2014
Përdorimi i Planit të Shpëtimit për t’iu Përgjigjur Pyetjeve
Prill 2014


Përdorimi i Planit të Shpëtimit për t’iu Përgjigjur Pyetjeve

Kur ne ose të tjerë kemi pyetje rreth ungjillit të Jezu Krishtit, a e dimë se ku t’i gjejmë përgjigjet?

Po jetojmë në një kohë emocionuese. Ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit po del “nga terri” (DeB 1:30). Si rrjedhim, më shumë fëmijë të Atit Qiellor, që nuk janë të besimit tonë, po dëgjojnë rreth “mormonëve”. Disa dëgjojnë gjëra që tingëllojnë të çuditshme dhe pështjelluese. Të tjerët dëgjojnë gjëra që duken të njohura dhe ngushëlluese. Individët nga secili prej këtyre grupeve mund të vijnë te ne duke kërkuar përgjigje për pyetjet e tyre. Shumë përgjigje gjenden në planin e shpëtimit, që njihet edhe si “plani [i] madh [i] lumturisë” (Alma 42:8).

Pyetjet e bëra rëndom janë: “Nga erdha unë?” “Përse jam këtu?” dhe “Ku do të shkoj pas kësaj jete?” Të gjitha këto pyetje mund të gjejnë përgjigje nga të vërtetat që gjenden në planin e shpëtimit. Ky artikull jep disa nga përgjigjet që shkrimet e shenjta dhe profeti ynë, Presidenti Tomas S. Monson, kanë dhënë lidhur me këto pyetje.

Nga erdha unë?

Ne jemi qenie të përjetshme. Ne jetuam me Perëndinë përpara kësaj jete si fëmijët e Tij shpirtërorë. “Apostulli Pal [na mësoi] se ‘ne jemi pasardhës të Perëndisë’ [Veprat e Apostujve 17:29]”, tha Presidenti Monson. “Duke qenë se e dimë që trupat tanë fizikë e kanë prejardhjen nga prindërit tanë të vdekshëm, duhet të kërkojmë kuptimin e deklarimit të Palit. Zoti deklaroi se ‘fryma e trupi janë shpirti i njeriut’ [DeB 88:15]. Kështu është shpirti që është pasardhës i Perëndisë. Autori i Hebrenjve i drejtohet Atij si ‘Ati [i] shpirtrave’ [Hebrenjve 12:9].”1

Përse jam këtu?

Mbi jetën tonë në tokë, Presidenti Monson tha: “Sa mirënjohës duhet të jemi që një Krijues i urtë i dha formë tokës dhe na solli këtu me një vel harrese për ekzistencën tonë të mëparshme në mënyrë që të përjetojmë një periudhë prove, një mundësi për të provuar veten, që të mund të kualifikohemi për gjithçka që Perëndia ka përgatitur që të marrim.

Qartazi, një qëllim kryesor i ekzistencës sonë në tokë është që të marrim një trup prej mishi e kockash. Neve na është dhënë gjithashtu dhurata e lirisë së zgjedhjes. Ne jemi të privilegjuar në një mijë mënyra për të zgjedhur për veten tonë. Këtu ne mësojmë nga mbikëqyrësi i rreptë i përvojës. Ne dallojmë të mirën nga e keqja. Ne bëjmë dallimin mes të hidhurës e të ëmblës. Ne zbulojmë se ka pasoja të lidhura me veprimet tona.”2

Ku do të shkoj pas kësaj jete?

Vdekja u vjen të gjithë njerëzve të familjes njerëzore. Por “në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë?” (Jobi 14:14). “Ne e dimë se vdekja nuk është fundi”, tha Presidenti Monson. “Kjo e vërtetë është dhënë mësim nga profetët e gjallë nëpër epoka. Ajo gjendet edhe në shkrimet tona të shenjta. Në Librin e Mormonit ne lexojmë fjalë të posaçme dhe ngushëlluese:

‘Tani, në lidhje me gjendjen e shpirtit midis vdekjes dhe ringjalljes – Vër re, mua m’u bë e ditur nga një engjëll që shpirtrat e të gjithë njerëzve, posa të largohen nga ky trup i vdekshëm, po, shpirtrat e të gjithë njerëzve, qofshin ata të mirë ose të ligj, çohen në shtëpi tek ai Perëndi që u dha atyre jetë.

Dhe do të ndodhë që shpirtrat e atyre që janë të drejtë pranohen në një gjendje lumturie që quhet parajsë, një gjendje e pushimit, një gjendje e paqes, ku ata do të prehen nga të gjitha trazirat e tyre dhe nga të gjitha vuajtjet dhe brengat’ [Alma 40:11–12].”3

Pasi ringjallemi, ne shkojmë te mbretëria çelestiale me lavdi si të diellit, mbretëria terrestiale me lavdi si të hënës, mbretëria telestiale me lavdi si të yjeve, ose te errësira e jashtme (shih DeB 76).

A ka vërtet një Perëndi? A është i vërtetë Satani?

Ati Qiellor, Jezu Krishti dhe Satani ishin të gjithë pjesë e Këshillit të madh në Qiell të mbajtur përpara se ne të lindeshim. Si pjesë e planit të shpëtimit, Ati Qiellor kërkoi që dikush të shkonte në tokë dhe të shlyente për mëkatet tona. Ai tha: “Kë të dërgoj? Dhe njëri [Jezu Krishti] u përgjigj sikurse Biri i Njeriut: Ja ku jam, dërgomë mua. Dhe një tjetër [Satani] u përgjigj e tha: Ja ku jam, dërgomë mua. Dhe Zoti tha: Do të dërgoj të parin.

Dhe i dyti [Satani] u egërsua dhe nuk e ruajti gjendjen e tij të parë; dhe, në atë ditë, shumë e ndoqën atë” (Abraham 3:27–28; shih edhe DeB 29:36–37; Moisiu 4:1–4).

A e kemi ne fuqinë për t’iu bërë ballë tundimeve të Satanit?

Një e treta e shpirtrave që zgjodhën ta ndiqnin Satanin pas Këshillit në Qiell, u dëbuan bashkë me të. Ata dhe Satani mbetën shpirtra pa trupa fizikë. Profeti Jozef Smith na mësoi: “Të gjitha qeniet që kanë trupa kanë fuqi mbi ato që nuk kanë”4. Kështu Satani mund të na tundojë, por ne kemi fuqinë për t’i bërë ballë.

Përse duket ndonjëherë sikur Ati Qiellor nuk iu përgjigjet lutjeve të mia?

“Lutja është akti me anën e të cilit vullneti i Atit dhe vullneti i fëmijës vijnë në bashkërendim me njëri-tjetrin. Qëllimi i lutjes nuk është të ndryshojmë vullnetin e Perëndisë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Lutje”, f .107). Lutja është një mjet që na ndihmon të vendosim nëse do ta përdorim lirinë tonë të zgjedhjes për ta përputhur vullnetin tonë me atë të Perëndisë (shih Abraham 3:25). Ati Qiellor iu përgjigjet gjithnjë lutjeve tona, por ato përgjigje mund të vijnë në këtë formë: po, jo ose ende jo. Koha e duhur është e rëndësishme.

Përse kam sfida kur po mundohem të jetoj një jetë të mirë?

Sfidat janë pjesë e planit të shpëtimit. Ato na bëjnë më të fortë, na përmirësojnë dhe na pastrojnë teksa mbështetemi te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij. Ati Qiellor na mbështet gjatë sfidave tona. Sprovat tona do të “[na] japin përvojë dhe do të jenë për të mirën [tonë]” (DeB 122:7).

Si mund ta di se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar?

Të gjithë fëmijët e Perëndisë lindin me Dritën e Krishtit, e cila na ndihmon “të dalloj[më] të mirën nga e keqja” (Moroni 7:16). Përveç kësaj, Fryma e Shenjtë mund të na japë dëshmi për të vërtetën në mendjen dhe në zemrën tonë me ndjenja paqeje dhe ngrohtësie (shih DeB 8:2–3).

A mund të falem edhe nëse kam bërë mëkate të rënda?

Perëndia e dinte se të gjithë ne do të mëkatonim ndërkohë që mësojmë të zgjedhim midis së mirës dhe të keqes.5 Sidoqoftë, të gjitha mëkatet kanë ndëshkime që lidhen me to. Drejtësia kërkon që ne ta vuajmë ndëshkimin. Në mëshirën e Tij, Ati Qiellor e lejoi Jezu Krishtin që të bënte Shlyerjen dhe të plotësonte kërkesat e drejtësisë për të gjithë ne (shih Alma 42). Me fjalë të tjera, vuajtja e Krishtit në Gjetseman dhe vdekja në Golgotë paguan çmimin për të gjitha mëkatet tona nëse marrim nga Shlyerja e Krishtit duke u penduar dhe duke marrë ordinancat e ungjillit. Mëkatet tona do të falen (shih DeB 1:31–32).

Shënime

  1. Tomas S. Monson, “Vrapimi i Jetës”, Liahona, maj 2012, f. 91; shih edhe Abraham 3:22–26.

  2. Tomas S. Monson, “Vrapimi i Jetës”, f. 91–92; shih edhe Alma 34:32–34.

  3. Tomas S. Monson, “Vrapimi i Jetës”, f. 93; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 76:59–111.

  4. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 222.

  5. Fëmijët e vegjël nuk mund të mëkatojnë “derisa ata fillojnë të bëhen të përgjegjshëm” (shih DeB 29:46–47).