2014
Çfarë duhet të bëj kur në shkollë hapet një temë, e cila është në kundërshtim me mësimet e ungjillit, e tillë si aborti?
Prill 2014


Pyetje & Përgjigje

“Çfarë duhet të bëj kur në shkollë hapet një temë, e cila është në kundërshtim me mësimet e ungjillit, e tillë si aborti?”

Ka shumë mënyra për t’u përgjigjur – ose jo – në varësi të situatës. Së pari, mendoni se çfarë mund të ndodhë nëse thoni diçka apo nuk e thoni atë. Nëse heshtja juaj do t’i bënte të tjerët të mendonin se ju jeni dakord me diçka që e dini se është e gabuar, ju mund të doni të gjeni një mënyrë të thjeshtë për ta bërë të njohur mospranimin tuaj. Nëse mendoni se komenti juaj do të shkaktonte vetëm grindje, atëherë ju mund të gjeni një rast tjetër për ta bërë komentin. Megjithatë, nëse klasa juaj tregon respekt ndaj njëri-tjetrit dhe mësuesi po kërkon pjesëmarrje, ju mund të luteni për frymëzim dhe më pas të shpjegoni bindjet tuaja fetare.

Ju gjithashtu mund të përgatiteni që më parë nëse e dini se klasa juaj do të diskutojë për një temë të caktuar. Përveç shkrimeve të shenjta dhe bisedave të konferencave për temën, hidhuni një sy librave Të Vërtetë ndaj Besimit, Parimet e Ungjillit, ose broshurës Për Forcën e Rinisë. Ju gjithashtu mund ta praktikoni ta shpjegoni temën në mbrëmjen familjare të shtëpisë. Kur të jeni gati, flisni me mësuesin tuaj ose me shokët tuaj të klasës.

Mënyra se si përgjigjeni është po aq e rëndësishme sa ajo që thoni. Kini respekt dhe mos u përpiqni të përdorni terminologji të Kishës. Shokët e klasës suaj do të hutohen sapo ju të thoni: “Një këshilltare e Të Rejave në lagjen time më mësoi se …”

Çfarë është më e rëndësishme është që ju të dini atë që Kisha na mëson dhe atë që Fryma e Shenjtë po ju thotë, me qëllim që ju nuk do të mashtroheni nga gabimet që mund të dëgjoni ose lexoni në klasë.

Mbani Mend se Cilin Përfaqësoni

Kur keni të bëni me këto situata, përpiquni të mbani mend se të tjerët mund të mos kenë të njëjtat ndjenja ndaj çështjes sikurse keni ju. Mos jini mbizotërues ose shtytës, por mos kini frikë t’i mbroni bindjet tuaja fetare. Mbani mend se ju përfaqësoni Krishtin.

Madëlajn K., 16 vjeçe, Uajomi, SHBA

Jini i Sjellshëm

Mendoj se duhet t’i ndaj pikëpamjet e mia në një mënyrë të sjellshme dhe gjithashtu të them përse unë i besoj ato. Nuk mendoj se kam nevojë t’i bëj të tjerët të kenë pikëpamjet e mia, por mendoj se ata duhet ta dinë se ku qëndroj unë lidhur me tema të caktuara dhe ta kuptojnë pikëpamjen time.

Sabrina S., 16 vjeçe, Oregon, SHBA

Kini Respekt

Është e rëndësishme t’i bëjmë të tjerët të na dëgjojnë, por është gjithashtu shumë e rëndësishme që të kemi respekt për bindjet e të tjerëve. Mos bëni debate. Debati krijon armiq dhe ngatërresë. Nëse nxirret në pah ndonjë ide që është në kundërshtim me fenë tonë, rrini të qetë, të përqendruar dhe tregoni respekt e mos harroni që të dëgjoni Shpirtin. Ka gjëra që ne nuk i kuptojmë, por Perëndia i kupton. Ne duhet ta dëgjojmë Shpirtin e Tij dhe të mësojmë prej Tij.

Hena M., 18 vjeçe, Juta, SHBA

Tregoni për Atë që ju Mëson Kisha

Përpiqem t’iu përgjigjem pyetjeve të tilla sa më mirë që mundem, sepse miqtë dhe mësuesit e mi nuk e dinë, në qoftë se unë nuk ua them, cili është qëndrimi i Kishës mbi tema të tilla. Duke e bërë këtë gjë, ata do të jenë në gjendje të dinë për referenca të ardhshme dhe ju do të përfitoni shpirtërisht. Mbani mend: “Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej” (Mateu 5:16).

Xhoshua M., 16 vjeç, Mançester, Angli

Ndihmojini të Tjerët të Mendojnë rreth Asaj që Është e Drejtë

Ndajini ndjenjat tuaja me ndershmëri. Shumë tema në shkollë, si aborti, debatohen shumë, prandaj mos kini turp që të thoni mendimin tuaj. Është një mundësi e mirë për të ndarë ungjillin dhe standardet në të cilat besojmë. Nëse i ndani ndani bindjet tuaja, ju mund t’i ndihmoni njerëzit të mendojnë për atë që është e drejtë.

Medisën R., 14 vjeçe, Karolina Veriore, SHBA

Shmangeni Grindjen

Unë do ta shpjegoja mendimin tim, duke i mbrojtur parimet e mia dhe doktrinat e Kishës, duke i respektuar idetë e të tjerëve. Nuk do të jem grindavece, gjë që do ta largojë Shpirtin, i cili mund t’i ndikojë të tjerët në një mënyrë pozitive.

Dajana V., 15 vjeçe, Buenos-Ajres, Argjentinë

Korrigjojeni Doktrinën e Gabuar

Ne i përkasim një Kishe që nxit punën misionare, në të cilën që të gjithë thirremi për të predikuar; si rrjedhim, ne nuk mund ta lejojmë të shpërndahet doktrinën e rreme. Në situata të tilla, ne duhet ta ngremë zërin që të korrigjojmë ndonjë doktrinë të rreme dhe që t’i ndihmojmë njerëzit të kuptojnë pikëpamjen e ungjillit të rivendosur lidhur me çështjen.

Dejvid M., 16 vjeç, Provinca Kasaï-Oksidental, Republika Demokratike e Kongos

Njihni Qëndrimin e Kishës

Isha në një kurs ku u diskutuan shpesh tema kontradiktore. Gjëja e parë që të bëni është t’i respektoni bindjet e të tjerëve, ashtu sikurse do të prisnit nga shokët e klasës suaj. Nëse tema është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kishën, shpallni lirshëm opinionin tuaj. Juve nuk do t’ju duhet ta përmendni Kishën në përgjigjen tuaj. Megjithatë, sigurohuni që e dini qëndrimin e Kishës mbi këto gjëra.

Xhozef Z., 18 vjeç, Merilend, SHBA