2014
Pata Shumë për të Ndarë
Prill 2014


Pata Shumë për të Ndarë

Brent Fisher, Kaliforni, SHBA

Gjithmonë kisha menduar për përgatitjen për urgjenca lidhur me përkujdesjen për familjen time dhe veten time. Por mësova ta shihja përgatitjen ndryshe një mëngjes të diele në Floridën jugore në vitin 1992. Uragani Endrju, një nga uraganet më shkatërrues dhe më dëmtues që goditi Shtetet e Bashkuara, e ndërpreu një verë të bukur në Majami, Florida.

Unë po jetoja përkohësisht i vetëm në një apartament në plazh, ndërkohë që vazhdoja një program tremujor orientimi për punën time. Kur erdhi paralajmërimi i uraganit dhe mësova se do të nevojitej të largoheshim nga kompleksi i apartamenteve para mesditës, një bashkëpunëtor prenotoi dhoma hoteli në një zonë larg bregdetit për bashkëpunëtorët e mi dhe mua. I zura dritaret me dërrasa dhe i vura në një vend të sigurt gjërat e mia vetjake.

Në përgatitje për një vizitë njëjavore nga gruaja dhe fëmijët e mi, që më parë unë pata blerë ushqim dhe ujë të mjaftueshëm për familjen time prej gjashtë vetash. Gjeta ngushëllim duke e ditur se kisha një vend të sigurt ku të shkoja dhe ushqim të mjaftueshëm për ta marrë me vete që të më mjaftonte për disa javë.

Ndërsa u përgatita të largohesha në 10:30 të mëngjesit, u ndjeva mirë – gjithçka ishte në rregull. U gjunjëzova në lutje, duke e falënderuar Atin Qiellor për bekimet e mia dhe duke kërkuar ndihmën e Tij gjatë stuhisë që po vinte. Ndërsa po e mbaroja lutjen time, Shpirti më nxiti të them: “Nëse ka ndonjë që ka nevojë për ndihmë, ju lutem më ndihmoni ta gjej atë burrë ose grua”.

Brenda pak minutash, një e ve 80-vjeçare trokiti në derën time. “Më falni”, tha ajo. “Jam në dhomën e gabuar. Po kërkoj një shoqe.”

U duk e rraskapitur. Kur e pyeta nëse mund të ndihmoja, ajo u shqetësua dhe tha se nuk dinte se çfarë të bënte apo ku të shkonte. E pyeta se ku jetonte dhe së bashku ecëm drejt apartamentit të saj, vlerësuam situatën e saj dhe u hodhëm një sy mundësive të saj.

I thashë se kompania ime mund të kishte vend në një prej dhomave tona të hotelit dhe e ftova të qëndronte me grupin tonë. Ajo psherëtiu me lehtësim. Me shpejtësi i paketuam gjërat dhe i siguruam apartamentin dhe plaçkat e saj dhe e rregullova me një bashkëpunëtor për ta çuar atë me makinë në hotel.

Ndërsa po bëhesha gati të largohesha, dy të veja të tjera kërkuan ndihmë. I ndihmova të qetësoheshin që të mund të mendonin qartësisht dhe të merrnin parasysh se ku mund të gjenin strehim. Kur po i merrja bagazhin njërit prej bashkëpunëtorëve të mi, një tjetër e ve e moshuar kërkoi ndihmë. I vendosëm gjërat e saj të thyeshme në vende të sigurta dhe e ndihmuam atë të përgatitej për t’u larguar.

Ndërkohë, bashkëpunëtorët e tjerë ftuan dy studentë kolegji që po jetonin në një ishull, të qëndronin me grupin tonë në hotel larg bregdetit. I vetmi ushqim që kishin, ishte një sasi e vogël ushqimesh të thata dhe një shishe gati 1 litërshe me ujë mineral. Për fat të mirë, unë kisha mjaft për t’iu dhënë jo vetëm atyre, por edhe gjithë të tjerëve.

Çfarë bekimi ishte të isha i përgatitur dhe i udhëhequr nga Zoti! Kjo më lejoi të siguroja një ndikim qetësues gjatë një kohe shqetësimi të madh dhe ta kaloja pothuajse të gjithë kohën time duke i ndihmuar të tjerët pa u shqetësuar për veten time. Fitova një nivel të ri vlerësimi për këshillën e dhënë nga udhëheqësit tanë të priftërisë për të qenë të përgatitur.