2014
Moisiu
Prill 2014


Profetët e Dhiatës së Vjetër

Moisiu

“Aq i madh ishte Moisiu sa edhe Krishti është përshkruar si një Profet mbi këtë udhëheqës të lashtë të turmës së Izraelit.”1 – Plaku Brus R. Mek-Konki (1915–1985), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

U linda në Egjipt në një kohë kur njerëzit e mi, izraelitët, ishin në robëri. Duke u frikësuar nga numri në rritje i skllevërve izraelitë, faraoni urdhëroi që të gjithë izraelitët meshkuj të vriteshin që në lindje. Që të më mbronte, nëna ime më fshehu për tre muaj pas lindjes sime përpara se te më vendoste në një kanistër mes kallamishteve të Nilit. E bija e faraonit më gjeti dhe më rriti si birin e saj.2

Kur u rrita, u largova nga Egjipti dhe jetova në tokën e Madianit. Atje gjeta hir në sytë e Jethros, bari e prift, dhe u martova me bijën e tij, Seforën. Nga Jethro mora Priftërinë Melkizedeke.3

Një ditë, teksa po kullotja kopenë e Jethros, Zoti m’u shfaq në një ferrishtë që po digjej dhe më thirri që t’i nxirrja fëmijët e Izraelit nga robëria.4

U ktheva në Egjipt dhe i thashë faraonit ta çlironte popullin e Zotit, por në vend të kësaj, ai ua shtoi barrat. Zoti dërgoi një seri plagësh mbi egjiptianët, por faraoni e ngurtësoi zemrën dhe sërish nuk pranoi t’i çlironte izraelitët. Plaga e fundit ishte një engjëll shkatërrues që vrau birin e paralindur të çdo familjeje në Egjipt. Izraelitët u mbrojtën nga engjëlli shkatërrues duke spërkatur gjakun e një qengji pa të meta mbi pjesën rrethuese të dyerve të tyre dhe duke qëndruar brenda në shtëpi. Nëpërmjet meje, Zoti e themeloi Festën e Pashkës si një ordinancë për t’i ndihmuar izraelitët që ta kujtonin këtë mrekulli çdo vit.5

Plaga e fundit bëri që faraoni të zbutej e t’i linte të lirë izraelitët. Por faraoni më vonë e ngurtësoi zemrën dhe dërgoi ushtritë pas izraelitëve që po largoheshin. Zoti më bekoi me fuqinë për ta ndarë Detin e Kuq dhe ne kaluam në tokë të thatë ndërkohë që deti e përmbyti ushtrinë e faraonit.6

Zoti më pas shkoi përpara nesh ditën në një re dhe natën në një kolonë zjarri. Ai na mbajti me ujë, manë dhe shkurta.7

Unë u ngjita në malin Sinai, ku qëndrova për 40 ditë dhe mora Dhjetë Urdhërimet nga Zoti. Kur u ktheva nga mali, izraelitët i kishin kthyer shpinën Perëndisë dhe kishin farkëtuar një viç të artë për ta adhuruar. Ata nuk ishin më të denjë të merrnin ligjin që më dha Perëndia, ndaj unë i theva pllakat që e përmbanin atë. U ktheva në mal, ku Zoti më dha një ligj më të ulët, i cili thirret me emrin tim – Ligji i Moisiut.8

Në shkretëtirë, Zoti më zbuloi projektet për të ndërtuar një tabernakull ose një tempull të lëvizshëm. Ne e mbanim tabernakullin me vete në udhëtimet tona që të mund të adhuronim brenda tij. Në tabernakull, populli mori ordinancat dhe unë i fola Zotit “ballë për ballë, ashtu si një njeri flet me mikun e tij”9. Zoti më tregoi edhe si ta ndërtoja arkën e besëlidhjes, një relike e shenjtë që qëndronte në pjesën më të shenjtë të tabernakullit, Shenjtëroren e Shenjtëroreve.10

Kur Zoti dërgoi “gjarpërinj flakërues” për t’i ndëshkuar izraelitët, unë u urdhërova të bëja një gjarpër prej bronzi dhe ta vija lart mbi një shtizë që të gjithë ata që u kafshuan nga gjarpërinjtë, të mund ta shikonin e të shëroheshin. Por për shkak të krenarisë së tyre dhe të thjeshtësisë së detyrës, shumë nuk do të shikonin e si rrjedhim vdiqën.11

Zoti bëri që izraelitët të endeshin në shkretëtirë për 40 vjet përpara se t’i lejonte të hynin në tokën e premtuar.12 Unë nuk hyra por u “mor[a] nga Shpirti” për te Zoti.13