2014
E Vërtetë apo E Rreme?
Prill 2014


E Vërtetë apo E Rreme?

Ndonjëherë, njohja e së vërtetës nga e gabuara është e vështirë, por Ati ynë Qiellor na ka dhënë dhurata të fuqishme për të na ndihmuar të dallojmë midis të vërtetës së Perëndisë dhe gënjeshtrave të Satanit.

Nëse keni bërë ndonjëherë një pyetësor e vërtetë apo e rreme, e dini se nganjëherë është e vështirë të dalloni një të pavërtetë. Po ashtu, në pyetjet e mëdha për besimin, bindjen fetare dhe jetën e përditshme, ndonëse është jashtëzakonisht e rëndësishme të jemi në gjendje të tregojmë ndryshimin midis asaj që është e vërtetë dhe asaj që nuk është, nuk është gjithnjë e lehtë.

Megjithatë, ne nuk duhet të kemi frikë si njerëz të papërgatitur për pyetësorin. Ati ynë Qiellor na ka bekuar me shumë dhurata për të na ndihmuar t’i njohim të vërtetat e Tij dhe gënjeshtrat e kundërshtarit.

Lloje të Ndryshme të Pavërtetash

Së pari, për të ilustruar një çështje, ja tek është për ju një provim i shkurtër me përgjigje të llojit e vërtetë ose e rreme:

  1. Hëna është e gjelbër. e vërtetë   e rreme

  2. Nil Armstrong, astronauti i Apollos 12 që ishte njeriu i parë që shkeli në hënë, tha se ngjarja ishte një “hap vigan për njerëzimin”.e vërtetë   e rreme

  3. Programi i Administratës Kombëtare për Aeronautikën dhe Hapësirën (NASA) nuk mundi të shkonte në Mars në vitin 1969, prandaj atyre ju desh të shkonin në hënë. e vërtetë   e rreme

  4. Erërat diellore, rrezatimi, rrezet kozmike dhe pengesa të tjera do t’i kishin bërë të pamundura zbritjet e drejtuara në hënë, plus fotografitë dukeshin të tjetërsuara dhe rrëfimet e dëshmitarëve binin ndesh me disa hollësi, ndaj qeveria amerikane duhet ta ketë sajuar të gjithën këtë. e vërtetë   e rreme

Përgjigjja për secilën pyetje është E Rreme, dhe këto pyetje tregojnë disa lloje bazë të të pavërtetave që ka mundësi t’i ndeshni.

Pyetja 1 është një e pavërtetë e thjeshtë, një gabim i dukshëm. Pyetja 2 është një e vërtetë e pjesshme, që është e ndërlikuar, duke qenë se lidh një ose më shumë të vërteta me një të pavërtetë (ishte Apollo 11, jo Apollo 12 – të zura!) Pyetja 3 përmban një pohim të rremë me dy pjesë ose një situatë ku paraqiten vetëm dy mundësi, që në të vërtetë nuk janë të vetmet mundësi (për shembull, NASA mund të kishte zgjedhur të mos shkonte gjëkundi). Pyetja 4 është një argument “logjik”, që shtron mbi njëra-tjetrën prova që tingëllojnë të arsyeshme, por shpesh me gabime, me qëllim që të çojnë në një përfundim të posaçëm të pasaktë.

Gënjeshtra të Kohës Sonë

Kur bëhet fjalë për gjëra që ndikojnë te mendimet, bindjet, zgjedhjet dhe sjelljet tuaja – gjërat të cilat në mundësi kanë pasoja të përjetshme – është shpërblyese t’i mbash sytë hapur për lloje të ndryshme të pavërtetash, duke qenë se Satani, “ati [i] gënjeshtrave” (2 Nefi 9:9), do të përdorë çdo metodë që mundet për të na mashtruar. Ja tek janë disa shembuj të mënyrës se si po vepron ai sot, si dhe shembuj të mënyrës se si ne mund të përgjigjemi me të vërtetën që kemi.

E Pavërtetë e Thjeshtë

Ide e Rreme:

Ku të Çon (Gënjeshtër e Madhe):

E Vërteta:

Pornografia është normale dhe nuk lëndon askënd.

Vazhdo dhe shih pornografi.

Pornografia shtrembëron pikëpamjen tonë për seksualitetin, mund të jetë varësuese, na dëmton thellë shpirtërisht dhe mund t’i shkatërrojë marrëdhëniet.

E Vërtetë e Pjesshme

Ide e Rreme:

Ku të Çon (Gënjeshtër e Madhe):

E Vërteta:

Çdo person është i veçantë dhe mund të jetojë ashtu si ai ose ajo zgjedh të jetojë, prandaj mënyrat se si ndiheni dhe shpreheni janë gjërat më të rëndësishme në jetën tuaj.

Ju nuk duhet ta lejoni Perëndinë ose Kishën t’ju tregojë se si të jetoni, prandaj vazhdoni dhe bëni atë që doni nëse ajo ju bën të ndiheni mirë.

Çdonjëri prej nesh është një fëmijë i veçantë i Atit Qiellor, i cili dëshiron që ne të bëhemi vetë më të mirët dhe të bëhemi si Ai. Bindja ndaj urdhërimeve të Tij na ndihmon të fitojmë gëzim përfundimtar.

Pohim i Rremë me Dy Pjesë (Vetëm Dy Mundësi)

Ide e Rreme:

Ku të Çon (Gënjeshtër e Madhe):

E Vërteta:

Kisha predikon kundër disa stileve të caktuara të jetesës; si rrjedhim, ajo është e patolerueshme dhe i urren njerëzit – nuk është pranuese dhe e dashur.

Duke qenë se Kisha është jo tolerante dhe plot urrejtje, ajo meriton të kritikohet, të përqeshet dhe të kundërshtohet, prandaj ju duhet t’i shkëputni lidhjet me të.

Mospranimi i mënyrës së jetesës së dikujt nuk është i barabartë me urrejtjen dhe mungesën e tolerancës. Ne mund të tregojmë dhembshuri, respekt dhe mirësi ndaj çdokujt – përfshirë njerëzit mënyra e jetesës së të cilëve bie në kundërshtim me ligjet e Perëndisë – ndërsa qëndrojmë të vërtetë ndaj Perëndisë dhe urdhërimeve të Tij.

Argument “Logjik”

Ide e Rreme:

Ku të Çon (Gënjeshtër e Madhe):

E Vërteta:

Disa gjëra në Librin e Mormonit hidhen poshtë nga fakte aktuale shkencore dhe rrëfimet e mënyrës se si u përkthye ai nuk pajtohen mes tyre, prandaj Jozef Smithi mund ta ketë sajuar të gjithën ose ta ketë kopjuar nga diku tjetër.

Libri i Mormonit nuk është i vërtetë dhe Jozef Smithi nuk ishte një profet, prandaj shkëputini lidhjet me Kishën.

Shkenca pohon shuma gjëra në Librin e Mormonit dhe “prova” kundër tij është e çalë. Por prova më e rëndësishme për të është dëshmia e Shpirtit që ju tregon se ai është i vërtetë dhe se Jozef Smithi ishte një profet i vërtetë.

Si ta Dini të Vërtetën

Atëherë, nga vjen një tablo më e plotë për të vërtetën? Si jemi në gjendje të shohim përmes të pavërtetave? Ja tek janë disa prej dhuratave të fuqishme që Ati Qiellor na i ka dhënë për të dalluar të vërtetën nga e gabuara.

  • Drita e Krishtit. “Drita e Krishtit … i nxit të gjithë individët e arsyeshëm në të gjithë tokën të dallojnë të vërtetën nga e gabuara, të drejtën nga e padrejta. Ajo vë në veprim ndërgjegjen tuaj.”1

  • Fryma e Shenjtë. “Fryma e së vërtetës … do t’ju prijë në çdo të vërtetë” (Gjoni 16:13).

  • Shkrimet e Shenjta. “Perëndia e përdor shkrimin e shenjtë për të ndrequr mendimin e gabuar, traditat e pavërteta dhe mëkatin tok me ndikimet e tij rrënuese.”2 Libri i Mormonit është veçanërisht i rëndësishëm në këtë drejtim, pasi “nxjerr në pah armiqtë e Krishtit. Ai i ngatërron doktrinat e rreme dhe i jep fund grindjes. (Shih 2 Nefi 3:12.)”3

  • Profetët bashkëkohorë. “Përgjegjësia e [profetit] është t’i bëjë të njohur njerëzimit vullnetin dhe karakterin e vërtetë të Perëndisë. … Një profet e denoncon mëkatin dhe paratregon pasojat e tij.”4

  • Arsimimi. “Një shenjtor … kërkon të mësojë me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit. Arsimimi … e aftëson dikë për të dalluar të vërtetën nga e gabuara, sidomos nëpërmjet studimit të shkrimeve të shenjta. (Shih DeB 88:118.)”5

Edhe pse mund të mos jetë gjithnjë e lehtë të përgjigjesh E Vërtetë ose E Rreme kur përballeni me të gjitha këto ide të ndryshme në botë, dhuratat që Ati Qiellor ju ka dhënë mund t’ju ndihmojnë ta plotësoni pyetësorin.

Shënime

  1. Richard G. Scott, “Peace of Conscience and Peace of Mind”, Liahona, nëntor 2004, f. 15.

  2. D. Tod Kristoferson, “Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta”, Liahona, maj 2010, f. 33–34.

  3. Ezra Taft Benson (1899–1994), “The Book of Mormon Is the Word of God”, Ensign, maj 1975, f. 64.

  4. Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Profet”, f. 157, scriptures.lds.org.

  5. Russell M. Nelson, “Thus Shall My Church Be Called”, Ensign, maj 1990, f. 16.