2014
Siguria e Denjësisë
Prill 2014


Siguria e Denjësisë

Nga një mbrëmje rreth vatrës për rininë, e dhënë më 31 dhjetor 2006.

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

Dëshiroj të flas veçanërisht për mënyrën se si të kemi një lloj shumë të veçantë sigurie.

Mesazhi im për ju është një mesazh shprese e inkurajimi tani dhe për gjithë jetën tuaj. Ka shumë andralla në botë, por gjithmonë ka pasur andralla në çdo periudhë dhe epokë. Mos u shqetësoni për to dhe mos u shkurajoni nga ato. Vitet pasuese do të mbushen me mundësi të mrekullueshme dhe bekime të mëdha. Ne do të vazhdojmë të kemi përparim në teknologji e shkencë, mjekësi e komunikim – të gjitha fushat që bëjnë kaq shumë për të pasuruar jetën tonë. Ju jetoni në epokën më të lavdishme që bota ka njohur ndonjëherë, me më shumë prej bekimeve të kohës që shkojnë te më shumë njerëz përreth botës se në çdo kohë tjetër në histori. Kujtoni – gjyshja juaj nuk ëndërroi asnjëherë për një kompjuter dore kur ishte në moshën tuaj, dhe gjyshi juaj ende nuk e ka idenë se si të dërgojë mesazh me celular. Kështu që, jini të lumtur, të shëndetshëm dhe optimistë.

E them këtë pjesërisht sepse, në një artikull që lexova së fundmi, thuhej se sëmundja më e zakontë midis të rinjve në moshë sot nuk është diabeti ose sëmundja e zemrës apo kanceri. (Ato lloj problemesh zakonisht u lihen njerëzve të moshës sime, jo të moshës suaj.) Jo, u raportua se, sëmundja nga e cila njerëzit në vitet e adoleshencës dhe rreth të 20-ve vuajnë më shumë, është dyshimi te vetja, frika nga e ardhmja, vetëvlerësimi i ulët dhe një mungesë e përgjithshme e sigurisë te vetja dhe te bota përreth tyre.

Edhe pse jam shumë më i moshuar se ju, vërtet i kuptoj ato lloj shqetësimesh sepse në pjesën më të madhe të rinisë time edhe mua m’u duk se u përballa me situata në të cilat nuk kisha shumë siguri te vetja. Mund të kujtoj që përpiqesha për nota të mira, që shpresoja të fitoja mundësinë për bursë në shkollë dhe pyesja veten se përse të tjerët dukeshin më të zotë në atë fushë sesa unë. Mund të kujtoj vite të shumta konkursesh atletike në të cilat përpiqesha të luaja me sigurinë e nevojshme për sukses në sporte në shkollën e mesme dhe atë të lartë, që dëshiroja kaq dëshpërimisht të fitoja lojën e rëndësishme ose të fitoja një kampionat të lakmuar. Mbaj mend në veçanti mungesën e sigurisë me vajzat, që është kaq shpesh arsyeja e shkaktimit të një ankthi të madh te djemtë e rinj. Jam shumë mirënjohës që Motra Holland më dha një mundësi. Po, unë mund t’i mbaj mend të gjitha gjërat që ju mbani mend – të mos qenit i sigurt për pamjen time apo për faktin nëse më pranonin, ose për atë që do të ruante e ardhmja për mua.

Qëllimi im këtu nuk është të diskutoj mbi të gjitha ato probleme me të cilat përballet një i ri, që sjellin dyshim te vetja dhe mungesë sigurie te vetja, por dëshiroj të flas veçanërisht për mënyrën se si të kemi një lloj shumë të veçantë sigurie – siguri e cila, kur fitohet në mënyrën e duhur, përmbush mrekulli në çdo aspekt tjetër të jetës sonë, sidomos te vetëvlerësimi ynë dhe mënyra se si e shohim të ardhmen. Për të dalë në këtë pikë, më duhet të tregoj një histori.

Vlera e Denjësisë Vetjake

Shumë vite më parë, kohë përpara se të thirresha si Autoritet i Përgjithshëm, mora pjesë si folës në një konferencë të rinjsh në moshë madhore. Konferenca përfundoi me një mbledhje dëshmish në të cilën një misionar i ri i kthyer dhe i pashëm u ngrit për të ndarë dëshminë e tij. Ai dukej i mirë, i pastër dhe me siguri në vetvete – ashtu siç duhet të duket një misionar i kthyer.

Ndërsa filloi të fliste, i dolën lot nga sytë. Ai tha se ishte mirënjohës që qëndronte mes një grupi kaq të mrekullueshëm të rinjsh shenjtorë të ditëve të mëvonshme dhe që ndihej mirë për jetën që po përpiqej të bënte. Por ajo ndjenjë ishte bërë e mundur, tha ai, vetëm për shkak të një përvoje që kishte pasur disa vite më parë, një përvojë që i kishte ndryshuar jetën përgjithmonë.

Ai më pas tregoi për kthimin në shtëpi nga një takim me një vajzë pak pasi ishte shuguruar plak, në moshën 18-vjeçare. Diçka kishte ndodhur në këtë takim, për të cilën nuk krenohej. Ai nuk hyri në hollësi, as nuk duhej ta kishte bërë në një ambient publik. Sot e kësaj dite nuk e di se çfarë ndodhi, por ishte mjaftueshëm domethënëse për të sa që i kishte prekur shpirtin dhe vetëvlerësimin e tij.

Ndërsa u ul në makinën e tij për pak kohë në rrugicën para shtëpisë së vet, duke menduar gjërat që kaluan dhe duke ndier hidhërim të vërtetë për çfarëdo që kishte ndodhur, e ëma e tij joanëtare erdhi duke vrapuar e shqetësuar nga shtëpia drejt makinës së tij. Në çast, ajo njoftoi se vëllai më i vogël i këtij djali ishte rrëzuar në shtëpi, kishte goditur kokën keqas dhe po kalonte një krizë apo spazmë. I ati joanëtar kishte telefonuar menjëherë për një ambulancë, por do t’i nevojitej ndihmë derisa ambulanca të vinte.

“Eja dhe bëj diçka”, thërriste ajo në lot. “A nuk ka diçka që bëni ju në Kishën tuaj në kohë si këto? Ti ke priftërinë e tyre. Eja dhe bëj diçka.”

E ëma e tij nuk dinte shumë për Kishën në atë pikë, por ajo dinte diçka për bekimet e priftërisë. Megjithatë, në këtë mbrëmje kur dikush që ai e donte kaq shumë kishte nevojë për besimin e tij dhe forcën e tij, ky i ri nuk mund t’i vinte në ndihmë. Duke pasur parasysh ndjenjat me të cilat po ndeshej dhe shkeljen që ndiente se sapo kishte bërë – çfarëdo qoftë ajo – ai nuk mundej të shkonte para Zotit dhe t’i kërkonte bekimin që nevojitej.

Ai doli me vrull nga makina dhe vrapoi teposhtë rrugës për në shtëpinë e një burri më të moshuar e të denjë, i cili e kishte mbajtur afër në lagje që pas kthimit të djalit në besim, dy ose tre vjet më parë. Iu dha shpjegim lidhur me situatën dhe të dy u kthyen në shtëpi ende shumë përpara se të mbërrinin ndihmësmjekët. Fundi i lumtur i kësaj historie, siç u tha në atë mbledhje dëshmish, ishte që ky burrë më i moshuar menjëherë dha një bekim të ëmbël e të fuqishëm priftërie, duke e lënë fëmijën e lënduar në gjendje të qëndrueshme e të qetë derisa të mbërrinte ndihma mjekësore. Udhëtimi i shpejtë për në spital dhe një kontroll i plotë treguan se nuk kishte pësuar asnjë dëmtim të përhershëm. Një çast shumë i frikshëm për këtë familje kishte kaluar.

Më pas, misionari i kthyer për të cilin po flas, tha këtë: “Asnjë njeri që nuk është përballur me atë që u përballa unë atë natë, nuk do ta njohë ndonjëherë turpin që ndjeva dhe hidhërimin që mbajta si barrë, nga të ndierit i padenjë për ta përdorur priftërinë që mbaja. Është një kujtim edhe më i dhembshëm për mua pasi ishte vetë vëllai im i vogël që kishte nevojë për mua dhe prindërit e mi të dashur joanëtarë që ishin kaq të trembur dhe që kishin të drejtë të prisnin më shumë prej meje. Por ndërsa qëndroj para jush sot, mund t’ju premtoj këtë”, tha ai, “unë nuk jam i përsosur por, që nga ajo natë e tutje, nuk kam bërë asnjëherë ndonjë gjë që do të më ndalonte të shkoja para Zotit me siguri dhe të kërkoja ndihmën e Tij kur nevojitej. Denjësia vetjake është një betejë në këtë botë në të cilën jetojmë”, pranoi ai, “por është një betejë që unë po e fitoj. E kam ndier gishtin e dënimit të drejtohet nga unë një herë në jetën time dhe nuk kam ndërmend ta ndiej kurrë më atë nëse mund të bëj çdo gjë për këtë. Dhe, sigurisht”, përfundoi ai, “mund të bëj gjithçka për këtë.”

Ai përfundoi dëshminë e tij dhe u ul. Ende mund ta përfytyroj. Ende mund ta shoh mjedisin ku ishim. Dhe ende mund ta kujtoj heshtjen e zymtë dhe prekëse që erdhi pas fjalëve të tij, ndërsa çdokush në sallë pati rastin të kërkonte në shpirtin e tij apo të saj pak më thellë, të zotohej pak më fort për të jetuar sipas këtyre fjalëve të fuqishme të dhëna nga Zoti:

“Virtyti duhet t’i stolisë mendimet e tua pa pushim; atëherë do të forcohet vetbesimi yt në prani të Perëndisë; dhe doktrina e priftërisë do të pikojë mbi shpirtin tënd sikurse vesat nga qiejt.

Fryma e Shenjtë do të jetë shoqëruesi yt i vazhdueshëm dhe skeptri yt një skeptër i pandryshueshëm i drejtësisë dhe së vërtetës” (DeB 121:45–46; theksimi i shtuar).

Të Gëzuarit e Shpirtit të Perëndisë

Miq të mi të rinj e të dashur, kini një jetë të mrekullueshme. Mendoni për më të mirën dhe shpresoni më të mirën, dhe kini besim tek e ardhmja. Ju keni një jetë të mrekullueshme përpara jush. Ati juaj Qiellor ju do. Nëse keni bërë ndonjë gabim, mund të pendoheni dhe të faleni sikurse u pendua dhe u fal ky djalë i ri. I keni të gjitha arsyet për të jetuar, planifikuar dhe besuar. Të pasurit e miratimit të ndërgjegjes suaj kur jeni vetëm me kujtimet tuaja, ju lejon ta ndieni Shpirtin e Perëndisë në një mënyrë shumë vetjake. Dëshiroj që ta gëzoni atë Shpirt, ta ndieni atë siguri në praninë e Zotit gjithnjë. Mendimet e virtytshme i mbajtshin të pastra veprimet tona sot, nesër e përgjithnjë.