2014
Kthim në Besim dhe Sakrificë në Finlandë
Prill 2014


Profile të Të Rinjve në Moshë Madhore

Kthim në Besim dhe Sakrificë në Finlandë

Çfarë do të thotë të jesh një i ri në moshë madhore besnik në Finlandë? Një i ri tregon për kulturën e tij dhe besimin e tij fetar.

Pak kilometra larg nga bregdeti i Helsinkit në Finlandë është fortesa detare e Suomenlinës, e ndërtuar në shekullin e 18-të, për t’u mbrojtur nga pushtuesit. Duke u shtrirë përmes gjashtë ishujve, kjo kështjellë përfaqëson vendosmërinë e paepur të popullit finlandez.

Por anëtarët finlandezë vizitojnë një ndërtesë të ndryshme kur udhëtojnë drejt kryeqytetit të tyre. Tempulli i Helsinkit në Finlandë është një simbol fizik i kthimit të tyre në besim dhe i mbrojtjes që marrin nga të jetuarit e ungjillit.

Për Nilo Kervinen, një të ri 24-vjeçar nga Rovaniemi në Finlandë, udhëtimi me tren për 10 orë për në Helsinki është një çmim i vogël për t’u paguar për bekimin e të shërbyerit në tempull.

Përpara përkushtimit të Tempullit të Helsinkit në Finlandë në tetor 2006, Nilo dhe anëtarë të tjerë të lagjes së tij, duhej të udhëtonin për tek Tempulli i Stokholmit në Suedi ose për tek tempulli i Kopenhagës në Danimarkë. “Zakonisht, udhëtimet zgjatnin një javë gjatë pushimeve të verës”, kujton ai. Rruga e bërë me autobus dhe fjetja në tenda në ato udhëtime janë disa nga kujtimet më të mira që ka ai.

Prapëseprapë, të pasurit e një tempulli në tokën e tij amtare është një bekim i mrekullueshëm. “Kur e njoftuan tempullin e Helsinkit, unë isha kaq i lumtur”, thotë Nilo. “Lutja përkushtuese ende më tingëllon në zemër çdo herë që hyj brenda.”

Kjo dashuri për tempullin e veçon Nilon nga miqtë e tij. “Finlandezët punojnë shumë dhe u pëlqen të jenë aktivë, por lënë pak kohë për gjëra shpirtërore në jetën e tyre”, shpjegon ai. Edhe pse Nilo thotë se ai gjithmonë është bekuar me miq të mirë, ndërsa rritej, dallimi midis mënyrës se si jetonin miqtë e tij dhe se si u mësua ai të jetonte, u bë më i qartë. Ishte ky ndryshim që e bëri Nilon të kërkonte dëshminë e vet kur ishte 17 vjeç. “Duhej të merrja një vendim se ku të qëndroja dhe se cili të isha”, thotë ai. “Me bekimet e Zotit dhe me udhërrëfimin e familjes dhe të miqve të mirë, unë mora një dëshmi më të fortë për Kishën.”

Duke folur për kthimin në besim, Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ka thënë: “Unë ju premtoj se, ndërsa vijmë te njohuria e së vërtetës dhe kthehemi në besim te Zoti, ne do të mbetemi të vendosur e të paepur dhe nuk do të heqim dorë kurrë nga besimi ynë”1. Edhe pse udhëtimi për në Helsinki kërkon kohë dhe para, Nilo është i zotuar për të qenë një dishepull i Krishtit. Dhe për Nilon, ajo nuk është aspak sakrificë.

Shënim

  1. Dejvid A. Bednar, “Të Kthyer në Besim te Zoti”, Liahona, nëntor 2012, f. 109.