2014
Sjellja e Bekimeve të Priftërisë në Shtëpinë Tuaj
Prill 2014


Sjellja e Bekimeve të Priftërisë në Shtëpinë Tuaj

Pamja
Boni L. Oskarson

Kur i mbani besëlidhjet tuaja, ju mund të merrni nga fuqia e priftërisë për të bekuar shtëpinë dhe familjen tuaj.

Pamja
Buildings from various countries.

Ilustrimet nga Sudi McCollum

Si mund të merrni ju, si një i ri apo e re, pavarësisht nga rrethanat tuaja familjare, nga fuqia e besëlidhjeve të priftërisë që bëtë në pagëzim për të forcuar shtëpitë dhe familjet tuaja? Të kuptuarit e rolit dhe të rëndësisë së familjeve tona në planin e Zotit mund të na frymëzojë që t’i nderojmë premtimet që kemi bërë, duke kuptuar se shërbimi ynë më i mirë dhe më me dëshirë bëhet brenda vetë shtëpive tona. Le të shohim disa mënyra se si marrim nga fuqia e besëlidhjeve tona për t’i forcuar ata që janë më të rëndësishmit për ne dhe për t’u shërbyer atyre.

Si do të Përgjigjeshit?

Është e hënë në darkë dhe keni shumë detyra shkolle për të bërë. Dëgjoni babanë që thërret familjen për t’u mbledhur për mbrëmjen familjare. Çfarë bëni ju?

Zgjedhja A: Ju përgjigjeni: “O babi, nuk kam kohë për atë sonte! Duhet të studioj!”

Zgjedhja B: Me të shpejtë ndihmoni për t’i mbledhur motrat dhe vëllezërit tuaj dhe me gëzim merrni pjesë në lutje, muzikë dhe dhënien e mesazhit.

Kur Ka Udhëheqje Priftërie në Shtëpi

Mbështetja e prindërve tuaj nëpërmjet pjesëmarrjes me dëshirë në mbrëmjen familjare, në lutjen familjare dhe në studimin familjar të shkrimeve të shenjta janë disa mënyra për ta forcuar udhëheqjen e priftërisë në shtëpinë tuaj. Ka edhe shumë mënyra të tjera, të tilla si:

  • Lutuni për prindërit tuaj. (Ata ka shumë mundësi të luten për ju çdo ditë.)

  • Mbështetini prindërit tuaj në thirrjet e tyre të Kishës dhe ofroni të ndihmoni në shtëpi, veçanërisht kur ata janë të zënë me detyra të veçanta.

  • I ndihmoni prindërit tuaj t’i mirëpresin mësuesit e shtëpisë kur ata vijnë dhe më pas dëgjoni me mirësjellje mesazhin e tyre.

  • Nëse ka një tempull në zonën tuaj, ofroni që të kujdeseni për motrat dhe vëllezërit më të vegjël me qëllim që prindërit tuaj të mund të shkojnë në tempull dhe të marrin pjesë në ordinancat e priftërisë.

Mbani mend se nuk është që vetëm prindërit janë përgjegjës për ta ftuar dhe për ta mbajtur Shpirtin në shtëpinë tuaj. Ka shumë që mund të bëni për ta ftuar Shpirtin nëpërmjet veprimeve dhe qëndrimit tuaj. A po e bëni pjesën tuaj për ta ftuar ndikimin e Shpirtit në shtëpinë tuaj?

Kur Nuk Ka Udhëheqje Priftërie në Shtëpi

Jo të gjitha familjet duken ose veprojnë në të njëjtën mënyrë. Ju mund të jeni në një familje me një prind të vetëm ose të mos keni një mbajtës të priftërisë që kryeson në shtëpinë tuaj. Ka ende shumë mënyra për ta ftuar fuqinë e priftërisë për t’ju forcuar ju dhe familjen tuaj. Këto janë gjëra që ne të gjithë duhet t’i bëjmë, pavarësisht nga rrethanat tona:

  • Bëni lutje personale, studioni shkrimet e shenjta dhe agjëroni. Këto përpjekje do t’ju ndihmojnë të jeni më të fortë shpirtërisht dhe ta ftoni Shpirtin në jetën tuaj dhe në sferën tuaj të ndikimit.

  • Harxhoni kohë për t’i lartësuar thirrjet ose detyrat tuaja të Kishës dhe jini të përgatitur për mësimet e së dielës. Bërja e kësaj ju ndihmon të keni mirëbesim te vetja dhe tregon mbështetje për programet e priftërisë.

  • Tregoni respekt për të gjithë anëtarët e familjes suaj dhe mbështetini veprimtaritë e tyre të shëndetshme. Këto zgjedhje ndihmojnë në forcimin e tërë familjes.

  • Ndani me familjen tuaj gjërat që mësoni dhe bëni në orët mësimore dhe kuorumet tuaja të Kishës. Ajo është një mënyrë për t’i sjellë mësimet e ungjillit në shtëpi.

  • Gjeni mënyra për t’u shërbyer atyre që keni përreth nëpërmjet veprimeve të thjeshta të mirësisë.

  • Ndihmoni nëpër shtëpi duke bërë punë shtëpie apo duke ndihmuar një vëlla ose një motër.

  • Tregojini dashuri si e Krishtit familjes suaj – ajo do të ketë ndikim më të madh në krijimin e lidhjeve të forta familjare sesa pothuajse çdo gjë tjetër që mund të bëni.

Nderimi i Besëlidhjeve Tuaja

Duke u shërbyer familjeve tona, duke i dashur e forcuar ato, ne jemi të vërtetë ndaj besëlidhjeve që bëmë në pagëzim për të qëndruar si dëshmitarë të Jezu Krishtit, për t’i zbatuar urdhërimet e Tij dhe për t’i forcuar njerëzit përreth nesh. Ne mund të marrim forcë nga besëlidhjet e priftërisë që të jemi një bekim për shtëpitë dhe familjet tona dhe për të ndihmuar në shtëpitë dhe familjet tona. Priftëria, shërbimi dhe shtëpia janë fjalë që duhet të lidhen përjetësisht në mendjen tonë. Anëtarët e vetë familjeve tona duhet të jenë përparësia numër një, ndërkohë që gjejmë mënyra për të marrë pjesë në punën e shpëtimit. Kur i forcojmë familjet tona, ne gjithashtu forcojmë Kishën, komunitetet tona dhe botën.