2014
Ndiq Profetin
Prill 2014


Ndiq Profetin

Nga një takim shpirtëror i Sistemit Arsimor të Kishës të mbajtur në Universitetin “Brigam Jang” – Ajdaho më 5 maj 2013. Për bisedën e plotë në anglisht, vizitoni lds.org/broadcasts.

Pamja
Plaku Uilliam R. Uolker

Ndërsa e ndjekim Presidentin Monson dhe përpiqemi të jemi më shumë si ai, ne vërtet do të kemi sukses të pashmangshëm në bërjen dishepuj më besnikë të Zotit Jezu Krisht.

Disa vite më parë, pikërisht përpara konferencës së përgjithshme, Presidenti Tomas S. Monson dha një mësim të mrekullueshëm. Këtë radhë ishte për Autoritetet e Përgjithshme të mbledhur, të cilët kishin udhëtuar për në Solt-Lejk-Siti të Jutës, shumë duke ardhur nga vende nëpër botë ku po shërbenin në Presidencat e Zonave. Ishim mbledhur së bashku për t’u udhëzuar nga Presidenca e Parë dhe Dymbëdhjetë Apostujt.

Ndërsa po afrohej koha e mbledhjes, të gjithë dukej se ishin të pranishëm me përjashtim të Presidentit Monson. Disa minuta përpara se të fillonte mbledhja, ne pushuam së foluri me njëri-tjetrin dhe u ulëm me nderim për të dëgjuar muzikën e hyrjes, duke pritur që profeti të hynte nga çasti në çast.

Pritëm me durim ndërkohë që ora arriti 09:00 e mëngjesit dhe më pas kaloi. Dikush doli nga dera anësore – sigurisht për të parë nëse ndonjë ndihmë mund të nevojitej. Kur u kthye, ai tha: “Presidenti Monson do të bashkohet me ju së shpejti”.

Rreth 15 minuta më vonë, Presidenti Monson hyri në dhomë. Si shenjë respekti, ne u ngritëm në këmbë kur hyri ai. Ne u gëzuam që e pamë dhe u kënaqëm që ai dukej mirë. Nuk kishte ndonjë arsye të dukshme përse ai kishte qenë me vonesë.

Presidenti Monson shkoi drejt te foltorja dhe tha: “Vëllezër, më vjen keq që jam me vonesë, por gruaja ime kishte nevojë për mua këtë mëngjes”.

Më bëri thellësisht përshtypje dhe ndjeva përulësi e nuk mund të ndaloja së menduari për fjalët e tij.

Kjo ishte një mbledhje shumë e rëndësishme. E tërë udhëheqja kryesore e Kishës u mblodh, por Presidenti Monson e dha shembullin për ne të gjithë. Bashkëshortja e tij kishte nevojë për të dhe ai harxhoi kohën e nevojshme për t’u kujdesur për të. Ishte një predikim i madhërishëm. Nuk më kujtohet ndonjë gjë tjetër që u tha atë ditë, por e kujtoj atë predikim: “Gruaja ime kishte nevojë për mua”.

Ndjekja e Shembullit të Profetit

Dëshiroj të sugjeroj pesë mënyra se si ne mund ta ndjekim shembullin e Presidentit Monson:

1. Ne mund të jemi pozitivë dhe mund të jemi të lumtur.

Në Perlën me Vlerë të Madhe, Profeti Jozef Smith përshkruan “temperamentin [e tij] të hareshëm” (Joseph Smith – Historia 1:28). Fjala “i hareshëm” gjithashtu përshkruan Presidentin Monson.

Në një rast Presidenti Monson tha: “Ne … mund të zgjedhim të kemi një qëndrim pozitiv. Ne nuk mund ta drejtojmë erën, por mund t’i rregullojmë velat. Me fjalë të tjera, ne mund të zgjedhim të jemi të lumtur dhe pozitivë, pavarësisht nga çfarë vjen drejt nesh.”1

Një ditë po prisja jashtë dhomës së mbledhjes së Presidencës së Parë. Isha ftuar atje për të marrë pjesë në një mbledhje për të diskutuar çështje të tempujve. U ula qetësisht jashtë dhomës, i vetëm. Mendova se Presidenca e Parë ishte tashmë në mbledhje dhe se ata do të më ftonin të bashkohesha me ta pas pak minutash.

Ndërsa qëndroja i ulur atje, munda të dëgjoj dikë duke ecur nëpër korridor duke fërshëllyer. Mendova me vete: “Dikush nuk e kupton protokollin e duhur. Nuk duhet të vish rrotull duke fërshëllyer jashtë zyrës së Presidentit të Kishës.”

Një çast më vonë fërshëllyesi kaloi qoshen – ishte Presidenti Monson. Ai ishte i gëzuar dhe ishte pozitiv. Më përshëndeti me ngrohtësi dhe tha: “Besoj se do ta fillojmë mbledhjen për pak minuta”.

Edhe me peshën e tërë Kishës mbi supet e tij, ai është një shembull lumturie dhe ai gjithmonë ka një qëndrim pozitiv. Ne duhet të jemi po ashtu.

2. Ne mund të jemi të sjellshëm dhe të dashur kundrejt fëmijëve.

Jezusi foli shpesh për fëmijët. Edhe profeti i Tij, Presidenti Monson, flet shpesh për fëmijët. E kam parë, veçanërisht në përkushtimet e tempujve, se sa i do ai fëmijët dhe, përmes shembullit të tij, na mëson si t’i trajtojmë ata. Në çdo përkushtim tempulli ai përqendrohet te fëmijët. Ka dëshirë t’i përfshijë ata në ceremoninë e vënies së gurit të qoshes dhe gjithashtu i fton disa nga ata të vendosin pak llaç në gurin e qoshes për të marrë pjesë në përfundimin në mënyrë simbolike të tempullit. E bën të gëzueshme për ta. E bën të paharrueshme për ta. Ai gjithmonë ka një buzëqeshje të madhe për ta. I nxit dhe i lavdëron ata. Është një gjë e mrekullueshme ta shohësh.

Përshëndetjet e tij të ngrohta me raste përfshijnë bërjen qepalla, lëvizjen e veshëve dhe nxitje për të shërbyer misione dhe për t’u martuar në tempull.

Disa vite më parë u planifikua që Presidenti Monson të përkushtonte Tempullin e Okër Mauntinit në ditën e ditëlindjes së tij. Kur arriti në tempull dhe iu afrua derës kryesore të tempullit, ishte mbledhur një grup të rinjsh. Ata sigurisht e dinin që ishte ditëlindja e Presidentit Monson, sepse filluan t’i këndonin “Gëzuar Ditëlindjen”. Ndaloi dhe i pa ata me një buzëqeshje të madhe në fytyrën e tij. Ai madje filloi të tundte krahët sikur po e dirigjonte të kënduarin e tyre. Në fund ata shtuan refrenin “Dhe shumë të tjera”. Ai më tha: “Kjo është pjesa ime e preferuar”.

Fëmijët dhe të rinjtë e Kishës e duan atë dhe ata nuk kanë asnjë lloj dyshimi se edhe ai i do!

3. Ne mund t’i ndjekim nxitjet e Shpirtit.

Përkushtimi i Presidentit Monson ndaj Zotit dhe zotimi i tij për t’i ndjekur nxitjet e Shpirtit u thanë kaq bukur nga profeti vetë me këto fjalë “Përvoja më e ëmbël që njoh në jetë, është ta ndiesh një nxitje e të veprosh sipas saj dhe më vonë të gjesh se ishte plotësimi i lutjes së dikujt apo i nevojës së dikujt. Dhe unë dua gjithmonë që Zoti të dijë se, nëse Ai ka nevojë për një punë për t’u bërë, Tom Monson do ta bëjë atë punë për Të.”2

Ky është një model që secili prej nesh duhet të dojë ta ndjekë.

4. Ne mund ta duam tempullin.

Presidenti Monson do të mbahet mend në histori si një nga ndërtuesit e mëdhenj të tempujve në historinë e Kishës. Që kur u bë President i Kishës në shkurt të 2008-ës, ai e ka vazhduar punën e madhërishme të ndërtimit të tempujve. Në gjashtë vitet që ka qenë profet, Presidenti Monson ka shpallur plane për të ndërtuar 33 tempuj të rinj.

Presidenti Monson ka thënë: “Secili prej nesh jetoftë jetë të denjë, me duar të pastra dhe zemër të dëlirë, kështu që tempulli të mund të prekë jetën tonë dhe familjet tona”3.

Ai gjithashtu ka dhënë këtë premtim të mrekullueshëm: “Kur ne e duam tempullin, e prekim tempullin dhe shkojmë në tempull, jetët tona do të pasqyrojnë besimin tonë. Kur shkojmë [në këto] shtëpi [të] shenjt[a] të Perëndisë, kur kujtojmë besëlidhjet që ne bëjmë brenda saj, ne do të jemi në gjendje të durojmë çdo sprovë dhe të kapërcejmë çdo tundim.4

Le ta ndjekim modelin që profeti ka ngritur për ne për ta dashur tempullin.

5. Ne mund të jemi të mirë, të kujdesshëm e të dashur.

Presidenti Monson është një shembull i mrekullueshëm i dashurisë për të tjerët. E tërë shërbesa e tij është e mbushur me vizita nëpër shtëpi; vënien e duarve mbi koka dhe dhënien e bekimeve; bërjen e telefonatave të papritura për të ngushëlluar dhe inkurajuar; dërgimin e letrave të inkurajimit, përgëzimit dhe vlerësimit; vizita në spitale e qendra përkujdesjeje; dhe gjetjen e kohës për të shkuar në varrime dhe ceremoni funeralesh pavarësisht nga një plan shumë i ngjeshur ditor.

Ashtu siç do të bënte Shpëtimtari, Tomas Monsoni ka shkuar duke bërë mirë (shih Veprat e Apostujve 10:38), duke bekuar dhe dashur të tjerët; kjo ka qenë forca shtytëse në jetën e tij.

Një shembull mbresëlënës i mirësisë së Presidentit Monson ndodhi në vitin 2012. Ndërkohë që tempulli i bukur i Brigam-Sitit në Juta po i afrohej përfundimit, unë u takova me Presidencën e Parë për të diskutuar plane për përkushtimin e tempullit. Meqë Brigam-Siti ndodhet vetëm një orë në veri të Solt-Lejk-Sitit, do të kishte qenë shumë e lehtë për Presidentin Monson të udhëtonte atje për përkushtimin.

Në vend të kësaj, Presidenti Monson tha: “Brigam-Siti është qyteti i lindjes së Presidentit Bojd K. Paker, këtij Apostulli të madh, i cili është ulur përkrah meje për kaq shumë vite në Të Dymbëdhjetët. Unë dua që ai të ketë nderin dhe bekimin e përkushtimit të tempullit në qytetin e tij të lindjes. Unë nuk do të përzihem dhe do të caktoj Presidentin Paker për ta përkushtuar Tempullin e Brigam-Sitit. Dua që ajo të jetë dita e tij.”

Ishte një ditë e mrekullueshme për Presidentin Paker dhe për Motrën Paker, e cila gjithashtu u rrit në Brigam-Siti. U preka shumë nga gjesti i dashur dhe zemërgjerë i Presidentit Monson ndaj Apostullit koleg të tij. Ne të gjithë mund të jemi në atë mënyrë. Ne mund të ndajmë dhe të jemi dashamirës e të mendojmë më shumë për njerëzit përreth nesh.

Modeli i një Profeti

Presidenti Monson na ka mësuar mënyrën se si ta jetojmë jetën tonë me anë të mesazheve të tij të mrekullueshme dhe frymëzuese në konferenca të përgjithshme. Ai na ka mësuar se si të jemi pasues të Jezu Krishtit me anë të shembullit të tij vetjak, mbresëlënës dhe të mrekullueshëm. Me të vërtetë, Zoti na ka dhënë një model në të gjitha gjërat dhe një nga modelet që ne duhet të përpiqemi ta ndjekim është ai i profetit tonë të dashur.

Unë dëshmoj se ka një Perëndi në qiell, i cili na njeh dhe na do. Ai na ka dhënë një profet – për të na drejtuar, për të na mësuar dhe për të na udhëhequr në këto ditë të mëvonshme. Unë besoj se Zoti pret që ne ta duam profetin, ta mbështesim atë dhe ta ndjekim shembullin e tij.

E shoh si bekim të madh të kem jetuar në kohën kur Tomas S. Monson ishte profeti i Zotit. Ndërsa e ndjekim profetin dhe përpiqemi të jemi më shumë si ai, ne do të kemi sukses të pashmangshëm në bërjen dishepuj më besnikë të Zotit Jezu Krisht.

Shënime

  1. “Messages of Inspiration from President Monson”, Church News, 2 shtator, 2012, f. 2.

  2. On the Lord’s Errand (DVD, 2008).

  3. Tomas S. Monson, “Bekime të Tempullit”, Liahona, tetor 2010, f. 15.

  4. Thomas S. Monson, Be Your Best Self (1979), f. 56; shkrimi kursiv i shtuar.