2014
Unë jam Dria nga Filipinet
Prill 2014


Miq nëpër Botë

Unë jam Dria nga Filipinet

Mabuhai, Kaibigan!*

Nga një intervistë prej Emi Xhejn Levit

A keni ëndërruar ndonjëherë të jetoni në një ishull? Kjo është Alehandria, por familja dhe miqtë e saj e thërrasin shkurt Dria. Ajo jeton në ishullin e Kebusë në Filipine me të ëmën, të atin dhe dy motrat e saj. Ajo kishte edhe një vëlla më të madh, por ai vdiq përpara se të lindte Dria. “Unë e di se ai është ende pjesë e familjes sonë dhe do ta shoh atë një ditë, sepse familjet janë përgjithmonë”, thotë ajo.

Një nga gjërat e parapëlqyera që bëj është kërcimi. Jam një balerinë klasike. Vitin e ardhshëm shpresoj të kaloj në nivelin tjetër, që është baleti me puante. Kjo do të thotë që do të vesh këpucë të veçanta baleti, që më ndihmojnë të kërcej në majë të gishtave.

Filipinet kanë më shumë sesa 7.000 ishuj, ndaj ka shumë vende të bukura për t’u vizituar. Shtëpia jonë është afër plazhit, dhe më pëlqen të luaj në oqean. Një nga gjërat e parapëlqyera që bëj është noti. Madje e kam mësuar vetë!

Më pëlqen shumë të shkoj me familjen time për të vizituar plazhe të ndryshme. Një herë shkuam në Palauan – një ishull me lumin më të madh nëntokë në botë. Shkova për zhytje me periskopin tim dhe pashë të gjithë peshqit shumëngjyrësh.

Një ditë në shkollë, disa shokë klase thanë se mormonët nuk besojnë në Perëndi. U thashë atyre se besojmë. Ditën pasuese solla disa karta për shpërndarje që kishin një fotografi të Jezusit përpara dhe Nenet e Besimit prapa. Kur shokët e klasës e panë fotografinë dhe lexuan disa nga bindjet tona, ata qenë të lumtur që e dinin se ne vërtet besojmë në Perëndi.

Unë e Dua Tempullin

Jemi fatlumë që jetojmë afër Tempullit të Sebu-Sitit, Filipine. Unë pata mundësi ta vizitoja tempullin me familjen time përpara se ai të përkushtohej. Është një vend kaq i bukur dhe i qetë. Jam mirënjohëse që, për shkak të tempujve, familja ime mund të jetë së bashku përgjithmonë.

  • “Përshëndetje, miq!” në gjuhën tagaloge.