2014
Duke Pritur për Lindjen e Diellit
Prill 2014


Duke Pritur Lindjen e Diellit

Xhulia Vagner, Ohajo, SHBA

Hijet e mbuluan dhomën me errësirë teksa qëndroja zgjuar e shtrirë, duke dëgjuar frymëmarrjen e burrit tim, duke u përpjekur të përcaktoja nëse po flinte. Kishin kaluar vetëm dy ditë që kur bija jonë 12-vjeçare kishte ndërruar jetë nga një aksident i papritur tronditës. I mbylla sytë përsëri, por gjumi më kishte ikur. Zemra më pikonte për bijën time. Gjithë njohuria për planin e shpëtimit nuk mund ta lehtësonte dhembjen e mungesës së saj.

Ndërsa po afrohej agimi, ndjeva një mall të papritur, të fuqishëm. Dielli do të lindte së shpejti dhe në mendjen time pashë qiellin e larë me një dritë të zbehtë ngjyrë rozë. Bija jonë e donte shumë ngjyrën rozë. Një lindje me ngjyrë rozë e diellit do të ishte pikërisht gjëja që kisha nevojë që të ndihesha pranë saj përsëri.

“Eja të shkojmë për të parë lindjen e diellit”, i pëshpërita burrit tim të përgjumur.

Qëndruam në oborrin e shtëpisë, duke parë drejt lindjes dhe pritëm … e pritëm. Edhe pse qielli u zbardh, dielli nuk doli përmes reve që shtriheshin në nivelin e poshtëm.

E vura kokën në supin e burrit tim dhe psherëtiva, duke u përpjekur të shtiresha sikur s’kishte rëndësi. Por unë dëshiroja më shumë. Kisha nevojë për më shumë. Sigurisht Ati Qiellor mund të ma kishte plotësuar këtë dëshirë pasi na e kishte marrë vajzën tonë të ëmbël në shtëpi tek Ai.

Ndërsa burri im u kthye për të hyrë në shtëpi, duke parë pas nesh drejt perëndimit, ai tha: “Shih!”

U ktheva. Pas nesh, retë ishin larë nga një dritë e artë me një skuqje të brishtë që i rrethonte ato. M’u zu fryma dhe lotët më rrodhën nga sytë. Ishte më e bukur nga sa mund ta kisha përfytyruar. U ndje si një përqafim nga bija jonë. E dija se Ati Qiellor ishte i vetëdijshëm për zemrën time plot dhembje dhe po dërgonte një premtim shprese për të ardhmen – një shenjë përkujtuese të ëmbël të familjeve të përjetshme dhe të të gjitha çasteve të bukura që ende do të vinin.

Kam menduar shpesh për atë çast të bukur dhe për këndvështrimin e ri që më dha ai. Kush shikon për një lindje të diellit në perëndim? Dhe prapëseprapë atje po priste mrekullia ime. Sa shumë bekime dhe mrekulli i humbas ngaqë ato vijnë prej vendesh të papritura? Sa herë përqendrohem në atë që mendoj se duhet të jetë dhe e humbas lavdinë e asaj që është?

Ne ishim lutur pa pushim për një mrekulli që na u mohua, por ndërsa hodha vështrimin përreth me këndvështrimin tim të ri, unë pashë mrekullinë e katër jetëve që u bënë më të mira nëpërmjet dhurimeve të organeve të bijës sonë, mrekullinë e dashurisë familjare dhe të unitetit të lagjes dhe mrekullinë e shërbimit. Kam ndier hidhërim të thellë, por gjithashtu kam ndier shpresë të fuqishme të ma mbushë shpirtin tim me secilën lindje të skuqur lehtë të diellit, me secilin perëndim të roztë të diellit dhe me secilën lule rozë që më del përpara në shtegun tim.

Tani, teksa lind dielli, unë shoh nga lindja dhe mandej kthehem për të parë nga perëndimi. Buzëqesh me mendimin se ka gjithmonë mrekulli dhe bekime për t’u gjetur – dhe që dielli gjithmonë do të lindë mbi hidhërimet tona, në qoftë se e lejojmë atë.