2014
Filipinet: Forca Shpirtërore mbi Ishujt e Detit
Prill 2014


Pionierë në Çdo Vend

Filipinet: Forca Shpirtërore në Ishujt e Detit

Në harkun e shkurtër kohor të 53 viteve, Kisha ka përjetuar forcim dhe rritje befasuese në Filipine, vend që njihet si “Perla e Orientit”.

Për Augusto A. Limin, mesazhi që iu paraqit nga dy misionarë të rinj nga Shtetet e Bashkuara u duk se ia pohoi parimet që ai tashmë i dinte se ishin të vërteta. Augusto, një avokat i ri dhe një i krishterë, vuri re se doktrina të tilla si zbulesa e vazhdueshme ishin “gjëra që, edhe kur isha në shkollë të mesme e në kolegj, i besoja”1.

Pas disa muajsh, Augusto pranoi të merrte pjesë në shërbimet e së dielës dhe pranoi sfidën për të lexuar e për t’u lutur rreth Librit të Mormonit. “Fillova ta lexoja Librin e Mormonit seriozisht me të njëjtin shpirt që Moroni na këshilloi [të kishim]. Kur e bëra atë me dëshirën për të ditur nëse është i vërtetë – pas pak rreshtash – unë po merrja një dëshmi”, kujtoi ai.2

Në tetor të vitit 1964, Augusto Lim u pagëzua dhe u bë një pionier i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Filipine, me të shoqen dhe familjen e tij që u bashkuan pas një kohe të shkurtër. Sot, pas dekadash shërbimi besnik në Kishë – që përfshiu një thirrje në vitin 1992 për të shërbyer si Autoritet i Përgjithshëm, filipinasi i parë që shërbeu në atë pozicion – Vëllai Lim pasqyron besimin dhe përkushtimin e qindra mijëra shenjtorëve të ditëve të mëvonshme që jetojnë në “Perlën e Orientit”.

Një Tokë Pjellore

Rreth 550 vjet përpara lindjes së Jezu Krishtit, Zoti i premtoi profetit Nefi të Librit të Mormonit: “Unë i mbaj mend ata që janë në ishujt e detit” dhe “ua çoj fjalën time fëmijëve të njerëzve, po, madje të gjitha kombeve të tokës” (2 Nefi 29:7). Shumë njerëzve që i kanë lexuar këto fjalë të zgjedhura, u vjen në mendje një grup i “ishuj[ve të] detit”: Filipinet.

Me një popullsi që i afrohet 100 milionëshit, Republika e Filipineve është një arkipelag i madh me pothuaj 7.100 ishuj që gjenden përgjatë bregut juglindor të Azisë. Është një vend i bukur tropikal i populluar nga njerëz miqësorë, të gjallë e të përulur. Prapëseprapë vendi është i prirur për tërmete, tajfune, shpërthime vullkanike, dallgë baticash dhe fatkeqësi të tjera natyrore dhe vuan nga një sërë problemesh ekonomiko-shoqërore. Varfëria e përhapur gjerësisht është një sfidë e përsëritur dhe filipinasit kanë duruar periudha me paqëndrueshmëri politike dhe kriza ekonomike.

Por për ata që i njohin mënyrat e Zotit, Filipinet janë një tokë pjellore për mbjelljen e farave të ungjillit. Së bashku me gjuhën tagaloge dhe gjuhët e tjera vendase, shumë filipinas flasin anglisht, që edhe ajo është një gjuhë kombëtare. Falë periudhës së gjatë të sundimit spanjoll, më tepër se 90 përqind e popullatës është e krishterë; një pjesë e konsiderueshme e minoritetit është myslimane.

Orvatja e parë për ta çuar Kishën në Filipine u bë në vitin 1898 gjatë luftës spanjolle-amerikane nga Uillard Koll dhe Xhorxh Simen, shërbestarë shenjtorë të ditëve të mëvonshme nga Juta që ishin veçuar si misionarë përpara largimit të tyre. Kur mundësitë u shfaqën, ata predikuan ungjillin, por nuk pati asnjë pagëzim.

Gjatë Luftës II Botërore, disa shenjtorë të ditëve të mëvonshme lëvizën përmes ishujve me forcat aleate që përparonin. Në vitet 1944 dhe 1945, grupet ushtarake mbanin mbledhje të Kishës në shumë vendndodhje dhe shumë anëtarë e punonjës SHDM të shërbimeve ushtarake ishin ende në Filipine kur lufta mbaroi. Mes tyre ishin dhe Maksina Tejt dhe i sapokthyeri në besim Xherom Horouic. Që të dy ndihmuan për t’ia paraqitur ungjillin Aniseta Fahardos. Ndërkohë që ndihmonin për t’i rindërtuar shtëpinë Anisetës në një zonë të bombarduar të Manilës, Vëllai Horouic i tregoi për besimin e tij të sapogjetur Anisetës dhe bijës së saj, Ruthit.

Aniseta fitoi një dëshmi dhe dëshiroi të pagëzohej, por Kisha nuk autorizonte pagëzime për filipinasit në atë kohë ngaqë nuk kishte njësi të përhershme të Kishës në ishuj. Plaku Harold B. Li (1899–1973), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, u vu në dijeni për dëshirën e Anisetës dhe në pozitën e tij si kryetar i Komitetit të Përgjithshëm të Ushtarakëve, Plaku Li e miratoi pagëzimin e Anisetës. Mëngjesin e Pashkës në vitin 1946, Aniseta Fahardo u pagëzua nga ushtaraku Loren Ferre dhe tani njihet si e para filipinase që dihet të jetë bërë anëtare e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Fillimi i Punës Misionare

Pas lufte, grupet e Kishës u rioganizuan në dy baza ushtarake të Shteteve të Bashkuara – Baza Ajrore Klark dhe Baza Detare e Gjirit Sabik – teksa anëtarët shenjtorë të ditëve të mëvonshme me shërbim ushtarak mezi e prisnin themelimin e një pranie më zyrtare të Kishës në Filipine. Më 21 gusht 1955, Presidenti Xhozef Fillding Smith (1876–1972) i përkushtoi Filipinet për predikimin e ungjillit. Sidoqoftë, kufizimet ligjore, e vonuan mbërritjen e misionarëve deri në vitin 1961.

Në vitin 1960, Plaku Gordon B. Hinkli (1910–2008), në atë kohë një Ndihmës në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, i vizitoi Filipinet për disa ditë: “Unë shpreha pikëpamjen se puna misionare do të ishte … po aq e frytshme sa ka qenë në shumë vende të tjera të botës”3. Vitin pasues, pas shumë përgatitjeje dhe dokumentesh të bëra nga anëtarë të tillë si Maksina Tejt Grim dhe Presidenti Robert S. Tejlor i Misionit Jugor të Lindjes së Largët, si edhe nga miq jashtë Kishës, Plaku Hinkli u kthye në ishujt për t’i ripërkushtuar Filipinet për fillimin e punës misionare.

Më 28 prill 1961, në periferi të Manilës, Plaku Hinkli u takua me një grup të vogël anëtarësh të forcave ushtarake, banorë amerikanë dhe një anëtar filipinas – Dejvid Lagman – dhe bëri një lutje të veçantë “që do të ketë shumë mijëra njerëzish që do ta marrin mesazhin dhe rrjedhimisht do të bekohen”4. Ato fjalë, të shqiptuara nga një shërbëtor i vërtetë i Zotit, shpejt u bënë profetike.

Katër misionarët e parë – Rejmond L. Gudson, Herri J. Mëri, Kent C. Lou dhe Nester O. Ledezma – mbërritën në Manila disa javë më vonë. “Filipinasit e pranuan ungjillin me shumë gatishmëri”, vuri re Plaku [Eldër] Lou. “Kur kryefamiljari vendoste të bashkohej me Kishën, në shumë, shumë raste e tërë familja do të bashkohej me Kishën.”5

Kisha Përparon

Puna përparoi deri në pikën ku u organizua Misioni i Filipineve në vitin 1967. Deri në fund të atij viti, kishte 3.193 anëtarë në mision, 631 prej të cilëve ishin kthyer në besim atë vit. Deri në vitin 1973, Kisha në Filipine ishte zgjeruar deri pothuajse në 13.000 anëtarë. Më 20 maj 1973, u krijua Kunji i Manilës në Filipine me Augusto A. Limin si president. Në 1974 misioni u nda, duke krijuar Misionin e Manilës në Filipine dhe Misionin e Sebu-Sitit në Filipine.

Në gusht të vitit 1975, Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985) erdhi në Manila për të kryesuar konferencën e parë të zonës për Filipinet. Gushti ishte një muaj plot stuhi, duke e bërë udhëtimin më të vështirë për ata që vinin nga zonat jashtë Manilës. Një autobus i mbushur me shenjtorë nga Laoag-Siti për pak nuk ia doli, por shenjtorët e shtynë mjetin e tyre jashtë një pellgu me baltë dhe iu lutën shoferit që të mos kthehej mbrapsht. Një tjetër grup shenjtorësh u përballën trimërisht me detet e stuhishme për tri ditë të plota, sepse gjithçka që ka vërtet rëndësi, sikurse tha një motër, është të shohësh e të dëgjosh një profet të gjallë të Perëndisë.

Presidenti Kimball i vizitoi Filipinet përsëri në vitin 1980 për të kryesuar mbi një tjetër konferencë zone dhe gjithashtu u takua shkurtimisht me presidentin e Filipineve Ferdinand Markosin. Ky takim i hapi rrugën Kishës që të hapte më vonë një qendër trajnimi për misionarët në Filipine në vitin 1983 dhe që të përkushtonte Tempullin e Manilës në Filipine në vitin pasues. Në vitin 1987 u krijua Zona e Filipineve/Mikronezisë me zyrat qendrore në Manila.

Pjesë të përzgjedhura nga Libri i Mormonit u përkthyen në gjuhën tagaloge në vitin 1987. Përkthimet e Librit të Mormonit janë tani në disa gjuhë filipinase, përfshirë gjuhën sebuaneze.

Bekimet e Tempullit

Në dhjetor të vitit 1980, Presidenti Spenser W. Kimball dërgoi drejtorin e sektorit të pasurive të patundshme të Kishës në Manila për të gjetur një vend të përshtatshëm për një tempull. Pasi mori parasysh disa vende, drejtori dorëzoi një kërkesë për të blerë 3.5 akra (1.4 ha) në Kezon-Siti. Vendi sheh nga lart luginën e Marikinës dhe vendndodhja e tij është relativisht e arritshme për shumë anëtarë të Kishës. Kërkesa u miratua dhe prona u ble në janar 1981. Emri i rrugës u ndryshua në Tempëll Drajv [Rruga e Tempullit] me kërkesë të Kishës.

Për ceremoninë e fillimit të punimeve më 25 gusht 1982, pavarësisht nga kërcënimi prej një tajfuni, rreth 2.000 anëtarë të Kishës u mblodhën nga të gjitha pjesët e ishujve me barkë, tren dhe autobus. Ndërtimi i tempullit filloi shpejt dhe qe gati për t’u përkushtuar në gusht 1984.

Afro 27.000 anëtarë dhe joanëtarë e vizituan tempullin përpara përkushtimit të tij. Ata erdhën pavarësisht prej dy tajfuneve – vetëm 48 orë njëri pas tjetrit – që kishin kaluar duke shkatërruar përmes Filipineve pak ditë më parë. Shenjtorët nga provincat e largëta mbërritën të drobitur, por plot gjallëri. Në shumë raste ata ishin detyruar të bënin itinerare rrethore për në Manila, sepse rrugët ishin përmbytur dhe urat ishin dëmtuar nga lumenjtë e dalë nga shtretërit.

Bukuria e tempullit u la mbresa vizitorëve, duke përfshirë shumë filipinas të mirënjohur. Shkrimtari Selso Karunungan komentoi mbi “një ndjenjë shenjtërie, që, kur hyn brenda, do të përballesh me Krijuesin tënd”. Koloneli Bienvenido Kastijo, kryekapelani i Xhandarmërisë së Filipineve, tha se tempulli “është një vend ku mund të mendosh për gjëra qiellore, sepse je në një mjedis të tillë”. Dy murgesha ndien se “tempulli është vërtet një shtëpi e Zotit”. Eva Estrada-Kalau, një anëtare e parlamentit filipinas, u tha shoqëruesve: “Do të doja që ju të ndërtonit më shumë tempuj këtu”6.

Presidenti Hinkli, në atë kohë Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, i udhëhoqi shërbesat që të vendosnin gurin e qoshes të martën, më 25 shtator 1984. Nëntë sesione përkushtuese vijuan, të mbajtura në dhomën celestiale. Afro 6.500 shenjtorë nga 16 kunje dhe 22 distrikte në Zonën e Paqësorit morën pjesë në sesionet e ndryshme.

Sapo përfundoi sesioni i fundit përkushtues, Paulo V. Malit i Riu dhe Edna A. Jasona u bënë çifti i parë që u martuan në Tempullin e Manilës në Filipine, më 27 shtator 1984. Presidenti i parë i atij tempulli, W. Garth Endrjus, e celebroi ceremoninë martesore.

Mori anëtarësh të Kishës u vunë në radhë për të marrë indaumentet e tyre, duke nisur me punonjësit e ordinancave. Puna në tempull vazhdoi gjatë natës deri të nesërmen.

Anëtarët ndien një dëshirë më të madhe për të hyrë në tempull. Ata që jetonin larg Manilës, duhej të sakrifikonin shumë për të udhëtuar në një largësi të madhe me barkë ose autobus. Por prapëseprapë, ata erdhën dhe sollën me vete histori besimi dhe vendosmërie.

Për Bernardo dhe Leonides Obedosa nga Heneral Santos, të shkuarit në tempull në Manilën e largët dukej e pamundur. Por si tregtari që shkoi dhe shiti gjithçka kishte për të blerë një perlë me vlerë të madhe (shih Mateu 13:45–46), ky çift vendosi ta shiste shtëpinë që të paguante udhëtimin në mënyrë që ata dhe fëmijët e tyre të mund të vuloseshin si familje e përjetshme. Pasi e shitën shtëpinë dhe shumicën e zotërimeve të tyre, ata ia dolën të mblidhnin së bashku shumën e saktë për të paguar udhëtimin me barkë deri në Manila për familjen e tyre prej nëntë vetash. Leonidesa shqetësohej ngaqë ata nuk do të kishin shtëpi ku të ktheheshin. Por Bernardo e siguroi atë se Zoti do të gjente një mënyrë për ta. Ata u vulosën si familje për kohën dhe gjithë përjetësinë në tempull në vitin 1985. Ia vlejti çdo sakrificë që kishin bërë, sepse në tempull ata gjetën gëzim të pakrahasueshëm – perlën e tyre të paçmuar. Dhe pikërisht sipas fjalëve të Bernardos, Zoti siguroi vërtet një mënyrë. Gjatë kthimit të tyre nga Manila, njerëz të njohur të mirë u dhanë atyre vende ku të qëndronin. Fëmijët e tyre e përfunduan shkollimin dhe familja më pas bleu shtëpinë e vet në një vendndodhje të re.

Më 18 prill 2006, Presidenca e Parë njoftoi ndërtimin e Tempullit të Sebu-Sitit në Filipine. Sapo e dëgjuan lajmin, shumë anëtarë të Kishës derdhën lot gëzimi. “Ne jemi të bekuar, sepse Zoti ka zgjedhur Sebu-Sitin për të qenë vendi i tempullit të radhës”, tha Sezar Perez i Riu, drejtori i Institutit të Fesë së Sebu-Sitit.

Pak muaj pas përkushtimit të Tempullit të Sebu-Sitit në Filipine, shenjtorët e ditëve të mëvonshme filipinas gjetën edhe njëherë arsye për t’u gëzuar. Më 2 tetor 2010, gjatë fjalimit të tij të hapjes në konferencën e përgjithshme, Presidenti Tomas S. Monson njoftoi ndërtimin e Tempullit të Urdanetës të Filipineve në Pangasinan.

Më e Mira Nuk Ka Ardhur Ende

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Filipine është relativisht e re, kur krahasohet me praninë e saj në vende të tjera, por fati i saj në kombin e ishujve është i lavdishëm. Rritja e Kishës ka qenë e mrekullueshme dhe më e mira nuk ka ardhur ende. Plaku Majkëll Xhon U. Teh, i Të Shtatëdhjetëve, filipinasi i dytë që u thirr për të shërbyer si Autoritet i Përgjithshëm, tha: “Ne [shenjtorët e ditëve të mëvonshme filipinas] duhet ta përgatisim veten shpirtërisht më tepër se kurrë, sepse puna do të shkojë përpara me ose pa ndihmën tonë”7.

Me të vërtetë, teksa shekulli i 21-të rrokulliset, Kisha e rivendosur do të vazhdojë të rritet në numër e në ndikim, teksa gjithnjë e më shumë filipinas e pranojnë mesazhin dhe bëhen një bekim për këtë popull të zgjedhur në ishujt e detit. Për Plakun Teh dhe shenjtorët filipinas, “premtimet [e mëdha të] Zotit për ata që janë në ishujt e detit” (2 Nefi 10:21) tani po përmbushen.

Shënime

  1. Augusto A. Lim, në R. Lanier Britsch, “‘Faithful, Good, Virtuous, True’: Pioneers in the Philippines”, Liahona, shkurt 1998, f. 44.

  2. Augusto Lim, në Gelene Tobias, “Augusto Lim: The Man of Many Firsts”, countrywebsites.lds.org/ph/index.php/dateline-philippines/jubilee-2011.

  3. Shih Sheri L. Dew, Go Forward with Faith: The Biography of Gordon B. Hinckley (1996), f. 213–215.

  4. Gordon B. Hinckley, “Commencement of Missionary Work in the Philippines”, Tambuli, prill 1991, f. 18.

  5. Intervistë e Kent Klajd Lout nga Xhejms Nil Klark, 3 shtator 2007.

  6. Francis M. Orquiola, “Temple Dedication Rewards Faith of Filipino Saints”, Ensign, nëntor 1984, f. 107.

  7. Michael John U. Teh, “Scriptures and Spiritual Preparation” [Mesazhe të Presidencës së Zonës, maj 2011].

Rritja e Anëtarësisë së Kishës në Filipine

1967: 3.193

1970: 13.000

1980: 17.424

1990: 237.000

2000: 373.000

2012: 661.598