2014
Dëshmitarë të Veçantë Dëshmojnë për Krishtin e Gjallë
Prill 2014


Dëshmitarë të Veçantë Dëshmojnë për Krishtin e Gjallë

Anëtarët e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve janë profetë, shikues dhe zbulues të kohëve të sotme, të cilët qëndrojnë si “dëshmitarët e veçantë të emrit të Krishtit në gjithë botën” (DeB 107:23). Si të tillë, ata kanë përgjegjësinë për të dëshmuar për natyrën hyjnore të Jezu Krishtit dhe për misionin e Tij si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës.

Në citimet që vijojnë, këta burra të zgjedhur e të autorizuar, japin dëshmitë e tyre për Shlyerjen e Shpëtimtarit, Ringjalljen dhe realitetin e gjallë.

Jezu Është Shëlbuesi Ynë

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

“Me gjithë zemrën time dhe zjarrin e shpirtit tim, unë ngre zërin në dëshmi si dëshmitar i veçantë dhe shpall se Perëndia jeton. Jezusi është Biri i Tij, i Vetëmlinduri i Atit në mish. Ai është Shëlbuesi ynë; Ai është Ndërmjetësi ynë me Atin. Ishte Ai që vdiq në kryq për të shlyer për mëkatet tona. Ai u bë fryti i parë i Ringjalljes. Për shkak se Ai vdiq, të gjithë do të jetojnë përsëri. “Ç’gëzim më jep, oh kjo fjali: ‘E di se rron Shëlbuesi im!’” [“E di se Rron Shëlbuesi im”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 38.]”

Presidenti Tomas S. Monson, “E di se Rron Shëlbuesi im!” Liahona, maj 2007, f. 25.

Unë Jam Dëshmitar

Pamja
Presidenti Henri B. Ajring

“Unë jam dëshmitar i Ringjalljes së Zotit, me po aq siguri sikur të kisha qenë atje në mbrëmjen me dy dishepujt në shtëpinë në rrugën për në Emaus. E di se Ai jeton me po aq siguri sa e dinte edhe Jozef Smithi kur pa Atin dhe Birin në dritën e një mëngjesi të shkëlqyeshëm në korijen e drurëve në Palmira. …

… Unë dëshmoj kështu, si dëshmitar i Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë të ringjallur.”

Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Parë në Presidencës së Parë, “Ejani tek Unë”, Liahona, maj 2013, f. 25.

Shlyerja dhe Shpëtimi

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Perëndia, Ati, është autori i ungjillit, i cili është një pjesë kyçe e planit të shpëtimit të Perëndisë, ose e planit të shëlbimit. Quhet ungjilli i Jezu Krishtit, sepse është Shlyerja e Jezu Krishtit që e bën të mundur shëlbimin dhe shpëtimin. Nëpërmjet Shlyerjes të gjithë burrat, gratë dhe fëmijët shëlbohen nga vdekja fizike dhe të gjithë do të shëlbohen nga mëkatet e veta me kushtin e pranimit dhe të bindjes ndaj ungjillit të Jezu Krishtit … .

Për këtë unë jap dëshmi me gjithë zemrën dhe mendjen time.”

Presidenti Diter F. Uhtdorf, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, “A Nuk Kemi Shkak të Gëzohemi?” Liahona, nëntor 2007, f. 19, 21.

Jezusi Është Krishti

Pamja
Presidenti Bojd K. Paker

“Unë e di se Perëndia është Ati ynë. Ai ia paraqiti Birin e Tij, Jezu Krishtin, Jozef Smithit. Unë deklaroj se unë e di se Jezusi është Krishti. Unë e di se Ai jeton. Ai u lind në meridianin e kohës. Ai u mësoi njerëzve ungjillin e Tij dhe u gjykua. Ai vuajti dhe u kryqëzua dhe u ringjall në ditën e tretë. Ai, si Ati i Tij, ka trup prej mishi dhe kocke. Ai bëri Shlyerjen e Tij. Për Atë unë jap dëshmi. Unë jam një dëshmitar i Tij.”

Presidenti Bojd K. Paker, President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, “Të Dymbëdhjetët”, ose Liahona, maj 2008, f. 87.

Një Shpërblesë për Familjen Njerëzore

Pamja
Plaku L. Tom Peri

“[Jezu Krishti] është pjesa kryesore e planit të përjetshëm të Atit, Shpëtimtari që u dha si shpërblesë për njerëzimin. Perëndia e dërgoi Birin e Tij të Dashur që të mposhte Rënien e Adamit dhe të Evës. Ai erdhi në tokë si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Ai e kapërceu pengesën e vdekjes fizike për ne duke dhënë vetë jetën e Tij. Kur vdiq në Kryq, shpirti i Tij u nda nga trupi i Tij. Ditën e tretë, shpirti i Tij dhe trupi i Tij u ribashkuan përjetësisht, për të mos u ndarë më kurrë.”

Elder L. Tom Perry of the Quorum of the Twelve Apostles, “The Plan of Salvation”, Liahona, nëntor 2006, f. 71.

Vepra Qendrore e Historisë Njerëzore

Pamja
Plaku Rasëll M. Nelson

“Shlyerja e [Shpëtimtarit] u krye në Gjetseman, ku Atij i pikuan si djersë pika gjaku (shih Lluka 22:44) dhe në Golgotë (ose Kalvari), ku trupi i Tij u ngrit në kryq te ‘vendi i kafkës’ që nënkuptonte vdekjen (Marku 15:22; Mateu 27:33; shih edhe 3 Nefi 27:14). Kjo Shlyerje e pafundme do ta çlironte njeriun nga pafundësia e vdekjes (shih 2 Nefi 9:7). Shlyerja e Shpëtimtarit e bëri ringjalljen një realitet dhe jetën e përjetshme një mundësi për të gjithë. Shlyerja e Tij u bë vepra qendrore e të gjithë historisë njerëzore.”

Elder Russell M. Nelson of the Quorum of the Twelve Apostles, “The Peace and Joy of Knowing the Savior Lives”, Liahona, dhjetor 2011, f. 22.

Një Sakrificë për Mëkatin

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Jezu Krishti duroi vuajtje të paimagjinueshme për ta flijuar Veten për mëkatet e të gjithë njerëzve. Ajo sakrificë ofroi dobinë përfundimtare – Qengjin e dëlirë pa të meta – për vlerën përfundimtare të së keqes – mëkatet e të gjithë botës. …

Ajo sakrificë – Shlyerja e Jezu Krishtit – është në qendër të planit të shpëtimit. …

Unë e di që Jezu Krishti është Biri i Vetëmlindur i Perëndisë, Atit të Përjetshëm. E di se për shkak të sakrificës së Tij shlyese, ne kemi sigurinë e pavdekshmërisë dhe mundësinë për jetë të përjetshme. Ai është Zoti ynë, Perëndia ynë dhe Shëlbuesi ynë.”

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, “Sakrifica”, Liahona, maj 2012, f. 19, 22.

Shpëtimtari e Drejton Kishën e Tij Sot

Pamja
Plaku M. Rasëll Ballard

“Shlyerja e Jezu Krishtit ishte një pjesë e domosdoshme e planit të Atit tonë Qiellor për misionin tokësor të Birit të Tij dhe për shpëtimin tonë. Sa mirënjohës duhet të jemi që Ati ynë Qiellor nuk i ndërhyri, por, përkundrazi, e frenoi instiktin e Tij atëror për ta shpëtuar Birin e Tij të Dashur. Për shkak të dashurisë së Tij të përjetshme për ju dhe mua, Ai e lejoi Jezusin ta plotësonte misionin e Tij të parashuguruar për t’u bërë Shëlbuesi ynë. …

Jezu Krishti, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i gjithë njerëzimit, nuk ka vdekur. Ai jeton – Biri i ringjallur i Perëndisë jeton – kjo është dëshmia ime, dhe Ai i drejton punët e Kishës së Tij sot.”

Elder M. Russell Ballard of the Quorum of the Twelve Apostles, “The Atonement and the Value of One Soul”, Liahona, maj 2004, f. 85, 86.

Shpresa Jonë, Ndërmjetësi Ynë, Shëlbuesi Ynë

Pamja
Plaku Riçard G. Skot

“Siguria jonë është tek [Ati ynë Qiellor] dhe te Biri i Tij, Jezu Krishti. Unë e di se Shpëtimtari ju do. Ai do t’i pohojë përpjekjet tuaja për ta forcuar dëshminë tuaj në mënyrë që të bëhet një fuqi e plotë për mirë në jetën tuaj, një fuqi që do t’ju mbështesë në çdo kohë nevoje dhe t’ju japë paqe e siguri në këto kohë pasigurie.

Si një nga Apostujt e Tij, i autorizuar që të jap dëshmi për Të, unë dëshmoj solemnisht se e di që Shpëtimtari jeton, që Ai është një personazh i ringjallur, i lavdishëm me dashuri të përkryer. Ai është shpresa jonë, Ndërmjetësi Ynë, Shëlbuesi Ynë.”

Elder Richard G. Scott of the Quorum of the Twelve Apostles, “The Power of a Strong Testimony”, Liahona, janar 2002, f. 103.

Pirja e Kupës së Hidhur

Pamja
Plaku Robert D. Hejls

“Në Kopshtin e Gjetsemanit, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë nuk u mpak kur piu kupën e hidhur të Shlyerjes [shih DeB 19:16–19]. Dhe në kryq vuajti sërish për të bërë vullnetin e Atit të Tij, derisa më në fund mund të thoshte: ‘U krye’ [Gjoni 19:30]. Ai duroi deri në fund. Si përgjigje ndaj bindjes së përsosur të Shpëtimtarit për të qëndruar i paepur, Ati ynë Qiellor shpalli: ‘Vini re Birin tim të Dashur, në të cilin unë jam shumë i kënaqur, në të cilin unë kam lartësuar emrin tim’ [3 Nefi 11:7].

… Le ta përlëvdojmë emrin e Perëndisë duke qëndruar të paepur me Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin. Jap dëshminë time të veçantë se Ai jeton.”

Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, “Qëndroni të Paepur në Vende të Shenjta”, Liahona, maj 2013, f. 51.

I Vetmi Fëmijë i Përsosur i Perëndisë

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Unë e di se Perëndia është në të gjitha kohët dhe në të gjitha mënyrat dhe në të gjitha rrethanat Ati ynë i dashur, falës, në Qiell. Unë e di se Jezusi ishte i vetmi fëmijë i Tij i përsosur, jeta e të cilit u dha me dashuri nëpërmjet vullnetit të Atit, si edhe të Birit, për shëlbimin e gjithë ne të tjerëve që nuk jemi të përsosur. Unë e di se Ai u ngrit nga vdekja për të jetuar përsëri dhe, ngaqë Ai e bëri këtë, ju dhe unë do të jetojmë përsëri.”

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, “Unë Besoj, o Zot”, Liahona, maj 2013, f. 95.

E Di se Shpëtimtari Jeton

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Unë shpall dëshminë dhe vlerësimin tim për sakrificën e pafundme e të përjetshme të Zotit Jezu Krisht. E di se Shpëtimtari jeton. Unë e kam provuar edhe fuqinë e Tij shlyese edhe fuqinë e Tij ndihmuese dhe unë dëshmoj se këto fuqi janë të vërteta dhe të disponueshme për secilin prej nesh. Në të vërtetë, ‘në fuqinë e Zotit’ ne mund t’i bëjmë dhe t’i mposhtim të gjitha gjërat ndërsa shkojmë përpara në udhëtimin tonë të vdekshmërisë.”

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, “Shlyerja dhe Udhëtimi i Vdekshmërisë”, Liahona, prill 2012, f. 19.

Krishti e Përmbushi Misionin e Tij

Pamja
Plaku Kuentin L. Kuk

“[Shpëtimtari] mori mbi vete ‘barrën e mëkateve të njerëzimit’ dhe ‘tmerret që Satani … mund të sillte’ [James E. Talmage, Jesus the Christ, f. 613]. Në këtë proces Ai duroi gjykimet e sajuara me mashtrim dhe ngjarjet e tmerrshme e tragjike që çuan në Kryqëzimin e Tij. Kjo së fundi kulmoi në Ringjalljen triumfuese të Krishtit të dielën e Pashkës. Krishti përmbushi misionin e Tij të shenjtë si Shpëtimtar dhe Shëlbues. Ne do të ringjallemi nga vdekja dhe shpirtrat tanë do të ribashkohen me trupat tanë. …

Unë jap dëshminë time apostolike se Jezu Krishti jeton dhe është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës. Ai ka siguruar shtegun drejt lumturisë së vërtetë.”

Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, “Ne Ndjekim Jezu Krishtin”, Liahona, maj 2010, f. 83–84, 86.

Shpëtimtari na Shëlboi Ne

Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson

“Vuajtja e Shpëtimtarit në Gjetseman dhe agonia e Tij në kryq na shëlbojnë nga mëkati duke kënaqur kërkesat që drejtësia ka mbi ne. Ai shtrin mëshirë dhe fal ata që pendohen. Shlyerja gjithashtu kënaq borxhin që drejtësia zotëron mbi ne, duke na shëruar dhe dëmshpërblyer për çfarëdo vuajtje që durojmë pafajësisht. ‘Pasi vini re, ai vuan dhembjet e të gjithë njerëzve, po, vuajtjet e çdo krijese të gjallë, si burra, gra ashtu edhe fëmijë, që bëjnë pjesë në familjen e Adamit’ (2 Nefi 9:21; shih edhe Alma 7:11–12). …

… Shëlbimi përfundimtar është te Jezu Krishti dhe vetëm tek Ai. Unë përulësisht dhe me mirënjohje e pranoj Atë si Shëlbuesin.”

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, “Shëlbimi”, Liahona, maj 2013, f. 110, 112.

Ringjallja dhe Jeta

Pamja
Plaku Nil L. Andersen

“Mbi të gjitha, ne shpallim Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin tonë, Jezu Krishtin. Gjithçka jemi – gjithçka që do të jemi ndonjëherë – ia detyrojmë Atij. …

Fjalët e Tij jehojnë përmes shekujve:

‘Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë.

Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë’ (Gjoni 11:25–26).

Vëllezër dhe motra, Ai jeton. Ai është ringjallur. Ai drejton punën e Tij të shenjtë mbi tokë.”

Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, “Ejani tek Ai”, Liahona, maj 2009, f. 80.