2014
Premtimi i Porterit
Prill 2014


Premtimi i Porterit

Nga biseda “Kemi Arsye të Madhe për t’u Gëzuar”, Liahona, nëntor 2013, f. 115–116.

Pamja

Kur vjehërri im ndërroi jetë, familja jonë u mblodh së bashku për të mirëpritur të tjerët që erdhën për të na ngushëlluar. Gjatë gjithë mbrëmjes, ndërsa flisja me familjen dhe miqtë, shpesh vura re nipin tonë 10-vjeçar, Porterin, duke i qëndruar pranë vjehrrës sime – “nënokes” së tij. Ndonjëherë qëndronte prapa saj, duke u kujdesur për të. Një herë, vura re ta kapte për krahu. E pashë t’i ledhatonte duart, t’i jepte përqafime të vogla dhe t’i qëndronte përkrah.

Për disa ditë pas asaj përvoje, nuk mund ta hiqja nga mendja këtë pamje. Pata nxitjen t’i dërgoja Porterit një mesazh elektronik. I thashë atë çfarë kisha parë e ndier. I kujtova atij edhe besëlidhjet që ai kishte bërë kur ishte pagëzuar, duke cituar fjalët e Almës te Mosia, kapitulli 18:

“Dhe tani, pasi ju dëshironi të hyni në grigjën e Perëndisë dhe të quheni populli i tij dhe jeni të gatshëm të mbani barrët e njëri-tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta –

Po, dhe jeni të gatshëm të vajtoni me ata që vajtojnë; po, dhe të ngushëlloni ata që kanë nevojë të ngushëllohen dhe të qëndroni si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet që ju të gjendeni, madje deri në vdekje, … që ju të mund të keni jetën e përjetshme –

… Në qoftë se kjo është dëshira e zemrave tuaja, çfarë keni kundër pagëzimit në emrin e Zotit, si një dëshmi para tij që ju keni hyrë në një besëlidhje me të, se ju do t’i shërbeni atij dhe do të zbatoni urdhërimet e tij, që ai të mund të derdhë mbi ju Shpirtin e tij më me shumicë?” (vargjet 8–10).

I shpjegova Porterit që Alma na mësoi se ata që dëshirojnë të pagëzohen duhet të jenë të gatshëm t’i shërbejnë Zotit duke u shërbyer të tjerëve – gjatë gjithë jetës! I thashë: “Nuk e di nëse e kuptove, por mënyra se si tregove dashuri dhe shqetësim për Nënoken ishte mbajtje e besëlidhjeve të tua. Ne i mbajmë besëlidhjet tona çdo ditë ndërsa jemi të përzemërt, tregojmë dashuri dhe kujdesemi për njëri-tjetrin. Thjesht dëshiroj që të dish se jam krenare për ty që je një mbajtës i besëlidhjeve! Ndërsa mban besëlidhjen që bëre kur u pagëzove, ti do të jesh i përgatitur që të shugurohesh në priftëri. Kjo besëlidhje tjetër do të të japë më shumë mundësi për t’i bekuar e për t’u shërbyer të tjerëve dhe do të të ndihmojë të përgatitesh për besëlidhjet që do të bësh në tempull. Të falënderoj që je një shembull kaq i mirë për mua! Të falënderoj që më tregove se si është një mbajtës i besëlidhjeve!”

Porteri u përgjigj: “Gjyshe, faleminderit për mesazhin. Kur po e përqafoja Nënoken gjithë kohën, nuk e dija se po i mbaja besëlidhjet e mia, por u ndjeva ngrohtë në zemër dhe u ndjeva vërtet mirë. E di që ishte Fryma e Shenjtë në zemrën time.”

Edhe unë u ndjeva ngrohtë në zemër kur e kuptova se Porteri e dinte se kur mban besëlidhjet e tij ai do të “ke[të] gjithmonë Shpirtin e [Atit Qiellor] me [vete]” [DeB 20:77]. Ky është një premtim i bërë i mundur nëpërmjet marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë.