajtura që të jenë gati kur është nevoja. Përveç kësaj, ato duhet të jenë të lidhura te një bazament i aftë për ta mbajtur peshën e forcave kundërshtare.

Sigurisht, ungjilli i Jezu Krishtit është një spirancë e tillë. Ai u përgatit nga Krijuesi i universit për një qëllim hyjnor dhe u hartua për t’iu dhënë siguri dhe udhërrëfim fëmijëve të Tij.

Çfarë është ungjilli, në fund të fundit, përveçse plani i Perëndisë për t’i shëlbuar fëmijët e Tij dhe për t’i kthyer ata përsëri në praninë e Tij?

Duke e ditur se është në natyrën e të gjitha gjërave që të lëvizin, ne duhet t’i hedhim spirancat me qëndrueshmëri në themelin e vërtetësisë së ungjillit. Ato nuk duhet të ulen lehtazi në rërat e krenarisë ose mezi ta prekin sipërfaqen e bindjeve tona.

Këtë muaj ne kemi mundësi t’i dëgjojmë shërbëtorët e Perëndisë në një konferencë të përgjithshme të Kishës. Fjalët e tyre, të bashkuara me shkrimet e shenjta dhe nxitjet e Shpirtit, përbëjnë një bazë themeli të sigurt e të qëndrueshëm vlerash e parimesh të përjetshme, tek i cili mund t’i lidhim spirancat tona në mënyrë që të mbetemi të patundur e të sigurt mes mundimeve dhe sfidave të jetës.

Profeti i lashtë Helamani dha mësim: “Është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë, që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj; që kur djalli të çojë erërat e tij të fuqishme, po shigjetat e tij në shtjellë të erës, po, kur i gjithë breshëri i tij dhe furtuna e tij e fuqishme do të lëshohen mbi ju, nuk do të ketë fuqi mbi ju, që t’ju tërheqë në humnerën e mjerimit dhe të vuajtjes së pafund, për shkak të shkëmbit mbi të cilin jeni ndërtuar, që është një bazë e sigurt, një bazë mbi të cilën në qoftë se njerëzit ndërtojnë, nuk mund të bien” (Helamani 5:12).

Vlera e Spirancave të Hedhura me Qëndrueshmëri

Jeta ka një mënyrë për t’i vënë në provë spirancat tona dhe për të na tunduar të shkojmë pas rrjedhës. Megjithatë, nëse spirancat tona vendosen siç duhet në shkëmbin e Shëlbuesit tonë, ato do të na mbajnë – pavarësisht nga forca e erës, fuqia e baticës apo lartësia e dallgëve.

Sigurisht, një anije nuk bëhet që të mbetet e palëvizur në një port, por përkundrazi që ta ngrejë spirancën e të lundrojë në detet e jetës. Por kjo është një shëmbëlltyrë për një kohë tjetër.

Për momentin, unë gjej ngushëllim te dijenia se spiranca e ungjillit dhe shkëmbi i Shëlbuesit tonë do të na mbajnë të patundur e të sigurt.

Një spirancë e tillë nuk do të na lejojë të shkojmë drejt rrezikut dhe fatkeqësisë. Ajo do të na japë mundësinë e lavdishme për të gëzuar bukuritë e pakrahasueshme të peizazhit vazhdimisht të ndryshueshëm e madhështor të jetës.

Jeta është e bukur dhe ia vlen të jetohet. Era, stuhia dhe rrymat mbizotëruese mund të na tundojnë të shkojmë drejt rrezikut të dukshëm e të padukshëm, por mesazhi i ungjillit dhe fuqia e tij hyjnore do të na mbajnë në shtegun e kthimit drejt portit të sigurt të Atit tonë Qiellor.

Prandaj, jo vetëm t’i dëgjojmë bisedat e konferencës së përgjithshme të prillit, por edhe t’i zbatojmë mesazhet e tyre si një spirancë e hedhur me qëndrueshmëri në jetën tonë të përditshme.

Na bekoftë dhe na drejtoftë Perëndia në këtë udhëtim kuptimplotë dhe të domosdoshëm!

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

Merrni parasysh të diskutoni për rëndësinë e spirancave në kontekstin e lundrimit të familjes së Lehit drejt tokës së premtuar (shih 1 Nefi 18). Ju mund të vini në dukje 1 Nefin 18:11–15, një kohë kur Nefi është i lidhur, liahona pushon së vepruari dhe anija shtyhet nga stuhi të dhunshme. Çfarë pasojash hasim kur nuk kemi një spirancë të hedhur në mënyrë të sigurt në ungjillin? Ju mund të vini në dukje edhe 1 Nefin 18:21–22 dhe të diskutoni rreth mënyrës se si mund të gjejmë mbrojtje duke u kthyer te Shpëtimtari.