2014
Nëse Syri Juaj Drejtohet te Lavdia Ime
Prill 2014


Nëse Syri Juaj Drejtohet te Lavdia Ime

Kethrin Nelson jeton në Juta, SHBA. Haidi Mek-Konki jeton në Delauer, SHBA.

Si mund të na ndihmojë të jetuarit me thjeshtësi në të folur, sjellje dhe paraqitje për të rrezatuar dritë dhe për të përlëvduar Perëndinë?

Në Këshillin në Qiell para lindjes, kur Jezu Krishti doli vullnetar që të bëhej Shpëtimtari ynë, Ai i tha Atit: “Vullneti yt u bëftë dhe lavdia qoftë e jotja përgjithmonë” (Moisiu 4:2).

Zoti gjithmonë ka dhënë shembullin e përlëvdimit të Atit. Gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, Shpëtimtari kurrë nuk e tërhoqi vëmendjen drejt Vetvetes, por përkundrazi i drejtoi pasuesit e Tij tek Ati, duke i mësuar: “Kush beson në mua, nuk beson në mua, por në atë që më ka dërguar” (Gjoni 12:44). Në sjellje, paraqitje, fjalë dhe veprim, Shpëtimtari na mësoi rreth rëndësisë së thjeshtësisë.

Në përkushtimin e tyre për ta ndjekur Shpëtimtarin, të rinjtë në moshë madhore, të cituar në këtë artikull, mendojnë rreth shprehjeve të tyre të brendshme e të jashtme të thjeshtësisë dhe tregojnë se si zotimi i tyre për ta përlëvduar Perëndinë i ka dhënë formë karakterit të tyre dhe i ka udhëhequr veprimet e tyre.

Përlëvdoni Perëndinë dhe Rrezatoni Dritë

Ne e dallojmë më mirë se si thjeshtësia e përlëvdon Perëndinë kur e kuptojmë se çfarë është me të vërtetë thjeshtësia. Të Vërtetë ndaj Besimit shpjegon: “Thjeshtësia është mbajtja e një qëndrimi të përulur dhe të hijshëm në veshje, në zbukurim, në gjuhë dhe në sjellje. Kur jeni i thjeshtë, nuk do të kërkoni të tërhiqni vëmendje të tepruar mbi ju. Në vend të kësaj, ju kërkoni të ‘përlëvdoni Perëndinë … në trupin tuaj dhe në frymën tuaj’ (1 Korintasve 6:20).”1

Kur mësojmë të tregojmë thjeshtësi sikurse bëri Shpëtimtari, ne e mirëpresim Shpirtin në jetën tonë, duke plotësuar premtimin që “nëse syri juaj drejtohet te lavdia [e Perëndisë], tërë [trupi juaj] do të mbushe[t] me dritë” (DeB 88:67). Teksa lexoni se si e kuptojnë të rinj të tjerë në moshë madhore thjeshtësinë, ju mund të merrni parasysh se si ta shtoni vetë dritën tuaj shpirtërore duke bërë rregullime për ta përmirësuar zotimin tuaj brenda vetes ndaj thjeshtësisë dhe shfaqjes së jashtme të saj.

Jini të Thjeshtë në të Folur dhe në Sjellje

“Fjalët dhe veprimet tuaja mund të kenë ndikim të thellë tek ju dhe tek të tjerët. Shprehuni me anë të gjuhës së pastër, pozitive e lartësuese dhe me veprime që u sjellin lumturi atyre përreth. Përpjekjet tuaja që të jeni i thjeshtë në fjalë e në vepra, çojnë drejt rritjes së udhëheqjes dhe ngushëllimit nga Fryma e Shenjtë.”2

Darja Sergevna Shvidko nga Vologradi në Rusi shpjegon se ne jemi të thjeshtë në të folurën tonë kur i trajtojmë të tjerët me respekt dhe përdorim “butësi të zërit dhe shprehje të qetë të mendimeve tona, pa përdorur fjalë të ashpra ose të papërshtatshme”. Gjuha e thjeshtë është e çliruar nga thashethemet, përqeshjet, tallja dhe sarkazma. Nuk i ul poshtë të tjerët ose nuk nxit egoizëm; ajo thjesht tregon mirësi ndaj të gjithë fëmijëve të Atit Qiellor dhe dallon natyrën hyjnore të tyre.

E folura jonë gjithashtu duhet të tregojë respekt për Kreun-Perëndi: “Largoni gjuhën e ndyrë dhe të shkujdesur, përdorimin e emrit të Zotit pa respekt, të cilat janë aq të rëndomta në botë. … Natyra e një gjuhe … të tillë me mungesë respekti dëmton aftësinë [tonë] për të marrë nxitjet e qeta të Frymës së Shenjtë.”3

Po ashtu sikurse e folura pa thjeshtësi, e tillë si thashethemet dhe tallja, mund t’i dëmtojë marrëdhëniet, e folura me thjeshtësi kultivon një zotim më të madh ndaj Perëndisë dhe, ashtu si Kelli Pru nga Juta, SHBA, shpjegon: “rrit aftësinë tonë për të ndërtuar marrëdhënie të mira me të tjerët. E folura jonë me thjeshtësi na ndihmon për të nxjerrë në pah natyrën më të mirë të të tjerëve.”

Thjeshtësia në të folur dhe thjeshtësia në sjellje janë të lidhura ngushtë. “Është e rëndësishme që të jeni të thjeshtë në të folur dhe në sjellje, sepse ajo tregon se kush jeni dhe çfarë vlere keni”, thotë Majk Olsen nga Juta. Njerëzit e vënë re kur fjalët dhe veprimet nuk përputhen. Gjuha jonë që i lartëson të tjerët moralisht dhe që përlëvdon Perëndinë, duhet të shoqërohet nga veprime që i përputhen asaj. Nëpërmjet veprimeve të shërbimit dhe mirësisë, ne vëmë në dukje se zotimi ynë për t’i lartësuar moralisht të tjerët dhe për ta nderuar Perëndinë shkon edhe më thellë se fjalët tona. Shembujt tanë të dishepullimit në fjalë dhe veprim mund të jenë një ndikim për mirë.

“Me të vërtetë e vlerësoj thjeshtësinë në sjellje dhe të folur”, thotë Keri Karlson nga Kolorado, SHBA. “Ka diçka shumë të këndshme te dikush që është i përulur dhe nuk bën gjëra për qëllimin e tërheqjes së vëmendjes. Ata që flasin me thjeshtësi, bëhen mjete të fuqishme për Zotin.”

Jini të Thjeshtë në Veshje dhe në Pamje

“Thjeshtësia [në veshje] ndihmon për të nxjerrë në pah natyrën tonë më të mirë duke na ndihmuar të përqendrohemi te njeriu shpirtëror në vend të njeriut natyror”, thotë Pol Kejv nga Juta. Duke u veshur me thjeshtësi, ne i nxisim të tjerët që të mund të na njohin dhe të na vlerësojnë për personalitetin dhe karakterin tonë më shumë sesa për mënyrën se si dukemi.

Mënyra se si vishemi jo vetëm që u tregon të tjerëve se si duhet të na trajtojnë, por ndikon edhe mënyrën se si e shohim dhe e trajtojmë veten tonë. “Ne mësojmë nga ungjilli se trupi ynë është një dhuratë nga Perëndia”, thotë Luis Da Kruz i Riu, nga Brazili. “Trupat tanë na ndihmojnë të përparojmë dhe të bëhemi siç është Ati ynë. Për këtë arsye është e rëndësishme të vishemi me thjeshtësi. Duke bërë kështu, ne i tregojmë Perëndisë dhe të tjerëve se kemi respekt për këtë dhuratë dhe për të tjerët.”4

Keri shpjegon: “Të veshurit pa thjeshtësi ka për qëllim ta portretizojë trupin si një objekt fizik që është i shkëputur nga një shpirt me personalitet dhe karakter. Të qenit e thjeshtë, edhe pse më ka kushtuar më shumë para nganjëherë dhe sigurisht më shumë kohë, më ka ndihmuar të mësoj se trupi im është ena mbajtëse e një shpirti të çmuar me potencial dhe përfundim hyjnor, të lindur dhe të rritur nga Prindër Qiellorë. Ai meriton shumë më tepër kujdes dhe respekt sesa do t’i jepte bota.”

Të Vërtetë ndaj Besimit na mëson: “Pëveç mënjanimit të [veshjeve jo të thjeshta], duhet të shmangni kalimin në modele ekstreme të veshjes, paraqitjes dhe prerjes së flokëve. Në veshje, në zbukurim dhe në modele përherë qëndroni i saktë dhe i pastër, asnjëherë i çrregullt ose i shkujdesur në mënyrë të pavend.”5 Nëpërmjet mënyrës se si vishemi dhe e paraqitim veten, ne komunikojmë respektin tonë për Perëndinë, për veten tonë dhe për të tjerët.

Zotohuni për Vazhdueshmëri

Kur përpiqemi të ndjekim standardet e ungjillit për thjeshtësinë, ne tregojmë zotimin tonë me anë të vazhdueshmërisë, duke iu bindur urdhërimeve të Zotit gjatë gjithë kohës, jo vetëm në rastet kur është e volitshme.

Zotimi i vërtetë gjithnjë i ka rrënjët te parimet e ungjillit. Enthëni Roberts nga Juta shpjegon: “Thjeshtësia është një gjendje e mendjes, një dëshirë për të ecur çdo ditë duke e kuptuar ungjillin dhe planin e shpëtimit”. Kur e zhysim veten në ungjill, kthimi ynë në besim mund të thellohet dhe të rritet dëshira jonë për t’i jetuar parimet e ungjillit.

Të Kuptuarit e Natyrës Suaj Hyjnore

Të praktikuarit e thjeshtësisë në mënyrë të vazhdueshme na ndihmon ta kuptojmë dhe ta vlerësojmë të drejtën tonë të parëbirnisë dhe njohja e natyrës sonë hyjnore mund të na frymëzojë të jemi më të thjeshtë. Rafaela Ferini nga Firence në Itali, shpjegon: “Thjeshtësia e bekon jetën time, sepse më ndihmon të ndihem si bijë e veçantë e Atit tim Qiellor dhe ajo dituri, si rrjedhim, më bën të kem dëshirë të jem e thjeshtë”.

Të lejuarit e botës që të përcaktojë se cilët jemi, mund ta dëmtojë vetëvlerësimin tonë. Xhuliana Auna nga Juta përshkruan përvojën e saj: “Përpara se të fitoja dëshmi për parimin e thjeshtësisë, unë isha në një gjendje të palumtur dhe të pasigurt shpirtërisht. Të lejuarit e botës që të përcaktonte se kush isha, ishte dëshpëruese dhe gjymtuese moralisht, sepse mania e botës me gjërat materiale, fizike është e ashpër dhe e pamëshirshme. Sapo vendosa të mos ia vija veshin botës dhe ta lejoja marrëdhënien time me Perëndinë të më përcaktonte mua në vend të saj, jeta u bë më e lehtë, më e lirë dhe më e lumtur.” Kur kërkojmë miratim nga Ati Qiellor në vend të miratimit të botës, ne vërtet do të gjejmë gëzim më të madh në jetë dhe shtysë më të madhe për të qenë të thjeshtë.

Jetoni një Jetë të Thjeshtë

“Thjeshtësia shprehet në gjithçka që bëjmë: të folurën tonë, pamjen tonë të jashtme, sjelljen tonë dhe madje vendet që vizitojmë”, thotë Galina Viktorovna Savçuk nga Novosibirsk në Rusi. Të jetuarit me thjeshtësi lidhet ngushtësisht me zotimin tonë ndaj ungjillit dhe ndaj marrëdhënies sonë me Perëndinë.

Thjeshtësia e vërtetë është një ndërthurje si e sjelljes, ashtu dhe e qëndrimit. Të punuarit për ta përmirësuar qoftë sjelljen tonë apo mënyrën se si i shohim gjërat, do të na ndihmojë ta përmirësojmë tjetrën. Të qenit të thjeshtë në sjelljen dhe paraqitjen tonë pa zhvilluar një zotim gjatë gjithë jetës nuk na lejon të marrim bekimet e plota të të jetuarit me thjeshtësi. Dhe të besuarit se vetë jemi njerëz të thjeshtë, pa i kryer deri në fund veprimet tona, është vetëmashtrim.6

Në kontekstin e thjeshtësisë, të thuash që sytë tanë drejtohen vetëm te lavdia e Perëndisë do të thotë që ne zotohemi nga ana e jashtme dhe e brendshme për të jetuar me thjeshtësi. Po ashtu si syri duhet të drejtohet te Perëndia, pamja jonë e jashtme dhe veprimet tona të jashtme duhet të jenë në përputhje me parimet e thjeshtësisë. Por vetëm të drejtuarit e syrit te Perëndia, nuk e bën atë të drejtuar te lavdia e Tij; syri duhet të përqendrohet tek Ai. Në mënyrë të ngjashme, veshja dhe paraqitja e jashtme e thjeshtë duhet të shoqërohen me një përqendrim te parimet e përjetshme.

Kur i kthejmë sytë tanë drejt Perëndisë, ne vërtet do të jemi në gjendje ta përqendrojmë më me lehtësi përqendrimin tonë tek Ai. Po ashtu, ndërsa e përqendrojmë shikimin tonë te Perëndia, sytë tanë do të tërhiqen në mënyrë të natyrshme drejt Tij.

Kur përpiqemi të jetojmë me thjeshtësi, ne vërtet do ta ndiejmë ndikimin e Shpirtit të rritet në jetën tonë. Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na ka mësuar: “Thjeshtësia është thelbësore për të qenit të denjë për Shpirtin. Të jesh i thjeshtë do të thotë të jesh i përulur dhe të qenit i përulur e fton Shpirtin që të jetë me ne.”7 Me Shpirtin duke i drejtuar mendimet dhe veprimet tona, sytë tanë do të drejtohen te lavdia e Perëndisë dhe ne vërtet do të jemi plot me dritë.

Shënime

  1. Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin (2004), f. 185.

  2. Të Vërtetë ndaj Besimit, f. 187.

  3. Të Vërtetë ndaj Besimit, f. 187.

  4. Shih Të Vërtetë ndaj Besimit, f. 186.

  5. Të Vërtetë ndaj Besimit, f. 186.

  6. Shih Lin G. Robins, “Çfarë Lloj Burrash dhe Grash Duhet të Jeni?” Liahona, maj 2011, f. 103.

  7. Robert D. Hales, “Modesty: Reverence for the Lord”, Liahona, gusht 2008, f. 18.